back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Një këndvështrim jo totalitar për luftën Çelo Hoxha

Gazeta

Çelo Hoxha 2013
Çelo Hoxha 2013

Një këndvështrim jo totalitar për luftën

Çelo Hoxha (standart)

Historia e luftës vazhdon të jetë një patate e nxehtë, të cilën pakkush ka guxuar ta prekë me dorë në këtë 20 vitet e fundit. Mirëpo, duke e vëzhguar nga larg u mungojnë detajet, si këto që vijojnë.

***
Më 8 shtator 1943, Naxhije Dume i shkroi, midis të tjerash, Enver Hoxhës, për një vrasje: “Në Devoll ku ne mendonim se Balli ish dobësuar – ka pak ditë që çeta e Ballit aty, ekzekutoi dy elementa t’anët – një komandant njësiti e një tjetër element i pa lodhur për luftën t’onë – këta i ka ekzekutuar për të marrë gjakun e një spiuni të ekzekutuar prej nesh”.

***
Një muaj më vonë, në një letër nga qarkori i Vlorës (e nënshkruar: Aliu) për KQ të PKSH thuhet: “Javën e kaluar Ballistat e Vlorës bashkë me Gjermanët bënë një pastrim të gjerë në popullin e Vlorës. Këta e bënë këtë gjë për t’u hakmarrë për vrasjen e një ballisti Hazis Sharra, vrasje që ne e bëmë për arësye gangsterizmi”.

***
Më 18 tetor 1943, Koçi Xoxe i shkruan Enver Hoxhës: “Ushtrija t’onë pas vetvrasjes të Safetit [Butkës] dhe pas vrasjes të gjithë Shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë, prej çetavet t’ona, e shtinë tani një gjendje lufte e të shpallet sot e nesër me Ballin”.

Para Pushkatimit
Para Pushkatimit

Të tria këto citime, të shkëputura nga korrespodenca e komunistëve gjatë luftës, kanë të përbashkët një fakt: të parët që kanë kryer një krim kanë qenë komunistët, kurse Balli Kombëtar ka reaguar pas krimeve të kryera ndaj tij. Kjo tendencë – që komunistët vrisnin të parët – u ruajt gjatë gjithë kohës, deri në fund të luftës. Në këtë trajektore futet dhe masakra e 4 shkurtit, e cila sivjet u përkujtua si festë, më shumë për të mbrojtur Enver Hoxhën, sesa për nder të viktimave të pafajshme që u vranë atë ditë.
Historianët nuk merren vetëm me pasojat e ngjarjeve, por edhe me shkaqet, e më tej, sa më shumë kontekst të jetë e mundur. E vërteta është se 4 shkurti nuk ishte një sulm politik ndaj komunistëve, por një vepër e kryer nga zemërimi për vrasjen e nipit të Xhafer Devës. Masakra nuk është një vepër që duhet nderuar, por ka disa faktorë që ndikuan në kryerjen e saj: autorët e atentatit ndaj një fëmije, autorët e vrasjeve të një numri qytetarësh, si dhe vetë viktimat. Viktimat mund të konsiderohen të pafajshme, por autorët e atentatit ndaj një fëmije nuk mund të fshihen krejt nga skena dhe gjithë përgjegjësia të kalohet te Xhafer Deva. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe masakrat e tjera të kryera nga komunistët përgjatë 5 muajve të fundit, të cilat kishin krijuar një gjendje të caktuar emocionale në shoqëri dhe autorët e masakrës.
Veç kësaj, më e rëndësishmja është që para se të përkujtohet ajo masakër duhet të verifikohet numri real i viktimave. Asnjëherë nuk është dokumentuar që më 4 shkurt janë vrarë 84 vetë sa është pretenduar nga historianët e diktaturës. Në procesverbalin e Prokurorit të Shtetit, i datës 5 shkurt 1944, figurojnë 10 viktima, trupat e të cilave ishin në morgun e spitalit. Dy prej tyre janë të paidentifikuara. Ky është dokumenti kryesor. Të mendosh se 74 viktima të tjera janë mbajtur të fshehta është marrëzi. Tirana e atëhershme nuk ishte në përmasat e sotme, megjithëse, edhe sot që ajo është rreth një milion, 74 funerale brenda një dite dhe të mos bien në sy, janë ca si shumë.
Sidoqoftë, duke u munduar të kujtojnë vetëm këtë masakër, sikur ishte më e madhja gjatë luftës, të majtët e sotëm injorojnë të gjitha krimet e tjera: 185 viktimat e masakrës së Shipskës, e cila u zbulua në fillim të shkurtit 1944; 130 robërit italianë në Orenjë të vrarë në tetor 1943; 65 ballistët e vrarë në Matjan të Lushnjës; 22 banorë të Buzëmadh në Lumë vrarë në verë 1944, djegia e gjithë Starovës së Pogradecit; djegia e Sinës në Dibër, masakër që u përdor për të rënduar Kadri Hazbiun 40 vjet më vonë në gjyqin e tij; vrasjet e panumërta në zonën e Veriut në kohën që kishte mbaruar lufta; shkatërrimet e shumta të pronës private e krime të tjera (gjatë luftës), si për shembull bastisjet e shtëpive në një fshat të Elbasanit, ku partizanët – thuhet në një raport komunist – kontrolluan dhe sëndukët me veshjet e grave.
Politikanët që vazhdojnë ta formatojnë axhendën e tyre politike bazuar në narrativën komuniste të historisë së luftës, veprojnë në dëm të vlerësimit historik që do të ketë veprimtaria e tyre pas dekadash, se një ditë ajo i gjykon të gjithë. Le të marrim një shembull: Koçi Xoxja një kohë vriste e priste si i donte qejfi, pastaj doli armik i partisë dhe familja e tij e kaloi gjysmë shekulli në ferr. Mirëpo, pas rënies së komunizmit, dolën në dritë krimet e Koçit dhe tashmë ai do ta ketë emrin në listën e kriminelëve deri në fund të historisë. Dënimi me pushkatim ishte politik, dënimi me turp është i historisë.
Politikanët e sotëm duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij shembulli. Historianët që mbrojnë ende luftën nacionalçlirimtare si një vepër të shquar janë ose ata që i shërbyen komunizmit ose disa të tjerë – si Paskal Milo – që s’ka shkruar asnjë rresht për historinë e luftës, por vetëm jep intervista. “Tani ka pasardhës dhe historianë të çmendur që duan të përmbysin historinë dhe ne duhet t’i ndalojmë”, – deklaroi Milo në intervistën e tij më të fundit në mbrojtje të Enver Hoxhës (Panorama, 5 shkurt 2014, f. 10). Ai nuk kundërshton argumentet historike, por kërkon ndalimin e historianëve, gjë që mund të realizohet me dy mënyra: ose duke u hequr të drejtën e fjalës dhe botimit, ose duke i ekzekutuar. Këtu duket që ai nuk mbron Enverin, por të ngjashmin: mendjen totalitare.
Lufta, pavarësisht se ç’thonë politikanët e majtë e historianët oralë, është një terren historik i hapur për studiuesit sot e në të ardhmen. Ashtu siç u gjykuan veprimet e “reaksionarëve”, një ditë do të gjykohet dhe veprimtaria e partizanëve, të cilët rezultojnë kriminelë lufte bazuar në ligjin e tyre të 23 janarit 1945, me të cilin ata dënuan kundërshtarët politikë. Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor, ka dokumente që vërtetojnë urdhrat e tij ose pasjen dijeni për të gjitha krimet e mëdha të luftës, të cilat i kanë kryer të gjitha partizanët.
(marrë nga Gazeta Standart, 19 shkurt 2014)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. A do të shkruhen një ditë gjithë krimet që kanë bërë komunistët për gjatë viteve 1939-1945… emër për emër dhe vendet ku janë ekzekutuar viktimat… Atëhere le ta ngrenë figurën e Enver Hoxhës historian Miloja me llojin e tij…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.