Ministri i arsimit të Mbretërisë, dhe ministrat e tranzicionit shqiptar – nga Gëzim Zilja

0
11
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Lazer Radi - "Ministri i Hekurt - Mirash Ivanaj"
Lazër Radi – “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj”

Ministri i arsimit të Mbretërisë,

dhe ministrat e tranzicionit shqiptar

nga Gëzim Zilja 

Në këtë shkrim dua të kujtoj gjestin e rrallë të ministrit Mirash Ivanaj, dorëheqjen e tij, kur mbreti “hëngri” fjalën e dhënë, pasi i kërkoi të bënte lëshime në reformat arsimore, që ai ndërmori gjatë viteve 1933-1935. Në një shtet ku mbizotëronte padija dhe korrupsioni, me probleme të panumërta ekonomike, ku varfëria dhe sëmundjet gëlonin gjithandej, ku shkollat shtetërore ishin të pajisura keq dhe mësuesit ishin të paktë, shkollat private sidomos ato greke e italiane ndiqnin një politikë antishqiptare, ai guxoi: i kërkoi mbretit reformim rrënjësor të arsimit shqiptar dhe liri të plotë për zbatimin e platformës së tij. Mbreti pranoi. Në kujtimet e vlonjatit Beqir Sinani, një njeri i ditur, nga ndihmësit më të ngushtë të Ivanajt, në hartimin e platformës për arsimin fillor, lexojmë: “…Kjo punë (hartimi i platformës. Shën. im.) bëhej jashtë jashtë orarit zyrtar sidomos natën. Punonim deri më 9-10 të natës dhe atëherë shkonim në shtëpi…”
Qëllimi i reformës së Ministrit Ivanaj, ishte që shkolla shqipe të kishte karakteristikat dhe fizionominë e saj, të ishte laike, shtetërore, kombëtare e demokratike, me tekste bashkëkohore të ngjashme me shkollat e perëndimit dhe të edukonte e orientonte në atë drejtim brezin e ri. Këto ide kërkoi të sanksionoheshin me ligj dhe në shumë raste ia arriti qëllimit edhe për shtetëzimin e shkollave private, veçanërisht ato italiane dhe greke. Beqir Sinani shkruan në kujtimet e tij: “…Me veprimin përmbysës, me stilin e punës së tij, ai kishte prekur shumë interesa të rretheve reaksionare të fashizmit dhe ndihej se regjimi mund të kthente situatën e mëparshme…” Mbreti nën trysninë e disa ministrave të tij, intrigave të oborrit, sidomos të reaksionit italian dhe atij grek, këmbënguli të bëheshin disa lëshime përfshirë dhe ato lidhur me shtetëzimin e shkollave private. Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, besnik i parimeve të veta nën moton: “Frangar non flektar!” (thyhem por nuk përkulem) nuk pranoi të bënte asnjë ndryshim në platformën e tij. I papërkulur, i bindur thellësisht në parimet e veta atdhetare, pa shumë fjalë e justifikime, pas një pune titanike dyvjeçare për reformimin e arsimit shqiptar, më 30.07.1935, i dorëzoi kryeministrit dorëheqjen. Ai shkruante: “…Tue qenë i bindur vetëm në shkolla të shtetit, pa asnjë cënim të së drejtës individuale ose kolektive, djelmënia shqiptare mund t’edukohet si e tillë dhe të fitojë si ndjesinë kombëtare, e ndërgjegjen shqiptare ashtu dhe moralin shoqnuer dhe disiplinën shtetnore në kuptimin e sakrificit për Atdheun dhe për Mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministruer, e të pranoj çfarëdo ndryshimi. Për këtë arsye kam nderin të Ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Arsimit.
Mirash Ivanaj d.v.30.07.1035.” 

Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues - Shkoder 1927
Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues – Shkoder 1927

Gjatë leximit të jetës së tij, në librin shkruar nga Lazër Radi, hoqa një paralele me ministrat e arsimit këto tridhjetë vjet, që mendoj se kurrkush nuk ua mban mend emrat. Gropa ku e ka zhytur politika dhe ministrat arsimin është e frikshme. Cili nga njëzetë a tridhjetë ministrat e tranzicionit kanë paraqitur te Kryeministri, kur kanë marrë detyrën (me përjashtim të viteve 1992-1996, kur ndodhi depolitizimi i arsimit) një platformë, ku të shkruheshin qëllimet, objektivat dhe reformat, që kërkonte të zbatonte? Edhe kur janë larguar apo zëvendësuar asnjë nuk ka dhënë llogari për atë çfarë bëri e nuk bëri. Cili nga ata ngriti zërin për një problem të vetëm serioz për çështjet arsimore para kryeministrit, dha dorëheqjen ose bëri publike ankesën se po pengohej në reformat e tij? Edhe dorëheqjen e kanë bërë se ia ka kërkuar kryeministri dhe kanë ikur me bishtin ndër shalë si një njerëz pa nder, pa dinjitet, pa integritet e ambicje profesionale, por me portofolin e stërmbushur?! Duhet të pranojmë me keqardhje, që ministrat e arsimit janë emëruar në detyrë jo për profesionalizëm, përkushtim ndaj arsimit kombëtar, apo reformatorë, por për përkatësinë partiake, si jesmenë e eunukë besnikë të kryeministrave përkatës. Gjithë puna e ministrave ka qenë e përqendruar te emërimet e vartësve, rregullimin dhe qokat ndaj njerëzve të afërm, porosive të partisë për të punësuar militantët, kujdesit parësor për tenderat dhe favore të tjera. Në këto 30 vjet të “mbretërimit” të ministrave të llojit myqerem, janë dhënë lincenca për universitete, faktikisht kioska, që shisnin diploma si shitet gjiza e kosi në bulmetore. Në arsimin parauniversitar janë dhënë e jepen lincenca shkollave me ambjente skandaloze, ku notat i vendos pronari, mësuesit trajtohen më keq se hamenjtë në tregun e shumicës së fruta-perimeve, me pagesa minimale mbi e nën dorë, e qëllim kryesor janë fitimet e pronarit etj. etj. Në sistemin arsimor të sotëm edukimi moral, qytetar, dashuria për familjen, atdheun, kulturën, traditën e historinë është në kuotat më të ulta. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që rinia dhe ajka e inteligjencës shqiptare ikën e ikën pa kthyer kokën mbrapa.  

P.s. Prokurori komunist Bedri Spahiu: Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua? 
Mirash Ivanaj: “Jam nji mendimtar dhe nji demokrat, që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja po të njëjtën rrugë…” 
Mirash Ivanaj, vdiq nga në burgun komunist më 1953, pak ditë para se të lirohej. 
.
Citimet janë marrë nga libri i Lazër Radit: “Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj” – Durrës 2018. Sh. Bot. “Jozef” J. Radi. 
Botuar me 5 nëntor 2021 në “Telegraf”

Related Images:

Artikulli paraprak8 nëntor 1941 – 80 vjet më parë… -nga Saimir Kadiu
Artikulli tjetërA e din se… – poezi nga Rozafa Shpuza
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.