back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Ne, nuk jemi çliruar kurrë!! nga Rezart Palluqi

Gazeta

Thyej zinxhirët... për t'u ndjerë i lirë
Thyej zinxhirët… për t’u ndjerë i lirë

Ne, nuk jemi çliruar kurrë!!

nga Rezart Palluqi

Më habiti pa masë, kur para 3 vitesh, një botues shqiptar në Kosovë më drejtoi përpara hundës një libër të gjërë dhe të trashë, ku festohej fuqimisht, njëqindvjetori i pavarësisë sonë.
-Po, përse? A jemi pavarësuar ne shqiptarët? – e pyeta botuesin.
Ai rrudhi vetullat dhe më kërkoi shpjegim. Parapëlqeva të mos hy në debat, ngaqë edhe ambienti nuk ishte i volitshëm. Përreth meje, kullosnin lexuesit e shumtë, të cilët përpiqeshin të zbulonin librin e tyre të ri. Ishte java e Panairit të librit në Kosovë.
-Domethënë nuk do ta bleshë librin? – m’u drejtua përsëri botuesi, këtë herë duke i dhënë fytyrës një shkëlqim të trishtë, por edhe tis tradhtar kundrejt mosndjeshmërisë sime ndaj një libri, që sipas tij, kaq të vyer dhe të rrallë.
-Do ta blija këtë libër, vetëm nëse ne jemi bërë të pavarur ndaj së keqes njerëzore.
Botuesi nuk e zgjati më. E rivendosi librin në pirgun e lartë, dhe më ktheu kurrizin.
Po kështu bëra edhe unë. Përbuzjes apo nënçmimit të tij, iu përgjigja me të njejtën monedhë.
Shqipëria në sytë e mi, nuk ka qenë kurrë në historinë e saj, një vend i pavarur.
Kur është një vend i pavarur, do të më pyeste dikush? Përgjigja ime do të ishte: Një vend është i pavarur kur atje çdo vit, drejtësia triumfon të paktën një muaj.
Shembulli më i mirë që mund ta ilustronte këtë është Italia. Atje, mafia e humb betejën ndaj shtetit edhe pse për një periudhë të shkurtër. Pra, drejtësia duhet të jetë të paktën, përkohësisht më e fuqishme se e këqja njerëzore. Dhe jetëgjatësia e saj, duhet të shtohet gjithnjë e më shumë përbri evoluimit njerëzor. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë, ai vend, nuk është më kurrë i lirë. Që të mos keqkuptohem edhe një here: Nuk po flas këtu për lirinë absolute, por atë relative.
Një vend i tillë ka qenë dhe është ende edhe atdheu im, atdheu yt e atdheu ynë. Në vendet diktatoriale, e cilësdo forme ose mekanizmi qoftë kjo, flitet njëmijë herë më shumë për lirinë ose pavarësinë se sa në vendet ku drejtësia fluturon edhe pse përkohësisht e lirë dhe krenare në qiell. Liria e vërtetë nuk lind në kazanin propagandistik, por shijohet në jetën e përditshme dhe në gjumë, teksa ëndërrojmë. Liria ose pavarsia e një populli nuk testohet, ditën kur ai feston largimin e një pushtuesi të huaj, ose rrëzimin e një diktature, por në momentet kur ne blejmë bukë. A kemi mjaft lekë për të blerë bukë, ujë, djathtë apo rroba sado të thjeshta qofshin ato? Sa seriozisht merren ankesat tona ndaj kufizimit të lirive themelore?
Ndërsa në rastin e librit që më ofroi botuesi, në faqet e të cilit festohej plot mburrje dhe shkëlqim, festa e njëqindtë e ditlindjes sonë, si komb. Duke refuzuar të ble një libër të tillë, mjaft të shtrenjtë për portofolin e një shqiptari, unë sipas botuesit, demonstroja mungesën themelore të dashurisë ndaj atdheut tim, i cili, sipas librit që më serviri, ishte njëqind pranvera, dimra, vjeshte dhe pranvera, i Pavarur!
Ashtu si çdo shkrimtar, edhe unë merrem me moralin dhe ndjenjat njerëzore. Aspektin historik dhe atë juridik, ua lë historianëve dhe përfaqësuesve të ligjit. Aty ata janë të lirë të kërcejnë sipas qejfit të tyre. Ta hedhin shaminë në ringun e dasmës ku xhelati kërcen me viktimën e tij, ose në ringun ku njeriu e braktis direkt ahengun, kur disa qindra metra më tutje, vriten qindra llojet e lirisë njerëzore.

Kultura - i thyen Prangat
Kultura – i thyen Prangat

Kështu pra, në fushën morale dhe shpirtërore, nuk mund të dalë burrë të më kundërshtojë, dhe thotë: Shqipëria ka njëqind vjet që është e lirë. Liria jonë, gjithmonë ka qenë një pulë, që derën e kotecit/ qymezit ia ka hapur dhelpra, kur ka dashur ajo, dhe “Jo” kur kanë dashur pulat dhe gjelat e kotecit.
Në vendet ku liria njerëzore është e mvarur nga e keqja mbizotëruese, një pjesë e pulave mbyllin paqe me dhelprën, ndërsa të tjerat janë të destinuara që të përfundojnë në grykën dhe stomakun e dhelprave. Sidoqoftë, liria jonë relative, pra ajo lloj lirie që merr frymë e lirë, nën qiellin e nevojave themelore të njeriut, është arratisur dhe strehuar në zemrën e artit. E kam fjalën për atë art shqiptar që është edhe sot i mohuar, prej hartuesve të librit që më propozoi për ta blerë botuesi. Hartuesit e këtij libri, festojnë për 100 vjetorin e Shqipërisë së arkitektuar prej kriminelëve shqiptarë.
Mund të them, se edhe 32- vitet e para të lirisë sonë, pra, deri sa Shqipëria u zu në çarkun e diktatorit Hoxha, ne nuk kemi qenë të pavarur. Smira krahinore shqiptare krijoi një arenë gladiatorësh. Drejtësia triumfoi shpesh jasht sallave të gjyqit, e ilustruar prej një mori atentatesh, të inskenuara nga kampet politike kundërshtare.
Shqipëria ime, jotja apo e jona, mendoj se kurrë nuk ka qenë e lirë, as e pavarur. Kjo, vazhdon të jetë, për fat të keq, deri në momentin, kur botuesi në fjalë më kërkoi me një vetëkuptueshmëri diktuese për ta përqafuar atë libër, hapur duke kënduar portofolin tim skarlatinë, dhe hedhja mbi kasën e tij, rreth 30 euro. Botuesi në fjalë, ndoshta mund të ketë të drejtë ta përfytyrojë Shqipërinë 100 vjet të pavarur, ngaqë ai ka qenë i lirë të çajë izolimin hoxhist dhe bredhë botën anembanë. Ka qenë i lirë t’i shkollojë fëmijët e tij, t’i rregullojë ata në pozita të mira shoqërore. Por, pavarësia më e madhe e këtij botuesi ka shkëlqyer në lirinë e tij, për të gënjyer pa kufi. Të gënjejë dhe mbijetojë me gënjeshtrat e tij vrastare, të bazuara në mitologjizimin e simboleve kombëtare dhe heshtur me vetëdije të plotë ndaj krimeve të dhjetra brezave politikanë shqiptarë, duke përfshirë edhe veten e tij, si shërbëtor i krimeve të tyre morale dhe politike. Askush nuk u dënua për krimet politike, ekonomike dhe morale si gjatë periudhës 1912-1944. Mosdënimet u shumëfishuan gjatë diktaturës hoxhiste. Në vend që fajtorët të përmbytnin gjykatat shqiptare, krimet e pandëshkuara u trefishuan edhe gjatë periudhës postdiktatoriale. Atëherë, përse u dashkërka ta ble librin tënd zoti botues?
Po, po! Libri që kremton pavarësinë tonë njëshekullore, është i tij, dhe jo i yni. Sepse prej atij libri, vuloset me dyllë liria e familjes së tij, dhe tërë klanit politiko-juridiko-moral që e mbajnë edhe Shqipërinë ende peng. Por ai, siç bëjnë të gjitha diktaturat dhe shërbëtorët e tyre, i mëshojnë me të madhe, pavarësisë klasike, pra asaj të shporrjes së pushtuesit të huaj. Sa më shumë t’i zmadhojmë në ajër dhe në libra të tillë, fotografitë e sulltanëve turq, atë të Musolinit dhe Hitlerit, aq më pak zvogëlohet fytyra kriminele e Enver Hoxhës, parardhësve dhe pasardhësve të tij. Kjo sferë mbizotëron në librin në fjalë, të cilin e kam shfletuar më vonë të tërë, mbasi e huazova në bibliotekë.
Sa herë që afron fundnëntori, unë do t’i refuzoj libra të tillë. Do ta bëj, për aq sa kohë, krimi i gjithanshëm do ta mbajë të mbërthyer prej gryke shqiptarin. Do ta bëj për aq sa kohë, pjesa dërrmuese e shqiptarëve do të ndjehet e pasigurtë në atdheun e tyre, dhe do të ëndërrojnë për dy gjëra: ose t’ia mbathin nga sytë këmbët, ose si e si të bëhen banorët e lagjes së elitës kriminele, ku bën pjesë edhe botuesi në fjalë, të cilit nuk i dridhet qerpiku ta zhvasë shqiptarin, t’ia zbrazë edhe ato pak qindarka që i kanë mbetur.
Populli shqiptar, sipas meje, ka qenë i pavarur ose të arratiset prej tij, ose të transferohet nga një burg në tjetrin.
Pak a shumë ajo që ndodh me një kriminel, i cili një pjesë të burgut e bën jashtë kufinjve shqiptarë, ndërsa pjesën tjetër në burgun shqiptar. Qysh prej momentit që ne u çliruam prej pushtimit pesëshekullor Osman, ne kemi qenë të burgosur, ose mvarur prej tiranëve shqiptarë.
Holandë, tetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.