back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Nji shteg midis poetëve Shllaku dhe Reshpja refleksion kritik nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Nji shteg midis poetëve Shllaku dhe Reshpja

refleksion kritik nga Jozef Radi

Para do kohe, nji profesoreshë nga Kosova më shkruente me shumë trishtim dhe alarm, mbi nji esse të gjatë të poetit Primo Shllaku, rreth veprës dhe jetës së poetit Frederik Reshpja. Alarmi i saj dhe trishtimi dëshpërues i nji grueje letrash më shtyu me e marrë disi me të butë edhe pse ajo më shqetësoj me togfjalëshin: “S’ka lanë gja pa thanë… Si asht e mundun, Primoja!?”
-Primon e njoh, – i thashë – dhe ruej konsideratë për të, dhe nuk asht aspak prej atyne që “i bjen në qafë kujt”. Reshpjen s’e kam njoftë, ia kam dhanë ma shumë se nji herë dorën, po ma shpesh e kam ndeshë në rrugë mbas ’90. Ruej nji konsideratë solide jo veç për lirikat e tij, pse e di që burgjet dhe linçimet e pësueme e kishin drobitë e tukeqë fort… kaq i thashë…
Kurse lirikat e paburgta të tij, i kam filtrue përmes dhimbjes sime, prandej të gjithë atyne që kanë pësue si poetë, për kët arsye më baheshin edhe ma të dashtun! Kështu që edhe figura e Reshpjes mbas ’90, më dhimbte fort, dhe lirikat e tij më ngjisnin edhe ma fort, edhe prej atij fragmenti jete ku pesha e privimeve të shumta e kishte çoroditë randë, e kishte çbusullue, dhe hutimi i tij prej poeti, ajo përhumbja e tij nën kapele që bahej gjithnji e ma e madhe, ma bante aq të prekshme bohemën e fatit të tij, sa që s’guxoja as me i dhanë as të njoftun, mos me ia trazue, as shtue ma tej dhimbjet dhe traumat e pësueme…
Ndoshta kjo shmangie më vinte edhe për shkak të ndonji moskuptimi si poetë breznish, vendesh e rrethanash krejt të ndryshme, edhe pse emnues të përbashkët veç vuejtjes kishim edhe dashninë për fjalën e shkrueme! Kur vuejtja nën do regjime barbare, si ky që po e përcjellim me të vshtirë, ka nji emnues të tillë të përbashkët, deri më sot ma ka frenue çdo protuberancë të hovshme vedit, me qenë i ashpër me bashkvuejtsit, qoftë edhe me atë ma të keqin edhe ma të ndytin e vuejtjeve!
Ama, kur binte fjala për Reshpjen-njeri, s’mbrrita me ia kuptue kurrë at inercinë e tij politike mbas ’90-ës, as truket e shpërdorimit që u luejtën mbas tij, as ai degradim final i shëndetit, kur u fut në nji anmiqsi të hapun me vedin… Çka s’mbrrija me e kuptue, ishte ajo linjë politike që e kishte mbështetë në lirikat ma të ndjeme të nji tragjiku, pse s’kujdesej aspak për tragjedinë e dhimbshme të lirikut të saj!?!
E bash në kët habi të pashpjegueme të antinjerzores, liriku antigegnisht i Shkodrës na kish lanë “lamtumirën e madhe”, çka në shpirtin tim la nji zgafellë dhimbjeje, të cilën e kam përcjellë me sa kam mujtë, dhe kam me e përcjellë në vazhdimësi, qoftë edhe si nji fenomen ende të palexuem e të pakuptuem si duhet, o ndoshta si nji trajtë ambigue dhe “amfibe” aq të lulzueme dhe aq të lazdrueme n’histori të kulturën sonë të vonë.
Kështu me kët frymë shpjegimesh e arsyesh, u mundova me e qetue përmes fjalësh të paqta e të ndërdyshta profesoreshën nga Kosova, duke i kërkue që nëse mundej me ma nisë sa ma parë shkrimin që ta lexoja, përndryshe çdo opinion i avancuem do t’ishte nji harakiri në dam të vedit! Kjo, mbasi shkrimin ajo e kishte lexue në letër reviste në Kosovë… kurse në onlinë munda me e lexue veç mbas dy javësh…
.
Frederik Reshpja
Frederik Reshpja (1940-2006)

***

Primo Shllaku asht poet në thelbin e vet. Poet i strukturuem mirë, me nji frymë antikonformiste të rrallë. Asht profesor me peshë, mbasi konceptet dhe fryma e tij e letrave të detyron me qenë jo veç i vëmendshëm, e i kujdesshëm, mbasi të krijon edhe hallakatje ndër termat që përdor, sa të duhen fjalorë të apostafatshëm me iu futë në thelb labirinthit të mendimeve dhe analizave të tij! Si studiues e konsideroj fort të nderuem, mbasi studimi i tij për Camajn: “Nji Uliks që s’u kthye kurrë në Itakë” asht simbas meje nji vepër tejet e rrallë në gjini të vet! Gjithashtu ka lëvrue me guxim në prozë, çka më ka shty me u entuziazmue jo pak, mandej edhe dramë, kështu që leximi i essesë: “Frederik Reshpja – 1941-2006”, me lejonte me besue se do të ishte edhe ky nji leksion i fuqishëm estetik.
S’po e trazoj kët shkrim me njofjen personale, çka nuk u len as ma të voglin dyshim fjalive të sipërcitueme, kështu që përballja midis dy poetëve bashkkohas të Shkodërloces: konformisti me antikonformistin; gegnishtdashësit me gegnishtmohuesin; njeriu që u burgos prej shtetit, të cilit aq zellshëm i pat shërbye, me njeriun që burgosi vedin veç mos me i shërbye zellshëm shtetit; liriku i njoftun mbi mohimin e vuejtjeve, me lirikun e thukët ndër vuejtje të mshehuna; njeriu i rrënuem prej lavdisë si maskë, me njeriun e naltuem prej flakjes së maskave; më kish futë tashma midis nji ringu ku me siguri mbështetja ma e madhe do të shkonte kah njeriu i dilemave dhe vuejtjeve të mëdha!!
Isha n’udhkryqin midis nji dhimbjeje të madhe dhe nji të vërtete të madhe! Përballë kisha njeriun, vdekja e të cilit më dhimbej fort, qoftë edhe prej fundit të saj; dhe nji tjetër njeriu, të cilin vdekja e nji poeti bashkohas s’e kishte frenue aspak me u futë në duel jo thjesht me figurën reale të nji poeti, po me at fryme mitike e mitizuese deri n’kufijë të legjendës që po luente disi tragjikshëm me fate njerzish dhe veprash letrare!!!
Për të zezë teme, Reshpjes s’i kisha kalue ndër duer asnji vepër të plotë të para’90, ku trajtohej krejt çka ka shkrue Shllaku, veçse konsideratën ndaj Reshpjes e kisha të gjallë, të patjetërsueshme dhe aktive me lexime të gjithçkashme, ku përfshiheshin poezi të tij apo edhe shkrime ndaj tij. Në raport me Reshpjen mbas nji leximi tejet reflektiv të esesë së Shllakut, mundem me thanë se më ka kthjellë tejmase, jo për Reshpjen si poet, as për Reshpjen si vuejtje njerzore, po për Reshpjen si fenomen!
Për Reshpjen si fenomen, Shllaku ka sjellë si nji begati letrare, krejt metamorfozën e nji shoqnie në degradim, shpërfilljen e vuejtjes, krijimin e dhunshëm të saj, nënshtrimin prej saj, harresën e vuejtjes dhe madhështimin e rrejshëm të tragjedisë së vuejtjes, përmes shpirtnash të shitun ndër lirika fantazmagorike.
Dhe vetëm mbas nji leximi ma të ftoftë vendosa me u marrë e me e trajtue qetësisht e gjanësisht, aq sa më lejon kandvështrimi im, e që në këto reflektime të mia, mendoj se autori në fjalë meriton pa as ma të voglën ndërdyshje, konsideratën teme.
.
Poeti Primo Shllaku
Poeti Primo Shllaku

***

Kritika letrare shqipe ka vite që e ka humbë kontaktin e saj me veprat letrare po edhe me gjanë! Lene që, ajo kurrë s’e ka pasë nji kontakt të tillë! Ka ekzistue veç nji frymë kritike ideollogjike, nji shëmtinë zhdanoviste, e cila s’i mati kurrnjiherë si duhet vlerat letrare pos vlerave të shërbimeve jashtëletrare, me qenë sa ma kryeuluna përballë ideollogjisë sunduese; e me përcaktue ma së shumti hierarkitë e njasaj kaste letrare, e cila edhe pse në nji betejë egërshane e të nëndheshme mesvedi, hera herë shfaqej e solidarshme dhe monolite, kur ishte fjala për rrëzime të rejash kokash letrare. Kjo “elitë e përndritun” s’u përplas kurrë me ajzbergun e partisë, jo pse s’kishte arsye, thjesht pse ishte shërbyse, dhe partia tashma s’mund të jetonte pa elozhet e vuejtshme të viktimave të saj, të përzgjedhuna aq dashunisht!
Mendoj se s’ka letërsi ma interesante se sa ajo e poetëve apo shkrimtarëve që e përdorën dhuntinë e të shkruemit, për piedestale lavdie interesash të vogla. Penda e tyne duket se përdorej veç si me u ba deputetë, si me gëzue shtëpi dhe konforte, si me fitue shpërblime dhe toka në bregdet, si me gëzue pensione të veçanta e privilegje, si me i shkollue fëmijët jashtë shtetit e mandej me ia atashue shtetit për punsime… Kur ndodh me lexue kësi punë shkrimtarësh, s’mundem me i shoqnue pa pak buzqeshje të hidhtë, këto vepra letrare, të cilat kanë tërhjekë mbas vedi nji ortek të pafundëm interesash dhe shpërblimesh jashtëletrare…
Për fat, Reshpjen s’e kam lexue kurrë në kësi përmase, kështu që ai gëzon privilegjin në mue, me e trajtue jashtë këtij objeksioni, por kjo nuk do me thanë, se diku e diku fjala e Shllakut si bashkëkohas dhe bashkqytetas i Reshpjes nuk zen vend në mue.
Reshpja bien ma i pari në analizën gijotiniste të Shllakut, jo pse e meriton i pari, (mund të lihesh edhe për ma vonë), po pse Reshpja përfaqson modelin ma shembullor të poetin që edhe vuen, edhe luen me vuejten, edhe i maskon vuejtjet, kjo jo për hir të shpirtgjanësisë stoike e as prej shpërfilljes solemne të dinjitarit, thjesht pse leximin e shpirtit të vet në raport me at botë makabre ku ai aq shumë ka shërbye, e mandej edhe ma zi: ka pësue – duke krijue idenë se edhe shpirtin edhe penën ia ka falë shejtanit, s’mbetet tjetër rrugë: veç gijotina!!
 
***
Poetin Reshpja, lirikat e të cilit kam me vazhdue me i dashtë, pse besoj se të shkruemit asht edhe nji lloj arratije prej vetvedit. Pse shpirti i poetit asht nji laborator ku e papërsosuna asht landa e parë e krijimeve!
Si bashkmoshas, bashkqytetas dhe bashkletraras i Shllakut, Reshpja i ka dëshmue atij për të gjallë e për të dekun se dy modelet e tyne poetike dhe njerzore, s’janë tjetër veçse dy shina që s’puqen kërkund. Pse trenin e hekurt t’nji kohe kriminale edhe ndër letra edhe ndër shpirtna e kanë mbajtë njisoj… Si duket njena shinë ka qenë prej g(j)ize dhe tjetra prej çeliku. Prandej treni i tyne asht rrëzue, dhe s’ka mujtë me mbrritë në destinacionin e premtuem. Kështu që dikush duhet me e diftue të vërtetën e këtij treni që nuk mbrrin dhe arsyet pse nuk mbrrin! E këtu ndërfutet guximi qytetar, i cili ia kërkon ndihmën edhe cinizmit letrar. Edhe pse hera-herë mjaft subjektiv, duket sikur çeliku ia kërkon g(j)izës “pse nuk ishe edhe ti si unë dhe ta kishim pshtue trenin”! Kët raport mes g(j)izës dhe çelikut e kam fort për zemër sepse përballë nji kohe si kjo që nuk ikën, g(j)iza njerzore ka mbrritë apogjeun ma të lavdishëm të saj, po ama ka ende edhe çelik human që na lejon me mendue dhe me besue se njeriu qëndron mbi kohën dhe aspak koha mbi njeriun! Mandej, nëse ky rast merret në kontekst ma të gjanë dhe ma të thellë letrar, leximi, kuptimi dhe interpretimi i kësaj eseje psikoanalitike, (që në njifarë mënyre m’kujton Zëaigun), bahet ma kompleks, dhe ajo pamje përmes pasqyrash të shumta e këtij portreti mund të jetë nji arsye e mrekullueshme që shumëkush me e lexue poetin në nji tjetër rrafnaltë, po edhe me e kqyrë vedin kujdesshëm se në kësi pasqyrash cinike, s’mundesh me luejtë dhe me e shkapërda të keqen ku të mundesh e si të mundesh!
Sot, vërtet ndjehet nji sundim i mediokritetit mbi mediat, shkollën dhe kulturën shqiptare, shihet qartë edhe shthurja e kujtesës kolektive, por që ky kaos të mos e kryejë të plotë ciklin e monumentalizimit të së keqes, duhet disi ma shpesh të na u shfaqen kësi gijotinash kritike që ma së shumti na shtyjnë me lexue e me punue si duhet, se sa vrasin me të vërtetë!
E në kët kandshikim, mendoj se kritiku Primo Shllaku i ka ba nji monument të vyeshëm poetit Frederik Reshpja!
Nji monument vërtet cinik, po gjithnji nji monument!
Ekuilibrimi i debatit
Ekuilibrimi i debatit

***

Si lexues rrethanor po i etshëm i Reshpjes, vlerësues dhe tejet dashamir i pjesës së dukshme të ajzbergut të tij letrar, mundem me thanë se yshtja me e lexue Reshpjen mbas kësaj eseje të rrallë në letrat shqipe, duhet të jetë puna ma e mirë që na ban nji kritik i nji stofi të veçantë si Shllaku… Pse, me i kuptue si duhet do fenomene, duhet besue se balta e hjedhun mbi statujat prej balte mundet me pshtue njat pjesë mermeri të mshehun në to, dhe mundet me nxitë jo vetëm leximin e denduen e të kryqëzuem, jo thjesht me i kapë do pikla vese pranverore n’dritë të agut, po me i ndje do shpirtna të gjymtuem poetësh që edhe pse koha i bani pjesë e saj nuk mujti me i mbytë. Kjo s’do me thanë me e justifikue të keqen e madhe që u shpërnda përmes veglave ma të binduna e ma të përlloçuna, të cilat s’ka Fidie që ia del me ndreqë e me i hijeshue, po me iu gëzue çdo pjese të shndritshme e pshtueme mrekullisht prej inkoshiencës së tyne!
Sot asht ende e vështirë me krijue nji puzzlle poetësh që shndrisin, mbasi pjesa ma e madhe e copave të kartonit asht humbë njiherë e përgjithmonë. Mendoj se s’ka pse i bahet alarmizëm nji kritikë të tillë qoftë edhe cinike, ndoshta edhe pak xheloze, pse rreket me i zhbi ato mitet e rrejshme të së djeshmes që ende përpiqen me na bindë se lirika mundet me u lindë e me lulzue fuqishëm edhe prej boshllëkut të thellë shpirtnor!!
Le të jena porta pak ma të hapuna e shpirtna ma përthithës…!
 
***
Në mbyllje të këtij refleksioni, mundem me thanë se eseja e Shllakut në thelbin e saj nuk asht nji betejë me poetin Reshpja, po nji shpatë e mprehun mirë ndaj reshperizmit në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kjo asht përballje me at lloj klientelizmi letrar që po bahet aq i neveritshëm sa besohet që burokracia e letrave shqipe kaherë i ka piketue hierarkitë, i ka nda detyrat, i ka përndritë personazhet e veta, i ka përcaktue kryeveprat, i ka vendosë juritë dhe çmimet edhe për shekullin që vjen… mjafton veç me u ba pjesë e këtij klientelizmi, m’e ulë pak kryet nën harkun e triumfit të saj, dhe me e shijue at gishtin e zhytun n’qypin me mjaltë të pushteteve që bajnë sikur ndrrojnë…
Nji poet me kohështrimje të gjatë letrare ndër epoka të çorodituna mundet edhe me shkruejtë poezi sa të bukur aq edhe të vërtetë! Mendo çka mundet t’i ketë ndodhë edhe nji poeti të asaj rryme letrare, i cili edhe u konformue edhe u përpoq me u shfaqë si rebel ndaj konformizmit!!! Kjo asht nji taksë e randë me u pague edhe për kohnat që vijnë, pse ia kanë ba të pabesueshme nji pjesë të randsishme të së vërtetës së tyne letrare. Poezia, (ajo ma e rafinuemja) mundet edhe me e gjetë shtegun e daljes dhe me i mbijetue kohnave, sepse poezia e mirë ka nji jetë të sajën, jashtë asaj të poetit dhe piruetave të tij! Kjo asht e mira ma e madhe e letërsisë: kur poezia e mirë mundet me e pshtue poetin! Po s’duhet harrue se asht poezia ajo që ta ban edhe gropën ma të thellë, dhe ka plot poetë, të cilëve ua prish gjumin poezia e tyne. Dikur ajo ka qenë frymë sunduese dhe diktuese, edhe pse ndokund e lshonte ndonji hije drite dhe shina të lehtë lirikash. Për krijime të kësaj natyre, ku poeti kërkon me e çlirue vedin prej koracës ideollogjike dhe me u lidhë nyje shpirtnisht me pjesën ma të mirë e ma të gjithkohshme të poezisë, mund të jetë diçka e pranueshme, mjaft mos me rà n’at qesharaksinë e shportës me qershi të pshurrme, që në fund fundit e shtyu t’zotin me u ngushllue se ishte t’shurrës së vet!!
Mbetem i bindun se lexuesi i thjeshtë i së sotmes po edhe ai i së nesërmen, ka me pasë nji raport ma të rrafshët e ma të paqëm me poezinë e Reshpjes, falë edhe këtij shfrimi kritik të rrallë, nji perlë cinike te s’vete e Shllakut. Me siguri lexuesit të së nesërmes, s’ka me i ra fort ndërmend as për pjesën ideollogjike as at kontradiktore të Reshpjes, e aq ma pak për cinizmin e motivuem të Shllakut që kërkon me i ba ujnat me lëvizë; sepse si retë e bardha i japin ma shumë dritë blusë së qiellit, njashtu edhe poezitë ma të mira të Reshpjes kanë me i dhanë ma shumë qiell njatij poeti që hera herë e la vedin edhe pa qiell edhe pa diell!
nandor 2017
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.