back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Nëntor, 2024

Nji grue, nji nanë i drejtohet diktatorit në emën të humanizmit…

Gazeta

Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi - 1957
Jetë kampesh – Vitore dhe Jozef Radi – 1957

Nji grue… nji nanë, i drejtohet Diktatorit në emën të humanizmit!!!

refleksion nga Jozef Radi

Ditën që kishte mbushë 33 vjeçe, Viktori Radi i drejtohet Enver Hoxhës me një letër.
Ajo, sapo ka dalë me lirim të parakohshëm prej dënimit me dhjetë vite burg. Ka krye pesë vite e gjysë, dhe asht lirue me dekret si tuberkuloze, mbasi ditët e jetës i ka të numrueme…! Ndërkohë që ajo asht në burg, e ama e saj (Katerina Vushmaqi) ka shitë gjerdanin e arit, dhe i ka ble (me porosi jashtë shtetit) kurën e penicilinave.
Dhe nana i shpëtoi jetën asaj grueje, po e shpëtoi edhe prej viteve të mbetuna të burgut. Tashma jashtë mureve, Viktoria vendos të shkojë me jetue (vullnetarisht) në nji kamp interrnimi mes maleve dhe pyjeve të Kurveleshit, ku asht prej dy vitesh burri i saj, po edhe midis 100 burrave të shkolluem nga gjithë Shqipnia. Asht e vetmja grue që jeton mes tyne. Mbas 10 muejsh në kamp ajo asht edhe nanë e re. Veçse tash tri frymë njerzish me nji racion 600 gramsh buke në ditë.
Asht tmerri i nji jete, i nji familjeje dhe i nji foshnje pa asnji ndihmë. Në muejin e pestë të foshnjes, grueja mendon me i shkrue diktatorit. Ka edhe ai fëmijë, e ndoshta i dhemb edhe kjo foshnjë e pafajshme. Ndoshta ndonji dromce humanizmi i ka mbetë edhe këtyne krijesave që ma së shumti shfaqen si bisha!
Dhe ulet me dhimbjen prej nane në hall, me fjalë prej grueje, prej qytetareje, prej njeriu të shkolluem, me nji etikë shembullore, me nji kaligrafi ma se të admirueshme, me nji racionalitet prej fisnikeje, i drejtohet herë me emën, herë me titull Komandant e herë n’emën të Partisë, si Nanë e Popullit, me ia shpëtue foshnjën pesë muejshme… S’kërkon asgja të madhe, veç me ia çue burrin n’nji kamp tjetër, ku të munden me punue e me ia mbajtë frymën gjallë asaj familjeje që bashkohej mbas 12 vitesh… Asgja të tepërt, asgja të pamundun në shtetin ku drejton Njishi me dorë të hekurt e gjakatare…
Dhe letra e saj… sillet e përcillet zyrave të Pushtetit, dhe bash kur foshnja ka mbrritë pothuej nji vjeçe, ka ardhë JO-ja! e Pushtetit të Diktatorit!
Ndërkohë foshnja e saj asht në prag të vdekjes, e katandisun kockë e lëkurë, e mbas të vjellash pafund pritet veç vdekja. S’kanë asgja me çfarë ta kurojnë, as ta mbështjellin, as ta ushqejnë… Burrë dhe grue njashtu kokë më kokë mbi të qajnë fatin e tyne në fatin e asaj foshnje që po ngjitet në qiell. Janë edhe 100 burra që e jetojnë me dhimbje të thellë, vdekjen e asaj foshnje.
Po Jo! Asht gjithnji nji forcë hyjnore, nji shpresë hyjnore, nji gëzim hyjnor, që futet aty ku s’mundet njeriu! Befas si me magji ajo foshnje e mbarueme shpërfill vdekjen, e rimerr vedin përditë e nga pak dhe bahet forcë dhe besim për ata dy prind që e deshtën jetën edhe kur i kishin zhytë në skëterrë…
.
Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Vitore Radi ne Kampin e Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Tash deshta me Ju shpjegue edhe diçka të vogël… Përpara jush janë këto katër dokumente të kësaj së vërtete. Pikërisht prej këtyne katër fletve që paraqes sot ma së pari, asnjiherë s’kam mujtë me e dashtë o me qenë mirnjoftës partisë së diktatorit, sepse prej tyne kam veç vdekjen. Po ajo çka dishroj me e theksue e që bjen menjiherë në sy edhe mbas leximit të ktyne dokumentave asht lufta e humanizmit me çnjerëzoren. Duket sikur në këto katër dokumente çnjerzorja ka triumfue! Jo! S’asht aspak e vërtetë! Ka fitue Humanizmi! Ka fitue ajo grue që me përunjtësi iu drejtue diktatorit, dhe iu lut për jetën e nji foshnjeje pesë muejshe, e nuk i kërkoi asgja ma shumë se me punue ndër kampe të tjera (siç edhe punuen) dhe rritën përtej asaj foshnje edhe dy fëmijë të tjerë dhe ikën në paqe, atje në qiell ku janë edhe sot!

Pse edhe aty ku vdekja duket e plotpushtetshme, mos e harroni se shfaqet dora e nji Zoti që i shef të gjitha!
Dhe Ai ia jep dorën Jetës, Njeriut, Besimit!
Që kurrë e Keqja t’mos mundë ta fitojë Botën!
2 shkurt 2018
.
Viktori Radi i shkruan diktatorit - 12 qershor 1957
Viktori Radi i shkruan diktatorit – 12 qershor 1957

Viktori Radi i shkruan Enver Hoxhës

 
Kuç, 12 qershor 1957
 
Shoku Enver,
Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë dhe të shtetit.
Ti sigurisht do të dijsh me ia njitë dorën nji nane më foshnje pesë muajshe e të mos i lashë të vdesin rrugave.
Jam e shoqja e Lazër Radit, i cili në vitin 1945, u dënue nga Gjyqi i Popullit me 30 vite burg. Po atë vit me amnistinë e nandorit, pushteti i fali 20 vjet. Në prillin e vitit 1954, e plotësoi dënimin dhe u lirue. Mirëpo me njiherë mbas lirimit u dënue me 5 vjet interrnim në Kuç. Të kërkoj lirimin e tij më duket nji guxim tepër i madh, se sigurisht Pushteti ka arsyet e veta për këtë masë, por n’emër të humanitarizmit, n’emër t’asaj dashnije të pakufijshme që ti tregon për fëmijtë e vegjël do të kërkoj prej teje, shoku Komandant të ma transferoni burrin t’im në nji vend ku të mund të punojë si p.sh. në Lushnje ose Fier, ose edhe në ndoj vend tjetër. Unë jam e paaftë për punë fizike, kështu që foshnja dhe unë, presim vetëm nga puna që mund të bajë burri i jem.
Jeta e foshnjes asht në rrezik. Këtu në Kuç nuk ka punë dhe nuk kemi asnji mundësi jetese, mbasi asnji ndihmë prej askujt nuk na vjen. Në qoftë se kjo foshnje do të mund të shpëtojë dhe të rritet, do të shpëtojë vetëm në saje të ndërhyrjes s’ate dhe për jetën e vet do t’i jetë mirnjoftës partisë.
Asht e tepërme të them se çdo çast e çdo orë ma rrezikon jetën e foshnjës. Nji ndërhymje e jote sa ma e shpejtë do të ishte shpëtim për të.
Kam besim se Partia, nana e popullit do të mendojë edhe për foshnjën t’ime pesë muejshe.
Në pritje të nji përgjigje pozitive, mbetem me nderime
Viktori Radi
Kuç Vlonë!
 
Protokolluar, Komiteti Qëndror
Nr. 4661 dt. 1.7.1957 (faqe 71-73)
.
Viktori Radi i shkruan diktatorit - 12 qershor 1957
Viktori Radi i shkruan diktatorit – 12 qershor 1957
Viktori Radi – Kuç – Vlorë
Nr. 518
Drejtorisë administrative R-29-6
 
Është gruaja e Lazër Radit. Janë të interrnuar ne Kuç. Janë në gjendje të keqe ekonomike dhe s’kanë asnjë t’ardhur, mbasi atje nuk ka as punë.
Kërkojnë që të dërgohen në Lushnje ose Fier, ku i shoqi mund të punojë për mbajtur familjen. Kanë edhe një fëmijë 5 muajshe, e cila duhet të ushqehet dhe kjo i shtyn më tepër të kërkojnë largimin e tyre.
 
Shënim: Për sa kërkon qytetarja Viktori Radi, e cila ka shkuar vullnetarisht të jetojë me burrin e saj të interrnuar në Kuç të rrethit Vlorë.
Komisioni i interrnimeve do ta shqyrtojë në mbledhjen e tij të parë, dhe mund (fshirë – do) tu japë transferimin të vijë (fshirë – të vinë) në kampet Lushnje ose Fier.
Zv. Drejt. Drejt. Administ.
Vilson Pecani – firma
(Shënim me jeshile – aa)
.
Drejtoria Administrative - informon për kërkesën e Viktori Radit
Drejtoria Administrative – informon për kërkesën e Viktori Radit
Shënim:
Komisioni i Interrnimeve i mbledhur me dt. 25/XII/1957, në shqyrtimin e bërë kërkesës se Viktori Rodit (duhej – Radit), gruaja e të interrnuarit Llazër Rodi (duhej – Lazër Radi) e cila ka shkuar vetë të banojë me burrën e saj në kamp në Kuç të Vlorësë dhe kërkon transferim prej aty në Fier ose Lushnje, nuk ju muarr parasysh.
Lazër Rodi (- duhej Radi) është një nga elementët më aktivë të punës armiqësore duke folur apët edhe në kampin ku është.
Ju kthye përgjigja me datën 7 /1/958, se kërkesa për trasferim e burit saj nuk i merret parasysh, ndërsa vetë kjo është e lirë të shkojë edhe në Shkodër për të jetuar, pranë njerëzve të saj.
Drejtori i Drejtorisë Administrative
Llazi Stratobërdha (firma)
 
Shokut Hysni
Mendojmë A/a
Fh 22.1 – (29 me rreth)
.
Komisioni i Interrnimeve hedh poshtë kërkesën e Viktori Radit
Komisioni i Interrnimeve hedh poshtë kërkesën e Viktori Radit
 
 
 Falenderoj nga zemra Kastriot Dervishin, për njohjen dhe dispozicionin që na krijoi me këto materiale arkivore!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.