back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Nji debat, paksa i vonë jo vetëm për 5 Majin e Dëshmorëve… Jozef Radi “sqaron” Veli Stafën

Gazeta

Qemal Stafa (1920-1942)
Qemal Stafa (1920-1942)
Lazer Radi (1916-1998)
Lazer Radi (1916-1998)

Nji debat, paksa i vonë… jo vetëm për 5 Majin e Dëshmorëve…

Jozef Radi “sqaron” Veli Stafën

Para disa kohe, ndërsa gërmoja në motorët e Googlës, ndonji të re për tim Atë, hasa nji shkrim të nji viti ma parë te z. Veli Stafa, (nip i Qemal Stafës), në nji përballje me gazetarin Arben Kallamata, në lidhje me 5 Majin apo 7 Prillin si nji ditë e “Festës së Dëshmorëve”, e ku ndër të tjera pashë se: “…agresiviteti i Kallamatës ndaj Qemal Stafës…” e kishte shty, të nipin e tij, Veli Stafën, të përmendte disa herë edhe emrin e tim Eti, Lazër Radi, mbi historinë e botimit të nji shkrimi, që u bë “legjendë komunizmi”… duke sjellë edhe disa dokumente të këtij letërkëmbimi te Qemal Stafës dhe Lazër Radit në nji periudhë kritike të historisë… po edhe të jetës së tyne.
Shkrimin e plotë të z. Veli Stafa, do të përpiqem ta plotësoj edhe me nji pjesë të së vërtetës së mungueme, ose të deformueme, duke mendue se sigurisht asht ba me qëllim në shkrimin e tij… Por ma së pari le të lexojmë shkrimin në fjalë, e mandej krejt sqarimet e nevojshme mbi kët shkrim…
Kështuqë shkrimi shfaqet edhe si nji debat publik midis nipit të Qemal Stafës, dhe djalit të Lazër Radit, si nji alternativë për të mbrritë te e vërteta.

Veli Stafa
Veli Stafa

7 prilli, 5 maji dhe Qemal Stafa

nga Veli Stafa*

Maji i këtij viti është në kapërcyell. Ai po kalon duke marrë me vehte edhe kaosin e shkrimeve nëpër gazetat e Tiranës të cilat me të drejtë Emil Zola i ka quajtur “letërsi vrastare”.
Është fare normale që për ngjarje të ndryshme historike dhe persona protagonistë të këtyre ngjarjeve, të ketë mendime të ndryshme, të cilat gjithmonë duhet të udhëhiqen nga e vërteta, dokumentat dhe respekti. Por fatkeqsisht në shtypin e kohës ndodhi e kundërta. Shpifjet, shtrembërimet e së vërtetës, mllefi dhe fyerjet janë bërë ushqim shpirtëror për disa manipulatorë e pseudointelektualë me formim bizantin.
Një nga këta shkrime-fantazmë u botua kohët e fundit tek gazeta Mapo, nga Arben Kallamata, i cili duke kërkuar të zëvendësojë 5 majin me 7 prillin e së premtes së zezë 1939, bën gabimin e rëndë dhe guxon me anë shpifjesh e denigrimesh, të errësojë apo ç’famësojë Heroin e Popullit, Qemal Stafa. Kallamata, ky emër me toponomastikë greke më kujton gazetën “Drita” në kohën e diktaturës, ku shpesh figuronte me shkrime nën kornizën e politikës së kohës.
O tempora, o mores!
Ka dashtë Zoti i Madh, që më kanë shpëtuar në familje disa dokumenta me vlerë që të shpëtohet e vërteta dhe historia kjo mësuese jetës, kjo filozofi me fakte siç e quanin filozofët grekë të lashtësisë, nga njerëz të tillë që kanë jetuar e jetojnë me anë të “letërsisë vrastare” e me anë shpifjesh. Ja disa fakte historike autentike që vërtetojnë të kundërtën e asaj ç’ka pretendon Kallamata.
Më 7-8 Prill 1939, të burgosurit e Burgut të Vjetër të Tiranës të udhëhequr nga Qemal Stafa, i cili ndodhej aty pasi më 2 prill kishte ardhur me leje për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait më të madh Dr. Veli Stafa (Platonicus) vdekur nga TBC në sanatoriumin Malmaison të Parisit. Qemali kishte ardhur nga Kampi i Punës në Mbreshtan të Beratit ku vuante dënimin si Anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dënuar në gjyqin-farsë politik të kurdisur nga agjentët e Romës.
Kallamata duke zbatuar sistemin diabolik që populli italian e cilësuar kaq bukur “se non e vero, e ben trovato”, shpif paturpësisht se, fashizmi italian e shpërbleu me bursë Qemal Stafën sepse ky botoi tek gazeta e tyre “Fashizmi” shkrimin “Rreze frengjijash”. (nenvizimi j.r)

Por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Kjo vonon, por nuk harron sepse edhe florini mbetet flori sado të thuash se është kallaj-thonë arabët.
Lazër Radi, shok i ngushtë i Qemal Stafës duke qenë se ishte një nga redaktorët e gazetës “Fashizmi” boton tek kjo gazetë pa dijeninë e Qemalit shkrimin “Rreze frengjijash”.(nenvizimi j.r)


Dikush është përpjekur ta paraqesë këtë fakt si një konflikt midis Qemalit e Lazër Radit dhe sikur ky konflikt u bë shkak që ky i fundit u persekutua në vitet e diktaturës.(nenvizimi j.r)
 Apo çfarë është më indinjuese, se gjoja Qemal Stafa ka qenë ithtar i ideologjisë fashiste duke kërkuar gjithashtu favore nga pushtuesit. Qemal Stafa ishte një kapacitet intelektual për kohën, i shkolluar për 8 vite në Kolegjin e Etnëve Jezuitë në Shkodër. Ai ishte edhe publicist e poet. Organizatori i Rinisë Fashiste të Shqipërisë (Xhovani Xhiro) i ka ofruar ofiqe të ndryshme madje i propozoi edhe për Ministër Kulture, por ai duke qenë i lindur dhe i rritur në një familje patriotësh dhe duke qenë i biri i Kolonel Hasan Stafës, akademik i Stambollit, mik i Ataturkut dhe oficer i Pavarësisë Kombëtare e i Kongresit të Lushnjes, nuk ka pranuar kurrsesi poste nga pushtuesit fashistë italianë. Edhe botimi i shkrimit të tij tek gazeta “Fashizmi” pa dijeninë e tij, synonte ta kompromentojë figurën e tij tek rinia shqiptare për t’i treguar asaj se edhe Qemal Stafa tashmë është bërë palë me ne.
 (nenvizimi j.r)

Por le të flasim me gjuhën e dokumentave autentike.
Ja çfarë i shkruan Qemal Stafa redaksisë së gazetës “Fashizmi” si dhe vetë shokut të tij Lazër Radit nga Firence ku ndodhej me studime në Fakultetin e Jurisprudencës:
Të dyja letrat janë dërguar njëkohësisht dhe mbajnë datën 12. X. 1939.

Firenze,
12. X. 1939

Drejtorisë së gazetës “Fashizmi”
 – Tiranë

I nderti Z. Drejtor,

Në numurin e ditës së dielë dt. 1 tetor 1939 në fletoren e Juej të ndershme kam pamë një kronikë me titull “rreze frengjijash” që barte nënshkrimin t’im.
Tue qenë se shkrimi i lartpërmendur u përket viteve të mija gjimnaziale dhe prandaj ka një trajtë që tash nuk e quej t’emen, tue qenë edhe se botimi i saj asht ba pa autorizimin e të nënshkruemit, lutem të keni mirësinë të veni një shënim në fletoren e Juej të ndershme me të cillën të sqaroni sa ma nalt.
Tue qenë i sigurtë se fisnikërija e Juej nuk do t’mungojë të përmbushë kët kërkesë t’ime, Ju lutem të pranoni, zotni drejtor sigurimin e nderimit t’im.
Qemal Stafa

Via Ricasoli, 61

Presso Degli Esposti

Firenze

***
Firenze,
12. X. 1939

Lazër Radit
 – Tiranë

I dashtuni Lazër,

Me çudi të madhe para disa ditësh në gazetën “Fashizmi” kam pamë shkrimin “Rreze frengjijash” që barte nënshkrimin t’em.

Ti e di vetë se rregullat ma elementare të publicitetit dhe parimet ma të para të burrnisë shqiptare nuk lejojnë në asnji mënyrë të përdoret emni dhe puna e huej pa qenë kjo në dijeni të t’interesuemit. Tue qenë se vetëm ti e ke pasë ket shkrim t’imin që nga koha e vjetëve të Shkodrës, të drejtohem tue të këshillue të bajsh një gjest me të cilin të dëftesh se atë shkrim e ke vuem në botim ti pa pyetë të nënshkruemin. Për ndryshe përgjegjësitë bijnë mbi ty!
Pse lum Lazri ka kaluem koha kur në vendin t’onë personaliteti i qytetarit kishte vlerën e një okë kumbujsh.
Po të them se nuk do të lejoj kurrë që të bahen n’emën t’im veprime për të cilat unë nuk kam as më të voglën dijeni.
Tue pritë një përgjegje të shpejtë, të përshndes.
Qemal

Pas kësaj, vijon përgjigja prej intelektuali e miku e Lazër Radit në letrën drejtuar shokut të tij të ngushtë Qemal Stafës të cilën po e botojmë në mënyrë autentike.

Letër e Lazër Radit dërguar Qemal Stafës 1936
Letër e Lazër Radit dërguar Qemal Stafës – 1936

I dashtuni Qemal,

Po ti dërgoj dorëshkrimet e tua. Sot po nisem për Shkodër. Na shkuen edhe këto pushime. U plakëm edhe për tre muaj e gjysëm. S’ka gja!Po vijmë tue u pjekë – tue shkue në nji stadë të ri në të cilin do të derdhim të gjitha energit t’ona për naltësimin e Atdheut T’onë.

Shum të fala

Lazri


Këto dokumenta tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme për kulturën, qytetarinë e dy miqve dhe njëkohësisht për indinjimin e thellë të Qemal Stafës në lidhje me këtë “atentat” në adresë të personalitetit të tij.”Atentate” që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot. Atentate kundër së vërtetës për të cilën betohej Ciceroni: “Mik kam Platonin, mik Aristotelin por mike më të madhe kam të vërtetën!”
Prandaj, do të ishte në nderin e Arben Kallamatës që t’u kërkojë të falur në rradhë të parë shpirtit të Qemalit pastaj pasardhësve të tij për shkrime të tilla indinjuese e shpifarake në adresë të njeriut të tyre. Qemal Stafa emrin e tij legjendar e ka shkruar me gjak për lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar. Prandaj qysh në moshën 17 vjeçare kishte shkruar: Shqiptari nuk tutet se vdes mjaft që vdekja të jetë heroike, të jetë vdekje burrash, vdekje për atdhe“!
*Nipi i Veli dhe Qemal Stafës
31/05/2014
http://www.tiranaobserver.al

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Jozef Radi “sqaron” Veli Stafën

***
Lazër Radi dhe Qemal Stafa, kanë qenë për tre vjet shokë të nji klase po edhe mjaft shokë ideali në Gjimnazin e Shkodrës (bahet fjalë, për vitet shkollore ’33-’34, ’34-’35 dhe ’35-’36) mbasi ma vonë, Qemal Stafa kalon në Gjimnazin e Tiranës dhe jeta e të dyve mori drejtime të ndryshme edhe pse të dy në vitin 1939 janë studentë të Jurisprudencës në Itali, njeri ne Romë dhe tjetri ne Firence…
Në fillim të tetorit 1939, në gazetën “Fashizmi”, në të njejtën faqe letrare, janë katër shokë të dikurshem klase Qemal Stafa, Lazër Radi, Kolë Ashta dhe Pashko Gjeci, (me pseudonimin Surgensis)… E vërteta asht se kjo faqe qe e përgatitun nga Lazër Radi, e mbështetun e gjitha mbi materiale të ndalueme në vitin 1936, nga botimi i revistës “Shkëndija”… dhe Lazër Radi në të gjallë të vet e ka sqarue mjaft mirë publikisht në shtyp kët të vërtetë, por meqënëse asht prap e diskutueme, mundem të shtoj e ta plotësoj me gjithe dokumentet e nevojshme…
Nw verën e vitit 1939, Lazri ishte me pushimet e vitit të parë. Ata janë takue bashkë me Qemalin dhe kanë udhëtue ma pas drejt Italisë ne linja të ndryshme… Qemali si shok mjaft i afërt i ka tregue për vështërsitë që ai kishte për vazhdimin e studimeve në Itali – Firence, mbasi ishte gjatë gjithë kohës nën survejim… Kjo arsye dhe asgja tjetër, e ka shty Lazër Radin me i ardhë në “njifarë ndihme”, me paraqitjen e nji shkrimi i cili asht identik me origjinalin, i cili u botua në kët “të famshme” faqe letrare dhe që vazhdon të tjerret deri në kufijtë e legjendës komuniste, bash prej vrasësve të Qemailit… Sqaroj se shkrimet e botueme, janë pjesë nga numri i parë i revistës “Shkëndija” e cila u shtyp dhe u dogj me urdhën të Ministrisw së Mbrendëshme, në maj të vitit 1936. Lazër Radi e ka pranue botnisht se kët shkrim e ka paraqitë pa lejen e Autorit në gazetën “Fashizmi”, por jo me ato qëllime që janë përdorur deri sot. Shkrimi kishte qëllim me iu paraqitë lexuesve, vetëm se vendi i botimit nuk ishte në dëshirën e autorit… po ky asht thjesht çeshtje e raportit midis dy miqve, dhe asgja ma shumë.
Lazër Radit, letra e shkruar prej Qemalit s’i ka mbrritur kurrë në dorë, sepse në atë datë 12 tetor 1939, ashtu si Qemali i shkruan nga Firence si student, edhe Lazri ishte po student në Romë, dhe ai kurrsesi s’ka qenë redaktor i ndonjë gazete (e as gazetës Fashizmi), artikullshkrues po…! E nëse atij do t’i kishte mbrritë nji letër e tillë, (ai e ka deklaruar me shkrim, në të gjallë të vet), se në mënyrën ma korrekte do të kishte ba nji deklaratë krejt të sinqertë se e vërteta e atij publikimi ishte pa dijeninë e autorit, edhe pse autori ia kishte dorëzue dikur atij për botim…
Letra e paraqitur nga Veli Stafa, si përgjigje (gjoja) e Lazrit, s’ka asnji lidhje me kët ngjarje, mbasi ajo asht e verës së vitit 1936, kohë në të cilën si Lazri ishte i ngarkuem me botimin e Shkëndijës, edhe Qemali ishte vendosë në Tiranë
Sigurisht përdorimi në mënyrë spekullative i këtij “Letërkëmbimi” nuk tregon asgjë më shumë se shterpësinë e prespektivës historike… mbasi harrohet se në vitin 1939, ende nuk kishte nji Parti Komuniste, dhe të dy si Qemali dhe Lazri, kishin nji të kalueme disi revolucionare, dhe të dy ishin studentë të Jurisprudencës, njeri në Romw dhe tjetri në Firence, pra ishte nji kohë kur raportet mes komunizmit botëror dhe fashizmit botëror nuk ishin edhe aq fort konfliktuale…!!!
E vërtetë asht gjithashtu se Lazër Radi, për 46 vitet e kalvarit të tij nën diktaturë, nuk asht persekutue prej raportit me Qemal Stafën, por duhet thanë për shumë e shumë arsye të tjera, veçse po ashtu asht aq e vërtetë, se në Gjyqin Special, nji nga dëshmitaret ka qenë edhe D. K. (e konsideruar e Fejuara e Qemalit), e cila ia ka bërë kët akuzë… po ashtu edhe te libri “Qemal Stafa” i N. J. asht përdorë ngjyrosja ma negative e këtij fakti, pa e përballë kurrë me të vërtetën e Lazër Radit, bile shpesh herë ndër akuzat publike ndaj tij gjatë kohës së vuajtjes gjysëmshekullore, i asht “bashkangjitë” edhe vrasja e Qemalit, nji absurditet tipik i shpifjes komuniste (mbasi asokohe ai vazhdonte të ishte student në Romë), ndërsa historia e Qemalit ishte ba pjesë e Komunizmit…
Të gjitha këto i shkrova, në përpjekje e në respekt të së vërtetës historike, në respekt të idealit djaloshar të Qemal Stafës, dhe të gjithë atyne që e deshtën kët vend në mënyrën e ideale, po ma shumë në respekt të tim eti Lazër Radit, që e pranoi vuejtjen, veç mos me qenë kurrë pjesë e asaj ideollogjie mashtruese, e cila vazhdon sot e kësaj dite ta shkatërrojë kët vend… Të dy e paguan shtrenjtë në emër të asaj dashurie, duke marrë dy mënyra ndëshkimi të përbindshme njeri duke humbur jetën… dhe tjetri duke paguar me burgje dhe internime gjithë jetën…
prill 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.