back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Nji lule vjeshtet…” Gjergj Fishta – qasje kritike nga Emrie Krosi

Gazeta

Gjergj Fishta i ri
Gjergj Fishta i ri

“Nji  lule  vjeshtet…” Gjergj Fishta

qasje kritike nga Emrie Krosi

Një receptim modern i lirikës së Fishtës “Nji lule vjeshtet”

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesitë e dhimbjes për këtë apo atë vehtje të caktueme, por në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq sa, ai  Shpirt i lum, për të cillin s’ishte kenë toka, por Qielli, i bahet qendër n’atë ravë të thepisne, qi shekulli e nji dishirë Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej, se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdha. Engjulli i Zotit, qi brij vorrit do t’i sillte fuqitë mizore, do t’ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë, pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndërtojë kangët kreshnike për t’i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqiptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndërtojë mbi atë vorr nji përmendore vërtetë të madhnueshme, së cilës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue do t’i uronte paqë e qetësi e do t’u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun  emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.
At Viktor Volaj O.F.M. (1941)
.
Gjergj Fishta - Mrizi i Zanave
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanave

***

N’atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’errshëm
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’janë errë,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’epër m’sharte vrejnë t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’asht kputë, i cili bite n’zemer
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largu
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!
Ehu! Po, “vdekja, qi baras n’derë t’pallateve
Trokllon, si n’trinë t’kolibavet” ku i vorfni
Me lot njomë bukën, ty edhe ajo ké dera
T’troklloi, e ti kalove, porsi vesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut. Sot përmbi vorr t’kanë bijtun
Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,
Qi e përshpirtshme nji dorë ta vu té kryet,
Ndër to ka humb, as tjetër send trishtimin
E vorrit nuk ta zbutë, posë vajit  t’trishtueshem
Të hutit t’natës, qi nëpër curra t’malit
Dhimbshëm në rreze t’hanës rrin tue gjëmue!…
Ai grumbull gurësh, qi n’vorr t’randon përsipër,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nieriun,
Lugat i duken, n’hikje kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’përqethët atë botë, i shkon n’për zemër.
Po, a thue, krejt vdekja n’asgjasend t’përpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’la tjetër? Jo! N’prehen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’dritë t’qiejvet, ku pushon dëshiri
I njeriut t’drejtë, si drita m’sy të kthjellët.
Po, po, se përtej vorrin shpirti i njeriut
Gjallon përjetë! Ky mendim i ambël
Vdekjen e zbutë e vorrin ban t’pëlqyeshëm.
Kur zemrën faji  s’e grisë. Prej këtij mendimi
As vetë për ty s’lotova shumë, kur ndjeva
Se vdiqe: Se n’ma  t’mirën lule t’motit
E le ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zi, e selija
N’rrashta t’përgjakshme t’njerzvet n’kambë, ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, i kulluet si rrezja
E diellit, qi përfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’mujt me e bajtë qelbsinën
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Ai qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket përngja.
S’kjé toka, jo, per ty kjé qielli!
E tash, qi vetë jam tue ravisë këto karta,
Ti, kushedi, nëpër vërrije t’amëshueme
Shkon tue kërkue për lila e drandofille,
Qi s’dinë me u fishkë e ndreq me ta kunora,
Për me u lulzue; mandej, ndër t’zjarrtat valle,
Qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,
Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’qiellit;
A, marrë krejt n’t’pam t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet shqyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’eprës Mendje,
E cila n’t’kenun sendet thirri t’tana
Prej hijeve t’thellueme t’asgjasendit,
kur bani Ajo furinë me heshtë t’thellimit,
E me i fuqi t’pamatun prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje
T’këtij shekulli ndihet tmerrshëm tue gjëmue,
Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit.
E aty, n’atë dritë plot ambëlsim dashunije,
Qi porsi lum’i kjartë prej Atit t’Dritave
Gjithkah dikohet nëpër verë t’Parrizit,
Shpirtnat e lum krejt n’rreze tue përshi,
T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t‘cilat Hyji
Deshi t’muzgëta njeriut me ia lanun t’shkrueme
Ndër fletë t’hyjnueshme t‘t’amëshuem Ungjillit.
Oh! Sa e sa herë, kur n’mbrame shuen natyra,
E tjetër s’ndihet, veçse rryma e përronit,
Qi përmallshëm gurgullon nëpër rrâjë e curra,
Unë, lodhë mbi letra t’t’dijshemve t’kahmotit,
Mbas t’cilve fjalën rrij tue lëmue shqiptare,
Dal në dritare me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E këqyri hyjt, qi thue, se aq sy Zotit
Flakojnë mbi dhé – kushdi, për me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej tmerrit t’territ,
Përbluen punë t’mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.
E, ku ta shoh ma t’flakshëm tue xhixhëllue
Nji yll, aty selinë unë them me vete,
Ti do ta késh, e sytë m’atë yll pa nda
I nguli, e m’bahet si me t’pa. Me emën
Unë t’thrras atë botë nëper terr. Nji vaj bylbylit,
Qi përmallshëm ndër gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zogjt’e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty!.. Nuk vdiska i miri,
Jo kurr; e sidomos njaj, i cili nji zemër
E len mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errët,
Gjumin e vdekjes ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambël edhe na nxitë kah punët e mbara,
E n’mendjen tonë gjallon. – Kur Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prijsit t’Mirmidonëve,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi atë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’skaj t’dheut, e prej selisë me i zdrypë mbretnit;
E atëherë përpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie
T’thepisun raven m’ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po edhe zemra mbi vorr tand t’përvujtun
M’ndizet kah punët e mbara e kah burrnia.
Përmbi vorr tand, po, nxâ të fortë me e mbajtun
Besën e dhanun – e miqësinë e zanë;
Për Fé e për Atme n’ballë me i dalë rrezikut:
Të ligështit dorën me ia ngjitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kur t’jet m’u thanë e drejta.
Mos me i shmangë sytë prej cakut, n’t’cilin mendja
Dishron me u kapë, as kurrë mos me u ligshtue
Ndërsa t’vishtira, qi t’na sjellin motet.
Po, po! Se pré atij vorri kam me shkëpun
Hovin kah punët e mëdha. Ai Kryq dëllijet,
Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr
Ka me m’kenë ndër salvime; Engjëlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i  pruen mizore,
Gjumin e vdekjes në vorr mos me t’turbullue,
Dér qi të shkimen n’qiellë e hana e dielli
E t’ngele moti e shekulli mbarë t’rroposet,
E t’vijë dita e gjyqit t’rruzullimit,
Ai ka për t’m’kenë Zana. E atëherë, pa u tutë
Zgjetat e mprehta e t’zjarrta kam me i mprehë,
Qi kundra vesit do t’ia lëshoj njerëzimit:
Atëherë unë kangët kam me i ndërtue kreshnike,
Me t’cilat botës unë do t’ia la të shkrueme
Se shka vlejnë armët besnike n’dorë t’Shqiptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshëm
N’vorr tand kam per t’ ndertue, të cilin moti
Me fletë të ngrita kot ka per ta rrahë;
Pse, si curr, qi n’mes t’detit rreh tallazi,
Edhe ai ashtu do t’mbesë nder gjire t’motit
Qi bumbullojnë mbi faqe t’rruzullimit.
E atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritë
Me shumë kujdes për qark selvia t’blerta;
E shtegtarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me zanë vend, me ndalë pak gja t’dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qielli vrâni
Vdekja n’atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e boren: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote
Emnin tand kanë për t’këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohtne veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja
S’e prekin landën, ku asht ravisë ai emën:
E tue u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kështu ma t’kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’vonët kanë me i këndue, e emni,
Sa t’bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
1909
.
 
Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

Fishta njihet si poeti më i lexuar dhe më i komentuar deri tani. Pothuasje e gjitha kritika e ka rrokur aq përimtësisht veprën e tij, për gati një shekull, (gati katër breza lexuesish), shkoqitur deri në genin e tij mëpërtej Atit të Dheut, të Hyjit, dhe Poetit gjenial, i gjithë universi letrar fishtian, shpaloi gjenezën e kombit shqiptar, duke zhveshur të gjitha lëkurët, që nga thellësitë e paganizmit, tek moderniteti, me paradigmën e tij letrare: Atme e Fè. T’i qasesh Fishtës në mënyrë moderne, është një sfidë letrare, sepse arti dhe vepra, ka tejkaluar kohën, është universializuar. Por, do ta sprovoj veten time.

Qasja ndryshe ndaj poezisë “Nji lule vjeshtet” e Fishtës, padyshim është një ndër më të diskutuarat, përmes thënieve dhe kundërthënieve, por e vërteta e pamohueshme si kjo poezi është poezia më lirike e poetit të madh. Dialogu elegjaik i autorit mes vdekjes dhe pasvdekjes, ndoshta e ka fillesën që nga Egjipti i lashtë me “libri i të vdekurve” të (Azem Qazimit), ku tipologjia e lirizmit fishtian, ligjërimi i brendshëm, nëpërmjet diskursit të gjuhës, larg mitizimit të atdheut, ky tekst përshkruan:
a.ndjenjën e mallit dhe dhembjes,
b.ndjenjën e mërzisë së thellë,
c.humbja e bukurisë (si lule vjeshte), që sipas studiuesit (Aurel Plasari), ka një ravgim për një femër të humbur, “si ligjërim dialogues dhe monologues, për të dashurën e humbur që nuk kthehet më…”, por përfaqësia e tij fetare, na diaologon një marrëdhënie metafizike me vdekjen, ku shenjon:
-shenjat tekstore të objektives dhe subjektives,
-tipose të lirikës personale dhe autoriale,
-dëshmia letrare mes fizikes dhe metafizikes, që edhe sikur “të mos e kishte pengue, zhguni i fratit, Fishta shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt… por kurrë qëndrimin e vet subjektiv”, shkruan në vitet ’30, (Mark Ndoja). Figuracioni dhe stili shpalojnë një topos tematik, se vetë poezia është një përsiatje për të bukurën, vdekjen, mallin, mungesën, për moralin dhe përjetësinë, për artin e fjalës dhe (për)jetsimin e vdekjes, për të arritur pavdeksinë, (nëpërmjet testamentit letrar) se lidhja me unin poetik, është simboli i qenies së dashur, bëhet e amëshueme, duke qartësuar më shumë simbolikën e lirikës, si shkak dhe qëllim, se “lirika”, në një pikëpamje është biseda e poetit me pasvdekjen”, për prof. (Ali Xhikun), jo vetëm rrafshina mes dy botëve po edhe monologu dhe dialogu, vertikaliteti dhe horizontaliteti në hapsirën boshe të varrit, tingëllon si një thirrmë: “n’atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’errshem/ Tash pluhun jé. Ata dy sy t’janë errë,/ Ku qiella prirej me sa hana e diella/ Tërthores s’epër m’sharte vrejnë t’njerzimit!/ T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,” kacafytja mes madhështisë dhe përjetësisë, jetës kalimtare dhe vdekjes absolute, kërkohet shpëtimi në përjetësinë artistike, përmes alter egos, duke kaluar shkallët të për(tej)jetës, sipas kritikut (Sabri Hamitit) “lufta kundër harrimit, kundër kalueshmërisë, është fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë e Fishtës si ndër më të mirat dhe më të fuqishmet e letërsisë tonë shqipe. Për (At Viktor Volajn), është “ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem.” Nëse duhet të nisemi për (mos)përcaktesën që shkruan Volaj, se subjekti është i pacaktuar, duhet fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë e Fishtës, duket si një “ngatërresë” apo “hutim” i kritikëve, se vargjet: “e vorrit nuk ta zbutë, posë vajit  t’trishtueshem/ Të hutit t’natës, qi nëpër curra t’malit/ Dhimbshëm në rreze t’hanës rrin tue gjëmue!” nuk e zvogëlojnë dhimbjen për dikë, duke qartësuar subjektivitetin dhe forcën e tropeve gjuhësore, që nëpërmjet gjallërisë së figurave, aftësia e vetëdijes shkruese, në mënyrë specifike, mvishet me përceptim ndiesor dhe shqisor. Nocionet “figura” dhe “simbole”, në kontekste të ndryshme kanë një lakore brenda lëvizjeve brendatekstore, por jashtëtekstore, lëvizjet e figurave lart-poshtë dhe brenda-jashtë, “simboli është gjithashtu edhe nga sinominet e “fesë” – simboli i beismit”, për Wellek dhe Waren, s’është një “analogji me shenjës” dhe asaj “çka shenjohet” prej saj, si një mënyrë shprehje me shenja të caktuara, kur simbolet fetare mbeten në lidhje të brenshme, midis “shenjës” dhe objektit të “shënuar” siç janë: varri, vdekja, jeta, amëshimi, etj., aftësia e Fishtës sipas (Giuseppe Gradilones) “për të asimiluar më shumë së jashtmi se së brendshmi”.
-Diskuri biblik, si shenjë e një “simbolizmi të pastër”, vjen nga nocioni “diskurs” (nga lat. discursus) e ka kuptimin e endjes, bredhjes, shpërndarjes, sipas (Mikel Ndrecës), “ky nocion konceptohet si bisedë, apo si shkoqitje logjike”, por shenjat e “diskursit biblik” për kritikun (Ndue Ukaj), janë qartë të dallueshme simbolikat fetare, janë figura ndjesore të formulura dhe të zhvendosura në një site të caktura shenjash dhe figurash, që qëndrojnë si një realitet transhedental mes rrafshit moral dhe filozofik, ashtu si edhe “diskursi personal” duke ruajtur shenjat e psalmeve, nëpërmjet vargjeve: “ai Kryq dëllijet,/ Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qandërr/ Ka me m’kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit. Interpretimi letrar në letërsinë shqipe ka shenja të elementeve të diskursit biblik, që ndërlidhin sistemet e veçanta të interkomunikimi, jo vetëm si status të veçantë shkrimore të letraritetit, por edhe si mënyrë e ndërtimit dhe ligjërimit letrar, sipas (Roland Barthes) “teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura”. Kurse studiuesi Stefan Çapaliku shtron për diskutim frymëzimin kristian në letërsinë shqipe, frymëzimi që ndërlidhet me kodet biblike, është përqasja jo vetëm e ndërtekstorisë biblike, por edhe të një lloji poezie varrezash, (sipas Jolanda Kodrës), “Nji lule Vjeshtet, kjo kangë tejet e gjallë e Fishtës, ban pjesë n’atë lloj poezije vorrezash, që aq përkrhaje gjet n’Angli prej Young, Gray, Hervei e Poupe, e prej së cilës n’Itali u frymzue prej Pindemontes, Foscolo e Leopardi”, me një leksik të pasur biblik, që lidhet me qenien dhe përjetësinë e njeriut, me vdekjen dhe jetën, padyshim diskursi i krishterë s’mund të shmaget, pavarësisht se struktura ligjërimore dhe ecenciali si tekst, për (Kujtim Shalën), stuktura e “Nji lule vjeshtet” mbështetet në strukturën e “inter/ shenjave, të simboleve në rikualifikimet e domethënieve”.
-Kodimi/ (de)kodimi biblik me elementet dhe trukturat “semio-narrtaive të (Algirdas Greimasit), zbulojmë subjektin e ndjesisë, na pasqyron me tregimin autobiografik, që përshkruan vdekjen e tjetrit, ose që quhet ndryshe, thanatografi, duke shenjuar jo vetëdijen e tjetrit, por vetë enigmën e vdekjes, bashkë me modalitetet e qenies, që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të qëllimshme mes jetës dhe vdekjes, mes fizikes dhe metafizikes që shënjohen në tekst, përmes vargjeve: “qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:/ Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,/ Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’qiellit; A, marrë krejt n’t’pam t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit, relativizimi mes simbolikës së vërtetë dhe përdorimi konstant i metaforave simbolike, duke afruar tropet e poezisë, me (nën)ndarjet: figurat e afrisë dhe figurat e ngjashmërisë, sipas logjikës asociative apo edhe personifikimit, se edhe poezia fetare katolike, duhet të jetë për (Middleton J. Murryen), “medoemos metaforike” në formën e himneve fetare të neoklacizmit: metaforat simbolike të vdekjes: [t’vdekunve mbrenda vorrit t’errshëm/! Nji Kryq dëllijet, N’prehen t’Amëshuemit/ Engjëlli i Zotit,/ nget vorrit,/ krejt vdekja/ se përtej vorrin/ Vdekjen e zbutë/ N’vorr tand/ Vdekja n’atë vorr…” 16 herë fjala vorr dhe 8 herë fjala vdekje, 13 fjalë, për Hyjin, Parrizin, Kryqin, etj]
-Kodimi/(de)kodimi i ligjërimit personal, rrok rrafshet tërësore të kohës letrare, jo si mungesë receptimi, me gjurmë autobiografike, por me “kontratën autobiografike” të (Philippe Lejuenes) rrëfimi autentik, shtegon katërcipërisht në humnerën e kujtesës me “aktin autobiografik”, të (Elisabeth W. Brussit), aq përmallshëm deri në Zenitin e të gjithë qiejve për Ringjalljen Hyjnore, nëpër shkrimit: se e para ishte Fjala, si një besatim i vjetër biblik, ku njeriu e sprovoj me humbjen e pavdeksisë, (duke ngrënë pemën e gabuar të Dijes), por me forcën e fjalës së thënë sipas Fishtës, se “gjuha nuk ekziston e ndarë nga kultura, domethënë nga mbushja e trashëguar shoqërore e përvojave dhe besimeve që përcaktojnë thurjen e jetës sonë”, për (Eduart Sipar) është brenda të njëjtit projekt autobiografik, Fishta si frat françeskan, si polotikan, kritik, poet, patriot, ashtu si shumë modele të letërsisë shqiptare, ka të bëjë me vërtetësinë e natyrës njerëzore, me kodime dhe (de)kodime që shënojnë disa modele të letërsinë tonë bashkëkohore, që indentifikon vetveten sipas (Lili Sulës) “herë mes shenjave indentifikuese edhe autoriale e pikërisht personale”, me qendërzim vetë-përcaktues të vetëdijes, duke sfiduar një lloj “cogito-je” term kartezian, me “elemente postmoderniste”, të (Linda Hacionit), janë një postalterego e teorisë së intertekstualitetit në tërë rrafshet e shkrimit letrar të Fishtës, ka një nyje lidhëse aksiomatike, që ndërlidh dy kohë, dy botë, dy realitete, që lidh vdekjen dhe Amëshimin.
-Diskursi atdhetar as nuk mitizon as nuk çmitizon atdheun, poeti këmbëngul më tepër për metaforizmin e brendshëm të tekstit artistik, duke përsëritur elementet e tekstit, që lexuesi duhet ta kuptojë ose shoqëria në epoka të ndryshme, si çështje artistike dhe çfarë nuk është, se për (Juri Lotmanin), “teksti është artistik pse përmban karakteristika që e bëjnë të tillë,” që nënkutohet nga vargun: mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie/ Besën e dhanun – e miqësin e zanë;/ Për Fé e për Atme n’ballë me i dalë rrezikut, duke përshkallëzuar;
a.çmitizimin e atdheut,
b.çmitizimin e heroit,
nëpërmjet vargut; se shka vlejnë armët besnike n’dorë t’Shqiptarit, motivet e veçanta që anojnë nga e çuditshmja dhe befasuesja, nga mishërimi i së vërtetës kristiane, “nga e afërta tek e largëta” nëpërmjet analogjisë së të përditshmes, nëpërmjet figurave intensive, përmasa e zvogëluar e dukurive të jetës, nëpërmjet përkëmbimit të metaforave, simboleve, epiteteve, duke bashkuar tri kategoritë e figurave: figura e thellë, figura radikale, figura ekspansive.
-Diskursi mitologjik, nëpërmjet miteve dhe perëndive që shkrihen në mitet e heronjve, çon në “zhvendosjen e mitit” të (Northop Frajit) nga interesi parësor (ideja e mendimit poetik), në eposin e vargut, zgjedhja metrike për të gjetur lidhjet asociative, lidhjet tingullore, lidhjet dykuptimësore, që mbartin edhe peshën e diskursit mitologjik, tashmë të njohur të Fishtës, të krijimit të mitit vetiak, ose (miti fishtian), për (Friedrich Nietzschen), “pa mitin, çdo kulturë e humbte karakterin e saj të gjallë krijues, humbte forcën e vet të natyrshme”. Në pamundësi për të shmangur vargu: ai ka për t’m’kenë Zana apo Eposin e Kreshikëve, atëherë unë kangët kam me i ndërtue kreshnike bashkë me vargun tjetër: e atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat, poeti ka ndërtuar një galeri epitetesh, enumeracione, përsëritje, similituda, krahasime , metafora, anafora, konsonanca, asonanca etj:[ sa hana e diella/ curra t’malit/ ky mendim i ambël/ kur bora dehet/ si rrezja e diellit/ për lila e drandofille/ ndër t’zjarrtat valle/ nëpër rrâjë e curra/ vaj bylbylit/ n’qiellë e hana e dielli/ e t’paqta e t’buta/ shinat e borën/ e vrrini e bjeshka/ shkrue mbi lisa etj].
-Diskursi neoklasik, një lloj tjetër qasjeje që ka afruar poezinë e tij me poezinë neoklasike të Mjedës, duke dalluar mënyrën osianike e të kënduarit, fundja tendencat neoklasike, janë një imitim i vetëdijshëm i shkrimtarëve Augustanë të vjetër, Virgjili dhe Horaci, një rend moral dhe racional i kuptueshëm në univers, duke demonstruar modelin providencial të Zotit, prapseprap kjo vjershë lirike për (Tonin Çobanin), se për Fishtën “Një lule vjeshtet” “është një këngë heroike”, me një numër frazeologjik, ku në [{160 vargje janë 11 njësi frazeologjike}: “T’janë sosun fjalët/ ai zâ t’asht kputë/ Me lot njomë buken,/ përmbi vorr t’kanë bijtun/ nji dorë ta vu té kryet/ në rreze t’hanës rrin tue gjëmue/ i shkon n’për zemër./ kur bora dehet/ përbluen punë t’mbrapshta/ Gjumin e vdekjes/ kah punët e mbara].
-Diskursi kritik – T’i qasesh Fishtës në mënyrë kritike, nuk është e lehtë, pasi Fishta është një ndër poetët më të njohur brenbda një kohe shumë të shkurtër. Shumë ese, shënime kritike janë shkruar gjatë një periudhë gati 10-vjeçare, por me vendosjen e komunizmit, anatemizmi dhe ndalimi i tij, si bashkëpunëtor i fashizmit ku letërsia e tij u etiketua “reaksionare” dhe “klerike”. Pas viteve ’90, receptimi masiv i Fishtës deri në tekste shkollore, kur “çmenduria” e dashurisë kolektive shqiptare arriti deri atje, saqë, teksti fishtian u standartizua në bazë të normës së gjuhës së sotme shqipe, por a mund të ndryshohet areali i gjuhës së Fishtës, âmza e shijes së gjuhë së tij, tingëllima e âmël e gegnishtes?! Një dështim total, që specialistët e kësaj fushe janë po aq fajtorë, për heshtjen fajtore është po aq dhe kritika po ashtu, duke shprishur rendin e harmonisë tingëllimore të polifonisë së kryveprës fishtiane. Sa për tekstin tim, receptimin modern e ndërtojmë në bazë të emrave të mëdhenj të kritikës europiane:
-Sipas Ecos, teksti është i thurur me shenja e hapësira të bardha që duhen mbushur dhe ai që ka krijuar parashikonte, që ato të mbusheshin dhe i ka lënë të bardha për dy arsye; para së gjithash, sepse teksti është një mekanizëm dembel (ose ekonomiqar) që jeton me vlerën e shtuar të kuptimit që i futet nga marrësi, së dyti, ndërsa kalon dalëngadalë nga fiksioni didaskalik në atë estetik, një tekst di t’ia lërë lexuesit iniciativën interpretuese. Një tekst kërkon “që dikush ta ndihmojë të funksionojë” për (Maria Pia Pozzaton). Kjo lloj strategjie nuk kuptohet më si qëllim i autorit empirik po si një marrëveshje tekstuale, që quhet Autori Model (Fishta dhe lexuesi empirik), në lëvizjet e tekstit të shkëputura nga leximi empirik, të para si lëvizje të brendashkruara, të parashikuara në tekst, përputhen me atë që Eco e quan Lexuesi Model dhe mungesa kohë/hapësirë, krijon:
-autorin empirik, në terma të strategjisë tekstuale, formon Lexuesin Model
-lexuesin empirik, në terma të strategjisë tekstuale, formon Autorin Model.
Duke parë këtë strategji të Eco-s, do të ndërtojmë një grafik të një Lexuesi dhe Autori Model për lirikën e Fishtës:
 
Autori emplicid = Lexuesin Model
Lirika e Fishtës (“Nji lule vjeshtet”)
Lexuesi emplicid = Autori Model
Një tjetër koherencë e Ecos është e ashtuquajtura veprueshmëri (veprimtari) e tekstit ndaj lexuesit. Në fakt, autori jo vetëm e parashikon Lexuesin Model, por edhe e ndërton atë. Të parashikosh Lexuesin tënd Model, nuk do të thotë, të shpresosh të ekzistojë, por edhe të lëvizësh tekstin në mënyrë të tillë që ta ndërtosh atë, një tekst, jo vetëm pushon, por edhe jep kontributin e tij në ndërtimin e një kopetence.
 
Kopetenca Autoriale në Lirikën e Fishtës = Projektim i Lexuesit Model
Autori = Teksti = Lexues
-Përsa i përket “teorisë së receptimit të Iserit”, sipas teoricienit (Wolfang Iser) në vitet ’60, në të gjitha sferat e teorisë se receptimi se teksti letrar ka lloje të tjera ligjërimi dhe në marrëdhënie tekst-lexues shumë herë merret si e mirëqenë. Procesi i leximit, për Iserin, ka “dy pole” brenda një teksti letrar: poli artistik i referohet tekstit të krijuar nga autori, poli estetik i leximit, realizuar nga lexuesi. Që të përmbushet akti i të lexuarit, lexuesi i nënkuptuar është aktiv dhe pasiv, aktiv sepse nxjerr përfudimin sipas teoricienit tjetër (Roman Ingarden),“ku lexuesi qartësish nxit imagjinatën ose “plotëson rrjeshta bosh” të pathëna nga autori”, në strukturat e tekstit, që dretojnë lexuesin drejt një “leximi” shterrues, dhe jo anasjelltas. Teksti është lënë në duart e lexuesit për të marrë fatin e tij. Meqenëse asnjë lexues nuk do të ketë “pamje të njëjtë”, teksti është i detyruar të interpretohet në mënyra të ndryshme, gjë e mundëson çdo studiues përshirë edhe kritikën, se lexuesi dhe teoria e receptimi të veprës e bën të qartë, se jo vetëm zhvillohet sfondi socio-kulturor, por dhe ideo-shoqërore, përsëri për (Roman Ingardenin), është procesi “midis interpretimit-brendisë-shprehjes-kuptimit, si një vendosje të autorit brenda procesit të traditës”, ku edhe veprimtaria intelektuale dhe emocionale e manifestuar në procesin njohës të tij, (në bashkëkohësi) akti i leximit, me të vërtetë ndikon në ngritjen e vetëdijes, që zhvillohet përmes procesit të leximit.
-Koncepti “horizonti i pritjes” i (Robet – Hans Jauss-it), se recetimi i mëvonshëm i një vepre letrare, është matja e një “distance estetike” për një vepër letrare, nga një brez tek një brez tjetër lexuesish, duke sjellë përshtypje krejt të tjera në kohë të ndryshme. Ndërthurja e kohës së shkuar, me lexuesin e ri mund të përmbushë konceptin e “horizontit të pritjes”, që për poetin është koha posturne, që fatmirësisht pati kohën e leximit, të njohjes, të receptimit, duke kuptuar që vepra është e pakohë ashtu si emri i Fishtës i gjithkohshëm në majën e epërme të letërsisë shqipe.
 
Gjergj Fishta - Nji lule Vjeshtet...
Gjergj Fishta – Nji lule Vjeshtet…

Bibliografia:

1.Barthes, Roland: (2008), Vdekja e autorit, “Rozafa”, Prishtinë.
2.Bruss Elisabeth W. (1976), Autobiographical Acts: The Changing Situation of a Literary Genre. Baltimore, London: Johns Hopkins Univ. Press.
3.Çobani, Tonin: (1999), Miti dhe antimiti fishian, Lezhë.
4.Fraj, Northop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
5.Gradilone Giuseppe: (1983) L’influenza del classicism sull’opera di Gjergj Fishta, La letteratura albanese e il mondo clasiso, “Bulzoni”, Romë
6.Greimas, Algirdas. (1966): Semantique structuarle, Larouse, Paris
7.Hacion, Linda: (1989), A Poetisc of Post- modernism: History, Theory, Fiction, Toronto.
8.Hamiti, Sabri: (2009), Letërsia modrene shqipe, Tiranë.
9.Ingarden, Roman. (1973): The literary work of Art, Evanston, III.
10.(1973): The Cognition of the Literary ork of arts, Evanston, III.
11.Ise Wolfang. (1978): The Act of Reading: A Theory of Aesthetic Response (Baltimore and London: Johns Hopkins University Press, 1978). Hereafter cited as AR
12.Jauss , Hans-Robert. (1982):Toward an Aestheticn of Receprion, Brighton.
13.Kodra, Jolanda: (1943), Atë Gjergj Fishat, 1871-1949, “Luarasi”, Tiranë,
14.Kujtim M. Shala: (2004), Fishta përballë Fishtës, Buzuku, Prishtinë.
15.Lejuene, Philippe: (1975), Le pacte autobiographique, Nouvelle Edition Augmentèe, Seuil.
16.Mark Ndoja: (1943), Idealet karakterizues në lirikën e At Fishtës, (shënime të shkrurta kritike), At Gjergj Fishta (1871-1940), “Luarasi”, Tiranë.
17.Murry, J.Middleton: (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
18.Nietzsche, Friedrich: (2001), Lindja e tragjedisë, përkth: Jorgji Doksani, “Eugen”, Tiranë.
19.Ndue Ukaj: (2004), Diskursi biblik në letërsinë shqipe, “AIKD”, Prishtinë.
20.Plasari Aurel: (1996), Fishta i dashuruar, Tiranë.
21.Pozato, Pia Maria: (2005), Semiotika e tekstit, (metoda, autorë, shembuj) , SHBLU, Tiranë.
22.Qazimi, Azem;: (2011), Libri i të vdekurve “Zenit” , Tiranë.
23.Sapir, Eduart. (1949), Culture, language and Personality, University of California Press.
24.Sula, Lili: (2012), Poezia e Fishtës, (për mbrotjrn gradës “doktore e shkencave letrare”), Tiranë.
25.Volaj,Viktor: (1941), Gjergj Fishta: mrizi i zanavet, komentuem për At. Viktor Volaj OFM , Shkodër.
26.Wellke, Waren. (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë.
27.Xhiku , Ali: (2004), Letërsi shqipe si polifoni, “Dituria”, Tiranë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.