back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Mirënjohje, për një Loke punëmadhe, Nanë Gjyste Ivezaj – nga Pertefe Leka

Gazeta

Gjyste Ivezaj
Gjyste Ivezaj
 I nderuem Jozef
ju shpreh mirënjohje për punën e vyer në paraqitjen e artikujve
me vërtetësi historike dhe përmbajtje thellësisht kombëtare,
nepërmjet portalit tuaj. Kam mësuar shumë, sidomos për personalitete të shquara,
të mohuara gjatë periudhës së errët të diktaturës, që ju i keni evidentuar mjeshtërisht.
Shkrimi në fjalë, asht për dy njerëz të thjeshtë, punëtorë e patriotë,
nga Malësia e Madhe, e ndarë jashtë kufijve shtetërorë,
që ruajnë traditat e shqiptarëve të vërtetë,
janë një vlerë e çmuar për Etnografinë shqiptare.
Ju uroj shendet e mbarësi.
Respekt Pertefe
.
Pertefe Leka
Pertefe Leka

Mirënjohje, për një Loke punëmadhe, Nanë Gjyste Ivezaj.

nga Pertefe Leka

Heroina e kohës moderne që ruan në shtëpinë e saj një thesar “Muzeun Etnografik”.
Kam pasur fatin ta vizitoj shtëpinë e Zotit Shtjefën Ivezaj, së bashku me zonjën Drita Ivanaj.
Ishim të ftuara në Tuz, ku ishte organizuar një konferencë për të nderuar vëllezërit Ivanaj.
Me këte rast vizituam Trieshin, ku ishin varret e të parëve dhe kulla shekullore e fisit Ivanaj dhe prej aty, na drejtuan të shihnim muzeun në Lekaj të Tuzit.
Ishte një surprizë e bukur dhe e paimagjinueshme se si një shtëpi e vogël njëkatëshe, ku jetonin dy të moshuar, ishte muze. Ishte shumë i nderuar z. Shtjefën dhe i kishte dalë zani për punën e madh që kishte ba në mbledhjen e relikeve, sende të vjetra, me të cilat kishte krijue muzeumin me mjete të përdoruna në periudha të ndryshme, për t’ua lënë trashigim brezave.
Aty e parafytyroje banorin e malit që i kishte punue këta mjete, të cilat transmetonin, mendjen e urtë, bujarinë, trimërinë, nderin dhe Idealin shqiptar. Aty gjeje shpirtin e kombit, traditat e gjyshërve, shqiptarin e vrullshëm për natyrë por edhe të durueshëm në vuajtje.
Pritja që të bënin zoti Shtjefën e Nanë Gjystja me fjalët e bukura shqip: “Mirëse ju ka pru Zoti, e kjoshi faqebardhë!”, tingëllonin ëmbëlsisht.
.
Muzeumi i Familjes Ivezaj
Muzeumi i Familjes Ivezaj
Kur hyje mbrenda dhe shikoje ato relike të mbledhura me kujdes dhe të vendosura me estetikë në mure, në dysheme e deri në tavan të zgjerohej, pra syve ajo dhomë e vogël.
Nëse do të ruheshin në kutija xhami ato relike, si në muzetë klasike, do të duheshin dhjetra kate t’i shtoheshin asaj shtëpie, por jo, ata i kishin mbushur të gjitha hapësirat që vetëm ata dy njerëz me zemër të madhe dinin t’i bënin.
Nanë Gjystja të shoqëronte dhe të shpjegonte me urtësinë e saj për ata sende që i përkisnin më shumë asaj, sidomos për furkën, për saçin, për buljerën e shtamat e ujit, për djepin… por më shumë për xhubletën. Aty u ndala edhe më shumë, duke ditur se xhubletën, këte relike të vyer, e ka vetëm Malësia. Duke ditur se ajo veshje është krenaria e kulturës sonë të lashtë sepse përfaqëson veshjen më të hershme të qytetërimit Ilir, kërkova të di edhe më shumë.
Aty me zuri syri një mjet të vogël prej druri që rrotullohej dhe bashkonte tre fije që merrnin formën e një shiriti.
Pastaj siç ma shpjegoi nanë Gjystja, shiritat qepeshin me mjeshtëri në mënyrë horizontale për të krijue xhubletën në formën e kumonës së valëzueme.
.
Muzeu Etnografik i Malësisë
Muzeu Etnografik i Malësisë
Në pamjen e jashtme, Nanë Gjystja, si në trup, në ecje edhe në veprime të kujtonte Nanë Terezën.
Në atë mori sendesh nuk pashë vendin ku ajo pushonte, për moshën që kishte, për punët e rënda që bënte, duhet ta kishte një qoshe për rehati. Ajo ishte gjithë ditën në lëvizje me një pupël në dorë që përkëdhelte ata sende të varuna rreth e rrotull që tregonin shumë. Ajo malësore stoike ishte adaptuar me ato mijëra dekore që e rrethonin përqark, ishte shkrirë me to dhe aty mes tyre ndihej mirë.
Ajo ishte një grua e thjeshtë, por që kishte bërë shkollën, në shtëpinë e saj. Ajo ishte edhe mësuesja edhe nxënësja e asaj shkolle me drejtor bashkëshortin e saj, zotin Shtjefën.
Ajo nuk i ndahej të shoqit, e respektonte dhe e dëgjonte me kënaqësi, kur Ai u shpjegonte vizitorëve në detaje, vendin ku i kishte gjetur ata sende të çmuara, kohën kur ishin përdorë lëndën dhe mjetet me të cilat i kishin punuar etj. Zoti Shtjefën ishte një ciceron i vërtetë, ishte historian që e kishte harmonizuar më së miri kohën e vjetër me të renë. Këtë e plotësonte nepërmjet fotografisë, një pasion tjetër i tij, e për këtë ruante një koleksion aparatesh fotografikë të periudhave të ndryshme.
Shtjefën Ivezaj nuk kishte tituj shkencorë, por hulumtimet e tij për të vërtetuar historinë e bënin që tashmë t’i kishte fituar ata. Me zgjedhjet që kishte renditur në atë shtëpi-studio, ia ka bërë gati studiuesve, lëndën e parë. Aty mund të shkojnë e të ulen studentët në ato ndejset prej druri të gdhendura me mjeshtëri, ku janë ulur të urtët në kuvendet e Malësisë dhe të dëgjojnë të urtin Ivezaj. Ai është në një drejtim me Gjeçovin, që për nga ngjashmëria i bashkon edhe emri, Shtjefen, prej të cilit mëson shumë.
Aty mund të dëgjosh për traditat e banorëve të Cemit, siç i ka cilësuar Patër Anton Harapit të “Andrra e Pretashit” se Hoti, Gruda dhe Trieshi janë të përmendun për gisht e trimni, për urti dhe bukëdhënës.
Aty do të gjesh armët e trimave të Dedë Gjo Lulit që flasin dhe tregojnë historinë e lavdishme te Malësisë Madhe dhe të popullit shqiptar. Aty të priste Sofra prej druri ku rrethoheshin miqtë të mirëpritur me bujari me shpehjet e bukura “mirë se ju ka pru Zoti!” “bukë e krypë e zemër!”. Kur vështroje xhubletat shekullore të ekpozuara të dukej. sikur po shihje burrneshat dhe malësoret luftëtare si Tringa e Nora me shumë shoqe. Gjithë ajo panoramë e ngjeshur me orendi, ishte harmonizuar me tingujit e Lahutës e çiftelisë, aset i vyer i kulturës sonë, që rapsodët i këndonin heronjve dhe virtyteve të larta të tyre.
Në atë mrekulli që kishin krijuar bashkëshortët Ivezaj, mungonte një njeri që t’i shkruante të gjitha shpjegimet që tregoheshin prej tyre, aq me tepër që gjithë ky aktivitet zhvillohej jashtë kufijëve të Shqipërisë. Dikush duhet ta ngrejë zërin për t’i dhënë vlerën e një institucioni dhe t’i ofrojë investimin e nevojshëm, që të mos humbasi kjo trashëgimi.
.
Nderohen Gjyste & Shtjefen Ivezaj
Nderohen Gjyste & Shtjefen Ivezaj
E gjithë kjo ishte pasuria e dy bashkshortëve, modestë e bujarë që do t’ua linin brezave, me krenari kombëtare.
Vitet po i rëndojnë të moshuarit, deri tani, ata të dy bashkë, kanë folur e treguar, në emër të relikeve, po në vazhdimësi, kush do t’i mirëmbajë, kush do ta ruajë atë muze pa financë!?
Është një rast shumë i rrallë, një sakrificë sublime e vetëmohuese e dy prindërve që përveç rritjes dhe edukimit të fëmijëve të tyre biologjikë po e shtrijnë edukimin e tyre ndër breza për njohjen e kulturës, të zakoneve e dokeve dhe virtyteve ma të mira që trashegojmë nga të parët tanë.
Jemi mësuar t’i shohim në fotografitë e Marubit veshjet e bukura të Malësisë apo relike të tjera të çmueshme dhe jemi mrekulluar, por në Shtëpinë e Ivezajve, ato relike i sheh me sy dhe i prek me dorë, ato flasin edhe ma shumë. Për atë muze duhet të mendojnë më shumë autoritetet shtetërore, shoqatat e ndryshme, në të dy anët e kufirit për ta ruajtur dhe mirëmbajtur atë pasuri kombëtare. Nuk mjaftojnë fletët e mirënjohjes por duhet përkrahje konkrete.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.