back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Një jetë në shërbim të Jetës kushtuar – nga Klodi Stralla – Dr. Sotir Polena (1902-1966)

Gazeta

Familja e Dr. Sotir Polenes
Familja e Dr. Sotir Polenes

Një jetë në shërbim të Jetës kushtuar

nga Klodi Stralla

Dr. Sotir Polena (1902-1966)

Para pak orësh miku im Arben Cici më njoftoi se ish nisur për Korçë që, në emër të Presidentit të Republikës, t’i dorëzonte familjarëve të Dr. Sotir Polenës dekoratën presidenciale “Nënë Tereza” (pas vdekjes), një vlerësim plotësisht i merituar për njeriun që bëri aq shumë për Korçën në afro një gjysmë shekulli.
Vetëm pak metra larg kinema “Verores”, në qendër të Korçës, është një shtëpi dominuese me një stil krejt të veçantë. Kubeja e stërmadhe e valëzuar e çatisë prej betoni, ka përpara një oborr të mbushur më lule erëmira, të rrethuar me dyer dhe kangjella të stilizuara prej hekuri. Është shtëpia e doktor Polenës, ish mjekut më të njohur të qytetit dhe më gjerë.
Nuk ka njeri në Korçë, që të mos ketë dëgjuar mbi dr. Polenën. Tek kjo rrugicë dhe kjo shtëpi, për më se gjysmë shekulli nuk do të rreshtnin radhët e gjata të pacientëve të shumtë të tij, që vinin për t’u mjekuar nga mbarë vendi. Ajo shtëpi bujare i kishte dyert e hapura për të gjithë njerëzit në nevojë, nga fëmijët e vegjël e deri tek pleqtë. Emri i Dr. Polenës ishte kthyer në simbol të shërimit dhe lehtësimit të dhimbjeve.
Dr. Sotir Polena, ishte djali i Kostandin Polenës. Babai i tij, kishte kryer studimet e larta në Athinë për Kirurgji, Gjinekologji dhe Farmakologji. Ai ishte kirurgu i parë obstetrik në spitalin e Korçës, që u hap nga amerikanët në vitin 1916. Kostandini, solli në jetë 9 fëmijë, të cilët i sollën edhe gëzime edhe dhimbje të mëdha. Nga të 9 fëmijët mundën të mbijetojnë vetëm dy djemtë, Sotiri dhe Nikua. Por edhe ky i fundit, një mjek i talentuar, pati një fat tragjik. Varka ku shëtiste me shokët e vet dhe të posa fejuarën u mbyt aksidentalisht në liqenin e Pogradecit në vitin 1930, dhimbje që plaku Kostandin nuk e përballoi dot dhe vdiq pas pak muajsh të po atij viti.
.
Dr. Polena gjatë punës kirurgjikale
Dr. Polena gjatë punës kirurgjikale
Dr. Sotir Polena lindi në Korçë, më 1902 dhe më pas vazhdoi gjimnazin grek, po në Korçë. Më pas, vazhdon studimet e larta në Mynih të Gjermanisë, nga viti 1922-1927, ndërsa nga viti 1927-’28 mbaron doktoratën e specializimit. Tetë vjet të qëndrimit në Gjermani, e formuan dr. Polenën jo vetëm si mjek, por edhe si një njeri i Dojçkulturës.
Për 30 vjet rresht, punon si drejtor i Spitalit të Korçës dhe njëkohësisht si kirurgu numër një i këtij spitali. Nuk mund të numërohen operacionet e suksesshme të Dr. Polenës, në 40 vjet karrierë. Talenti i tij spikat edhe në neurokirurgji, qepja e venave, kirurgjia torkale, ortopedia e deri tek ndërhyrjet e guximshme gjinekologjike tek nënat shtatzëna. Dr. Polena gjithçka e arriti falë virtuozitetit te tij profesional, por sidomos zemrës të tij të madhe.
 
Dr. Polena punoi në sisteme të ndryshme shoqërore, mes trazirave, luftërave, por ai mbeti i njëjti njeri në të gjitha ndryshimet: Polena duarartë dhe i dashur me të gjithë njëlloj, nga pastruesit e thjeshtë deri tek burrat e shtetit. Armiku i vetëm i Dr. Polenës ishte vetëm vdekja, nga thonjtë e së cilës shkëputi shumë njerëz. Me kurajo dhe atdhetari, Dr. Polena gjatë luftës kuroi shumë djem e vajza që luftonin pushtuesit. Në Korçë, të moshuarit tregojnë se në ditët e fundit të pushtimit gjerman, Polena, me shumë takt e shpëtoi qytetin e Korçës nga një masakër dhe nga djegia e tij prej gjermanëve.
Edhe vdekjen, që i ardhi shumë herët (1966), e përballoi denjësisht. Në xhepin e xhaketës, në arkivolin që ardhi nga Viena, u gjend një letër ku me shkrimin e tij, kishte shkruar ca vargje të shkrimtarit të madh indian, Rabindrant Tagorës:
“Fjeta dhe ëndërrova, se jeta është gëzim,
U zgjova dhe pashë se jeta është detyrë,
Veprova sipas saj dhe nxora një përfundim: Detyra është gëzim!”.
 
Korça nuk ka parë një funeral aq madhështor, si ai i Doktor Polenës në vitin 1966. Nga Pallati i Kulturës, ku u bënë homazhet, i gjithë qyteti ishte i përlotur. Një funeral madhështor për mjekun e madh e bujar dhe të pakursyer, që lehtësoi dhimbjet e mijra njerëzve, pavaresisht moshës, gjinisë dhe gjendjes pasurore.
 .
6 Gusht 2019 - Doktor Sotir Polenës i jepet titulli "Nënë Tereza"
6 Gusht 2019 – Doktor Sotir Polenës i jepet titulli “Nënë Tereza”

Opinione rreth tittullit “Nënë Tereza” për Dr. Sotir Polenën

Nini Mano
Sot në Katedralen e Korçës ishte një nderim mbresëlënës për Doktor Polenën. Të kënaqej syri nga korçarët që ndëruan sot për Shën Sotir, doktorin e gjithë Korçës
 
Irena Vangjeli
Respekt për Dr. Sotir Polenën. Kujtimi i tij do të jetë së bashku me popullin e Korçës, të cilit i shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim. Ai ishte mik i familjeve korçare. Me kujtohet që në familjen tonë kishte një vend të veçante sepse kishte punuar me gjyshin tim Nikolla Naçi, i cili ishte farmacisti i parë i Spitalit të Korçës.
.
Monika Dhamo
Nderim për Dr. Sotir Polenën, punën e tij dhe mbresat që ka lënë në mbarë qytetin e Korçës.
Respekte për familjen Polena. Ne si familje kemi fatin dhe nderin të kemi pasur një miqësi të ngushte familjare prej tre brezash. E them me bindje, dhe kënaqësi se pasardhësit e Dr. Polenës trashëguan dhe mbartin vlerat e tij intelektuale dhe njerëzore.
 
Thanas Pilafas
Doktor Sotir Polena, që në gjuhën e popullit quhej edhe Polena ose Polenka, është një figurë emblematike e mjekësisë shqiptare në përgjithësi dhe e Korçës në veçanti. Një titull nderi mëse i merituar. Mbaj mend se kur kam qënë i vogël, më kanë shpënë edhe mua një herë te “Polena” për të më vizituar nga hernia (dhjami) i cili i rekomandoi prindërve të mi që të mbaja një brez prej meshini me një zgjatim tek vendi i dhjamit për të mos e lënë të zbriste. Lavdi këtij Personaliteti tË Korçës!!!
Natasha Fundo
Nderim, përulje, respekt pafund e mirënjohje, për mjekun e talentuar, për kirurgun duar artë, për njeriun e thjeshtë, që u bë pjesë e familjeve korçare, për humanistin, që të semurin e shëronte me fjalën e tij të ëmbël, që shërbeu me profesionizëm për çdo moshë!
Ruaj kujtime të paharuara për dr. Sotir Polenën, jo vetëm si mjek, që më ka rikthyer në jetë, duke me operuar në moshën 3 vjeçare, por edhe si një mik i veçantë i familjes sime…
 
Anesti Polena
Respekte doktorit. Ai la një eksperiencë që u trashëgua nga kirurgët më të rinj si Dr. Lonka, Dr. Ahmet Dlillari etj. Përkujtimorja e tij është e merituar!
 
Luigj Gjoka
Kur i akordohet një personaliteti si Dr. Polena, edhe vetë dekorata presidenciale “Nënë Tereza” merr vlerën që duhet të ketë.
Te falenderoj i nderuar Klodi Stralla, për postimet tuaja interesante, të shkruara me dashuri, pasion e korrektësi, për ngjarje, personalitete dhe dukuri të ndryshme.
Ky i sotmi ishte njëri nga ato.
 
Irena Dono
Figura të tilla emblematike si ajo e Dr. Polenës duhen kujtuar gjithnjë dhe duhen vënë në piedestalin, që u takon. Rrallë gjen në ditët e sotme njerëz të tillë humanë si ai. Kjo dekoratë më duket e vonuar.
.
Shtëpia e Dr. Polenës në Korçë
Shtëpia e Dr. Polenës në Korçë
Andrea Pepi
Bashkia të mendojë për këtë figurë të shquar që të ngrejë një përmendore, dhe ta vendosë në lulishten c! Le të jetë kjo përmendore drita e parë për vlerësimin e figurave të njohura te qytetit në art, sport, arsim dhe shkencë! Kështu i shtojmë lavdinë këtij qyteti që ka nxjerrë nga gjiri i tij shumë njerëz të shquar që janë nderi jo vetëm i qytetit por dhe i Kombit Shqiptar!
 
Robert Koleci
Mirënjohje e nderim për njeriun dhe mjekun human, të palodhur e të përkushtuar gjithë jetën e vet në shërbim të shendetit tëë çdo njeriu, që kërkonte ndihmën e tij! Dr. Polena, siç e thërrisnin të gjithë, e nderonin, e respektonin, por dhe e donin, sepse, me punën dhe sjelljen e tij ndaj çdo njeriu, ishte bërë simbol i mirësisë dhe humanizmit, do të mbetet i pavdekshëm për çdo korçar dhe veçanërisht për ne, që patëm fatin të ishim komshinjtë e tij të përhershëm! I paharruar qoftë kujtimi i tij! Respekt për familjen e madhe Polena!
 
Arben Pandi Cici
I dashur Klodi, ajo që ju keni shkruar për Doktor Polenën dhe respektin e madh që Korça dhe korçarët kanë për veprën e tij pata fatin ta prek vetë sot gjatë ceremonisë dinjitoze që korçarët e vërtetë, ata të vlerave dhe të traditës, i rezervuan Doktor Polenës. Pjesëmarrësit në ceremoni, përfaqësuesit e bashkësive fetare të Korçës dhe intelektualët e vërtetë që kishin mbushur sallën e duartrokitën vlerësimin që Presidenti Meta i bëri përfaqësuesit të shquar të elitës intelektuale korçare dhe veprës së tij. Isha shumë i nderuar që t’i dorëzoja personalisht Dekoratën “Nënë Tereza” djalit të tij gjatë kësaj ceremonie të bukur dhe plot emocione!?
 
Klodi Stralla
Do të dëshiroja të isha në atë ceremoni përkujtimore vlerësimi për këtë njeri të veçantë, mik i familjes tonë, komshi i afërt, që pata fatin ta njoh nga afër sa ishte gjallë. Bëtë një punë shumë të vlerësuar dhe të merituar Beni. Në kohët e turbullta që jetojmë, ku s’dihet ku fillon vlera dhe ku antivlera, gjesti presidencial është për t’u përshëndetur.
.
Shirma Korçë
Ku e ke shtëpinë? Një ndër pyetjet që më bëjnë miqtë e rinj… Tek rruga e Dr. Polenës… te ajo kështjella nga më të veçantat e qytetit tim që lajmëronte përmes lejlekëve që smungonin asnjëherë, ardhjen e pranverës.
Kaq, vetëm kaq, do mjaftonte… E kush nuk e njihte apo nuk kish dëgjuar për doktor Polenën? Edhe pas vdekjes emri i tij nuk u harrua nga asnjë.
Ne kishim dëgjuar nga prindët… se Dr. Polena ishte nga më të mirët!
Kaq për t’u ndjerë edhe më mirë që ne jetonim afër doktorit që bëri emër!
Ai ka marr vlerësime e tituj pa fund… Të parën ia kanë dhënë qytetarët e tij, pacientët e shumtë që iu riktheu jetën…
Një tjetër vlerësim sot edhe nga Presidenti i Republikës..
Respekt për punën e kujtimin e tij!

 

 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.