back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

“Njerëz me reputacion, që e kanë pranuar nga zori aleancën me gjermanët” – Interviste me studiuesin Idriz Lamaj – nga Gilmana Bushati

Gazeta

Idriz Lamaj - Xhafer Deva ndër Letra të veta...
Idriz Lamaj – Xhafer Deva ndër Letra të veta…
“Njerëz me reputacion, që e kanë pranuar nga zori aleancën me gjermanët”
Interviste me studiuesin Idriz Lamaj nga Gilmana Bushati
Për herë t’parë flet për mediat në Shqipëri studiuesi Idriz Lamaj

Intervistë me zotin Idriz Lamaj, studiues, publicist, ish-gazetar i
“Zërit të Amerikës”, autor i librit “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta…”.
Në këtë intervistë, ai tregon të vërtetat
e kësaj figure të rëndësishme të historisë së Shqipërisë,
duke i dhënë një vlerësim pozitiv, ndryshe nga historiani Arben Puto,
i cili në librin e tij “Lufta italo-greke. Diktatorë dhe kuislingë”,
e konsideroi atë si një ministër terrorist.

Idriz Lamaj
Idriz Lamaj

Z. Lamaj, cili do të ishte mendimi juaj për këtë përkufizim të zotit Puto, në lidhje me figurën e zotit Deva: “Në morinë e këtyre shkrimeve, bie në sy veçanërisht një tentativë mjerane, dëshpëruese për të rehabilituar emrin kobzi të Xhafer Devës, madje për ta ngritur në rangun e “kolosëve të mendimit”! I është atribuar një meritë e madhe që ka qënë “ministër i Brendshëm i qeverisë shqiptare” në Shqipërinë “e pavarur të gjermanëve?” – Përkufizimi i mësipërm i zotit Puto, për figurën e Xhafer Devës, nuk më çudit aspak. Nuk është hera e parë që ai çvlerëson personalitete dhe ngjarje të ndryshme të historisë sonë. Kam lexuar shumë shkrime të tij, si botime të veçanta dhe “studime” të botuara në revistat “Studime historike” dhe “Nëntori”. Çdo mendim që bie ndesh me shkrimet e tij, i bën hije. Ai ka qënë i privilegjuar në kohën e Partisë së Punës dhe është parë si penë e veçantë në hierarkinë e regjimit komunist. Me këto që po boton ai nuk bën gjë tjetër veçse po na bind edhe më tej se vazhdon të jetë i sunduar nga po ajo ideologji së cilës i shërbeu me përkushtim tërë jetën. Më vjen keq që Zoti Puto, dhe jo vetëm ai, nuk po gjejnë forca që të shkëputen nga prangat e asaj ideologjije e të kuptojnë se kohët kanë ndryshuar, censura ka ikur dhe njerëzit e ngjarjet nuk mund të gjykohen më bardh e zi, si dikur. Keq për ta por keq dhe për publikun, veçanërisht për brezin e ri, të cilit kështu po i serviren akoma në treg produkte të tilla të helmatisura, siç do ta konsideroja dhe librin e ri të zotit Puto.

Zoti Puto në librin e tij sjell në kujtesën e lexuesve deklaratën e zotit Uillson, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të Mesdheut, që “çdokush që është me Gjermaninë naziste do të trajtohet si armik.” A ishte armik zoti Deva? – Kjo pyetje ka një përgjigje shumë të thjeshtë të cilën lexuesi shqiptar mund ta gjejë fare lehtë, mjafton të shfletojë dy libra të botuara gjatë Diktaturës, atë të Enver Hoxhës: “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” dhe të vetë Arben Putos: “Në analet e diplomacisë britanike”. Shtjellimet e bëra në këto dy libra, për pyetjen e mësipërme, që ngjajnë si dy pika uji me njëra tjetrën, vërtetojnë më mirë se çdo koment tjetër se sa i lidhur ishte zoti Puto me strategjinë anti-amerikane të shokut Enver, madje i denjë për t’u quajtur mentor i tij. Më konkretisht. Dihet tashmë rreshtimi i shteteve apo dhe i forcave ndërluftuese gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me këtë pohim të zotit Uillson, ai nuk na thotë ndonjë gjë të re. Por, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të Mesdheut pohon dhe diçka tjetër, që zotit Puto nuk i leverdis ta citojë. Ai, pra zoti Uillson, për turpin tonë, vë në dukje se në Shqipëri nuk ka forca antigjermane, përfshi edhe komunistët, të cilët më shumë vrasin shqiptarët që nuk iu shkojnë pas se sa pushtuesit. Tashmë, nga mjaft autorë seriozë, është vërtetuar katërcipërisht se ajo luftë tek ne u shndërrua nga e “lavdishme Nacional-Çlirimtare”, siç iu pëlqen ta quajnë zoti Puto e kompani, në Luftë të mirëfilltë Civile, vëllavrasëse. Në këto rrethana nuk është aq e thjeshtë të bësh vlerësime të tilla ekstreme, apo siç themi ne, të prera me thikë. Është e vërtetë se Deva qe ministër i Brëndshëm dhe se ka bashkëpunuar me gjermanët. Por tërë këto duhen parë në kontekstin e kohës. Vërtet se nazizmi gjerman i solli botës e, sidomos vetë Gjermanisë, tërë ato të këqija por, parë ngushtësisht në raport me Shqipërinë, ata kryen një sërë veprimesh që nuk mund të themi se ishin kundër interesave të popullit tonë, siç qe, fjala vjen, bashkimi i trojeve tona, një ëndër e hershme kjo e çdo shqiptari të ndershëm. U lejua shkollimi në gjuhën shqipe, gjë që s’kishte ndodhur më parë. Në atë periudhë, pati një zhvillim ekonomik të kënaqshëm, e kështu me radhë. Me këto, absolutisht nuk dua të rehabilitoj as edhe një grimë nazistët e tragjedinë që i shkaktuan ata botës mbarë, por e kishim fjalën për qëndrimin e Devës ndaj tyre. Pra, ai nuk bashkëpunoi me ta për interesat e veta e aq më pak për të dëmtuar Shqipërinë. Ai, si dhe shumë të tjerë në atë kohë, kishte bindjen se vendosja e regjimit komunist qe më i rrezikshëm për Shqipërinë se sa lufta ndaj një Gjermanie naziste që po tërhiqej e mundur. Mendoj se koha i dha më shumë të drejtë atij se atyre që e penalizuan. Këtë e pohon dhe ambasadori amerikan në Kajro, më 1944, duke ia përshkruar Departamentit të Shtetit, Xhaferr Devën dhe Rexhep Mitrovicën, si “njerëz me reputacion që e kanë pranuar nga zori aleancën me gjermanët”, kurse “në të vërtetë, – thekson ai, – janë miq të Anglisë dhe të Amerikës.”
Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj, mund të them me bindje të plotë se ai qe një nacionalist i zjarrtë, një patriot i madh që shkriu tërë energjite e veta, fizike e shpirtërore, apo dhe materiale, vetëm në shërbim të Atdheut e të popullit. Mos të harrojmë se ai rridhte prej një familjeje nga më të pasurat e Kosovës dhe tërë atë pasuri që trashëgoi apo dhe atë shtoi vetë më pas, e vuri krejtësisht në shërbim të Atdheut. A mund të quhet armik një person i tillë? Lexuesi le ta gjykojë vetë.

A i lejohet një historiani të përdorë në terminologjinë e vet fjalën “terrorist”, pra që Xhafer Deva ishte një “ministër terrorist”? Si mund ta hidhni poshtë ju këtë terminologji dhe a ka dokumenta mbi të cilat mbështeten argumentat tuaja? Një “historiani” si Arben Puto, në terminologjinë e tij, i lejohen shprehjet “terrorist”, “tradhëtar”, “kuisling”, “mjeran”, “mizor”, “hipokrit”, “i ndyrë”, “shpifarak”, “gënjeshtar”, e sa e sa shprehje të tilla që mund të përmbajë Fjalori i Gjuhës Shqipe. Është një aksiomë e njohur prej kohësh: kur të mungojnë argumentat, në një debat shkencor apo dhe të zakonshëm, kalon në sharje apo dhe në përdorimin e forcës, po të ndjehesh më i fuqishëm fizikisht. Por, kur është fjala për një trajtim e vlerësim shkencor të ngjarjeve apo figurave historike, kjo nuk i lejohet një autori që pretendon se është serioz e i ndershëm. E thashë dhe më parë, se ai nuk është shkëputur dot nga ideologjia komuniste dhe dihet se historianët e mbrujtur me atë ideologji karakterizoheshin pikërisht nga një gjuhë e tillë. Jo vetëm kaq por, nga dëshpërimi i thellë prej dështimit me turp të ideologjisë së tij, ai humbet çdo lidhje me dokumentat e faktet dhe operon me shprehje të tilla që mund t’i dëgjosh edhe në rrugë. Ai harron se me këto epitete e shprehje i bën shërbimin më të keq si personalitetit të vet ashtu dhe gjithçkaje që boton. Lexuesi shqiptar, tashmë, nuk është më i detyruar të pranojë verbërisht gjithçka që i serviret, por ka mundësinë që të lexojë e të studiojë autorë të ndryshëm dhe të krijojë vetë bindjet për njerëzit e ngjarjet e së kaluarës.

Anëtarë të Lidhjes Popullore Shqiptare: Rexhep Mitrovica midis Ago Agaj (në te djathtë) e Vehbi Frashëri e Nexhip Deva (në të majtë)
Anëtarë të Lidhjes Popullore Shqiptare: Rexhep Mitrovica midis Ago Agaj (në te djathtë) e Vehbi Frashëri e Nexhip Deva (në të majtë)

Mund të jeni në dijeni në lidhje me akuzën që i është bërë historikisht zotit Deva, siç është masakra e 1944-ës dhe për këtë po ju sjell citimin e zotit Puto, marrë nga libri i tij: “Emri i itij është i lidhur me masakrën e 4 shkurtit në Tiranë, ku u vranë 86 qytetarë të pafajshëm. Më kot përpiqen ta lënë në heshtje këtë datë. Është një ngjarje që duhet të përkujtohet çdo vit për nder të viktimave.” Cila është e vërteta për këtë masakër? Cili është roli i zotit Deva? A ishte e mundur që një shqiptar, siç ishte zoti Deva, të masakronte 86 bashkëkombas të tij? – Për 4 shkurtin e ’44-ës është folur e shkruar aq shumë, por e vërteta për ngjarjen akoma nuk është zbardhur siç duhet. Duke qënë kështu, dhe vlerësimi për të nuk është i saktë. Mjafton të përmendim numrin e viktimave që njëherë na del mbi njëqind; herë tjetër tetëdhjet, më pas dyzet, kurse në gazetën “Bashkimi” të shkurtit ’45, pra një vit mbas ngjarjes, sillen emrat e vetëm nja njëzet e pesë vetave. Po të qe një tragjedi e atyre përmasave, siç propagandonin komunistët, vetë të afërmit e viktimave do të kishin dhënë emrat e tyre, gjë që nuk ka ndodhur, megjithëse pikërisht, në gazetën e mësipërme, të datës 3 shkurt 1945, në faqen e parë, me gërma të evidentuara, shkruhej: “Ftohen familjet, far e fis, ose shokët dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 shkurtit 1944 që t’i njoftojë brenda ditës së sotme, pranë Këshillit Nac.Cl. të qytetit të Tiranës”. A ka dëshmi më domethënëse se kjo, që vërteton se vetë pushteti komunist, gjithë atë zhurmë për 4 shkurtin e kishte bërë për efekte emocionale që të trondiste popullin, në një kohë që nuk ishte as vetë në dijeni se sa qenë vrarë e kush qe vrarë?! Një saktësim i tillë nuk është bërë as sot e kësaj dite. Jo vetëm kaq, por ka dhe gafa të tjera, si p.sh. që në listën e të vrarëve qe raportuar dhe Ali Visha, emri i të cilit më pas del i gjallë e torturohet më 9 shkurt. Pra, ka shumë pasaktësira. Kjo na kujton shifrën e 28 mijë dëshmorëve që nuk është vërtetuar as përafërsisht e jo më aq sa është raportuar. Jo më pak e rëndësishme është të ndalesh edhe tek vetë të vrarët. E thashë dhe më parë se ishim në kushtet e Luftës Civile, vëllavrasëse. Dhe, siç ka thënë Dantoni i famshëm, “në luftë, si në luftë”. Ndaj unë nuk mund ta mohoj se në ato vrasje ka përgjegjësinë e vet dhe Xhafer Deva, si ministër i Brendshëm. Por siç është pohuar bindshëm jo vetëm nga ai, por dhe nga dëshmitarë të tjerë, autori kryesor i asaj masakre ka qënë Xhelal Staravecka apo dhe Kadri Cakrani e ndonjë tjetër. Dhe a e dini se kush ishte ky Staravecka? Një ish-oficer, një nga ish-udhëheqësit më aktivë të forcave komuniste, krahas Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, siç e pohon në kujtimet e veta Dushan Mugosha “Kur kam qënë në Shqipëri”. Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, Staravecka, kaloi në anën tjetër, duke iu kundërvënë komunistëve, me përdornin e metodave më brutale e torturave të tmerrshme ndaj kundështarëve të tyre. Nisur nga sa përmënda më sipër, vetvetiu lind pyetja: “Po a nuk ishin akte të mirëfillta terroriste dhe vrasjet e komunistëve ndaj njerëzve të pafajshëm, siç qe ajo e djalit të Isa Boletinit, Ademit, vetëm e vetëm se qe shef i xhandarmërisë së Shkodrës, nga Vasil Shanto, për të përmendur vetëm ndonjë rast? Po sa janë vrarë me urdhër të Enver Hoxhës gjatë Luftës e pas saj, a kanë të numëruar?! Dhe, ç’mjerim për ne, kur ka akoma njerëz që e quajnë figurë pozitive Enver Hoxhën apo dhe pasardhësin e tij, Ramiz Alinë, siç u pa në jehonën që iu bë nga media e disa politikanë, kur vdiq, pak kohë më parë? Në vend që historianët tanë të merren më shumë me shkaktarët e vërtetë të kësaj Lufte Civile, e sidomos me “komandantin legjendar”, Enver Hoxhën, që i shkaktoi popullit tonë atë tragjedi të madhe, merren me disa episode të veçanta që, si çdo luftë tjetër, nuk i shmang dot edhe viktimat e pafajshme, nga të gjitha palët ndërluftuese.

Ndër faktet që sjell për të fajësuar zotin Deva, zoti Puto përmend dhe shkrimin në të përditëshmet e kohës: “Ishte një akt i kryer jo vetëm me gjak të ftohtë, por edhe me një “manifest” të terrorit në shtyp, me kryeartikullin e përmendur të gazetës “Bashkimi i Kombit”, ditën e masakrës, më 4 shkurt. Ministri i Brendëshëm i bën apologji terrorit në masë, pa dallim. Është dora e tij që shkruan: “vetëm terrori është shpëtim”; “gjaku duhet të rrjedhë rrëke në rrugët e Tiranës nëse kërkojmë me rivendosë qetësinë”; “të veprojmë e të mendojmë se një ditë terrori siguron dhjetë vjet qetësie”. Cili është mendimi juaj për sa më sipër? – Më vjen keq të përdor ndonjë fjalë fyese, por gjithë sa thuhet aty nuk është e saktë. E para, shkrimi ka dalë me një pseudonim dhe jo me emrin e autorit të vërtetë që, siç del nga hulumtimet e mëvonëshme, ishte shkruar nga Dr. Xhelal Mitrovica, gazetar i njohur në kohën e vet, dishepull i Gjergj Bubanit e polemist i ashpër. Xhelali, të cilin e kam njohur mirë dhe vetë, më pas ka nxjerrë një gazetë në Australi, me të njëjtin emër: “Bashkimi i Kombit”. Duke qënë kështu, nuk mund t’ia atribuojmë Devës tërë atë mllef të shprehur në shkrimin e cituar. Është e vërtetë se në atë që ndodhi, Deva kishte dhe arsye personale se i kishin vrarë të nipin, krejtësisht të pafajshëm, vetëm e vetëm se qe nip i tij, i cili kishte ardhur në Tiranë me punë e nuk merrej fare me politikë. Por, kam mendimin se Deva qe me aq personalitet sa ta përmbante veten dhe mos të binte në veprime të tilla të pakontrolluara e hakmarrëse. Me këtë nuk dua të them se vrasja e nipit nuk ka ndikuar për keq, se njeri me gjak e me nerva qe dhe ai. Po kështu dhe Kadri Cakranit, që përmenda më lart, i kishin vrarë dy djemtë, në një atentat të pasuksesëshëm ndaj tij. Gjithë ajo që thuhet për të, bazohet në dëshminë e ish-sekretarit të Devës, Isuf Shaban Deva, në hetuesi, që u arrestua në Zagreb nga UDB-ja jugosllave dhe iu dorëzua organeve të ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të cilët, pasi e detyruan me metodat më barbare, siç dinin veç ata, e pushkatojnë më 30 janar të 1947-ës. Duke qënë kështu, a mund të mbështetesh në dëshmi të tilla, kur dihet nga të gjithë se ato hartoheshin nga vetë hetuesit dhe viktimat detyroheshin me koburë tek veshi që t’i firmosnin?!

Sipas zotit Puto, Xhafer Deva nuk mund t’i shpëtojë gjykimit negativ, pra, që ka qënë një armik, vetëm e vetëm se ka qënë i strehuar në Amerikë, pasi, sipas historianit, atje janë fshehur me mijëra kriminelë lufte. Si qëndron e vërteta e vajtjes në Amerikë të zotit Deva dhe pse zoti Puto ka përdorur një përcaktim të tillë për zotin Xhaferr Deva? – Përsa i përket strehimit të Xhafer Devës në SHBA, dua t’ju kujtoj se shumë personalitete të larta, burra shtetesh të Europës Lindore, vendet e të cilave u pushtuan nga komunizmi, jo vetëm u strehuan në Amerikë, por zhvilluan aty një aktivitet të njohur kundër komunizmit ruso-sovjetik. Pas rënies së komunizmit, qeveritë demokratike, në shënjë mirënjohjeje, atyre iu ngritën edhe përmendore në vendet e veta. Devës ende nuk i është ngritur ndonjë përmendore në Kosovë. Por, duhet t’ju kujtoj se në Prishtinë, një rrugë kryesore mban emrin e tij. Në Mitrovicë, vend-lindja e vet, shtëpia e Devës është shpallur Muze. Kam dëgjuar se para shtëpisë së tij do të vendoset edhe një bust bronxi.

Në fund, historiani shqiptar, thekson se “nuk duhet të ndotet mjedisi i “kolosëve të mendimit” duke i vënë pranë një kuisling terrorist. Ç’është e vërteta, nuk është vetëm ky por, gjithsesi, është figura më emblematike e një bashkëpunimi kriminal e mizor me okupatorin gjerman”, konkludon zoti Puto. Cili është kundërshtimi juaj dhe cilat janë ato prova që mund të risillni në kujtesën e historisë së shqiptarëve? – Zoti Puto, po të shkruante ndryshe për Xhafer Devën do të bënte një sakrilegj të shëmtuar ndaj vijës së tij ideo-politike marksiste-leniniste. Deva ka shkruar vetë: “…Unë jam cilësue si kriminel Nr.1 nga komunistat dhe nuk turpnohem aspak që ata më quejnë kriminel nga pikpamja e tyne…” (“Xhafer Deva në dritën e letrave të veta”, Nju York 2002, fq. 175 ).
Në kujtesën e historisë së shqiptarëve, e ndjej për detyrë qytetare, të risjell Xhafer Devën organizues dhe udhëheqës të hekurt të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Atdhe, në emër të së cilës është derdhur një lumë gjaku për të mbetur Kosova e bashkuar me Shqipërinë; Devën organizues e hedhës të parashutistëve të parë kosovarë në Atdheun e tij etnik, mision ky i mbështetur nga amerikanët; Devën, themelues dhe drejtues të organizatës “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, organizatë dinjitoze e mërgimtarëve kosovarë, e respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; Devën në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972; Devën kontabilist në Universitetin e Stanfordit, të qytetit Palo Alto të Kalifornisë, dhe referues në mbledhje të ndryshme akademike; Devën poliglot të përsosur shtatë-tetë gjuhësh; Devën, kokën e të cilit e kërkoi kryeministri i Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që e kërkuan edhe komunistët jugosllavë deri në vdekjen e tij; Devën udhëheqës klasik popullor, për të cilin, edhe sot, në Kosovë thuhet: “Në kohë të Xhafer Devës, në kohë të Shqipnisë.”
Përfitoj nga rasti, nëse më lejohet, të hap një parantezë të vogël. Unë kam patur mundësinë, apo dhe fatin e madh, do ta quaja, që ta kem njohur personalisht, direkt, zotin Xhafer Deva.
Një ditë, kur punoja në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, ndodhesha diku jashtë, në qytet. Më merr në telefon profesori i nderuar, Rexhep Krasniqi, kryetari këtij komiteti, dhe më fton të kthehem në zyrë për të takuar një mysafir jo të zakonshëm. Sa hyj brenda, shoh se në një karrige qe ulur një burrë i moshuar e thatim, me syze, me jelekun të hapur, se ishte vapë. Kur iu afrova për ta takuar, ai lëvizi nga vendi dhe m’u drejtua me shumë mirësjellje, për të m’u prezantuar, me këto fjalë: “Unë jam Xhafer Deva, “krimineli” i popullit!”. Të them të drejtën, dikur, para se ta njihja vetë atë dhe veprimtarinë e pasur të tij në shërbim të Atdheut, edhe unë pata dëgjuar të flitej për të si “një katil, xhelat e injorant…” Por, pas njohjes më të apo dhe rrëfimit të të tjerëve, si dhe nga dokumentat e shumta që kam shfletuar, si korrespodenca e tij e pasur etj., kam ndryshuar krejtësisht mendimin për të. Ishte aq njerëzor e i butë, aq i kulturuar e i sjellshëm sa të imponohej në çast. Mund të pohoj me bindjen më të plotë se ai mund të meritonte ndofta, çdo sharje tjetër, por veç kriminel e injorant jo! Nuk është qëllimi im që t’i dal në mbrojtje, se për të flasin veprat, dokumentat, një pjesë të të cilave ia kam botuar edhe unë. Por më vjen aq shumë keq, që për një kohë të gjatë mbi të kanë rënduar akuza të tilla sa të rënda aq edhe të pavërteta! E dhimbëshme, tepër e dhimbëshme! Dhe më e tmerrshmja: se për të gjitha këto qe i vetëdijshëm edhe vetë Xhaferi.

Rashkoci - Deva- Krasniqi - Kaliforni 1972
Rashkoci – Deva- Krasniqi – Kaliforni 1972

Zoti Lamaj, doja të dija, në kuadrin e rishkrimit të historisë dhe rivlerësimit të figurave që e bënë këtë histori, se çfarë vendi mund të zërë Xhafer Deva dhe çfar figure tjetër ka harruar dhe nuk e ka vlerësuar historiografia shqiptare? – Për vendin e Xhafer Devës në kuadrin e rishikimit të historisë, besoj se doli nga përgjigjet e mësipëme. Gabime apo dhe faje si të tij, kanë bërë edhe të tjerë që sot i kemi në piedestal. Jo vetëm tek ne po dhe në historinë botërore, si zor që të gjesh figura krejtësisht të pastra, pa gabime e faje. Krahas tij, ka dhe figura të tjera të lënë në heshtje, me pa të drejtë, të cilat duhet të zënë vendin e merituar në historinë tonë kombëtare. Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë tani tranzicionin e vështirë, fundi i të cilit nuk i dihet. Por, zhvillimet e gjithanshme, përfshi edhe përpjekjet për të rivlerësuar historinë, janë premtuese. Kam bindjen se do të vijë dita që nxënësit dhe studentët shqiptarë do të kenë në çantat e tyre dhe tekstet e merituara të historisë, të hartuara nga historianë të mirëfilltë e të zhveshur nga mllefet ideologjike e partiake.

23 nëntor 2011

*Titulli redaksional. Titulli i shkrimit ishte: Putos i mungojnë argumentat kundër Devës, prandaj e shan”, “Xhelal Staravecka autor i vrasjeve të 4 shkurtit”

Marrë nga http://gilmana.blogspot.com/2011/11/interviste-me-studiuesin-idriz-lamaj

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.