back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Njё kontribut i rrallё, i paçmuar i mendimit bashkёkohor shqiptar vepra “Profetё dhe Poetё” e Lekё Tasit… – nga Lluka Qafoku

Gazeta

Artisti shumëplanesh Lekë Tasi
Artisti shumëplanesh Lekë Tasi

Njё kontribut i rrallё, i paçmuar i mendimit bashkёkohor

shqiptar, vepra “Profetё dhe Poetё” e Lekё Tasit…

nga Lluka Qafoku

(kur jeta dhe vepra e dikujt shkojnë bashkë, vepra e tij/ e saj
mbetet shërim për njerëzinë – Lluka Qafoku)
Po parabotoj disa shënime të mia që besoj do të shërbejnë si hyrje
të punimit të ri madhor, të tashmë të mirënjohurit, autor shumëplanesh, z. Lekë Tasi,
monografisë së tij studimore estetiko-theologjike: “Profetë dhe Poetë”

Lluka Qafoku
Lluka Qafoku

Ёshtë një nder dhe kënaqësi e veçantë të kesh mundësinë të paraqesësh një vepër unikale për nga lloji e rrethanat, si kjo, e një Autori po kaq unikal sa vepra. Si për zhanrin, ashtu dhe për llojin e kalvarit që përjetoi Autori për të gdhendur një e nga një xhevahiret e ideve të kësaj vepre (theksoj edhe njëherë: është autentikisht e përjetuar) e atyre dialogjeve të brendshëm e të heshtur për vuajtjet dhe zhgënjimet e pafund gjatë ruajtjes së talentit të tij të rrallë e të shumëanshëm artistik dhe trashëgimisë familjare po aq të rrallë e të mirëfilltë fisnike të idealit fetar kombëtar në një mjedis politiko- shoqëror armiqësor deri për vdekje dhe zhbirilues deri në palcë. Vepra që trajtojnë tema të ngjashme ndeshen në botimet bashkëkohore të mendimit botëror, megjithatë edhe në këtë shkallë mendoj se përbën kontribut unikal, pasi rrallë, shumë rrallë në botën e sotme dhe në mendimin teologjik e estetik bashkëkohor mund të koincidojë në një individ një kulturë konkrete realizimesh aq e gjerë sa e Autorit dhe një besim aq autentik dhe aq i stërprovuar në zjarrin e ateizmit militant enverist, por dhe po aq fitimtar në këto realizime të mrekullushme, pavarësisht se të vona, të Tij.
I takonte pikërisht Lekës, t’í dhurojë popullit të tij, të cilit ju përkushtua si rrallëkush dhe brez pas brezi familja e tij, reflektimet e tij të jetës për një nga temat më themelore dhe kontroverse të shqiptarisë dhe madje edhe të çdo individi të talentuar, dialogu me trashëgiminë e shenjtë, me dëshmitë e ndërhyrjeve të Zotit në historinë e njerëzimit, si me zemërimin e tij të vërtetë zemërak, si “zët” pra në shqip (aq e ngjashme kjo me fjalën Zot në gjuhën tonë), edhe me shpresëdhënësit e Tij të pavdekshëm, Profetët e Tij dëshmitarë. Dhe kjo nga pikpamja e një ndërgjegjeje me dhunti të rralla si ajo e Lekës, ku talentet e shumta vërshonin në krijime të shumëfishta e të stërlatuara, që “konkurronin” përulësinë e tij të thellë autentike fisnore të krishterë orthodhokse. Ashtu si mëkati luciferian-prometeian origjinal i krenarisë së krijimit njerëzor ndot mjedisin natyror, por mposhtet nga Hyji-njeri që shelbon krijimin njerëzor.
Në nëntitujt që në fakt listojnë problematikën që shtron Autori, mënyrën e tij fine e të veçantë për të rrokur ligjërimin, ngrihen çështje që kanë shqetësuar në vijimësi çdo krijues të mirëfilltë, madje dhe çdo njeri të zakonshëm të vërtetë, që kapet pas vetëdijes. Mënyra e tij fisnike, e gjerë, por dhe këmbëngulësisht polemike dhe e sinqertë më kujton vetëm një krahasim pararendës për kënaqësinë intelektuale që provokon, atë të filozofit madhështor egzistencialist teist, Leon Shestovit të pavdekshëm. 
Që në krye na përplaset problemi i vuajtjes egzistenciale të cilës nuk mund ti shpëtojë asnjë gjallesë e vetëdijshme, me analizën origjinale tepër të drejtpërdrejtë të librit të Job në Testamentin e Vjetër, por në kontekstin e ripërtëritjes përsëritëse të pazgjidhshmërisë së tij deri më sot dhe në paevitueshmërinë e përpjekjes së vijueshme për këtë zgjidhje. Ja pra kontakti real me misterin, vuajtja dhe vdekja pa faj, apo kuptim. Dhe më pas, qëndrimi i detyruar ndërmjet asaj që ofron arsyeja dhe realiteti praktik dhe asaj që sugjeron dhe synon zemra zemrake. Dhe kjo e dyta nuk provohet, por provohet vetëm privatisht. Si para vdekjes, të vetëm jemi para besimit. Prova e besimit është e varrosur nga përditshmëritë e veprimtarisë sonë nën iluzionin e vullnetit të lirë fizik dhe arsyes së pastër.
Vuajtja pra, të mëson “të duash të dish patjetër dhe pa kushte atë që do” dhe pastaj “të besosh me përkushtim atë që do”. Ai që zemra jonë di dhe di të dojë, është vetë Zoti (i saj, i çdo zemre njerëzore, dmth unikale, dmth të vetme!!). Ja një citat i Autorit (vëreni neologjizmin fin shqip “domosmi” në vend të banales “domosdoshmëri”) : Pra qytetari që e ka domosmí mendimin, do të vendosë mes dy kategori librash, cilën do ndjekë, të vërtetën e hidhur por reale sipas logjikës, apo besimin shpresëtar. Të përdorësh dyshimin dhe diskutimin, paraqet interes për këdo, mund të gjendet shpjegim realist edhe si u kalua Deti i Kuq, ose si ndaloi ecjen dielli, kurse ato themeloret, dashuria që administron gjithshka n’instancë të fundit, vetëm pranohen ose refuzohen. Se gjith ç’dijmë n’atë fushë nuk provohet nga arsyeja por nga lotët, dhembja, shkurt ndriçim i ardhur përmes zemrës te mendja, dhe që s’ka nevojë për vërtetim. 
Në paragrafin pasues autori trajton këndvështrimin teologjik të përjetuar në shqyrtimin e dialogut të njeriut-profet me Zotin sipas Testamentit të Vjetër dhe të Ri për misterin e dhimbjes njerëzore dhe dhimbsurisë hyjnore. Me një kulturë të plotë të Shkrimeve kalon me kthjelltësi dhe elegancë ne citime të ndryshme të tekstit të shenjtë për ngushëllimin fetar. Natyrisht, në analizën që bëhet për raportin Krijues-krijesë, sidomos në kundërvënien bindje (përulësi fetare)-liri shoqërore, autori nënkupton se Zoti është ndërgjegja, njëkohësisht plotësisht intime dhe shoqërore, pashkëputshmëria parajetësore a primordiale dhe madje identiteti i kësaj ndërgjegjeje me qëllimin e përpjekjes tërënjerëzore, atë të Njerëzimit Konkret (Fatit të tij të shkruar ku “lexon” Koha Historinë). Asnjë individ nuk mund të “çlirohet” nga ndërgjegja e tij (përveçse me çmendi), e cila e gjykon vijimisht dhe i ruan kujtesën orientuese. Njerëzimi Konkret (apo “Inkoshienti Kolektiv” i Jung-ut) është Zoti, që nuk mund të përjashtojë askënd, veç të vetpërjashtuarve plangprishës. Ne jemi “të pandërgjegjësuar “ (“inkoshientë”) për të, por ai na dhuron ndërgjegjen (madje dhe nëndërgjegjen-inkoshientin) personale. Dhe ky Njerëzim Konkret (që nuk duhet ngatërruar thjesht me shoqërinë njerëzore), pavarësisht se “ireal”, ‘imagjinar”, krijon shoqërinë dhe synon përjetësinë, ku Ai realizohet.

Pikturë e Lekë Tasit
Pikturë e Lekë Tasit

Problemi tjetër i vështirë për dogmatikën është ai i konfliktit të traditës fetare për kohën fizike me përvojën shkencore. Autori këtu argumenton se koha biblike duhet pranuar si metaforë. Më tej vë në dukje ndërhyrjen e mrekullisë në kohë dhe pamundësinë e të pazgjedhurve për ta besuar. Aty procedon duke theksuar ndryshimin e prijësve laikë që pranojnë progresin dhe e bëjnë këtë me hirin apo pahirin e kësaj bote, dhe veprimin fetar të Profetit Moisi gjatë kërkimit të “lirisë” të kryengritësve që kontestonin Hirin (dmth përzgjedhjen hyjnore) që tregon sipas autorit se veprimet e Zotit edhe nëpërmjet Profetëve s’kanë të bëjnë me progresin politiko-historik të njerëzimit, por me orientimin e tij.
2.Më sipër përmënda një krahasim të kësaj vepre me veprën e Leon Shestovit. Duhet të vë në dukje se kjo vepër ka një avantazh të paarritshëm edhe nga vepra e Shestovit hyjnor. Ёshtë pikërisht se këtu dëshmohet një përjetim konkret i besimit që përmbys fatin, këtu vërtet feja e përjetuar në kushtet e një persekutimi agresiv, të paparë që nga kohët e Neronit apo Dioklecianit kundr Krishtërimit, madje edhe kundër gjithë monoteizmit, madje edhe kundër Zakonit, Nderit atdhetar. Dhe ky besim në kushtet e ilegalitetit ndaj një antiligji, në kushtet kur edhe realiteti, edhe shkenca, edhe politika dukej se mbështeste Enverin, kur në këtë botë për njerëz fetarë dhe atdhetarë si Leka kishte mbetur po aq vend sa për Krishtin në kohën e Tij, kur thotë: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”, ai, duke zbatuar kultivimin e dialogut të brendshëm etik-estetik të sqaruar tek koleksioni eseistik “Poetë dhe Profetë” arriti të ngjizë një vepër artistike në një zhanër pothuajse të panjohur nga autorë shqiptarë në Shqipëri, (siç është ai i letërsisë së fantashkencës) por me një tematikë moderne dhe me vlerë akoma dhe sot për gjithë botën, madje për gjithë njerëzimin bashkëkohor, një vepër që si rrallëtjetër mund të konkretizojë profecinë, madje me rigorizitet deri shkencor dhe me një disiplinë të plotë dogmatike fetare siç është vepra “Korridori me vetratë”. Aty dëshmohet edhe se talenti i një cilësie superiore arrin të mbijetojë vetëm pas qëndrimeve morale pothuajse perfekte të përshkruara po nga Autori në kronikën tashmë të famshme të tij të internimit, në veprën “Grabjani rrëzë kodrave”. Këto qëndrime morale janë frut i konservimit të rinisë shpirtërore, që shfaqet në dialogun e paprerë të kulturës përditësuese, talentit të shprehur qoftë dhe klandestinisht dhe dogmës liturgjike që siguron mrekullisht tek Autori ruajtjen dhe shpërthimin e rinisë shpirtërore, që siguroi ngjizjen e veprave të tilla, pavarësisht moshës. Këtu koleksioni eseistik si ditar shpirtëror “Poetë dhe profetë” shërben edhe si manual edukues për dialogun e brendshëm të çdo krijuesi të krishterë.
Megjithëse po devijoj, duhet të tregoj sesi reflektohen në krijimtarinë konkrete letrare të autorit idetë e shprehura në “Poetë dhe profetë”, që po paraqesim.
Vepra e tij, psh, romani “Korridori me vetrate” tregon në mënyrë bindëse edhe se rendja shkencore drejt përjetësisë mund të jetë vetëm një karikaturë tragjike e tejkalimit të natyrës, një “fitore” në dështim, një gjithmajmunim i servirur si krijim, pra s’mund të përbëjë rrugën natyrale të tejkalimit të saj (të vetë Natyrës), që është vetëm Zoti. Kjo argumentohet në “Poetë dhe profetë” ku dhe tregohet se, sipas autorit, e vërteta shkencore s’mund të jetë veç e përkohshme, relative dhe gjysmake, pavarësisht gjasave, ndërsa e vërteta e Njerëzimit ndjehet dhe parandjehet nga arti dhe përcillet, qoftë si shëmbëlltyrë, por Absolute, nga Profecia fetare. Kjo temë trajtohet e ritrajtohet teologjikisht në mënyrë të ripërtypur gjatë gjithë “Poetë dhe Profetë”, me një vërshim të një informacioni të pazakontë kulturor, kritik-estetik, të historisë së artit dhe theologjik. Një finesë aristokratike e veprës që e shpreh këtë, por edhe, si pasojë e kësaj, nuk e zbeh tragjedinë e reales. Një karikaturë, një kopje e shplarë, mund të jetë teknologjia, e mrekullive të Zotit, siç janë magjitë e magjistarëve të faraonit ndaj mrekullive-zbulesa të Moisiut. Gjithashtu aty (në “Korridori me vetratë”) madje profetizohet metaforikisht për shkallën lokale edhe dështimi i “demokracisë” berishiane, si tentativë për të ringjallur shoqërinë e vdekur shqiptare pas autodafesë ateiste-“shkencore” enveriste. Nga ana tjetër tregohet dhe rruga ku jemi dëshmitar po shkon mjekësia shkencore, drejt shtyrjes së vdekjes, pa mundur të gjejë, (se kufizohet nga kulti i eksperimentit, i cili të verbon ndaj të ardhmes me të vërtetë të re, të papërjetuar më parë) rrugën përtej, në jetën tjetër, jetën e lirë, jetën e pavdekshme, tërëjetën.

.
Marrë nga muri i Fb i Lluka Qafokut, 2 gusht 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.