back to top
24.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Monumenti i Dosjes Nr. 793 – reflektim përtej skrupujve moralë nga Jozef Radi

Gazeta

Lazer Radi - Foto e Dosjes se Sigurimit 793
Lazer Radi – Foto e Dosjes se Sigurimit 793

Monumenti i Dosjes Nr. 793

reflektim – përtej skrupujve moralë nga Jozef Radi

Ndër ne, prej kohësh të pafundme, flitet për Dosjet.
Shpesh është folur me fushata… thjesht për të krijuar zhurma dhe shkundje, janë ngritur komisione trukesh e mashtrimesh me emra njerzish që më pas kanë rezultuar dosjexhinj, që vetëm do kujtesthellë e kujteskthjellë, i dinë mirë këto histori stafetash pafund. Sot mbetem më i bindur se asnjëherë se: E keqja më e madhe këtij vendi i është shkaktuar prej Dosjeve dhe vetëm prej Dosjeve. Për të keqen tonë të përbashkët, ato do të mbesin monumenti i bjerrjes dhe rrënimit të krejt vlerave tona, gjymtimit tonë kolektiv të aftësive shtetformuese dhe tjetërsimit të strukturave morale, socile dhe historike të këtij vendi.
Ndër tri dekada, është folur kaq shumë për to! E ndërsa përfliteshin, anatemoheshin, mallkoheshin, ato kërcënonin, tregonin me gisht, ngjisnin dhe zbrisnin në pushtet, aq sa mund të thuash se e vetmja industri që punonte me intensitet të plotë e prodhonte rregullisht efekte pushtet përmes kërcënimit ishte Industria e Dosjeve.
.
Skedat e Arkivë së M. P. B. - mbi Lazër Radin
Skedat e Arkivë së M. P. B. – mbi Lazër Radin
E vërtetë është, se ato u shtynë në kohra me pretekstin që “ta shpëtonin shoqërinë” ndërkohë që përpunoheshin me kujdes, e bëheshin trajtime selektive kirurgjikale, dhe pushteti piketohesh, lëvizte, ndërtohesh vetëm përmes tyre, duke përgatitur në Ofiçinën e punëve të zeza, këtë Shqipëri të 28 viteve që gëzojmë ne sot. Efektet që ka prodhuar kjo industri, i vëren krejt lehtë në çdo qelizë të jetës shqiptare; e pakkush mund të besojë se në këto 28 vite, Dosjet kanë jetuar me statusin e pluhurmbledhjes apo letargjisë, në pritje të stinëve më të mira. Ajo çka ndjehet me dhimbje, çka shihet me sy e çka preket me dorë është shfrytëzimi i Dosjeve nga gjithë segmentet e politikës, për kapital Pushteti. Njëra palë politike, ajo që mori përsipër shpresën, në emër “të padrejtësive të pësuara” përkrahu dukshëm të rekrutuarit; ndërsa pala tjetër, duke ruajtur strategjinë: për të gjitha rrëfimet “priftat janë tanët”, përkrahu po aq dukshëm rekrutuesit, segmente të syprinave të pushtetit diktatorial, gjenerimet e reja trashëgimore të një pushteti feudal. Me pak fjalë, kjo është në vija të trasha, krejt legjenda tragjike e Dosjeve Shqiptare, e cila sot është një fazë të re saj: tërheqja reale të vëmendjes.
Koncepti inerci, vjen nga bota e fizikës dhe mekanikës. Edhe në politikë njihet efekti inerci, por është mjaft më i fuqishëm se në mekanikë. Nëse një makinë me iks shpejtësi bën njëzet metra hov nga momenti i frenimit; në politikë efekti i dhunës së ushtruar ka prodhuar kët inerci që vazhdon me 28 vite postdiktaturë… Pikërisht, ky përdorim selektiv i dosjeve të diktaturës, që s’na lejon të përdorim tjetër emër ndaj kësaj periudhe veçse: postdiktaturë!
Inercia është e prodhuar vetëm nga dosjet; së pari nga ato struktura që i krijuan Dosjet, e më pas nga strukturat që i patën në përdorim Dosjet. Të gjitha palët politike prodhuan efekte të një dobie e begatie personale të pashembullt, si në trajtimin e shtetit dhe pushtetit, si në abuzimet ligjore dhe ekonomike, edhe në keqpërdorimin e taksave dhe pasurisë publike… Problemi është se në kët inerci politike, e Keqja jonë e Madhe nuk udhëton në terrene fushore ku dëmi është i pakët e mund të riparohet; ne çmendurive tona u grahim në terrene të vështira e humnerore…
Nëse nuk shohim, nuk dëgjojmë dhe heshtim - Jemi kufoma të vdekjes
Nëse nuk shohim, nuk dëgjojmë dhe heshtim – Jemi kufoma të vdekjes

***

Kur bëra kërkesë në zyrat e Autoritetit të Dosjeve, për Dosjet e Lazër dhe Vitore Radit, drejt me thënë ndjeva njëfarë drithërime në shpirt. Të gjithë jemi koshiente, se nuk ishte e lehtë t’u shpëtoje lukunisë që kishte lëshuar një shtet përbindësh, për një gjysëm shekulli. Asnjëherë s’duhet harruar se: edhe rezistenca e shpirtrave humanë ka limitet e veta… se dëshpërimi njerëzor është gjithnji këshilltar i keq, se pesha e asaj jete kërcnon me humnerën çdo ditë të jetës sonë… Pastaj të mendosh se Lazër Radi dhe Vitore Radi kishin pasur të dy fatin tragjik për jo pak, po për 46 vite të plota në teh të skëterrës…
Lazër Radi u arrestua me 23 nëntor 1944. Po atë ditë familja e tij e gjeti veten mes rrugës së madhe. E keqja e një arrestimi kishte sjellë në sinkron të keqen e krejt një familje: s’ishte parë as dëgjuar: një nënë 70 e ca vjeçe, një grua 19 vjeçe dhe një foshnje pak muajshe ishin në rrugë të madhe, ndërkohë që i vetmi burim mbijetesës i qe dorëzuar Gjyqit të Parë Special (sa qesharak Special), ku brigadat partizane me analfabetë jurisprudence si Bedri Spahiu, Koçi Xoxe, Beqir Balluku, Hysni Kapo e kompani, dënonin shumë prej atyre që i kishin vendosur themelet ekonomike e juridike shtetit shqiptar!! Pra, një arrestim s’ishte fati i nji njeriu, por fat i një familje. Dhe ishin pafund familjet ku një arrestim bëhej terrori i një familje, një fisi…
30 vitet e dënimit të Lazër Radit, u shoqëruan me vdekjen e foshnjës së pafajshme Veronika Radi, pa mbushur vitin; pasuan nga dënimi i Vitore Radit, më 1952, si gruaja e armikut dhe agjente me 10 vite burg… u mbyllën me vdekjen e nënës Gonxhe Radi më 1956, pa sajlin pranë… më pas është një histori e pandërprerë interrnimesh deri në shkurt të vitit 1991.
U përpoqa ta përjashtoj veten nga ndjenja e fëmijës, dhe mbajta thjesht detyrën e qytetarit që plotëson dokumentet për dy objektet Lazër dhe Vitore Radi, mbajtur nën kontroll të Sigurimit të Shetit. Një ndërmarrje e vështirë! Vetvetiu njeriu shtyhet të mendojë: Po sikur kjo e keqe e madhe e shtyrë në kohra tejet të gjata mbi jetët e këtyre njerëzve, të ketë prodhuar dobësimin, dëshpërimin, thyerjen dhe këputjen morale… si do të ndjehesh ti sot, në mungesë të të shtrenjtëve të tu?!? Edhe pse i edukuar me trajtimin e së vërtetës, e me një lloj besimi të palëkundur në vetvete, prap dyshimi shetit e të kërcënon me frikën e një gjysëm shekulli vuajtje pa asnjë stacion ndalese… Mos ndoshta po kërkon ta lëndosh brenda teje, atë që është krenari për ty, e që ndoshta e vërteta mund t’ua trazojë eshtrat edhe atje në varr për çka mund të ketë ndodhur!?
Do t’i shkoj times! Në fund të fundit, Lazër dhe Vitore Radi për mua kishin qenë e Mira, e nëse e Keqja që e kishte kërcënuar pafund jetën e tyre t’i kishte thyer, edhe ashtu të thyer, ata do të mbeteshin për mua e Mira e përjetshme… Por një Ndjesë, me gërma të mëdha do t’ia kisha kërkuar kujtdo të rënduar prej dobësisë së tyre.
.
Lazër e Vitore Radi - Pranverë 1975
Lazër e Vitore Radi – Saver 1975

***

Pritja prej janarit në korrik të 2018, m’u duk kohë tejet e gjatë…
Një ditë meskorriku, u lajmërova t’i hidhja një sy Dosjeve Nr. 793 në ngarkim të Objektit Lazër Radi, dhe Dosjes Nr. 1766 në ngarkim të Objektit Vitore Radi. Kur i mora ndër duar u trondita. Ndjeva dhimbje… po, shumë dhimbje. Kushedi sa duar kriminale kishin shkelur mbi to, kushedi sa kurthe kishin organizuar e kishin nxitur spiunë, kishin sharë e shfryrë sipër atyre fletëve me gjithfarë shënimesh, kushedi sa hije kishin ngrënë bukën në shtëpinë tonë (Lazri nuk i shkonte askujt)… e ku fjalët: armik, objekt, burg, agjent, kontroll operativ, raport, survejim, punëtor operativ, përpunim aktiv, bashkëpunëtor, plan masash, vendim ishin kryefjalë rrënqethëse. Dosja e Vitore Radit ishte e varfër me ca spiunime ordinerë pseudonimesh si: “Çafka e Thyer”, “Tabaloska”, “Kliu”, “Çobka”, “Aleksi” me dhjetra përgjime të rëndomta të nivelit ordiner, e më pas dosja e hetuesisë, ku shkalla e makabritetit të torturave vërtet nuk duket, ama efekti i tyre mbi një grua 24 vjeçe, është i dhimbshëm, tmerrësisht i dhimbshëm. Vitore Radi, e sëmurë me tuberkuloz në burg, falë një mrekullie u kishte shpëtuar kthetrave të bishave, mbas 6 vitesh burg, me besimin se s’do të kishte shpëtim prej tuberkulozit (vetëm nëna ime dhe lutjet më kanë shpëtuar e askush tjetër! – përsëriste shpesh ajo)
.
Dosje Përpunimi Nr.793 - Lazër Prend Radi
Dosje Përpunimi Nr.793 – Lazër Prend Radi
Kurse Dosja 793, në ngarkim të Lazër Radit edhe pse e cunguar (çka duket qartë) është dosje e rrallë. Itinerar kërcënues dhe i pamëshirshëm nga faqja e parë te faqja e fundit. Dy herë i kaluar në kontroll operativ 2/B çka do të thotë të jesh gjithë kohës nën mbikqyrje; dhe dy herë i ngritur në përpunim aktiv 2/A, çka do të thotë që gjitha levat e Sigurimit, me agjentët e bashkëpunëtorë po e përgatisin për t’ia dorëzuar burgut. Dy herë Lazër Radi ka qenë gati t’i jepej burgut në vitin 1964 dhe në vitin 1980. Një tmerr i vërtetë të mendosh që t’i i ke përjetuar si fëmijë ato situata… Më së fundi hiqet dorë dhe i behet një Demaskim Publik, ku ai shpalosi si rrallë herë në kësi dramash Njeriun, Avokatin dhe Intelektualin: Një apologji e rrallë sokratianenë shekullinë e XX. Për fat, jeta ime ka qenë mjaft e lidhur me jetën Lazër Radin (edhe vazhdon). E ndërsa lexoja deponime pafund, porosi e intriga të thurura qenërisht, ndërsa kaloja nëpër mendje ditë të atyre bisedave ku kisha qene i pranishëm, dhe të gjithë ata edhe pse mbas pseudonimesh, unë i njihja mirë, i kisha të gjallë para syve, ndonjë tyre i respektoja dhe e doja shumë… Tani ata më shfaqeshin me një qëllim të vetëm: groposjen e Lazër Radit…! Është dhimbje e madhe, shumë e madhe të shihje si gatuhej shpifja, armiku, agjentura dhe vdekja e një njeriu nëpër gjirizet e Sigurimit, e ndjen se mrekulli kur e sheh se ai ka shpëtuar, në fije të perit.
Dosja e Lazër Radit e dëshmon atë jo vetëm njeri me dinjitet dhe kurajo, po edhe intelektual të rrallë e të pashoq, për gjithë çka luhej mbas shpinës së tij… Ai qetësisht përpiqet ta çmontojë të keqen që i vërtitet përmes “miqsh” të rrejshëm, që shpesh në egërsinë e tyre kapërcejnë edhe operativët. Kjo sot kërkon një shpjegim!!
Kur mbarova së zbardhuri Dosjen Nr.793, ndjeva se Njeriu i Vërtetë është triumfator i madh i kësaj bote! Nëse do të më kërkohej diçka në kundërsens të thoja gjatë gjithë kësaj periudhe që merresha me dosjet do të thoja se: Sigurimi i Shtetit i ka bërë monumentin më të madh Lazër Radi! Lazër Radi ka shkruar më shumë se 16 vepra, po ka shkruar fare pak për diktaturën… “Do t’i shkruani ju për vuajtjet e mia… Unë duhet të bëj gjëra më të rëndësishme!” – ishte nje refren i tij. Kalvarin e tij, po që sot është monumenti i tij e kanë shkruar dyzina operativësh e bashkëpuntorësh e shefa degësh.
Mund të pyesë ndokush: “Si është e mundur që nji organizatë kriminale e terroriste, si Sigurimi, t’i ngrejë monument një armiku… Ja pra që mundet! Jo çdo e keqe vjen për keq, thuhet. E kur e Keqja s’e mbrrin qëllimin e vet të ndyrë, padashtas ka madhështuar atë objektin pësues të së keqes. Kjo ndodh pse diktatura, s’e ka sensin e kohës, ajo në çmendurinë e saj ndjehet e përjetshme; një intelektual lexon përtej kohës! Duke u survejuar, duke u kërcënuar, duke u poshtëruar pafundësisht, ai nis dhe e projekton veten përmes qëndresës dhe dinjitetit në një tjetër kohë. Duke besuar në fundin e së Keqes, ai përjetson jo veten, Dritën. Një intelektual që i pranon të gjithë llojet e dënimeve pa u nënshtruar, nuk është Hero, është Dritë. E kur mbi të sheh 12 operativë Sigurimi, 22 bashkëpunëtorë Sigurimi, shefa Sigurimi, pa harruar Partine dhe levat e saj që deponojnë nji pafundësi raportesh, e megjithatë intelektuali paska gjetur kurajo të flasë për të vërtetën, të mospajtohet me mashtrimin, e të qëndrojë në lartësitë e vlerave humane, edhe kur rreth tij dera e burgut rri e hapur, ti nuk mund ta përcjellësh ndryshe Dosjen Nr. 793, pos si Monument, që veglat e verbërta, të vockla e mjerane të diktaturës ia kanë ndërtuar padashtas intelektualit shqiptar. E të mos harrojmë se në këtë Dosje Lazër Radi s’është vetëm: Aty janë me po aq dinjitet edhe Lek Pervizi, Guljelm Deda, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Dine Dine, Mark Temali, Tahsin Spahiu, Valentin Përvizi e të tjerë… qëndrestarë e dinjitozë që s’lejuan kurrë të përdhosen vlerat e tyre…
Respekt e nder për gjithë ata njerëz që i kanë dhënë dritën e tyre, nëpër këto Dosje terrori.
.
Lazër Radi midis të interrnuarve - Kampi i Savres 1954
Lazër Radi midis të interrnuarve –
Kampi i Savrës 1954

***

Problemi më i madh, jo vetëm i Dosjes Nr. 793, nuk është individi të cilit i përket dosja, as operativët që kanë emrat, mbiemrat dhe firmat, pushtetin, subjektivizmit, karrierën, planet e masave apo gadishmërinë e arrestimeve. Operativët janë vegla të bindura në detyrë. (Autokombajna që nuk korrin grurë, po jetë dhe fate njerzish) Ata shërbejnë me bindjen se gjithkund rreth Partisë së tyre është armiku, (asnjiherë s’e mendojnë se Partia e tyre është armiku i gjithçkaje) Ata i mbushin dosjet me bindjet e tyre më shumë se me deponime, ata japin urdhëra krijojnë strategji, e plot gjepura çka dëshmon nivelin e tyre të limituar kulturor.
Problemi më i madh jo vetëm i Dosjes Nr. 793, janë bashkëpunëtorët. Tragjedia më e madhe e Dosjeve dhe e fatit të këtij vendi janë bashkëpunëtorët… Në Dosjen Nr. 793 në ngarkim të objektit në përpunin aktiv 2/A, Lazër Radi janë 22 agjentë dhe bashkëpunëtorë. Bëjmë një operacion matematikor… Në dosje figurojnë të regjistruar 12 operativë sigurimi dhe 11 bashkëpunëtorë të Sigurimit të regjistruar në fletët e fillimit të dosjes. (Për çudi numrat 5, 6, 7, 8 mungojnë… firuar apo pakujdesi?!) Megjithatë nga trajtimi i kujdesshëm në Dosjen Nr. 793 të Objektit Lazër Radi, figurojnë deponime të drejtpërdrejta o të tërthorta 22 bashkëpunëtorë, që kanë dhënë raporte e përmendur Lazër Radin. Shumica, për të mos thënë të gjithë, bashkëvuajtës të tij, njerëz fatkeqë të cilët ndajnë vuajtjen, interrnimin, burgun, përçmimin po edhe hallet, shumë halle… Askush s’e di mënyrën e rekrutimit të tyre (guximi i tyre për të rrëfyer të vërtetën e shtrëngimit – Zero), po nesër kur të shfaqet zelli i deponimeve të tyre si do ndjehen. E dini që zelli i tyre shfaqet më i frikshëm se qenëria e operativëve… Ky ishte misioni i madh i diktaturës. Sepse ata nuk trasmetojnë fjalët e rastësisë që bisedojnë lirshëm dy njerëz… ata bëhen përçues të strategjisë kriminale që thuret nëpër gjirizet e Sigurimit kundë të pafajshmëve…
Agjenti “Përpjekja” bir i një personaliteti të lartë të pushkatuar, vetë i burgosur dhe interrnuar është jo deponues, po hallkë e pafund provokimesh e kërcënimesh ndaj objektit Lazër Radi, i cili po rriste në interrnim me shpirt nëpër dhëmbë tre fëmijët e vet: 8, 6 dhe 1 vjeç dhe gruan e sëmurë. Agjenti “Përpjekja” në shkëmbim për t’u larguar nga kampi i Savrës e përgatit Objektin Lazër Radi për burg. A ka më të ulët se kjo figurë!? Agjentit “Përpjekja” i kanë pushkatuar babanë; agjentin “Përpjekja” e kanë futur në burg; agjentin “Përpjekja” e kanë përplasur në interrnim, agjenti “Përpjekja” është armik i pushtetit… Por në anën tjetër shfaqet si armik i intelektualëve, i qëndrestarëve, i dinjitarëve të kampit… Ndyrësia e agjentit “Përpjekja”, që kishte pamje të një Uriahipi, shkon deri aty sa kur e detyrojnë të raportoje edhe për njerëz të rëndomtë, kërkon një favor: “Më jepni vetëm njerëz të nivelit tim, se ata mundem t’i përpunoj më mirë…!” A ka Zot, në këtë botë… Një viktimë e shfaqur si bishë në kërkim të viktimave të ndritura! I kam parë me kujdes gjithë pseudonimet e Dosjes Nr. 793 të objektit Lazër Radi, 22 pseudonime ka ky gjiriz social dhe imoral… Diktatura ata i burgosi, i rrënoi, i shfrytëzoi, i përdhosi përtej çdo limiti, postdiktatura i mbrojti dhe i mbron jo pse iu dhimbsen jo pse ido! Jo aspak, por se përmes tyre kërkon të mposhtë e të vrasë me heshtje: Figurat e Larta Morale… Për Postdiktaturën ata janë dhe mbetem pjesë e imoralitetit që duhet maskuar… ata janë shëmbëlltyra e saj. “Më thuaj më kë rri, të them cili je…
Në dosjen Nr. 793 ndaj objektit Lazër Radi figurojnë 22 pseudonime, 22 hije sociale, 11 prej të cilëve aktivë, emrat e të cilëve i di nji për nji. Nuk do tua përmend në kët shkrim se është një nder që u bëhet, mbasi shumica e tyre kanë të vdekur. 22 hije ndaj një Njeriu në skëterrë! A nuk është shifër katastrofike po ta shpërndash në krejt territorin shqiptar…
Pyetja që lind është: A nuk duhej të ishin këta të parët që duhej të kërkonin falje, për dëmet e shkaktuara ndaj individëve dhe shtresës së tyrë? A nuk është e vërtetë së kërkimi i faljes nga ana tyre, do t’i linte zbuluar dhunën operative dhe sistemin makabër të rekrutimeve… Mos vallë shpirti i këtyre njerëzve ka pësuar deformime të tilla monstuoze sa ende sot si “Kalë Troje” i vazhdojnë shërbimet e fëlliqura të dosjeve të diktaturës…
.
Lazër Radi me djemtë Jozef e Lucian dhe familjet, dhe nipat Ferdinand dhe Françesk Radi - Tiranë 1991
Lazër Radi me djemtë Jozef e Luçian dhe familjet,
dhe nipat Ferdinand dhe Françesk Radi – Tiranë 1991
 ***
Ndërsa mbyllja këtë reflektim mbi tri dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mund të them vetëm kaq: Të gjithë jemi në dorë të Zotit, edhe ata që krimi i bëri Ateistë!
Më 23 nëntor 1944, Dr. Lazër Radi u dënua me 30 vite burg, si pasojë u dënua gjithë familja e tij. Në vitet ’50 të dy burrë e grua ishin burgjeve, fëmija dhe nëna vdiqën pa qenë ai i pranishëm në vdekjen e tyre…
Më 20 shkurt 1991, Lazër Radi dhe Vitore Radi nuk ishin me Objekte, po Njerëz, që me tre fëmijë të martuar e katër nipat përdore u kthyen në Tiranë, aty ku prej 46 vitesh i kishin shkulur përdhunshëm… si njerëz e si dokumente. Diktaturë ishte përpjekur t’i zhbinte! Një Zot u kishte dhënë fuqi të qëndronin, duke mbrojtur Jetën dhe Familjen e tyre, po mbi të gjitha Dinjitetin e tyre…
Prej vitit 1993, qytetari Lazër Radi, do të botonte 16 libra, do të shkruante qindra artikuj ndër gazeta, do të luftonte si idealist për të vërtetën, për Kosoven dhe Bashkimin Kombëtar, për emancipimin e shoqërisë shpitare, për rininë. Ai do të udhëtonte në Itali, në Amerikë, në Zvicër, në Kroaci e do t’u linte një amanet djemve dhe nipave të tij: Ditën që Kosova t’ishte e lirë të shkonin edhe në emër të Atij. Kjo ndodhi… por edhe më shumë, sepse një nip i tij Ervin Dine, do të ishte me trupat marinse amerikane, në çlirimin e Kosovës… dhe si ndodh zakonisht në veç në përralla, ai vdiq në paqe i rrethuar prej shumë atyre që e deshën, i nderuar dhe i respektuar si pakkush në ditën e Lamtumirës…!
Sepse dinjiteti i njeriut, sakrifica për familjen, lufta për të vërtetën dhe vlerat intelektuale një ditë e mposhtin egërsinë e çdo lloj bishe, injorancën e çdo lloj pushteti dhe mashtrimin e çdo lloj politike…
Ky ishte leksioni i madh që mora mbasi bylla faqen e fundit të Dosjes Nr. 793…
Për të qënë korrekt me lexuesit, dhe për të mos e tepruar në ato çka them, Dosja Nr. 793, në ngarkim të Objektit Lazër Radi, do të botohet me gjithçka është e shkruar brenda saj, dhe një analizë tejet serioze dhe korrekte mbi gjithë personazhet pjesë e kësaj dosje… dhe njohjeve personale të autorit. Nëse nuk arrijmë ta botojmë si letër, ajo do të shpërndahet në formë virtuale, që çdokush të mësohet ta lexojë të vërtetën edhe kur e shkruajnë djajtë. Kështuqë, askush s’duhet të mendojë që e keqja mund të shkojë e pandëshkuar prej Ligjit, pse është edhe nji ligj mbi ligjet, i pashkruar, ai i Vullnetit Hyjnor… ku Lazër Radi dhe shumë prej sivëllezërve të tij, e kaluan me lavdi e faqe të bardhë…
korrik, gusht 2018
 
 
 

 

 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.