back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Mit’hat Araniti: Pesë poezi… sa nji thesar nga Jozef Radi

Gazeta

Araniti 1936
Mit’hat Araniti 1936

Mit’hat Araniti:

Pesë poezi… sa nji thesar!

nga Jozef Radi

Ato janë pak… për dikë ndoshta fare pak… pse janë vetëm pesë poezi, kur të tjerët mund të kenë vandakë me vargje… e vandakë me libra…
Vërtet janë pak, por jo edhe aq pak, sepse aty asht liria kur ndër duar ke prangat, aty asht dëshpërimi kur në shpirt ke shpresën, aty janë qiejt kur ti je mbrenda mureve, aty asht dhimbja kur në buzët e tua asht melodia, aty asht nata e erret e qelisë po edhe drita magjike e poetit, që kapërcen gjithçka dhe jeton përtej mureve të lagta, përtej çnjerzores, përtej nënshtrimit…
Po t’i numrosh thjesht s’bajnë ma shumë se pesë gishta t’nji dore, po ato janë shumë ma tepër se nji libër, pse janë poezi të vërteta, të nji njeriu të vërtetë në nji kohë të vërtetë, që ishte e përbindshme…!! Janë poezi të përjetueme thellë në kushtet e qelisë, të gatueme gjatë prej mendjes dhe shpirtit të nji intelektuali klasi, të nji patrioti të pazhurmët, të nji njeriu që edhe heshtjen e kishte po aq magjike sa të folunën, të nji përkthyesi nga ma të papërmendunit… edhe pse ka përkthye mbi 150 libra nga gjitha fushat e kulturës, të nji njeriu që dha gjithë jetën e vet, dhe kurrë njiher s’pyeti se ç’ka po i japin atij…
Në kushtet e mungesës së plotë të lirisë dhe shpresës, Mit’hat Araniti shkroi këto pesë poezi të vetme të jetës së tij… që mbas leximit askush s’mund me thanë se janë pak, sepse ato mbeten nji sfidë e vërtetë e inflacionit të hipokrizisë poetike të atyne pesëdhjetë viteve…
Prandaj ato s’janë pak, edhe pse janë pesë poezi, pse vlefta e tyne brenda nesh mund të shumfishohet… mjafton diçka fare e vogël… shpirti!
(Arbëria, 10 prill 1993)

Çaste burgu…

Me kaltërsin’ e qetë të syve tu një ditë
Me kaltërsin’ e thellë si det i qetë në maj
më buzëqeshe ëmbël me zemër të pafaj
sikur të ishe ëngjëll përftuar hije-dritë

Me rradhë ditë të tjera kaluan një nga një
në rrjedhën e pamatë të kohës pa mbarim
porsi nji çast i vetëm në tërë kët amshim
një buzëqeshje e vetme dhe tjetër asgjë.

E di nëse krahrori të rreth gjithmon për mua
a vallë në zemrën tënde një tjetër ndjenjë u zgjua
në çastet ëndrrimtare mendimin s’ma mundon

Me kaltërsin’ e ëmbël të syve tu të qetë
në buzëqeshjen tënde që prap më kthen në jetë
unë prehem dhe gëzoj… më shpirti s’më kërkon!

Revista Arbëria 10 -1993
Revista Arbëria 10 -1993

Tufan…

Potershëm përjashta tufani tërbon
në natën e zezë si shpirt’i njeriut
dhe degët kërcasin si zë që rënkon
te fshikur furishëm prej erës dhe shiut

Me rradhë një nga një tërë dritat u shuan
dhe terri tmerronjës ka rënë mbi qytet
një dritëz e vetme akoma po ruan
dhe ngrohët ngushllon me flakën e vet

E njëjtë një dritë këtu brenda përgjon
dhe mes nji tufani keq epshesh shpërthyer
simbolesh përmbysur të ndrisi vazhdon.

Në mijra krahrorë rri ndezur kjo dritë
që terri s’ka shojtur, rënkimet ushqyer
janë mijra krahërorë që presin nji ditë!

Hymn

Mure, mure rreth e rrotull mure
Tiran, ti varrin i pregadite lirisë
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran, prangat i farkëtove njerzisë.

Pandehe të shuash etjen për liri
frymën që ushqen në botë çdo krijesë
gjënë më të shenjtë që ka çdo njeri
Dhe për hir të asaj që pranon të vdesë.

Mure, mure rreth e rrotull mure
tiran fuqizove etjen për liri
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran u dhe shkas fatosave të ri.

Aq sa mundet era të pushojë zjarrin
sa mërgimi mallin që kemi në gji
po aq mundën prangat shpresën të na marrin
të na shuajnë etjen, etjen për liri.

Mure, mure rreth e rrotull mure
tiranë do rrafshoheni një ditë me tërbim
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiranë do shpërthehen një ditë me rrëmbim.

Atherë do buçasë kënga e lirisë
në çdo kënd të botës, kudo që të jetë
Pa mure, pa pranga, pa frik’n e robrisë
Njeriu do të jetë njeri i vërtetë!

Wynn Bullock - Dielli, Fotogram, 1970
Wynn Bullock – Dielli, Fotogram, 1970

Rreze dielli

Lehtë drithëruar, sikur ta ket ndjerë
që edhe ajri i mbyllur brenda kësaj qelie
eshtë ajr i dënuar, i çveshur çdo lirie
dhe ka shok të vetëm një njeri të mjërë

Nga dritarja ime, nga dritarja vrimë
lart atje mbi mure sa s’arrin me dorë
nëpër gardh’n e hekurt thurur tërë katrorë
hyn një rreze dielli dhe ngroh shpirtin tim.

Mes mureve të ftohta, hapsirës plot lagshti
udhë-tymi kaltëruar, plihur i praruar
shkon dhe përkundruall, mbi murin e shkretuar
katrori i ndezur ar, shkëlqen plot magji.

Ndarë nga bot’e tërë, në heshtjen e vetmisë
larg zërave të dashur, fytyrave që dua
larg çdo rrahje zemre, që rreh dhe për mua
mes hijeve të ftohta, mes mureve të qelisë

Një valë mallëngjimi më rrëmben fuqishëm
dhe tretem në soditje. Dalngadalë pastaj
mua mendja m’arratiset dhe lehtë mbi krahët e saj
lëshohem në hapsirë, e bredhërij hareshëm…

.

Mit'hat Araniti 1992
Mit’hat Araniti 1992

Ndajnatë…

Ndajnatë kur mbi natyrë zë ungjet tis’i muzgut
dhe tej nga horizonti ndezur flakëruar
mijë ngjyrash në venitje, diell’i perënduar
hedh një “lamtumirë” mbi kangjellat e burgut

Një ndjenjë e paemër, diçka si dhembshuri
si ngjyrë në venitje, e vakët e pa caktim
pret dritën që po vdes, për ditën pambarim
thuaj shpres’e ime fundit, më shtrëngon në gji

Por vetëm për një çast, se thellë shpirtit tim
Një flakë që është shuajtur, një flakë që përvëlon,
ushqen një tjetër ndjenjë, ushqen një besim!

Pandalshëm do vijë dita, më kot errsira vuan,
si diell’i perënduar, që diell përsëri agon
ashtu dhe flakën time s’ka natë që e shuan…

(Arbëria, 10 prill 1993)

***
Këto poezi antologjike të Mit’hat Aranitit, nji prej intelektualëve të njohur të viteve ’30, dhe nismëtar i letërsisë dialektale, me pseudonimin e tij të famshëm “Rrem Vogli prej Rrashbulle”, janë shkrue gjatë periudhës së tij burgut 1945-1955. Dy prej tyre janë sonete. Ajo çka vlen për t’u shënue në këto poezi te ralla, asht fryma e shpresës dhe lirisë se nji i intelektuali të thellë dhe largpamës… Edhe pse ai ndodhej në qelitë e lagshta të burgut… shpirti i tij asht i lirë…
Këto janë të vetmet poezi që ai pat shkrue dhe mbeten perla të poezisë shqiptare… jr

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. E pata njohur të ndjerin Mit’hat Aranitasi në Dushk, kur shërbeja si mjek në fermën “29 Nëntori” i rekomanduar nga dr. Isuf Hysenbegasi. Pozicioni im si mjek më lejonte të bisedoja (gjoja për probleme mjekësore) edhe me të përndjekurit politikë nga regjimi gjakatar komunist i Hoxhës, pa e ditur ata se edhe unë nuk shikohesha aq mirë nga partia-shtet. Ai njeri, gjatë bisedës, rrezatonte mirësjellje, kulturë dhe dinjitet. Nuk dija që paskërka qenë edhe poet, por sot me publikimet e poezive të tij nga Ju z. Radi, ndjehem mirë që rastisi ta njoh atë njeri të rrallë, intelektual dhe poet nepërmjet poezive të tij tërë ndjenjë, urrejtje për regjimin dhe optimizëm.
    I paharruar kujtimi dhe vepra e tij!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.