Nji Nanë… Njimijë Nana e Njiqind vitet e Shtetit Shqiptar

2
28
Nënë Sava me nipat dhe mbesat Savër 1988
Nënë Sava me nipat dhe mbesat Savër 1988

Nji Nanë… Njimijë Nana Shqiptare

dhe Njiqind vitet e Shtetit Shqiptar…

nga Jozef Radi

(Nji Kangë që duhej ta këndonim të gjithë bashkë)

Shteti shqiptar ka hy në kapërcyell të shekullit dhe sigurisht nga maja e këtyne njiqind viteve të mbrrituna, ka mundsi me soditë me qetësi, po edhe me krenari e dhimbje jo veç rrugën e përshkrueme po krejt përpjekjet e bame, jo veç luftnat po edhe heronjtë, jo veç fitimtarët po edhe të mundunit, jo veç arritjet po edhe praghumnerat, jo veç burrshtetasit po edhe diktatorët, jo veç historigrryesit po edhe dinjitarët e nji kombi, jo veç ata me tituj e grada po edhe ata ma të thjeshtët, që quhen popull, e që në t’përditshmen e tyne rraskapitëse, s’mbrrijnë kurrë me ba as emën dhe as mbiemën të shquem…
Nji shtet njiqind vitesh, simbas mendjes sime, duhej t’ishte si nji plak i moçëm e i urtë që mat me kujdes në t’gjitha anët, që i ndigjon vëmendshëm t’gjitha daullet, që s’shkumzon inatçuer si adoleshent: “ku rafsha mos u vrafsha!” dhe sigurisht nji pjesë t’mirë të punëve t’veta kahera duhej t’i kishte futë nëpër hullitë e duhuna…
Sikur faji ndër ne t’kërkonte nji emën të vetëm do ta kishim pasë krejt të lehtë me e gjetë atë, por problemi asht se faji ndër ne edhe për mjaft kohë ka me mbetë kopil, e ne të gjithë së bashku në kor kem me gjetë gjithfarë emna fajtorësh, duke harrue se ma e mira do të ishte të merrte gjithkush nga pak faj, me pshtue jo veç nderin tonë të perbashkët po edhe të këtij shteti që kurrë s’po mbrrin me u ba si nji plak i urtë, e me nda kuvend si burrat…
Nejse, ndoshta asht ma mirë me e lanë shtetin n’at shejtninë e vet fatlume të shekullorit dhe ne me iu kthye atyne vogëlsinave të mëdha që po i humbim përditë, dhe kujtohemi për to veç kur seleksioni natyral na i shkul dhunshëm ato vlera dhe ata njerëz, për të cilët çdo monument o piedestal sado madhështor do të ndehesh në vështërsi të mëdha përballë veprës hyjnore të atyne ma heroikeve të këtij truelli e të këtyne maleve; të atyne që me dhimbje e me sakrifica të pashkrueshme i dhanë nji emën dhe nji vlerë që s’ka zot me e zhba dhe me e zhbi prej shpirtnave tonë: Nanat shqiptare
Në nder të gjithë atyne nanave të kësaj toke, të gjithë atyne grave që e shtynë dhe ende po e shtyjnë qerren e jetës shqiptare me shpirt nëpër dhambë, kam nji emën të vetëm, nji emën të vetëm nane që asht sot pothuej motake me shtetin shqiptar, e që jeton për turpin tonë, sot e kësaj dite atje n’ato kampet dikur skëterrë të internimeve dhe me qetsinë olimpike të nji shenjtoreje dhe stocizmin madhështor të nji heroine, pret pa asnji grahmë lëvdate as lavdie, at udhëtimin e gjatë drejt përjetsisë…
E mora kët guxim sot, sepse nesër ka me qenë vonë, tepër vonë e ndoshta flaka e atij kandili n’shpirtin e saj do t’jetë shue; sepse s’asht njerzore me këndue nji requiem të dhimbshëm kur mundemi me këndue së bashku nji simfoni! Po, po, nji simfoni heroike shqiptare, pa shumë zulme e hove, pa shumë lajle e ojna, thjesht me e thanë me gjithë shpirt emnin e saj: Vojsava Zguri – Kuqeshi, për të gjithë ne që e njohin prej vitesh thjesht: Nënë Sava! Ose le të shtrembnohet paksa emni i saj dhe të bahet si nji flamur i rreckosun vuejteve pafund të krejt nanave: Nënë Savra!

Nënë Sava ditën e 100 vjetorit
Nënë Sava – ditën e 100 vjetorit

Nënë Sava, mbrriti në kampin e Savrës aty nga fundi i viteve pesëdhjetë, me të tetë fëmijët e saj pesë djem e tri vajza. I kishin përzënë prej Leskoviku dhe i hodhën nji mbramje si kafshë aty midis barakave prej pupuliti. Grueja, fëmijën e fundit e kishte n’gji dhe të madhin posa i kish kalue të njizetat. Ajo, s’la asnji nga fëmijtë me qa, po i mblodhi të shtatë ashtu kokë më kokë, i dha secilit detyrën dhe u nis e vetme pa burrë, në at kalvar pafund, që për dreq vazhdon edhe sot e kësaj dite… Pesë djemtë e saj e morën baltën e Myzeqesë si të ishin eskavatore, dhe ajo që ishte e frikshme për shumë nga bashkvuajtësit, për djemtë e saj dukesh si nji lodër. A asht ndokush që e ka harrue Thanasin, Evgjeninë, Petraqin, Polikronin, Sofon dhe të tjerët… S’ma merr mendja! Po gjithkund ishte ajo Nënë Sava. E veshur krejt në të zeza si kallogre… po që dinte edhe të qeshte… po ama fjala e saj, thirrja e saj ishte ligj… e vendimi i saj ndoshta ishte edhe ma i rreptë se vetë ligjet e diktaturës… e ndoshta ajo, diktatura që s’kishte frikë askënd në botë, duhet të ketë pasë frikë prej nji grueje, prej nji nane, prej nji heroinë që pa frikë ia kalonte çdo burri: Nënë Sava…
Dhe i martoi ajo grua e veshur në të zeza vit mbas viti djemtë dhe vajzat; dhe i priti ajo grue vit mbas viti nipat e mbesat dhe u mplak ajo zonjë vit mbas viti, dhe ashtu në at vetminë e saj të zezë dhe solemne si prej patriarku, s’guxoi nuse as djalë, vajzë as dhëndër, nip as mbesë të vinte në diskutim fjalën e saj…
Kjo asht ajo Nënë Sava, që në mars të vitit që vjen, mbush plot njiqind vite, e bahet motake me Shtetin…
Gjithë gratë dhe shoqet që ndanin të njejtin fat me të tashma i kanë ikë kësaj bote, po pakkujt i ka ra ndërmend me u kujtue për to, me e ngritë sado pak zanin kundër kësaj padrejtësie që rrin pip në kambë, e s’po na len me pa larg ndër kohna… me u kujtue se në fund të fundit të gjithë ne jemi vepër e nji nane shqiptare e nji grueje që e ka trembë rrezikun dhe të keqen me shembullin e saj… se jemi të gjithë krijesa të nji Nënë Save…
Pse ajo s’ishte e vetme, ajo ishte vetëm nji prej atyne nanave, emnat e të cilave jam përpjekë me ia grrye kujtesës dhe asaj dashnie që kam ndje për gjithë dhimbjet dhe sakrificat e tyne sublime… Ato i rritën fëmijët e tyne: pa burra, i martuan: pa burra, i rritën nipat e tyne: pa burra, dhe nëse ky vend flet për burra, burra të vërtetë janë vetëm Nënë Savat që e ruejtën dinjitetin dhe krenarinë e nji aristokracie shqiptare pa u ba zhele, pa guxue kush me ua shkelë dinjitetin, pa pranue asnji kompromis me të keqen e madhe, duke u dhanë fëmijve të tyne vërtet bukë ma pak, po nji shembull të pashkruem ende… Pati edhe mjaft nana që i rritën fëmijët e tyne me burra në burg, e ndoqën fatin e tyne me trasta në krahë, i veshën pantallonat e burrave me arrna ndër gjunjë të qepuna me fijet e flokëve të tyne; e hoqën kafshatën e bukës prej goje për burrat dhe fëmijtë e tyne, po gjithsesi hija e burrit ishte gjithkund aty rrotull… ndërsa për Nënë Savën dhe simotrat e saj të maposhtme hija e burrit o kaherë ishte tretë nën dhe, o prej kur s’mbahej mend kish marrë rrugët pakthim të ezileve…

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Baraka sot… ku dikur përkthehej “Orlando i çmendun”

Prandaj kët kangë heroike e këndoj me ju për nji grue të vetme: mbas saj asht nji kor pafund me gra që unë jam mundue me i përmendë emën për emën, plot 53 gra, që kanë mbajtë Gurin e Sizifit në nji kamp të vetëm interrnimi: n’atë të Savrës! Po sa mija e mija gra ia vunë shpatullat këtij kombi, atherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o kurbeti i detyruem…
Lavdi kësaj nane shqiptare, ku ende vezullon nji grimë drite e gjithë nanave tona të ikuna me shpirt të trishtuem! Le t’ia nisë kush të mundë kët emën dhe kët kangë të shkulun prej së thelli Presidentit të Shtetit Shqiptar, Kryetares së Parlamentit Shqiptar, Kryeministrit Shqiptar, që nesër mos të lodhen me e kujtue mbas vdekjes, po në të gjallë ta nderojnë se e meriton kjo grue edhe për gjithë simotrat e saj! “Nderin Kombi”, pakkush e meriton si ajo dhe gjithë ato nana që ruejtën me dinjitet emnin dhe nderin e krejt atyne familjeve të mëdha të cilave komunizmi u përpoq me iu shkatrrue gjithçka…!
I kërkoj çdo lexuesi, me gjetë nji mënyrë, si t’i duket atij ma e drejtë, me ia ba me dije Shtetit Shqiptar, që nëse dëshiron me iu afrue me të vërtetë asaj moshe që meriton kjo festë: 100 Vjetori i Shtetit Shqiptar, bahet ma solemn, dhe ma i vërtetë duke fillue bash prej emnit dhe moshës së kësaj nane shqiptare: Nënë Savës! (12 shtator 2012)

Related Images:

Artikulli paraprakRequiem për njeriun, Ali Dema! Jozef Radi
Artikulli tjetërJozef Radi: Shqipnia – 100 vjet shtet dhimbjesh

2 KOMENTET

  1. Si duket Zoti i ka dhënë jetë të gjatë për të jetuar në të dyja jetët e saj… atë të komunizmit në kampin e Savrës dhe atë të demokracisë po në atë vend… si një dëshmitare e gjallë e “ndryshimit” të dy epokave!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.