back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Nermin Vlora – Vajza që u thinj 24 vjeçe nga Zenepe Luka

Gazeta

Nermin Vlora - Falaschi (1921-2004)
Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora, Vajza që u thinj 24 vjeçe…

nga Zenepe Luka

Nermin Vlora, Ambasadorja e Kombit, për herë të parë në jetën e saj, pranon të rrëfejë për gazetën “Koha Jonë” vuajtjet e familjes së saj, dhimbjen që iu desh të përballonte larg Atdheut, kur regjimi godiste pa mëshirë gjyshen, që ishte fëmija i parë i Ismail Qemalit, nënën e saj dhe fëmijët e tjerë të Ismail Qemalit.

Gruaja e shquar, studiuesja, publicistja e nderuar nga shumë vende të botës për kontributet që ka dhënë në fusha të ndryshme, ambasadorja e Kombit, pikërisht me 18 prill, teksa kaloi pragun e 83 vjetëve, jep mesazhin njerëzor se të falësh është virtyt, të kërkosh falje për fajet që ke bërë, është detyrë e secilit. Ajo është shqiptarja e shquar që ka vuajtur një jetë të tërë dhe që e ka dashur vendin e saj dhe bashkëkombasit tërë jetën e saj. “Unë, – thotë ajo, – jam produkt i Shqipërisë dhe e kam për nder!”

Autorja e intervistes Zenepe Luka
Autorja e intervistes Zenepe Luka

Nermini i përgjigjet letrës

Të falenderoj për shkrimin që ke programuar mbi jetën time të gjatë e plot me ngjarje. Kam vuajtur shumë, për ngjarjet që i kanë ndodhur familjes sime në Shqipëri gjatë komunizmit, por i kam kapërcyer ato, duke mësuar t’i jap urdhër vetes sime, që të mos urrej kurrë gjatë jetës sime. Në të vërtetë, ia kam arritur qëllimit, për fat të mirë. Vërtet mua flokët m’u zbardhën nga dëshpërimi dhe nga pamundësia për t’i ndihmuar njerëzit e mi të shtrenjtë, por nuk duhet harruar fakti që tragjedi të tilla shumë vetë nuk i përballuan dhe për pasojë u çmenden ose vranë veten, unë ndihem krenare që e përballova, që nuk urreva kurrë. Edhe tani që po i bëj publike këto vuajtje, në Atdheun tim të dashur, unë nuk urrej. Ndihem krenare që jam prodhim i Shqipërisë, që i kam shërbyer dhe i shërbej vendit tim, sidoqë larg tij.

Grabitet gjyshja…

Në asnjë vend tjetër në botë nuk gjen që të jetë trajtuar kaq mizorisht fëmija i parë i themeluesit të shtetit. Gjyshja ime jetonte me pensionin që i jepte shteti, në shtëpi me qira dhe nuk kishte të bënte fare me politikën. Të gjitha plaçkat e shtëpisë i kishte sjellë nga Stambolli. Një ditë fatkeqe, erdhën disa, disa, disa… Le t’i quajmë njerëz dhe i thanë se ato plaçkat i përkisnin popullit dhe se “…ajo, bashkë me të bijën, duhet të dilnin menjëherë nga shtëpia, se ajo i përket popullit dhe i duhet kthyer menjëherë atij!!” Pasi i nxorrën jashtë dy gra të vetmuara, nënë e bijë, i futën në një drunore, në rrugën e Elbasanit.
Pas kësaj bastisjeje, u kujtuan se kishte mbetur nji dollap i vogël i bërë nga im shoq, Renco, me rastin e njëvjetorit të lindjes së djalit, kur i kishin sjellë peshqeshe të ndryshme dhe nuk kishte vend ku t’i vendosnim. Gjyshja dhe nëna e shitën atë dollap, për kafshatën e gojës. Por, mos o Zot!!

Mevedet Vlora, ne gjyq per dollapin

Urrejtja për vajzën e Ismail Qemalit, njeriut që themeloi shtetin, që nuk dihej se nga çfare burimi dilte, shkoi deri atje sa të organizohej një gjyq me akuzën se ka vjedhur popullin. Kryetari i trupit gjykues do t’i drejtohej asaj me zë të lartë.
“Ti, Mevedet Vlora, e ke vjedhur popullin, duke shitur atë dollap që i përkiste popullit”. Gjyshja skuqej, por nuk fliste, ashtu si nuk foli asnjëherë gjatë periudhës së gjykimit. Më në fund i thanë: “Mevedet Vlora, a ke diçka për të thënë për të mbrojtur veten?” Gjyshja u ngrit në këmbë dhe me shumë dinjitet iu përgjigj: “Bijtë e mi, juve morët plaçkat e shtëpisë që kisha sjellë nga Stambolli. Më thatë se i përkasin popullit shqiptar. Unë e pranova këtë teori, por dollapi që shita, meqë kisha nevojë për bukë, i përkiste një italiani. Ai e kishte bërë me duart e veta për ditëlindjen e parë të djalit, Roberto Ismail. Kam jetuar një jetë të thjeshtë këtu në Shqipëri, meqë, im atë, Ismail Qemali, për ta krijuar këtë shtetin tonë të dashur, e harxhoi krejt pasurinë. Ju falenderoj për mirësinë tuaj për t’i dëgjuar këto pak fjalët e mia”.
Trupi gjykues i është drejtuar përsëri, pas këtyre fjalëve.
“Mevedet Vlora, a ke dëshmitarë që atë dollap e kishte bërë një italian?” “Kam dëshmitarë plot, – iu përgjigj gjyshja, – kini mirësinë t’i dëgjoni.” Dhe erdhën gjithë miqtë tanë që e dinin këtë histori, për të dëshmuar. Kur u bindën për të vërtetën, i thanë: “Mjaft, mjaft! E fitove gjyqin dhe do të keshë shpërblimin që meriton!”.
Shpërblimi nuk u mor kurrë, siç ma shpjegoi mbas njëzet vjetësh nëna, kur, më në fund, u detyruan t’i japin lejen për të ardhur në Itali, tek e bija. Sa kohë jetoi me ne, nëna e gjorë, përjetonte panik e frikë, që e kishte zanafillën tek egërsia e sjelljes së këtyre “patriotëve”.
Ajo jetonte me ankthin se një ditë do ta fusnin në burg! Varfëria i detyroi të shisnin gjithçka…

Ismail Qemal Vlora dhe familja (5 djemte dhe vajza)
Ismail Qemal Vlora dhe familja (5 djemte dhe vajza)

Historia e familjes sime vazhdon me episode tragjike të ndryshme. Mbasi e fitoi gjyqin gjyshja, si më tregoi im atë, mbas njëzet vjetësh kur erdhi, më në fund në Romë, problemi ishte mbijetesa. Nëna, bashkë me vajzën e tezes së saj, burrin e së cilës e kishin pushkatuar që në fillim dhe që ishte bija e vajzës së dytë të Ismail Qemalit, filluan të dalin nëpër rrugë dhe të shesin atë që i kishte mbetur. Nëna arriti të shesë edhe leshin e shiltes së shtratit të saj, vetëm për t’u kujdesur për gjyshen, duke e ushqyer sa më mirë. Ajo ishte mjeke në Stamboll, por pranoi të punojë me kazmë për ndërtimin e disa banesave në Tiranë. Kur i shikoj sot, më pikon zemra gjak. Për shkak të vuajtjeve, brengave, por edhe moshës, gjyshja u sëmur rënde. Në vitin 1952, ndërroi jetë.
Nëna mbeti vetëm në atë drurore, ku e shoqëronte vetëm një radio e vogël… Por, nji ditë, erdhi “dikush” dhe i tha: “Ti nuk mund ta mbash për vete këtë radio, se ajo i përket popullit!”. Pa shtuar asnjë fjalë, ai e mori radion dhe u zhduk. Nëna, si më tregoi më vonë, e ndjente veten se po çmendej, se nuk mund ta përballonte më jetën në këtë mënyrë. Më shkroi gjerë e gjatë mua, dhe u bë e mundur që, me ndërmjetësinë e një mikut tim në ambasadën shqiptare, me të cilin edhe sot vazhdon miqësia jonë gjysmëshekullore, unë i dërgova një radio. Për fat të mirë, nuk ia konsideruan më si “pronë e popullit!”

Qamil Ismail Vlora
Qamil Ismail Vlora

Në burg edhe djali i fundit i Ismil Qemalit, Qamili

I dërgojë antibiotikë nga Italia. Dua të them se nuk vuajti vetëm vajza dhe mbesa e njeriut që themeloi shtetin shqiptar dhe që e shkriu tërë pasurinë për atë shtet. Që në fillim e burgosën Qamilin, djalin e fundit të Ismail Qemalit. Ai ishte diplomat dhe punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtëme. Ishte njeri me kulturë shumë të madhe, fliste 12 gjuhë dhe e njihte historinë e botës fare mirë. Ky ishte shkaku që ia kishin nevojën. Kësisoj gjatë ditës punonte për Qeverinë dhe natën flinte në burg. U sëmur nga tuberkolozi. I thanë nënës sime që të më kërkojë antibiotikë për Qamil Vlorën. Me vështirësi të ndryshme dhe me ndihmën e Drejtorit të Doganës në Livorno, u bë e mundur t’i dërgohen këto penicilina, duke shkrojtur në kuti se ishin aspirina! Por ishte tepër vonë: Qamil Daiu ndërroi jetë në moshën pesëdhjetëvjeçare!

Arratiset dhe vdes i vetmuar edhe djali tjetër, Qazim Vlora.

Pas këtij persekutimi, djali i parafundit i Ismail Qemalit, Qazimi, u arratis në Ohër. Ndjeu dhimbje që la vendin e tij dhe një ditë e gjetën të vdekur në shtratin e vet, duke shtuar tragjeditë e Familjes Vlora. Edhe gjetja ishte e rastësishme. Fqinjtë, duke mos parë gjurmë para portës së shtëpisë, në dëborën që kishte rënë, lajmëruan policinë. Tregojnë se vdiq nga dëshpërimi e brenga.
Ai kishte pasur miqësi me Enver Hoxhën, kur ky i fundit kishte një kioskë ku shiste cigare. Daj Qazimi shkonte dhe rrinte me të në qoskë. Por si duket ajo qoskë, do të ketë qenë një mbulesë për intrigat e tij. Qazim Vlora i hynte në punë që askush të mos dyshonte për aktivitetin e tij. Por, kur arriti në pozitën e lartë, dhe Qazimi vajti t’i bëjë urimet, as nuk e pranuan që t’i afrohej as portës së vendit ku punonte. Tashmë, nuk kishte nevojë për mbulesë nga një bej.

Edhe në Itali, jeta jonë ishte e vështirë

Edhe në Italinë e shkatërruar nga bombardimet dhe nga mizeria, jeta ishte e vështirë. Edhe ne na u desh të shesim gjëra të ndryshme, për t’i përballuar vështirësitë. Unë shita unazën e bukur të fejesës që ma kishte dhuruar vjehrra. Ishte me të vërtetë unazë e bukur. Edhe sot e kësaj dite më dhimbset! Ishim në Siena, në Toskëri të Italisë dhe Renzo punonte si avokat, por të paditurit që ai mbronte, ishin ma keq se ne. Në vend që t’u kërkoje para, duhet t’u jepje diçka për mbijetesë. Në vitin 1947, vdiq babai i Rencos dhe e ama vajti në Skoci tek i vëllai. Kështu, ne vendosëm të vimë në Romë dhe Renco të marrë pjesë në konkursin diplomatik. Studioi për specializim për dy vjet me profesorë të rastit. Midis dyqind vetave që morën pjesë në këtë konkurs shumë të vështirë, fituan vetëm tetë: Njeri prej tyre ishte Renzo.

Mevedeti dhe Qamili, fëmija i parë dhe i nëntë i Ismail Qemalit

Qamil Vlora, duke qenë fëmija i fundit i Ismail Qemalit, d.m.th.fëmija i nëntë dhe gjyshja Mevedet e para, e donte shumë vëllanë e vogël. Në një farë mënyrë, ndoshta e konsideronte si djalin e vet, meqë midis tij dhe nanës sime Belkis, kishin një diferencë moshë, vetëm tre vjet. Prandaj, edhe ime më e donte shumë ketë dajë gati moshatarë, me të cilin ishin rritur bashkë. Ai vinte dhe hante çdo drekë në shtëpinë tonë, te “Abllaja” e tij. Askush në familje nuk e thërriste gjyshen me emrin e saj dhe askush nuk i drejtohej me “ti”. As vajzat e veta, as unë, e as Vera. Gjyshja kishte një pasuri të brendshme të jashtëzakonshme. Kur ajo lindi mbas martesës së Ismail Qemalit me Kleoniqi Syrmeline, ishin dashuruar aq shumë me njeri-tjetrin, prandaj ia vune emrin Mevedet: dashuri ne osmanishte dhe emrin e dytë Agapi, me të njejtin kuptim në greqisht.
Mevedet Agapia u peshua me flori dhe, ato flori iu shpërdanë tv vobektëve. Kur gjyshja na tregonte këto gjëra e shumë të tjera, Vera dhe unë i thoshim se i kishte parë në ëndërr: jeta jonë e atëhershme nuk mund t’i kuptonte këto gjëra! Ajo e dinte fare mirë se ne nuk mund t’i kuptonim, prandaj na thoshte: “Jeta është e çuditshme: askush nuk te pyet se kush ishe, por kush je sot!!”
Dhe në të vërtetë, kur u padit për “Hajdut i popullit”, askush nuk pyeti se kush ishte, askujt nuk i erdhi turp ta marrë në gjyq fëmijën e parë të njeriut, që me sakrifica mbinjerëzore, falë zgjuarsisë dhe diplomacisë së tij, arriti të themelojë Shtetin Shqiptar, që edhe ata paditës të rreptë po e gëzonin dhe, ndoshta po e gëzojnë edhe sot!!!

Nermin Vlora - Falaschi 1991 (arkivi Radi)
Nermin Vlora – Falaschi 1991 (arkivi Radi)

Kush është Nermin Vlora?

Gazetarja, mikja ime e re, do të dije se kush jam unë. Duket se do të bëjë hulumtime mbi jetën time të gjatë me përvoja të shumta, në fusha të ndryshme. Në vështrim të parë, për pyetjen se kush jam unë, do t’i thoja:

Kush jam unë?

Unë jam vetëm nji çast,
Huazuar nga gjithësia,
Për t’ia dorëzuar, mandej,
Misterit te Madh.

Atë ditë që do të kaloj në përmasën tjetër,
do të doja të shkruhej:

Kush isha unë?!
Unë isha…

Por vendin e vendosjes në Vlorë të guackës sime, dëshiroj që ta vendosë Shoqata Kulturore Mbarëshqiptare “Ismail Qemali”.

Tashti t’i fillojmë hulumtimet: Linda shtatanike, me peshë një kilogram e gjysmë, e zezë, plot rrudha në mbarë trupin dhe mjekët më dhanë tri ditë jetë. Këtu na paraqitet teoria e relativitetit e Ajnshtainit: në fakt, duket se ato tri ditë nuk paskan kaluar ende! Sidoqoftë, unë mendoj se jeta ime karakterizohet me ngjyrat e Kombit tonë: e kuqja dhe e zeza, meqë kam pësuar vuajtje të forta, ashtu si edhe satisfaksione të mëdha. Mund të themi se sapo dola nga çerdhja familjare dhe sapo kisha mbaruar shkollën e mesme, jeta më hodhi përtej Adriatikut, ku u detyrova të rritem shpejt dhe t’i përballoj vuajtjet e shfarosjes së familjes, me atë ulërimë të shpirtit që nuk dëgjohet në asnjë mënyrë, por që të trondit pa masë. Janë ato periudha kur njeriu mund të bëhet i keq dhe të jetojë vetëm për hakmarrje. Por nuk ndodhi kështu me mua, për fat të mirë. Me erdhën në ndihmë filozofët e vendeve të ndryshme që, duke ma pasuruar shpirtin, më mësuan se “…hakmarrja nuk është rrugëdalje pozitive. Ndihma më e madhe na vjen nga dashuria, se vetëm me anë të dashurisë mund të gjendet drejtimi pozitiv dhe ndërtues…” Pa dyshim, ky u bë parim i jetës sime, ashtu si vazhdon të jetë edhe sot. Kur ulem dhe mendoj, duket se më dalin përpara këta filozofë dhe personalitetet e ndryshme të kulturës, të cilët me japin urdhër të shkruaj, meqë vetëm kultura e përparon njerëzinë dhe e ndriçon shpirtin.

Nermin Vlora & Lazer Radi - Rome 1991 (arkivi Radi)
Nermin Vlora & Lazer Radi – Rome 1991 (arkivi Radi)

“Mund të të marrin gjithçka, veçse atë që ke në tru nuk mund ta marrë dot askush!”

E kishim fjalën për kulturën. Ajo filloi në familje, që në muajt e para të jetës sime. Gjyshja ime e dashur thoshte: “Mund të të marrin çdo gjë, por vetëm atë që ke në mendje, në tru, nuk ka mundësi ta marrë askush!”.
Fjalë të shenjta!
Në të vërtetë, ajo me ka ndihmuar gjithmonë, si në periudha vështirësish, ashtu edhe në ato normale ose gëzimi. Me këto parimet në familje, gjyshja më fliste në turqisht dhe nëna në frëngjisht. Shqipen e mësoja duke lozur me fëmijët në Tiranë. Në moshën pesëvjeçare, ime më më shpuri në Greqi, ku banonte motra e vogël e gjyshes. Atje kaluam beharin dhe unë pata mundësi ta mësoj edhe greqishten. Kur u kthyem nga Athina, unë isha pesë vjeç e gjysmë, u vendos të më dërgojnë në Shkollën e motrave Kiriazi. Shkolla ishte jashtëzakonisht e bukur, si nga pikëpamja e natyrës, në majë të kodrës, plot pyje dhe fusha, ashtu edhe nga ajo e ndërtesës. Kishte banka të veçanta për çdo nxënëse, dhoma gjumi veç e veç për mosha të ndryshme dhe banjo, në çdo kat, me shërbimet perkatese. Kishte edhe gjenerator autonom për shkollën, në mënyrë që drita nuk mungonte kurrë. Më thanë të drejtën, të gjitha këto të mira vinin si dhuratë nga shqiptarët e Amerikës. Ishte periudha kur në Shqipëri, Mbreti Zog kishte urdhëruar që, për ta emancipuar një vend, duhet të emancipohet gruaja, meqë një grua injorante rrit fëmijë injorantë.
Kur vajta në Shkollën e Dakos “kështu quhej asokohe ajo shkollë”, kishte vetëm një nxënëse të huaj, e cila ishte italiane, Dinora. Nuk dinte asnjë fjalë shqip. Rrinte gjithmonë me mua, meqë frëngjishtja ime bënte që të kuptoheshim. Kështu ndodhi që unë e mësova edhe italishten. Kur erdhi mësuesja e italishtes, më mori si përkthyese. Përveç italishtes, duhet të mësonim edhe frëngjishten dhe anglishten. Kështu na detyronin që të loznim një javë me radhë me njërën prej këtyre gjuhëve. Na kontrollonin dhe na dënonin kur e përdornim shqipen gjatë javës si një gjuhë tjetër. Por, kur më në fund i vinte radha e shqipes, atëhere shkallmoheshim me ritma nëpër ato fusha të bukura. Ky ishte, me të vërtetë sistemi më i mirë për t’i mësuar gjuhët e ndryshme. Si e shtrova më parë, shkolla gjendej në majë të kodrës, kurse në fund gjendeshin dy kampe tenisi. Atje loznin vajzat e rritura. Ne të voglat i binim rrotull, duke kënduar këngë ose vjersha në gjuhë të ndryshme. Ajo ishte kënaqesi e madhe për ne. Por, mandej vinte ora e përgatitjes së mësimeve të së nesërmes për mbarë shkollën në një sallë të madhe.

Vajzat e Institutit "Nena Mbretereshe". Nermin Vlora e dyta majtas, ndersa Nexhmie Hoxha ulur, e para djathtas
Vajzat e Institutit “Nena Mbretereshe”. Nermin Vlora e dyta majtas, ndersa Nexhmie Hoxha ulur, e para djathtas

Kujtimet e shkollës dhe Nexhmije Hoxha

E kam thënë dhe e them, që me Nexhmije Xhunglinin kam qënë shoqe shkolle dhe e respektonim njëra-tjetrën. Por, fatkeqësisht rrugët tona ishin të ndryshme. Ajo do të bëhej gruaja e Enver Hoxhës, që qeverisi për një gjysmë shekulli Shqipërinë. Ndërsa unë do të merrja arratinë dhe familja ime do të ndëshkohej në mënyrën më barbare. E kam takuar 2-3 herë shkurt, por shtruar me Nexhmijen qëndrova dy vjet më parë në shtëpinë e saj. Shkova, kur ajo vuante, pse e di se v’është vuajtja. Ajo kish boshllëkun jo vetëm të vdekjes së të shoqit, por edhe të pasojave që pati pas rrëzimit të regjimit, deri edhe në burgosjen e saj. Nuk di të përgjigjem se cila është përgjegjësia e shoqes sime, për çka bëri Enver Hoxha mbi familjen time, pjesëtarë të familjes së Ismail Qemalit, por nuk dua ta besoj që Nexhmija nuk është në dijeni të kësaj historie të dhimbshme, të mbushur me vuajtje të pafundme. Ajo që di saktë, është dëshira që realizova për ta takuar këtë grua, që nuk do të doja të vuante…
Një e falur publike e saj do ta vlironte, do ta fuste në rrjedhën e jetës. Kjo ishte këshilla ime si shoqe e rinisë së saj. Të falësh është virtyt. Të kërkosh të falur, kur ke bërë faj, është detyrë e cilitdo. Të korrigjohesh, është në dobinë tënde dhe të vendit tënd. Zemra ime, i ka falur ata njerëz mjeranë që nga padija, apo ligësia, bënë tortura te njerezit, përfshi edhe fëmijët e Ismail Qemalit, sidoqë më shkaktuan brengeën e përjetshme dhe m’i zbardhnin flokët në moshën 22-vjevare. Shqipërisë, vendlindjes sime i jam mirënjohëse, që më dha jetën, kulturën, më bëri të jem shqiptare dhe këtë e kam për nder. Këtë mirënjohje, vendit tim ia kam shpërblyer me punën e përkushtimin tim, që është në vazhdim, për të bërë aq sa të mundem për të ngritur lart vlerat e Kombit tim të dashur, Shqipërisë së shtrenjtë.
Marre nga gazeta “Koha Jone”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.