back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nji pllambë “Mirditë” në New York! – nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Gazeta

Tomë Mriaj - Nji jetë në shërbim të Nacionalizmit ...
Tomë Mriaj – Nji jetë në shërbim të Nacionalizmit …

Nji pllambë “Mirditë” në New York!

nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Miqtë e mi e dinë se e kam dashurue librin qysh prej kopertinës e deri në shpirt të kuptimit fletë për fletë deri në të fundit faqe. Ata që ma ngjiten këtë “sëmundje të ambël” kanë qenë shkrimtarë të përmasave, poetë e burra të gjurmëve të fjalës së artë. Kam njohur për pak kohë të madhin poet Frederik Rreshpja, e me kujtohet fort mirë tryeza e qelqit plot dorëshkrime e gota përzier e kurrë s’i harroj përqafimet atnore të Frederikut, ato përqafime që për fat të keq kurrë nuk m’u dha rasti t’ia ktheja në ditët e tija të vështira. Sa herë dilja nga ajo lagje, nuk shqitesha kurrë pa u përshëndetë edhe me at Zef Pllumin.
Kam qënë fort i ri n’ato vite kur me një turrë rimini në sy, kapesha herë pas herë tek klubi i poetëve ku më të preferuarit ndër miqtë e mi ishin fisniku Zyhdi Morava, i mençuri e i rralli Pano Taçi, i mrekullueshmi ati i poezisë së Re, Fatos Arapi të cilin nuk e ulnim dot në tryezë sepse ai nuk pinte kurrë verë, ndoshta sepse vetë Fatosi ishte vlimi ma i bukur i poezisë shqipe.
Ju betohem, miq lexues e ju premtoj se do të ndalem shpesh ndër stacionet e këtyre gjigandëve duke menduar se ksaj radhë rreshtat e mi i përkasin një zhanri paksa ndryshe, zhanrit të letërsisë historike me muzë Kombi përzier, sikur kam gjetur në një përmbledhje shkruar larg viseve nga mjeshtër të artë të mendimit të sotëm.
Dikush ende jeton plot shëndet e vizion fisnikërie, virtyt e traditë malësori dhe burrat e mërgimit i thërrasin në emër, baca Tomë Mrijaj. Emri i tij ishte përzgjedhur fshehurazi dijes se tij nga historiani i njohur z. Nue Oroshi dhe është sjellë në librin “Tomë Mrijaj – Një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare, botuar në Prizren nga shtëpia botuese “Lumbardhi”, me redaktim te prof. dr Muhamet Shatri, recensent Eugjen Merlika dhe Klajd Kapinova, me interesim dhe shpenzime te kryera nga shoqata patriotike “Trojet e Arbrit” me seli në Kiel të Gjermanisë.
Libri sjell pranë lexuesit “fytyrën”, engjëllore të një njeriu të madh të ditëve tona, të cilin nuk e shohim ndër televizione sepse ai merret me pune të zakonëshme dhe me patriotizëm. Rrënjët dhe origjina e patriotit Tomë Mrijaj janë Mirdita e vjetër nga ku dy shekuj më parë, të parët e tij mërguan në Gjakovë. Sikurse mërgimi i bë plagë për trojet shqiptare, qysh shumë vite më parë, edhe Toma largohet prej vendit të tij të lindjes dhe vendoset në shtetin e Lirisë se të gjitha lirive, në Amerikë.
Për vite e vite, Tomë Mrijaj ka qëndruar pranë fisnikëve te Mirditës në Neë York, kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Monsinior Zef Oroshi, ku kapidan Ndue Gjomarkaj ka qenë drejtues i Bllokut Kombëtar Indipendent ndërsa dom Zef Oroshi ka qënë themelues i kishës katolike “Zoja e Shkodres” në Neë York.
Unë e kam njohur Tomën mbas daljes së librit të jetëshkrimit të tij, dhe nga ai shtrëngim duarsh kam kuptuar arsyen pse një mori shkrimtarësh e publicistësh i janë kushtuar me kaq zell jetës dhe veprimtarisë se tij patriotike dhe nacionaliste.

Artan Gjonmarkaj
Artan Lleshi Gjonmarkaj

Në libër sjellin përshtypjet, emocionet dhe përshkrimet e tyre autorët e dëgjuar si: Prof. Dr. Muhamet Shatri, Prend Buzhala, Eugjen Merlika, Klajd Kapinova, Bianka Gjomarkaj, Mërgim Korça, Prof. Dr.Riza Sadiku, Msc Kristinë Oroshi, Dr. Ermelinda Kashah, Dr. Besim Morina, Pal Canaj, Sadri Morina, Beqir Sina, Selman Etemi, Prof. Isuf Bajraktari, Pjetër Nikolla, Astrit Tota – skenograf, Avni Bilalli, Mr. Sc Rezehana Hysa, Prend Gjokë Prendi, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Mikel Gojani, Laureta Mrijaj dhe përmbledhësi e organizatori i librit, Mr. Sc Nue Oroshi.
Kjo larmi e jashtëzakonshme autorësh përshkrues e sinkronizim librin në një trup të vetëm letrar me të njëjtin qëllim dhe subjekt personazhi por me modele e stile të veçanta përshkrimi duke arritur më së miri ne zbulimin e ngjyrave dhe notave te rralla te patriotizmit, cilësi që veshin imazhin e ktij atdhetari të shquar ashtu sikurse edhe në realitet. Është rast i rrallë në letërsinë shqipe kur një detektiv autorësh bien heshturazi në të njëjtën gjuhë, sejcili me stilin e tij në përshkrimin e të njëjtit personazh dhe prap më i rrallë mbetet rasti sepse autorët janë te krahinave te ndryshme e pa të njëjtin angazhim të përditshëm, të gjithë pikasur e nuhatur me mjeshtri nga përmbledhësi i librit, z. Nue Oroshi e bashkuar në një vepër të vetme. Për mendimin tim këtë rast më shumë se asgjë e ka sjellë të ndodhë fakti i nevojës së vetë letërsisë shqipe për t’u përshtatur me realitetin e sotëm historik si fazë letrare sepse vetëm kjo fazë e ndihmon letërsinë shqipe të shkëputet pa shenja e dëmtime të penës nga realizmi stoik socialist. Në një të tillë rast, letërsia kuptohet siç duhet ne misionin e saj ne raport me shoqërinë, letërsia bashkëudhëton gjithashtu në një hap me shoqërinë dhe fiton luftën mbi personazhin imagjinar të shterrur e sajuar si dhe i jep nxënësit dhe lexuesit shembullin e freskët të mishërimit të cilësive të mira të personazhit me qëllim dhënien e kuptimit të së sotmes kombëtare duke diktuar llojin e intelektualit dhe të patriotit të cilit ende i rreh zemra për atdhe e vendlindje.
Kushdo është kurioz për këtë vepër të vyer, le të kërkojë adresën time sepse do t’ua mundësojmë kopjen edhe pse për momentin kopjen që më është nënshkruar mua un po ja dhuroj redaksisë së gazetës “Nacional” në shenjë respekti e mirënjohje për punën e vyer të mbledhjes dhe vlerësimit të letërsisë së sotme shqipe, edhe kjo në fazat më të vështira të saja për te gjitha arsyet.
Tek ky libër un kam zbuluar një copë Mirditë të herëshme në New York e ju falem nderës të gjithë autorëve të cilët kanë përcjell me aq mjeshtri në faqet e librit frymën dhe rolin e rëndësishëm të njeriut të vlerave si shembull të gjallë për sejcilin bashkëkombas pavarësisht se ku ai aktivizohet e jeton.
Mirditë 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.