Ateizmi i zbrazi ballkanasit nga mirësjellja e lindur… – Ardian-Christian Kyçyku bisedon me Iolanda Malamen

0
6
Ardian Kyçyku
Ardian Kyçyku
Ardian Kyçyku
Ardian Kyçyku

Ateizmi i zbrazi ballkanasit nga mirësjellja e lindur…

Ardian-Christian Kyçyku bisedon me Iolanda Malamen

Iolanda Malamen: Ardian-Christian Kyçyku, Zoti të ka dhuruar një atdhe të dytë letrar: Rumaninë. Mban, si i thonë, “peshën e ëmbël” të dy gjuhëve në të cilat shkruan. Kjo më duket mahnitëse. Ardian-Christian Kyçyku: Duhet të them se këta dy atdhe, me kalimin e kohës, u bënë më fort atdhe tekstorë, sesa letrarë. Për mua mahnitëse mbetet dhuntia që të arrish të mbash një baraspeshë mes ëmbëlsisë së peshës dhe peshës së ëmbëlsisë.
.
Iolanda Malamen: U rishpike në një kulturë tjetër. Ishte, gjithsesi, një traumë? Ardian-Christian Kyçyku: Më tepër se rishpikje ishte njëfarë ngjitjeje në të përpjetat e një mali duke ecur sëprapthi. Para se të shkruaja drejtpërdrejt në rumanisht romanin “Viti kur u shpik mjellma”, për shëmbull, në vitin e bekuar 1996, nuk më vinte të besoja se do të shkruaja edhe në ndonjë gjuhë tjetër, veç shqipes. Kjo mbase ka qënë një traumë për të tjerët, ndonëse sjellja ime nuk pati asnjë njollë anormaliteti. Ishte ngritja e natyrshme e një vepre letrare në nivelin ku mund të bësh letërsi globale sa më lokale bëhen gjuhët në të cilat shkruan.
.
Iolanda Malamen: Sa shkrimtarë shqiptarë do të mundnin, sipas mendimit tënd, që, të përkrahur me mençuri, të kenë sukses në mbarë botën? Ardian-Christian Kyçyku: Është e pamundur dhe njëfarësoj e panatyrshme të bësh parashikime, sidomos në letrat shqipe që ndryjnë energji vigane, të pagjetshme, gjithnjë të nëpërkëmbura, të sulmuara e të përdhosura nga smirokracia letrare, që rropatet ta shesë marrëzinë për harmoni. Ata që kanë rrezikuar të profetizojnë vetëm sa kanë turbulluar ujrat më keq dhe kanë mbështetur, përmes mirëbesimit të tyre, strategjinë e idhujtarëve. E qartë është se shkrimtarët që janë zgjedhur ta zhvendosin letërsinë shqipe nga një ateizëm i mbështjellë me teshat e të ashtuquajturit progres ekumenik, në shtratin e vet të natyrshëm, e dinë ç’kanë për të bërë dhe do ta kryejnë pagabueshëm misionin e tyre. Në thelb, çështja e ngadhnjimeve ndërkombëtare më duket mistike, e ardhur si një tundim e sprovë për shpirtin e secilit shkrimtar, dhe më kujton atë ngjarjen trandëse të murgut të shenjtë Pais i Atosit. I shpunë një fëmijë që ishte lindur i verbër dhe, pak para se shënjtori t’i vinte duart në kokë e të lutej për të me lotë, e pyeti: “Më thuaj, bir, çfarë dëshiron të bëjë Zoti për ty?” Si mendon se u përgjigj fëmija? Dua të bëhem një djalë i mbarë! E në atë çast i erdhi drita e syve…
.
Iolanda Malamen: Po të mos qe shembur komunizmi, çfarë shanse do të kishe pasur si shkrimtar në Shqipëri? Ardian-Christian Kyçyku: Para se të vija në Bukuresht, vendi ku pata pandehur se jetoj më zbuloi dhunshëm se pat ushqyer e rritur një krejt tjetër vend në bark, të them, një vend të ashpër që lëvizte në përputhje me ca ligje e ëndrra kundër letërsisë. Asisoj mora vesh se s’kam një vend të tipit nënë përveçse në librat që pata shkruar deri atëhere, të gjithë për sirtarin e kyçur. Isha stërvitur të jetoj si mërgimtar në të përditshmen time dhe si demiurg në letërsinë time. Ndjesia që përjeton në kohëra të tilla është e papërshkrueshme. Je gjithnjë e më i arrirë si shkrimtar dhe gjithnjë e më i vdekur si shtetas. E kam të pamundur të përfytyroj se ç’do të kish ngjarë me mua në zgripin që ndodhej në mes një atdheu letrar, të paprekshëm, por të pabotuar, dhe një atdheu të përditshëm, të dyndur nga tranzicioni. Ndoshta do të kisha vazhduar të shkruaja në heshtje e në vetmi të plotë, për të botuar pas kolapsit biologjik të klaneve letrare që ngatërrojnë pushtetin artistik me atë politiko-ekonomik. Ëndërroja të jepja letërsi në qytetin tim të lindjes dhe mbase do të kisha mbijetuar, – marr tani mbi vete krejt patetizmin e krahasimit që pason, – si bilbili i njërit prej rrëfimeve për time bijë kur ishte më e vogël. Një biblil që detyrohej të punonte me orë si qyqe prej druri, në sahatin e ndonjë muzeu, apo të ndonjë jete-kitsch. Për ca kohë, edhe në Rumani m’u desh të veproja kështu…
.
Ardian Christian Kyçyku - Si - Ballina
Ardian-Christian Kyçyku – Si – Ballina
Iolanda Malamen: Pas 1990-ës, kthimi në monarki do të kish qënë një bast i rrezikshëm, apo, përkundrazi: fatsjellës? Ardian-Christian Kyçyku: Ateizmi i detyrueshëm apo i përqafuar me zell mbushi me krenari të sëmurë dhe zbrazi nga mirësjellja stërgjyshore masa të gjera ballkanasish. Kthimi në një regjim monarkik do të kish nënkuptuar ringjalljen e vlerave të përhershme, çka është e mundur vetëm për Zotin, teksa vdekatarët janë mësuar t’i nënshtrohen kujtdo, të përgjërohen e të shkatërrohen mesveti, të shpresojnë dëshpërimisht vetëm në forcën e politikës, pa i rënë më të se mbretëria është një ritual dhe një prani gati-fetare, një mësim për t’u bërë i aftë ta harmonizosh shpirtin me hierarkinë hyjnore.
.
Iolanda Malamen: Ke një dashuri të madhe për letërsinë rumune. Çfarë të ka tërhequr në mënyrë të veçantë tek ajo? Ardian-Christian Kyçyku: Dashuria për kulturën rumune m’u përcoll fillimisht nga im atë që pat studiuar në Bukuresht gjatë viteve ’60, si dhe nga fakti që Rumania ishte një nga tri pikat themeltare të mërgimit për bashkëqytetarët e mi, krahas Amerikës dhe Greqisë. Shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, gjithashtu patën jetuar, patën shkruar kryeveprat e tyre dhe patën botuar sëpari në Rumaninë e viteve ’30. Do të shtoja edhe se kisha nisur të lexoja nga Eminesku qysh në vitin e parë të fakultetit, kur zgjodha që im atë të më mësonte rumanishten. Biblioteka e Fakultetit të Filologjisë ishte mjaft e pasur dhe atje gjeta një mburojë të fortë ndaj shpëlarjes së truve: lexoja në rumanisht, sidomos gjatë orëve të lëndëve që quheshin: marksizëm-leninizëm, realizëm socialist, histori e Partisë së Punës. Ishte një rumanishte magjepsëse, gjysmë e vërtetë, gjysmë e shartuar me shqip, me copëza iliro-trake dhe me shumë empati. Mbase do të shkruaj dikur për atë përvojë, e cila fitoi një tjetër përmasë misteri pasi leximi i disa shkrimtarëve të shquar rumunë nuk më zhgënjeu më vonë aspak.
.
Iolanda Malamen: Të ze ndonjëherë malli për rrëfimet e fëminisë? Ardian-Christian Kyçyku: I kam mbyllur llogaritë me mallin klasik, si të thuash. Nuk më mungojnë gjëra thelbësore, sepse kam qënë i detyruar t’i ringjall në libra dhe t’i përsos, por jo aq sa të humb lidhjet me realitetin e epërm. Rrëfimet e fëminisë më sollën një mrekulli tjetër kur fillova të ndeshesha, si çdo prind, me pagjumësinë e fëmijës. M’u desh t’i huazoj, t’i rimarr të gjitha rrëfenjat e bukura e të mençme nga kujtesa e gjyshërve, t’i sit mes kujtesës sime, t’i ritregoj në një rumanishte të stërpikur me idioma në shqip, e ngjashme me rumanishten e fakultetit, ndërsa më vonë, saherë fëmija më kërkonte rishtaz ndonjë rrëfenjë të pasuruar tashmë tej mase prej meje, mundohesha të mbërrija në gjendjen e saj fillestare dhe i “grabisja” hollësira kujtesës së sime bije, që të ringjizja rrëfenjën.
.
Iolanda Malamen: Më lodhën pyetjet. Nuk dëshiron të më pyesësh edhe ti diçka? Ardian-Christian Kyçyku: Po: çfarë pamje ka letërsia pas bisedave që ke kryer me aq shkrimtarë?
.
Ardian Christan - Kyçyku - Perla - Roman
Ardian-Christan Kyçyku – Perla – Roman
Iolanda Malamen: Është plot grimasa, pra edhe më reale. Do të doja shumë që të ribotoje kryeveprën tënde “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt” në një shtëpi botuese me emër. Është çasti që kjo epope e jashtëzakonshme të shohë sërish dritën e botimit në një tirazh dhe një shpërndarje që i meriton. Ardian-Christian Kyçyku: Në gushtin e 1998-ës, pasi lexoi botimin e parë të “Fisit…”, një kritik i shquar rumun më tha se, për nder të një libri të tillë, kultura rumune do të duhej të shtinte me topa. Ajo zyrtarja shtiu, por topat e saj kishin heshtje në vend të barutit. Sigurisht, gëzimi im që m’u dha të shkruaj “Fisin…”, kapërcen ndjeshëm çdo vlerësim, çmim a mirëpritje kritike. Asokohe kuptova edhe thelbin e kësaj marrëdhënieje të çuditshme midis një vlere të caktuar letrare dhe zyrtarisë. Është diçka e tipit: mua më është falur diamanti, ata ngurrojnë të më nderojnë me një grusht qymyri. Është më mirë të jesh gjallë dhe i numëruar mes të vdekurve, sesa e kundërta.
Nga një çast e tutje i këtij post vitam, fati i epopesë më la pas, ose në hije, por as unë nuk desha të ndodhë ndryshe. Mjafton që lexuesi i zgjedhur të ndjekë në libër marrëdhënien gjithnjë të paparashikueshme të njësisë ballkanike me Lindjen dhe Perëndimin, lojnat e shkretëtirës si hapësirë gjeografike e metaforike, mjetet që ngjizin e shformojnë mite, realitetet – “mish i gjallë” nga ku mishërohet letërsia e lartë, parabolën e ushtarëve të verbuar, apo atë studim të padukshëm të mekanizmave që ngrenë e shembin perandori (dhënë me shembuj nga perandoria osmane) – dhe unë e quaj të kryer punën time… Nëse do të ekzistonin edhe “vrima” të bardha, me të njëjtën fuqi thithjeje si ato të zezat, por me pjellori në vend të vdekjeprurjes, “Fisi…” është një e tillë, të paktën për mua, sepse ai mund të lindë edhe libra të tjerë, siç është binjaku i tij shqiptar, romani “Sy”, shkruar në 2003-shin, i cili ka pasur deri më tash pó tre botime… Në periudha përvujtnie të thellë, më ndodh të mendoj se qoftë edhe vetëm këta dy libra janë ca si shumë për jetën e një shkrimtari. Prandaj jam detyruar të huajsohem me kujdes të madh prej tyre, me qëllim që të dyja palët të kemi mjaftueshëm jetë e risí, por edhe ngaqë stërmundimet e vetëkapërcimit të vazhdueshëm më duken përdhosëse.
.
Iolanda Malamen: Përulem para talentit tënd, para dinjitetit, para fuqisë për të qënë ti vetë në një botë të shprishur dhe mjaft të mjerë, ku imitimi i vlerave praktikohet si të ishte sport… Ardian-Christian Kyçyku: Nuk harroj për asnjë grimë se letërsia nuk është avatari i Zotit, por vetëm një vegël e shpëtimit vetjak dhe e shpënies së shkallëzuar të bashkësisë drejt zgjimit dhe/ose lartimit. Përndryshe është njëlloj sikur të besosh se gjimnastika është vetë shpirti i atij që bën ushtrime. Pa modesti të shtirur, por krejt i vetëdijshëm për asgjënë e vetvetes, po të them, e dashur Jolanda, se bëhet fjalë për një hir e aspak për dhunti vetjake. E kur duam të flasim për hirin, më e mira është të heshtim. Ndoshta prandaj zëri gjendet edhe në variantin e tij të lëngët, të quajtur bojë shkrimi.
.
.
Marre nga Ziua (Dita), 3 nëntor 2008, f. 17, Bukuresht “Iolanda Malamen në dialog me Ardian-Christian Kyçykun”
 
 
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakMonumenti i Dosjes Nr. 793 – reflektim përtej skrupujve moralë nga Jozef Radi
Artikulli tjetërBatica e injorancës… nga Yzedin Hima
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.