back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Njerëz si Mentor Quku i vyejnë atdheut… nga Valbona Quku Lisha

Njerëz si Mentor Quku i vyejnë atdheut... nga Valbona Quku Lisha

Gazeta

Mentor Quku (1939-2014)
Njerëz si Mentor Quku i vyejnë atdheut…
Mentor Quku (20 Janar 1939 – 31 Maj 2014)
nga Valbona Quku Lisha

Mentor Quku njihet si mjedolog i shquem, si Drejtor i Muzeut të Shkodrës dhe nismëtar e organizues i seminareve madhështore ndërkombëtare “Shkodra në Shekuj”, si kryetari i Ballit Kombëtar për Shkodrën dhe ideatori e nji nga udhëheqësit së Djathtës së Bashkueme Shqiptare, nji bashkim post-komunist i partive të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, e vetmja force qi ia shkëputi Shkodren antikomuniste fitores pleblishitare të PD-së në mbarë Shqipninë në 1996-ën.
Ndër shumë e shumë punë të mira qi pat bâ si drejtor muzeu, ishte organizimi i nji prej takimeve të rralla mbi Standardin dhe Gegnishten, me pjesëmarrjen e Arshi Pipës e Emil Lafes e gjuhëtarëve të tjerë nga Tirana dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Mentori shquhej për energjinë pozitive, dashuninë për miq e tolerancën për kundershtarët politikë. Mentori bante shok çdo njeri. Zani i tij kumbues e hokatar, tuj përshëndetë e folë me gjithkënd, vinte deri në katin e tretë të Radio-Shkodrës ku ishte redaksia jonë e lajmeve, kur vinte të sillte njoftime për veprimtari.
Njerëz si Mentori i vyejnë atdheut sidomos në këto kohna…

Ka lindë në Bilisht të Korçës me 20 janar, 1939. Fëmininë dhe rininë i kaloi në Shkodër. Shfaqi talent të veçantë në pikturë. Mori mësime nga ikonografja e njohun ruse, Viktori Puzanova, si dhe piktorët e shquem shkodranë: Simon Rrota e Vladimir Jani. Lufta e klasave ia ndërpreu të drejtën për të vazhdue në këtë fushë. Në vitin 1954, kreu shkëlqyeshëm shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, në vitin 1957 kreu studimet në Institutin Pedagogjik në Tiranë, në vitin 1963, Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në vitet 1954-1957, ka shërbye si mësues në shkollat e Shtiqnit, Brutit dhe Kukësit. Në vitet 1957-1961, ka shërbye në shkollën e mesme “Hydajet Lezha”, Lezhë. Në vitet 1961-63, ka qenë mësues në shkollën e mesme “Xheladin Fishta”, Shkodër. Më 1963-1965, ka krye shërbimin ushtarak në Laç të Milotit. Në vitet 1965-1991 ka qenë mësues në Barbullush.
Gjatë viteve 1992-2000, ishte drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës, gjithashtu drejtor i revistës shkencore të këtij institucioni “Kumtari”, nr. 5, 6, 7 si dhe 6 vëllimeve të seminarit ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj” (1, 2, 3, 4). Ka drejtue projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare Shkodra në Shekuj (1, 2, 3, 4).
Mentor Quku ishte kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar për degën e Shkodrës (1992-2002) dhe ideator i të Djathtës së Bashkuar Shkodrane, përfaqësuesi i së cilës, fitoi zgjedhjet lokale për kryetar bashkie në vitin 1996.

Gjatë këtyre viteve Mentor Quku ishte autor dhe bashkautor në një seri librash, trajtesa politike që hidhnin dritë mbi fakte të panjohtuna tansisht, apo edhe të shtremnueme ndër vite, përsa i takon veprimtarisë së Ballit Kombëtar, të forcave politike të djathta dhe personaliteteve të tyne. Ai ishte i ftuem të referojë edhe në konferenca të ndryshme dhe në raste jubilare, të organizueme kryesisht në diasporën shqiptare.
Mentor Quku është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikën e dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstollogji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji e moshave. Gjithashtu në histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi politike, letërsi për fëmijë, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë.

Ka botuar në “Studime Filologjike”, Studime historike, Studime Pedagogjike, Kultura Popullore, Buletin Shkencor i Universitetit Luigj Gurakuqi – Shkodër, Kumtari i Muzeut Historik – Shkodër, Seminari Shkencor Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, Nëntori, Les Lettres Albanaises, Shqipëria e Re, Ylli, “Hylli i Dritës”, “Gjuha e Jonë”, Albanica Ekskluzive, Lemba, Flaka, Illyria, Dielli, Koha Javore.

Ai pati takime dhe shkëmbime letrash me Arshi Pipën, Abaz Ermenjin, Gjon Sinishtën, Martin Camajn etj. Fryt i takimeve të shpeshta ishte edhe dhurimi i bibliotekës së Arshi Pipës, Muzeut të Shkodrës.
Tema qendrore e studimeve të tij mbetet ajo e Dom Ndre Mjedës, për të cilën punoi rreth 40 vite, për të ndriçue dhe për ta vue në piedestalin e merituem figurën brillante të “bylbylit” të gjuhës shqipe. “Mjeda u bë udhërrëfyesi dhe shpëtimtari im! – thote Mentor Quku – U bë shpirti im binjak. U bë vuajtja dhe dhembja ime, u bë idoli im, ai që transformoi plotësisht jetën time!”
Ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë, Austri, Itali, Gjermani, Spanjë, Çeki, etj. Bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup, etj. Ai ishte laurat i çmimit “Zef Serembe” (2008) dhe “Ndre Mjeda” (2011). Anëtar i akademisë shqiptaro-amerikane të Shkencave, “Profesor Nderi” i Universitetit të Shkodrës (2014) Mban titullin “Mirënjohje” e qytetit të Shkodrës. (2011)

Ndre Mjeda - Kolana I-VII
Ndre Mjeda – Kolana I-VII
Seria Mjeda:

-Mjeda – 1 – (1866-1888) – Rinia
-Mjeda – 2 – (1888-1899) – Albanologu
-Mjeda – 3 – Libri i parë (1899-1912) – Alfabeti
-Mjeda – 3 – Libri i dytë (1899-1912) – Liria
-Mjeda – 4 – (1912-1925) – Identitet
-Mjeda -5 – (1925-1937) – Gjuhëtari
-Mjeda – 6 – Libri i parë (Bibliografia)
-Mjeda – 6 – Libri i dytë (Bibliografia)
-Mjeda – 7 – Bashkëkohësit
-Mjeda – 8 – Album
-Mjeda – 9 – Përmbledhje e monografisë Mjeda
-Mjeda – Vepra 2 – (Proza)
Se shpejti Mjeda – Vepra 1 – (Poezia)

Marrë nga Muri i FB Valbona Quku Lisha, 20 janar 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.