Në Berat traditat e Krishtlindjeve i sjellin shekujt
reportazh nga Nini Haxhistasa
Ndeshjet mes gjelave të detit në çdo lagje të Beratit e paralajmëruan prej ditësh fillimin e festimeve të Krishtlindjeve, që nis me yllin lajmëtar, për të vijuar me kolindet, gatimi i veçantë karakteristik i qeshqekut, gjelin e detit me përshesh të grunjtë, koletë, e të tjera, që sjellin traditat shumë të vjetra, që në këtë qytet mijëvjeçar me vazhdimësi jete nuk humbën as në vitet e egra të komunizmit.
Por dhe bredhat e freskët ardhur nga pyjet rreth qytetit risjellin traditën si çdo vit, sepse beratasit nuk preferojnë të ndryshojnë me pemë artificiale këtë rit.
Copëza jete nga fëmijëria më risillen, por të ndara në dy pjesë. Sepse nga fëmijëria e parë ylli lajmëtar vinte me këngën e krishtlindjes nga çunat e lagjes Përrua, ndërsa më pas ata u zhdukën, ndërsa mbeti xha Sefedini nga Droboniku që çdo vit na sillte bredhin e gjelbër nga kurora e pishave.
Edhe pse vite, kur regjimi komunist i kishte hapur “luftë” fesë, ne, motrat këndonim rreth e rreth tij “Ja na erdhi Viti i Ri”, në pamundësi për të kënduar vargjet e këngës së Krishtlindjes. Por të gjitha ritet e tjera mbetën njësoj, ashtu si dhe sot. Nën bredhin e zbukuruar, nuk mungonin dhuratat për të afërmit e familjes. Ndërsa ne, fëmijët, pas mesnatës, çuditërisht i gjenim mbi jastëqet në krevatet tona…
-Ylli i kuq, lajmëtari i Krishtlindjeve-
Ulur mbi një nga gurët e mëdhenj në Tabje në Kala, Trifoni 13-vjeçar bashkë me Petraqin dhe Martinin me seriozitet po përgatisin Yllin lajmëtar për Krishtlindjet.
-Do ta bëjmë më të madh nga vjet – më thotë serioz Trifoni, tek ngjit fletët e kuqe tek një skelet prej druri si kuti, ndërsa një zë i fortë e shpërqëndron.
-Ja dhe Gjergji aty tek sheshi, hajde dhe ti se do të ndeshen gjelat – i thotë me nxitim Aldi, tek ngrihet dhe ikën me vrap.
I ndjek pas dhe unë, aty tek sheshi i Sallabandës dhe bashkë me kalarinjtë e vegjël shikoj si ndeshen gjelat e detit, më të fortët e lagjes, nën thirrmat e gëzueshme të çunave kur shikojnë se si bëjnë “def”, hapin bishtin dhe u ngrifen lafshat e kuqe të gushës.
Është një prej ritualëve që përsëriten çdo funddhjetor, si paralajmërim se Berati ka hyrë në festat e Krishtlindjeve, por edhe Vitit të Ri, (qëmoti festim i Shën Vasilit) dhe që e sjellin fëmijët me ndeshjet e gjelave të detit këto ditë në çdo lagje, nga Kodra e Sulmit, Kala e Mangalem, Goricë e Murat Çelepi. Sepse si askund tjetër, në Berat festimet e fundvitit bashkojnë një nga një të gjitha traditat si në magji.
Kolindet e Krishtlindjeve –
Në çdo familje orthodhokse, po hyre këto ditë i gjen në përgatitjet për festat e mëdha të Krishtlindjeve, Vitit të Ri ose Shën Vasilit e më pas, Pagëzimin e Krishtit (Ujit të Bekuar). Për Krishtlindjet përgatitjet nisin në mëngjesin e 23 dhjetorit, ku gratë beratase pasi bëjnë kryqin, nisin përgatitjen e kolindeve me forma të ndryshme.
E para gjithmonë bëhet gruaja me një fëmijë në duar: Shën Maria me Jezu Krishtin, për të vazhduar me yllin lajmëtar të Betlehemit që lajmëroi lindjen e Shpëtimtarit, lulet që simbolizjonë bukurinë e Krishtlindjeve, kryqet, gërsheta, etj.
Kolindet e kanë recetën të përcaktuar: miell dhe sheqer, gjalpë, vezë. Por ama bëhen me shumicë, sepse në mesnatën e datës 24, në çdo shtëpi rrinë në pritje të trokitjeve në porta të fëmijëve të lagjes që vijnë me kutinë e mbuluar rreth e rreth me letër të kuqe, brenda së cilës futej dikur një qiri dhe sot një fener, që shpërndan dritën e kuqe si ylli udhërrëfenjës.
Të gjithë së bashku këndojnë këngën lajmëtare të kolindeve: “Zotërinj e Zonja/ erdhëm t’ju gëzojmë/ dhe t’ju lajmërojmë/ se në Betlehemin e shenjtëruar/ U lind foshnja e bekuar/ Ai është Krishti vetë/ I dërguar në k’të jetë…” Kënga vjen sipas traditës shumë të vjetër që risjell lindjen e Jezu Krishti, ashtu si 2000 vjet më parë kur barinjtë dhe magët e famshëm në Betlehem njoftonin lindjen e Jezu Krishtit.
Kështu bën dhe Trifoni, që më tregon se bashkë me shokët në Kala, në mbrëmje sonte, para mesnatës në 24 dhjetor, trokasin me radhë portë më portë duke kënduar e uruar, ndërsa marrin kolindet e ëmbla, fruta, arra e sidomos dhe lekë.
Sipas një tradite të hershme në Berat, kush sjell lajmin e një fëmije që lind, shpërblehet me një shumë simbolike. Të gjitha familjet e quajnë këtë natë të shenjtë dhe të mrekullueshme, sepse përmban dashuri, harmoni dhe gëzim, ndaj nuk kurrsejnë për t’i qerasur me gëzim fëmijët lajmëtarë.
Traditat e gatimeve për Krishtlindjet
Për gratë asgjë nuk mbaron me kolindet. Në mbrëmjen e 23 dhjetorit, secila gjendet në guzhinë duke rrahur qesh-qekun, gatimi më tipik dhe tradicional, përgatitur me grurë dhe gjel, që shtrohet në drekë në çdo tryezë beratase, si simbol i festës së Krishtlindjeve.
Athina Xhymyrteka në Mangalem e ka marrë traditën nga e ëma, Sena dhe ia ka përcjellë vajzave të saj të martuara. Ndodh kështu në çdo familje të krishterë beratase.
“Qeshqeku simbolizon bollëkun me grurin dhe gjelin lajmëtar të mëngjesit hyjnor, ndaj nuk mungon në asnjë shtëpi të krishterë. Së bashku, gjeli dhe gruri zihen për një farë kohe, e më pas rrihen për orë të tëra me lugë druri, (ky është sekreti) aq shumë sa të krijohet një masë kremoze e njëllojtë. Qeshqeku shoqërohet i ngrohtë në tryezë në drekën e Krishtlindjeve, pasi spërkatet me gjalp dhe djathë”, thotë Athinaja.
Kush ka gjendje të mirë ekonomike e gatuan me gjel deti. Të tjerë me pula fushe, por që blihen vetëm në fshatrat ku ka shumë ullinj, si në Dyshnik, Lapardha, Poshnje e gjetkë. Ndaj dhe gjelat e këtyre anëve e kanë mishin më të shijshëm. Berati që dallon për një mirëkuptim të hershëm fetar, edhe këtë gatim e ka përfshirë në këtë lloj bashkëjetese, aq sa qeshqeku gatuhet në këtë ditë edhe nga familjet qytetare myslymane.
Dhurata dhe urime me të afërmit
Mëngjesi i 25 Dhjetorit në Berat sjell të tjera festime për Krishtlindjet, ardhur në ditët e sotme prej kohëve të vjetra, përcjellë ndër breza në çdo familje.
Me një atmosferë të gëzueshme besimtarët nisen që në orën 6 të mëngjesit nga drejtime të ndryshme drejt kishës së Shën Spiridhonit në Goricë, në kishën e Shën Gjergjit në Kala dhe në kishën e re të Shën Gjergjit në qendër të qytetit, ku celebrohen shërbesat e Krishtlindjeve me mesazhin “Lindi për ne sot Shpëtimtari”.
Pas meshës në kisha, të gjithë drejtohen në shtëpi, ku shijojnë supën magjiricë me të brendshmet e gjelit, apo qeshqekut për të vijuar me disa vizita në të afërmit. Në drekën familjare, ku mblidhen më të afërmit e familjeve, gratë kanë gatuar gjelin e detit me përsheshin tradicional, e plot të tjera.
“Bollëku shihet si mbarësi, ndaj dhe tryezat e Krishtlindjeve në çdo familje këtu janë plot”, – më thotë mësuesi pensionist, Llambi Goxhomani, nga Mangalemi.
Paditeve vijojnë vizitat dhe në mbrëmje një shëtitje bulevardit të qytetit. Veç tretjes së ushqimit, një shëtitje e tillë të ofron magjinë e qytetit muze, me bukuritë e ndriçuara të kishës së Shën Mëhillit, banesat karakteristike të Mangalemit, bedenat e Kalasë, por edhe shumë shpresë për një vit më të mbarë.
Marrë nga Muri i Fb Nini Mano, 24 dhjetor 2012