back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Një bunker për të gjithë… nga Marelba Fushekati

Gazeta

Marelba Fushekati - ne Bunnk'Art 2021
Marelba Fushekati – ne Bunnk’Art 2021

Një bunker për të gjithë…

nga Marelba Fushekati

“Vishe bluzën e Bunk’art ose përndryshe direkt në pushkatim!”
 
Është citati i parë që të bie në sy, i printuar mbi një bluzë të zezë pambuku, e ekspozuar në raftin pas kurrizit të sportelistit, teksa pret biletën për të vizituar Bunk’art 2. Është ish bunkeri bërthamor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, i transformuar në një bunker muze, e që rikthen në kujtesë historinë e kësaj Ministrie, që nga krijimi i saj në vitin 1913, e deri në fund të ndryshimit të sistemit politik në vitin 1990. Mbi bluzën me citat është palosur një bluzë tjetër. Ku është stampuar një portret i Enver Hoxhës, i shoqëruar me një shkrim që duket përgjysëm. Si tip batute. Në anglisht, besoj që të kuptohet nga vizitorët jo shqiptarë. E që përfundon me një emoji që shpreh buzëqeshje.
Vishe bluzën e Bunk'Artit përndryshe...
Vishe bluzën e Bunk’Artit përndryshe…
Bunkeri ka një kupolë të bukur hyrëse, ku janë të vendosur portretet e viktimave të terrorit komunist. Një farë panteoni brenda një bunkeri. Tempull.
Muzeu vlen të vizitohet dhe ka informacion sa të vërtetë, aq edhe tronditës. Ku terrori i shtetit famëkeq shqiptar gjatë regjimit të Hoxhës ndaj popullsisë së tij mbetet padyshim një blanë e madhe e kësaj pjese të historisë sonë kombëtare.
Që zgjati 46 vjet.
Objektet brenda bunkerit duken autentike të kohës. Letrat dhe dokumentet nëpër mure janë printime cilësore. Anglishtja e përkthyer e informacionit në shqip është e një niveli mediokër dhe herë herë të bën të buzëqeshësh. Frazat e përkthyera aty këtu të krijojnë ilaritet. Një foto e Dom Gjon Gazullit, i dënuar me varje në litar nga Ahmet Zogu në vitin 1924, ka poshtë saj në anglisht shpjegimin se prifti në fjalë “was hanged on the rope”. Ndoshta përkthimet janë bërë fjalë për fjalë me motorët kërkues elektronikë. Jo mirë…
Dalloj një fshesë me bisht druri të ngulur në mur. Në fundin e bishtit të saj ka të instaluar një përgjues, një “çimkë”. Është fshesa e përdorur nga pastruesja e ambasadës italiane për të përgjuar familjen Popa, gjatë qëndrimit të tyre pasi u dorëzuan në ambasadën italiane. Histori e trishtë kjo e Popajve. Të ngujuar brenda mureve të ambasadës, si brenda arkës së moderuar të Noes, pritën 5 vjet. Noa, siç dimë Fjalën, priti kur një pëllumb i lëshoi në duar një bisk ulliri. U gëzua kur gjeti tokë. Ku zbarkoi gjindjen e rinisi një jetë të re, pas përmbytjes që Zoti i zemëruar i bëri Tokës dhe krijesave të tij rebele. Kjo nuk ndodhi me Popajt. Popajt vërtet e gjetën tokën e “premtuar” në Italinë tyre të ëndrrave. Por ishin lodhur, dërrmuar nga pritja e gjatë. Ndoshta edhe ajo ç’ka kishin krijuar në mendjet e tyre në një terren shterpë, nuk ishte mjaftueshëm për t’u ringritur sërish.
.
Zyra e Ministrit të Brendshëm.
Zyra e Ministrit të Brendshëm.
Në një stendë tjetër shquaj listat e grave të huaja që jetonin në Shqipëri deri në vitin 1984. Dalloj, Elbasan. Emri i gruas së parë në një nga listat është ai i mamasë së tim shoqi.
Kalina Ivan Fushekati. Kombësia bullgare. Shtetësia shqiptare. Lista vazhdon me emra grash me kombësi të tjera si Jugosllave, Ruse, Hungareze, Çekosllovake. Shumica prej këtyre grave listohen të dënuara me burg e internim gjatë qëndrimit të tyre në vendin ku erdhën për dashurinë. Dashuria kushtonte në Shqipërinë e Hoxhës.
Në dy dhoma apartamentesh është rikrijuar sistemi se si të përgjonte komshiu. Prap më shfaqet “çimka” në mur.
Më poshtë shpjegimi i detajuar se kush ishin “Fuks-at”. Fuksat pra, ishin vullnetarë që në fund të muajit shpërbleheshin me një shumë prej 80 lekësh. Edhe një foto e disave prej tyre. Burra e gra. Dalë bukur e të tapinosur. Të zgjedhur, ndoshta. Nuk kishte shpjegim etimologjik se nga vjen fjala “fuks”. Vetëm që ishte baraz me informatorë të policisë, spiunë. E ditur kjo.
Kështu, të gjitha ambientet e bunkerit ishin të mbushura me rrëfime e foto. Viktima edhe të dala nga vetë rrethi proletar. Revolucioni ka ngrënë përherë krijesat e veta. Historia jonë. Dhe bunkeri është një kujtesë kombëtare. Që nuk na bën krenarë. Por mua më gëzoi kur e pashë. Sepse edhe vdekja kur materializohet, bën më shumë sens në perceptimin dhe pranimin e saj. Ku më pas me dhimbje fillon faza e rimëkëmbjes. Për ata që janë të bekuar me forcë që ta kalojnë.
.
Fuksa - ose Patronazhistë të Partisë
Fuksa – ose Patronazhistë të Partisë
Por do t’i kthehem edhe një herë fotos së Hoxhës së buzëqeshur në hyrje të bunkerit. E po tregoj një histori të vogël e të vërtetë, pa iu referuar emrave apo vendit ku ka ndodhur.
Pas rënies së komunizmit, ndodhi që një nga artistët shqiptarë, i arteve figurative, emigron dhe kërkon strehim politik në një nga vendet e Europës. Në intervistën me autoritetet vendase ngazëllen kur deklaron se ishte në rradhë të parë të protestuesve që kontribuan kur ra statuja e Hoxhës në qendër të Tiranës.
Nuk përftoi azil politik. E refuzuan, me motivacionin se një artist kurrsesi nuk mund të shkatërrojë një vepër arti, qoftë ajo edhe e një diktatori.
Dhe këtu çështja koklavitet dhe hyn në labirinth, ku analiza përdridhet në rrathë pa pambarim. Kush kishte të drejtë? A meritonte Hoxha t’i ruhej statuja? Apo emri? Si do të kujtohet ai? A është mohimi i historisë një e drejtë e justifikuar?
Duke iu përgjigjur vetëm pyetjes sime të fundit, them se historia nuk mund të mohohet. Historia është aty, e ndodhur si një fakt kokëfortë. E shkruar sikurse thuhet, nga fitimtarët? Ndoshta. Por që mua më dhemb kur e shikoj mbi një t-shirt pambuku të bardhë, me portretin për hir të së vërtetës – simpatik të Hoxhës – që buzëqesh e plas batuta. Në anglisht. Që të kuptohet nga edhe nga vizitorët ndërkombëtarë.
Vizitojeni Bunk’art-in. Është yni.

Shtator 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.