back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Njeriu i Kohës së Qyqes – tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Njeriu i Kohës së Qyqes

tregim nga Jozef Radi

Zog Çupsi, dikur nji djalë i urtë katundi, që s’i ndante librat duersh, kishte edhe pamje të hijshme. Njajo dashni për librat bani që ai n’Kohë të Qyqes t’krijonte nji emën të mirë, qi bashkue n’hijeshi, duhesh me e mbrojtë edhe prej Synit t’Keq.
Nji ditë t’bukur fundvere, Zog Çupsi e la katundi rranzë malit, veshi nji xhaketë me kuadrata, vuni nji palë syze të errta, i dha vedit pamjen e nji njeriu t’randsishëm e kush ma në katund s’e pa!
Dikush n’katund tha: Asht ba Njerì i Madh…!
Edhe pse n’dukë s’kishte asgja të madhe. Habia ndër të njoftun erdh kur dikush tha: “Zogu i Çupsave asht ba intelektual i madh!” Mandej gjithçka mbaroi, njerzit u kqyrën ndër sy pse fjalën “intelektual” askush s’mujt me i dhanë dum, çka ishte!
Zog Çupsi i ri, nisi me shkruejtë gazetave, me dalë televizioneve, me botue libra, m’u spikatë ndër emna të ndritun, me ndejtë ndër tavolina të rrumbullakta, aq sa ajo habi, n’katund të tij u shoqnue pos tjerash, edhe me bè n’krye të tij!
“Kur t’vjen e mira hapja derën!”, dhe Zogu e hoqi krejt derën, e me që kish qenë gjà e urtë, askush s’u mor me faktin se prej kah gjithë ajo e mirë, dhe pse veç n’emën t’atij tanë kjo e hyme!?!
Kur punët e jeta t’hecin si orë “Omega”, çka mund të bante ma shumë Zogu se me u martue, me u sistemue me shpi, me u ba me fëmijë, me pak fjalë u ba Zog me flatra… Me tana t’mirat që ia dhuronte pa dhimbë Koha e Qyqes, gja që Zogu s’e kishte mendue kurrë njaq t’vyeme, e as edhe vedin njaq të vyeshëm t’asaj kohe!
Askush s’ia kishte prishë qejfin n’jetën e re qytetse djaloshit prej katundit rranzë malit, që fliste ashtu shtruet e ambël, që jepte mendime, që promovonte talente, që shërbente e ishte njaq i shërbyeshëm e tejet i dashtun me Kohën e Qyqes!
Kështu Zog Çupsi u shpall intelektual i ri ma i vyem i Kohës së Qyqes!
Si tana kohnat… edhe ajo e Qyqes po shkonte tuj u shprishë e mori n’teposhtë. Krejt kangtarët n’zà prej saj, nisën përditë e ka pak me e mbledhë mendjen edhe me rafinue zanin, me ju këndue ma pak kohnave t’vjetra, e me e përshtatë zànin ndaj kohnave që vinin!
Çka i habiti shoktë e vjetër të Zogut, ishte aftësia e tij me gjetë shokë të rinj prej atyne që dikur i kish quejtë “armiq të Kohës s’Qyqes” e me dashamirësi ata e kishin pritë shfaqjen e tij thuej të pafajme mes tyne!
Koha e Qyqes si Kohë Qyqje, nji ditë mori teposhtën, e kaq shpejt e kaq frikshëm ra, sa Zog Çupsi e mjaft prej simetrikve të tij jetuen do kohë disi të topitun, të mpimë e t’çoroditun, derisa gjanat ranë paksa n’fashë, edhe ai u rishfaq njashtu i butë, e qeshun i pafajmë me nji pardesy të bardhë midis shumë pardesysh të tilla, qepë prej nji dore të vetme, e dallonte për njat jakën me veshë të mëdhaj si lapotë!
Tash problemi ma i madh i Zogut n’Ditën e Pardesyve të Bardha, ishte pse atij i qëlloi ma e gjata, kur ai ishte ma i shkurti i tyne, ndërkohë që ma të gjatit, na i kishte qëllue ma e shkurta?! Marrveshja e shkëmbimit midis tyne fillimisht nuk funksionoi, pse të dy ishin të pakënaqun për at prani të përbashkët në të njejtën tribunë. Mandej pa u kuptue si, qysh e pse me katër-pesë buzqeshje reciproke e disi të porosituna nga tjerë, ata u vunë n’paqe me i shkëmbye Pardesytë. Ajo çka ndodhi ishte mjaft me qeshë, pse Zogu u fundos edhe ma tepër në pardesyne e të Gjatit dhe i Gjati u ba edhe ma i gjatë prej pardesysë së Zogut! Kështu u kthye secili te e vetja. Zogut iu desht me veshë do këpucë të nalta e me ia futë gërshanën Pardesysë së Bardhë!
Tash Koha e Qyqes kish nisë tue u sha me rroc e me koc, prej atyne që e kishin dashtë, por tash e shamja e tyne kishte jo veç sheshet po edhe ekranin solitar të pushtetit të ri. Ata që kishin hangër ma mirë e ma majmë prej kohës, shajshin ma hidhët se Qyqet.
Koha e re tue ardhë, ende s’e kishte nji emën t’vetin, bile Zogut, si njeri i lexuem, i kënduem e i rafinuem iu ba kërkesë zyrtare, me ia gjetë nji emën asaj! Zogu e shtrydhi sa mujti mendjen, po veç nji antipodi të kandshëm si Koha e Mbasqyqes, tjetër s’mujt me gjetë!
Megjithatë, vazhdoi me qenë gjithkund i pranishëm prej tribunave të protestës, në konferencat e shtypit, prej tavolinave të debatit, në kryeartikujt e gazetave, prej leksioneve n’universitet ndër kabinetet qeveritare, nga tregu i madh i shumicës te poezitë intime të dashnisë, prej studiove televizive te promovimi i gjithfarë librave, prej takimeve me ndërkombëtarët në bisedat me zemër në dorë me të burgosunit e ndërgjegjes… Kudo… gjithkund… Ai, Zogu!
Ehehej o Zogu i Çupsave, sa zogu i dreqit paske qillue, e sa i zoti paske kenë! – u lshue nji kangë majekrahu ndër malsina!
Zog Çupsi u ba kryefjalë pa shpjegime. Kjo zgjoj irinitë e shumë prej atyne që njifshin mirë.
Prej Pardesysë së Bardhë iu desh shpejt me hjekë dorë e me e hjedhë, pse dikush prej tyne, përhapi fjalë, n’ato mënyra si përhapej fjala, pse ai i kishte shërbye Kohës së Qyqes si Njiqindenjizetenji leksh, gjà të cilën ai e hodhi poshtë me neveri.
Po ka pak e përditë nisën me ia hapë petët byrekut e me çërrmue gjizën… E dolën do punë jo fort të erkandshme, të cilat me zemër t’thyeme ai nisi me i pranue, njashtu gjysa gjysa n’fillim, po n’fund e gjeti nji shteg të bukur me i hikë sulmit: u justifikue se kishte kenë fort i ri, se kishte dashtë me studiue, se kishte kenë i vorfën, se n’katund kishin dashtë me e hangër t’gjallë, veç pse ai kishte andrrue nji xhaketë me kuadrata… dhe njashtu n’huti e zell të shkollës, n’moshë të papjekun e thuej axhami, kishte firmosë pa dijtë as çka ishte shkrue mbi firmë të tij!!!
Krejt njerzt që e panë përlotjen e tij, iu dhimbs në shpirt Zogu i Çupsave, iu dhimbs ajo rinia e tij mbushë me dritë e pshtueme prej nji firme… e tash ajo firmë për kërkonte me e rrzue!
Zogu nuk bani as mea culpa, as lypi ndjesë, as e ndjeu vedin n’faj po vazhdoi njashtu butë e ambël n’punë të vet… e ne të tanë vazhdojmë me e ndigjue thuej përnatë, para e mbas buke, në krejt spektrin e kanaleve televizive kazanore (siç nisën m’u quejtë mediat e Kohës Postqyqe) bash prej njatij, Zogut!
Edhe pse kanë kalue tridhjetë vjet prej asaj mbramje kur ai veshi ma s’pari Pardesynë e Bardhë, ai ndihet edhe sot po aq energjik e i paepun, ndihet djaloç e orator i pashoq, e ka t’vetën dhuntinë me folë për gjithçka, njashtu shtruet e ambël, i rrafshtë e i paqtë, me at zanin e sintonuem me folë njizete katër orë pa pikë uji, veç me i ndejtë çdonjenit prej nesh n’tavolinë të bukës, e mos me na mungue nji natë, se bahet nami… Kah shkoi Zogu…?!
Bile kallzojnë se Natën e Krishtlindjeve, i pari i nji shpie besimtarësh, s’la askënd me i cikatë gotat e urimit pa u shfaqë ftyra e Zogut, n’nji prej kanaleve të shumta ku ai ngiste vrap netve e ditve me kënaqë popullin e vet! Tavolina u ba paksa nervoze, pse mbetën nji gjysë ore me gotat hava, e i zoti i shpisë me telekomande n’dorë kërkonte ngeshëm zotin Zog, e at natë për dreq, s’donte e s’donte me dalë.
Telekomanda rrëshqiti prej njishit te tridhjeta, mandej prej tridhjetës te njishi… po asgja! Njerzve u kishin mbetë gotat hava, fjalët në fyt, krahu mpi e ftyrat ngri e gri prej marazi pse Zogu s’delte e s’delte… Veç kur gabimisht shkeli n’nji kanal të huej u shfaq e qeshun figura e përthinjun e Zogut me kapuç t’kuq e gotën me vene të kuqe si gjaku i t’Lumit që kishte le m’at natë të lumnueme!
-Broomm… – bërtiti plaku – Tash po! Hajt, gëzue të tanëve, e Zogu ju dhashtë shnet e kyvet!
Gotat u cikatne tana njiherit e nji buzqeshje vene ua përndriti fytyrat, faqet, buzët, hundët e fjalët krejt njasaj familje t’madhe!
Veç dikush i mërzitun, ulë diku, mbasi e kishte shterrë kaherë gotën e venës edhe durimin bashkë, iu drejtue plakut!
-Po pse mor babë, borxh ta kena, për njat Zog kurve… me na mbajtë n’kambë, njizet robve!
Janar 2018

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.