back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Njerëzit e paditur dhe poezia nga Puntorie Muça – Ziba

Gazeta

Shkrimtarja Puntorie Muça - Ziba
Shkrimtarja Puntorie Muça – Ziba

Njerëzit e paditur dhe poezia

nga  Puntorie Muça – Ziba

(Kur mediokrët fjalën poezi,
e përdorin në kuptimin inferior të saj,
si “broçkulla ose përralla”)
Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poesis” që do të thotë: bëj, krijoj, thur. Ata që e shkruajnë poezinë quhen poet. Secili nga poetët i përket kohës dhe shekullit kur jeton.
Tellallët e së keqes që i shohim në disa TV. debate ordinere, por edhe këtu në faqet e fb-së, të lënë përshtypje se nuk e kanë kryer shkollën fillore dhe kurrë nuk e kanë mësuar e dëgjuar qysh në klasën e dytë fillore poezinë Mëmëdheu të Çajupit, sa për të krijuar imazhin se sa e pushtetshme është poezia, se ajo mbart përgjegjësinë kryesore për kulturën e një kombi dhe se ajo është mbretëresha e të gjitha arteve tjera. “Je tu thonë vjersha, o ti, je tu thonë vjersha…”- ishte retorika e një nate pranvere; e një pseudopolitikani që të bënte ta bëjsh thërime-thërime ekranin e televizorit ngaqë ta pështirte jetën. Fatkeqsisht edhe në faqet e fb-së kam has thënie të kuptimit inferior për poezinë, si: “Pres të thotë ndonjë poezi filan politikan”. Kështu shkruan dikush pa e vrarë mendjen dhe pa e ditur se pikërisht poezia mbart njohuri të mëdha, se është aristokrate dhe transformuese dhe se nuk ka të bëj me oratorinë. Ky art fisnik disave nuk ua prek as trurin, as zemrën, as ndjenjat…
Dikush i thotë vetes politikan dhe nuk arrin ta kap rëndësinë e poezive antologjike kushtuar atdheut ose ndodhive historike, ngaqë gjëja më me vlerë e tërë kohërave i duket vetja. I gjori pseudopolitikan merr guximin dhe thotë: “Je tu thonë vjersha”… kinse “Pallavra”. Ai ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë për perlat kombëtare me një gjuhë të fuqishme artistike dhe shumë cilësore, si: “O moj Shqypni”, “Anës së lumejve”, “Syrgjyn vdekur”, “Poemi Kosovar”, “Ikja e Mojsi Golemit” etj. Fyerja e poezisë merr formë fantazmagorike pasi që derdimenët harrojnë se po të mos kishte poezi nuk do ta kishim një pjesë të hises së identitetit tonë kombëtar, himnin, nuk do të kishim këngë, ninulla, këngë vaji, këngë nizamësh që janë kënduar në kohën e sundimit Osman, etj. Kanë thënë se kur nuk di më mirë është të heshtësh.
Magjia e Leximit të Poezisë
Magjia e Leximit të Poezisë

Po ku heshtet në këtë anarki ku mungon pushteti i organizuar, ku nuk veprojnë ligjet dhe rregullat etike, ku dëgjohet apoteoza e peshkut që nuk arrijmë ta kapim as te koka, as te bishti. Në këtë nahi shqiptare një grusht njerëzish kanë aftësi ta duan dhe ta zbërthejnë poezinë. Poezia na kujton se e pranishmja, por edhe gjithçkaja është më tepër se sa ajo që na sheh syri jonë dhe më gjigande se detajet që na i kap truri. Ata që nuk kanë aftësi ta shohin ose sëpaku ta vlerësojnë poetin dhe poezinë nuk dinë dhe nuk bëjnë përpjekje ta shohin botën. E bekuara poezi ngjason me ligjin për drejtësinë kur një diktaturë burgos dhe torturon qytetarët, kur mungon liria e mendimit dhe liria e të shprehurit. Poezia e mirëfilltë është një disiplinë e fuqishme moralizuese dhe fisnike. Përmes saj shpalosen epokat historike, prandaj kanë thënë se atë që e harron historia e thotë poezia. Tek ajo hasim edhe begatinë mahnitëse të gjuhës. “Zëri i saj është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe i sotëm…Është e nëndheshme…” thotë Oktavio Paz. Është një dhunti hyjnore, është religjion, është e veçantë, është si një diagnozë mjekësore që vetëm poeti ka aftësi t’ia cakton një sistemi ose një fenomeni. Është e turpshme, fyese, bile mund të quhet mani injorantësh poqese fjala poezi përdoret në kuptimin inferior të fjalës, duke e përqeshur atë, duke e stigmatizuar. Njerëzit që e përqeshin këtë lloj arti mund të konsiderohen si njerëz të paditur dhe si njerëz që i bëjnë dëm kombit. Shumica e poetëve shqiptar, por edhe të atyre botërorë ishin dhe janë njerëz të arsimuar si: mësues, avokatë, mjekë etj. Ata janë produkt fin i një shoqërie. Janë njerëz me energji të veçantë, janë dhe do të mbeten begatia e një shoqërie. Kjo dukuri intelektualizmi që posedon mendime të përsosura e ka në damar idealizmin dhe demokracinë e vërtetë.

Poezia lindi bashkë me njeriun dhe u bë promotor i jetës së tij. Ai shkruajti për vdekjen, dashurinë, paqen, lirinë, shpresën, besën, pabesinë, natyrën, stinët, ajrin, ujin, hënën, diellin dhe për gjithçka që na rrethon. Tek poezia mpleksen kultet, mitet, legjendat, ëndrrat, zanat, shtojzovallet etj. Mllefi mund të lind më shumë nga fyerja që i bëhet poezisë dhe jo akëcilit apo akëcilës poete. Megjithatë do ta shkruaj një përkthim të një adithi nga Ulvi F. pasi që më la mbresa të thella. Në atë “ hadith” përmenden ziliqarët e poetëve. “Poeti thotë: Kur poeti arrin suksese deri në qiell, armiqtë janë sa numri i yjeve. Poeti thotë: ata më xhelozojnë edhe në vdekjen time. Ah, mjerim edhe në vdekje më xhelozojnë.”
Derisa në kohën e Rilindjes Kombëtare por edhe gjatë periudhës komuniste, poezia ka qenë kryefjala e popullit shqiptar, ajo sot përdhoset nga mediokrët e pamëshirshëm që i ka kapluar jermi. Konkludime të këtilla të gabuara sjellin njerëzit e paditur që nuk kanë aftësi t’i çmojnë vlerat njerëzore.
Puntorie Muça Ziba & Erenestina Halili - Gjergji
Puntorie Muça Ziba & Erenestina Halili – Gjergji

Po të ishte aq e parëndësishme poezia nuk do të harxhoheshin qindra mijëra euro për Mbrëmjet Poetike Strugane. Kështu veprojnë ata që e vlerësojnë kulturën e vet. Ata përpiqen që nëpër botë të krijojnë imazhin e një shteti që rri në këmbë dhe nuk çalon kur ec. Ca njerëz e admirojnë feniksin kur ngrihet nga hiri, kurse disa nga shqiptarët e përbaltin atë. Dëgjuam e çka nuk kemi dëgjuar këto vite të mbrapshta . Ata “të pushtetshmit” shqiptarët tonë që u punësuan në Ministrinë e Kulturës ju dërguan habere poetëve se nuk do t’ua financojnë librat!

Mjeranët ndoshta edhe nuk e dinë se librat e poetëve financohen nga tatimet e këtij populli hallemadh, nga ata njerëz që e njohin dhe e admirojnë poezinë. Po ashtu truri i tyre nuk arrin ta kupton se poetët gjithmonë janë opozitë, janë gjykues të padrejtësive, sherreve dhe gabimeve që bënë qeveria. Poezia nuk mund të jetë broçkullë sepse lind nga dashuria për ta jetuar jetën dhe për ta ngritur tej lartësive trungun kombëtar. “Poezia është një kombinim i mendjes me zemrën.” – thotë poeti grek Titos Patrikios.
Marrë nga muri i Fb i Puntorie Muça Ziba, 12 janar 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.