Ndue Marashi – Bir i Dukagjinit – nga Ndoc Selimi

0
10
Ndue Marashi (1933-1975)
Ndue Marashi (1933-1975)
Ndue Marashi (1933-1975)
Ndue Marashi (1933-1975)

Ndue Marashi – Bir i Dukagjinit

nga Ndoc Selimi

“Ora e tij punonte
në krahun e dashurisë humane”
 
-Kam ardhë me takue djalin para se të niset me pushime në Vlorë – i pat thënë shërbtores nëna e Ndue Marashit.
-Kryetari po fle dhe nuk duhet ta shqetësoni, ejani në darkë – iu përgjigj prerë shërbyesja, e cila ishte emëruar nga shteti në këtë post për të punuar pranë familjes së Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.
Dhe nëna e Ndues, bija e Shllakut, i kthej shpinën asaj shtëpie dhe djalit që “flinte” për të mos e parë kurrë në të gjallë.
Ishte data 16 dhjetor 1975.
Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi kthehet nga zyra për në shtëpi rreth orës 10, për t’u përgatitë për një pushim disaditor në Vlorë, bashkë me të shoqen Françeskën, pasi kjo e fundit katër ditë me parë ishte goditë në kokë në mënyrë banditeske nga njerëz që nuk u identifikuan kurrë, në kohën që la punën e shkonte në shtëpi në këmbë rreth orës 7 të darkës.
“E kanë me mue” – i pat thanë Nduja.
Në orën 11 të po të asaj dite të 16 dhjetorit 1975, dëgjohet një krismë e vetme arme në shtepinë e Kryetarit, të cilën e kishin dëgjuar komshinjtë si dhe nga proces-verbal i policisë, del se i vdekuri ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tiranë Ndue Marashi, që me një komunikatë të lëshuar nga vetë kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu, pohohej publikisht të nesërmen me 17 dhjetor në formë denigruese se “bajraktari i fshatrave të Tiranës është vetvrarë!” duke vazhduar me pas me mediat, të cilat lajmëruan se Ndue Marashi ka vrarë vetën me pistoletën e punës me një plumb të vetëm në ballë. Komunikata ishte pa komente, por thjesht sa për dijeni. Mos të harrojmë se është ky kryeminister që flet me histerizëm kundër personalitetit të veriorit Ndue Marashi, i cili 6 vjet më vonë do të provonte këtë fat mbi kokën e vet.
Në momentin e vrasjes së Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Ndue Marashi, askush nuk ndodhej në shtëpi; bashkëshortja do të blinte cigare për të shoqin të nji kinkaleri te sheshi “Avni Rustemi” për udhëtimin e nesërm, ndërsa shërbtorja kishte ikë për të “blerë bukë”, kur kësaj të fundit nuk i lejohej të largohej nga shtëpia asnjë çast. Komshinjtë në fillim deponuan se kishin parë dy persona te dera e shtëpisë që u larguan me një motorr pikërisht pas dëgjimit të krismës së armës (kush mbante motorr në atë kohë?), por më vonë u tërhoqën duke thënë se nuk kishin parë gjë. Sapo u kthye në shtëpi e shoqja e Ndues, Françeska, dhe mori vesh lajmin e kobshëm, tha: “Ma vratë Nduen!”, duke iu drejtuar hetuesve e sigurimsave që merreshin me rrethanat e vrasjes. Këtë thënie, megjithë presionin e kërcënimet që iu benë, ajo nuk e mohoi kurrë, as para Feçor Shehut, as në hetuesi, as në tortura, as në internim, as edhe sot e kësaj dite.
Ndue Marashi u lind në rrethinat e Shkodrës me 1933. Familja e tij ishte shpërngulur nga Dushmani (lagja Malagji) dhe ra në qytet si shumë familje dukagjinase për t’i shpëtuar varfërise e duke kërkuar një jetë më të mirë.
Kur Ndueja nuk ishte as gjashtë vjeç, me 1939, familja bën lëvizjen e dytë e kësaj radhe në drejtim të Tiranës në Lagjen e Bamit, që në atë kohë ishte vetëm një fushë me ferra e driza, si dhe një pjesë e varrezave të qytetit. Në këtë lagje me vëllezër e motra e në varfëri hedh shtat numri një i ardhshëm i Tiranës: Ndue Marashi. Njerëzit dhe komshinjtë si Kokonozët, Shehët, etj. flasin fjalët më të mira për këtë familje, për shpirtin solidar, për urtësi e integrim në shoqëri. Ndueja i vogël ishte inteligjent nga natyra, por nuk mund të vazhdonte shkollën direkt, pasi ishte me i madhi i fëmijëve e kështu gjen një punë e nga këtu fillon të arsimohej pa shkëputje për disa vjet rrjesht. Direkt nga prodhimi i ngjitet dijes duke mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën bujqësore në degën Zooteknikë. Aftësitë vetëm tijat; energjia në punë, aftësia drejtuese dhe mbi të gjitha karakteri i tij, bënë që sapo mbaroi fakultetin të emërohej drejtor i konvikteve të Institutit Kamëz dhe me vonë bëhet pedagog në këtë institut. Shpejt Ndue Marashi do të përfshihej në nomenklaturën drejtuese duke filluar së pari si kryetar i kooperativës së bashkuar të Kasharit. Në këtë detyrë merr nderimin e gjithë fshatarëve duke qenë krah për krah me ta në punë e shtëpi, në dasma, gëzime e morte. Ai dijti të fitojë respekt si askush tjetër, ku edhe sot nuk del një banor i kohës tij të thotë një diçka të keqe për këtë kuadër, përkundrazi ata e kujtojnë plot nderim. Ai rriti rezultatet e të ardhurat për krahë pune e mbi të gjitha barazoi klasat duke mos përfillur biografitë. Potenca organizuese dhe aftësia për t’u zgjidhë hallet popullit e sjellin Nduen sekretar të parë të partisë për Rajonin Nr. 4 të Tiranës, i cili kishte në vartësi të gjitha fshatrat. Emri i tij filloi të lakohej në skajet ma të largëta të rrethit dhe në vatrat ma të varfëra duke u sjellur besim në zgjidhjën e halleve e problemeve që kishin njerëzit. Në këto vite dëgjoheshin këshillat që qytetarët e fshatarët u jipnin njëri-tjetrit: “Shko te Ndue Marashi, se ai ta zgjidh problemin”. Kështu sekretari i parë cakton një ditë në dy javë për takim direkt me popullin. Fjala e tij ishte shpatë dhe zgjidhja e problemit e sigurtë. Puna po i jipte rezultate dhe në vitin 1970, zgjidhet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Vështirsive i del me gjoks, pasi dikasteri kishte shumë mangësi e burokraci që kërkonin zgjidhje urgjente. Përseri njerëz hallexhinjë pas dere për takim me kryetarin, e përseri një ditë në dy javë takim me popullin. Ishin këta vite që njerëzit kishin filluar të humbnin besimin te dikasterët për shkak të një burokracie të tepruar dhe papërgjegjsie që kishin kuadrot, për shkak të frikës e të paaftësisë së tyre për të vepruar në pavarësi e me kompetencë dhe për këtë i vetmi që mund t’i ndihmonte dhe t’u zgjidhte hallet e t’u vinte në ndihmë ishte vetë Kryetari.
.
Demagogjia komuniste
Demagogjia komuniste
Në shtator të vitit 1973, edhe unë, autori i këtij shkrimi, i shkova në takim kryetarit Ndue Marashi, për të zgjidhë një padrejtësi që Enti i Banesave i kishte bërë repartit tonë të helikopterëve. Sa për kuriozitet në këtë kohë Komiteti Ekzekutiv i Tiranës ishte në mes të sheshit para Pallatit të Kulturës ku është sot Muzeu Kombetar. “Ka ardhë shoku i helikopterëve” i tha sekretarja. Ai u ngrit në këmbë e m’dha dorën. “Prej nga je” m’tha duke parë emrin tim verior në kartë vizitë. (kujtoj që në këto vite ishin shumë pak veriorë që banonin në Tiranë). “Prej Komani” iu përgjigja si me krenari. “O po, ai fshati poshtë në breg të Drinit”. Kështu vazhduam bisedën sikur kishim harruar përse ishim aty. I shpjegova pastaj se Kom. Ekz. na ka marrë një hyrje me shumë te pallati që kishte ngritë reparti i helikopterëve për efektivin e vet me kontribut vullnetar, sepse nga 15 hyrje duhet të merrte dy, ndërsa ju na keni marrë tre. Dha urdhër të vinte shefi i urbanistikës dhe i tha direkt në sytë e mi që të kthente apartamentin këtij institucioni ushtarak. Këtu qëndronte aftësia e tij prej kuadri në zgjidhjen e prerë të problemit. U ndamë duke më premtuar se do të vinte në repartin tonë për të bërë një fluturim me helikopter. Dhe vërtet erdhi, tre ditë pas takimit tonë, ku bëri një bisedë me efektivin kuadër, pilot e teknik për punën në dikasterin e tij. Pastaj bëmë një demonstrim me helikopter, por nuk u la të fluturonte, megjithë dëshirën e tij. U largua duke na zgjidhur edhe një problem tjetër madhor; sjelljen e rrjetit të ujit pijshëm në repartin tonë të helikopterëve Farkë.
Ligji i xhunglës në Shqipërinë tonë komuniste kërkonte të kishte vetëm një kapo, një “unë” dhe çdokush më i fortë, me i dijshëm, apo më guximtar duhej të eleminohej. Fati i dijes, zotësisë dhe ndershmërisë përbënte krim dhe krimi ndëshkohej. Shifrat fiktive në prodhim, në realizime 5-veçarësh, në jetën e “lumtur” te krijuar nga partia, në begatinë e vendit etj kishin marrë përmasa të mëdha. Të gjithë gënjenin nga lart e deri në bazë, por askush nuk i besonte dhe të gjithë i besonin se duhej besuar, se ndryshe përsëri ndëshkimi ishte i pranishëm. Në raportin që paraqet Manush Myftiu në një plenum të udhëhequr nga kreu i partisë, E. Hoxha, flet me shifra fiktive e plot pasaktësi e gënjeshtra në lidhje me sigurimin e bukës në vend dhe marrjen e një rendimenti të lartë në produktet e drithrave në kooperativën e Shëngjergjit të rrethit Tiranës. Ky raportim fiktiv u kundërshtua në vend nga Kryetari i Kom. Ekz. Ndue Marashi, i cili i thotë se këto shifra nuk janë të sakta dhe se kjo kooperativë nuk siguronte as gjysmën e prodhimit që flitet në raport. M. Myftiu nuk ishte mësuar ta kundërshtonte njeri dhe me ton i përgjigjet se “duhet të skuqet faqja nga gënjeshtra”, ndërsa Kryetari mbron personalitetin e vet duke i thënë se: “unë jam i ndershëm e nuk di të gënjej!”. Simbas të thënave vetem ndërhyrja e E. Hoxhës bëri që situata të qetësohet.
Ky ishte ai inicim në formën e një zjarri të vogël, i cili më vonë do të digjte gjithë shtëpinë dhe fill pas këtij incidenti e kërkon urgjent në takim Enveri, i cili e përgëzon për ndershmërinë e kurajon dhe i thotë se “…vazhdo kështu, se je në rrugë të drejtë. I kemi gjetur njeriun e duhur Tiranës…!”. Por duhet kuptuar se kjo ishte taktika djallëzore e diktatorit, i cili para se të godiste të jepte një “dozë gjumi”, taktikë që e kishte përdorë edhe me të tjerë dhe do ta përdorte deri në fund të jetës tij. Ishte e vështirë të “hahej” malësori i jonë i ndershëm me një klan jugor tepër dinak dhe të pabesë. Në mbrapaskenë u përgatit një buletin për përdorim të brendshëm në parti, i cili u shpërnda urgjent nëpër të gjitha organizatat e partisë se Tiranës, ku Kryetari i Kom. Ekz. të rrethit Tiranë, Ndue Marashi cilësohej si “njeri i drekave e darkave” se “ishte si qehajaj i Tiranës e deri imoral”, duke përgatitë terrenin për fundin e tij si drejtues, si politikan e si njeri. Vala e kësaj situate tepër të tensionuar u pasua nga një tjetër ngjarje e randë dhe e jashtëzakonëshme që ra direkt mbi shpatullat e Kryetarit. Në kooperativën e Baldushkut të Tiranës ngordhën rreth 100 lopë nga helmimi me zhivë dhe menjiherë formulohet akuza tjetër në drejtim të Ndue Marashit si “përgjegjës direkt për punën e grupit armiqsor”. Sipas hetuesit të çeshtjës së asaj kohe Dilaver Bengasi, Manush Myftiu i jep urdhër të arrestohen deri 100 vetë, po unë, thotë ai, arrestova 8 persona e dy me pushkatim. Por e parë nën dritën e fakteve të sotme, kjo ishte thjesht një hakmarrje primitive ndaj Ndues dhe kjo ngjarje lidhet direkt me sigurimin e shtetit e klaneve në udhëheqje. U arrit deri atje sa të thuhej se mjelsja e lopëve Nadire Shima dhe punëtori i stallës Selman Balla ishin me biografi të keqe e për këtë nuk ishte zhvilluar lufta e klasave nga kuadrot e deri në nomenklaturat e larta të ekzekutivit. Po ku e siguruan zhivën këta fshatarë të mjerë? për ç’grup armiqsorë bëhej fjalë?! Kush e udhëhiqte këtë organizatë armiqësore?!
Me këtë rast u dënuan dhe u pushkatuan disa njerëz të quajtur në ate kohë “me biografi të keqe”, por pa as me të voglin faj dhe që ishin planifikuar të hiqeshin qafe, por kokrra ishte tjetërkund, ishte të ai njeri, që siç thoshte ish shoku i ngushtë i Ndues, Fadil Lame se: “Ora e tij punonte në krahun e dashurisë humene”. Pas kësaj Ngjarja e Baldushkut fillon lufta e hapur e kastës udhëheqëse kundër Ndues, ku merrnin pjesë më potentët e vendit si E. Hoxha, i cili shprehet se “duhet shikuar puna armiqësore e këtij krietari”, si dhe M. Shehu, K. Hazbiu, M. Myftiu etj. Periudhës tepër të rënduar, të vështirë e tepër stresante që kalonte familja Marashi, i shtohen edhe disa letra anonime të inicuar nga vetë M. Myftiu kundër N. Marashit. Kësaj nuk i mungoi edhe kërcënimi direkt që i bën M.Shehu në një darkë për nder të një delegacioni të huaj, ku si portokoll kishte vendin e vet Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. M. Shehu troket gotat me të pranishmit dhe kur i vjen radha Ndues i thotë gjithë kërcnim se “e kemi pak punë me ty!”.
Që nga ajo ditë e deri sot kanë kaluar plot 40 vjet, kur 42 vjeçari, njeriu i parimeve njerëzore, personi politiko-drejtues që kishte hyrë kaq thellë në zemrën e popullit, i mungon familjes, i mungon historisë, na mungon ne bashkëkohësve të tij e mbi të gjitha mungon e vërteta e ngjarjes.
Vetvrasje apo vrasje? Kjo vazhdon të jetë dilema që shtrojnë për zgjidhje bashkëshortja Françeska tashmë e sëmurë, të bijtë, familjarët dhe gjithë opinioni dashamirës i Ndue Marashit. Pas peripecive të internimeve dhe vuajtjeve të pafund për 16 vjet këto familjarë menduan se nderi i pjestarit të familjes tyre do të vihej në vend mbas viteve 90′, por Presidenti i asaj kohe Berisha, në takimin që i kërkuan njerëzit e afërm të Ndue Marashit, u premton atyre për një zbardhje të çeshtjes dhe me kaq mbeti nën hirin e harresës e diskriminimit, megjithëse kanë shkuar e ardhë disa qeveri deri tani, kjo histori e trishtueshme nuk është zbardhë akoma. “Ne nuk kërkojmë hakmarrje – thotë Franceska, – por duam të dalë e vërteta!”.
Vetëvrasja apo vrasja po zhduket dalëngadalë në heshtjen e përjetëshme, ku e mori me vete në varr atë ditë dimri të vitit 1975 malësori, njeriu i ndershëm, shembulli i lartë i një kuadri, biri i Dukagjinit, Ndue Marashi.
 
 
 

Related Images:

Artikulli paraprakTë uroj më së pari të duash… poezi nga Viktor Hugo (dy variante)
Artikulli tjetërShejzat… nga Gjokë Vata
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.