back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mikromegasi… i Voltaire-t nga Klodi Stralla

Gazeta

Voltaire (1691-1778)
Voltaire (1691-1778)

Mikromegasi… i Voltaire-t nga Klodi Stralla

Në përkujtim të 320 vjetorit të lindjes të Volteri

Nuk e kujtoj ekzaktësisht se kur e kam lexuar tregimin filozofik të titulluar “Mikromegasi”, shkruar nga Volteri në Berlin, në vitin 1752, por jam i sigurt se ka qenë pas përfundimit të studimeve të mia universitare në degën e fizikës, sepse meë ka lënë mbresë të thellë koncepti relativist i tij mbi hapesirën dhe kohën, që vetëm mbas 150 vjetësh u bë objekt studimi shkencor nga Einshteini në Teorinë e tij të Relativitetit. Volterit i pëlqenin subjektet me udhëtime të jashtëzakonshme imagjinare, sepse kjo formë shkrimi i jepte mundësi të reflektonte në mënyrë kritike rreth shoqërisë, fesë, moralit, filozofisë dhe pa dyshim shkencës së epokës ku jetonte. Tregimi “Mikromegasi” na përshkruan vizitën në Tokë të dy qenieve jashtëtokësore, që vinin prej shumë larg: njeri ishte Mikromegasi, banor i një planeti të yllit Sirius, kurse tjetri ishte sekretari i Akademisë së planetit Saturn. 
Që në fillim të tregimit Volteri na thotë se Mikromegasi ishte një gjigand 39 km i gjatë, i ri në moshë, por i thellë në dije, falë 1000 shqisave që zotëronte (kujtoni njeriu ka vetëm pesë të tilla!!). Ai ish detyruar ta braktiste planetin e vet nga konflikti që kish pasur me klerikët fanatikë vendas rreth disa punimeve të tija shkencore. Ai ndërmori kështu një udhëtim në Univers për “të plotësuar dhe përsosur më tej mendimet dhe ndjenjat”. Me të mbrritur në planetin Saturn, ai u habit nga banorët xhuxhë që ishin vetëm 2 km të lartë, por kjo habi ia la vendin një refleksioni të thellë kur konstatoi se “për një qenie që mendon, nuk kish fare rëndësi gjatësia e saj”. Aty, ai u miqësua me sekretarin e Akademisë, një xhuxh saturnian dhe së bashku ja filluan diskutimeve të zjarrta për të përbashkëtat dhe dallimet midis tyre. Mikromegasi ja mbushi mendjen shokut të tij ta shoqëronte në udhëtimet e tij në Univers, dhe kështu së bashku vizituan Jupiterin, Marsin dhe së fundi mbrritën në Tokën tonë. Fillimisht menduan se planeti duhej të qe i pabanushëm, sepse shtati i tyre gjigant nuk i lejonte të kapnin asgjë, ashtu si i ndodh njeriut tokësor që me sy të lirë nuk mund t’i shohë mikrobet. Kur përdorën një copë diamant si mikroskop ju zuri syri një balenë dhe më pas një anije. Mikromegasi e kapi me gishtërinjtë tij gjigandë dhe u gëzua kur pa se ishin njerëz (kujtoni qiklopin Polifem dhe Odisenë). Por habia e tyre nuk kish të krahasuar kur, në bashkëbisedim me ekuipazhin e anijes, konstatuan se këto “insekte” inteligjente, që rastisi të ishin shkencëtarë, e maten fare kollaj gjatësinë e secilit prej tyre, ndonse ajo ishte disa mijra herë më e madhe se ata. Këtë nuk e kishin parashikuar! Biseduan gjatë për shkencë e metafizikë me këta “mikrobe” inteligjente, por nuk arrrinin të kuptonin vetëm një gjë: besimin që ata kishin tek një Zot i pafundëm dhe i gjithpushtetshëm, që sipas tyre, kishte krijuar Universin dhe Botën e tyre, me të vetmin qëllim për t’ua bërë dhuratë njerezve! Të lodhur dhe të keqardhur me këto “insekte” plot paragjykime për veten e tyre, të Dy Gjigandët vendosën ta braktisin Tokën dhe të vazhdojnë udhëtimin e tyre qiellor, duke lënë në Tokë një Libër, që për tokësoret ishte i pakuptushëm…

Mikromegasi - Personazh i Voltaire-t
Mikromegasi – Personazh i Voltaire-t

Nëpërmjet këtij tregimi imagjinar por filozofik, Volteri do t’u thotë bashkëkohësve të vet se Metafizika është një gjë e kotë, sepse Njeriu nuk mund t’i gjejë kuptimin Universit, duke qenë pjesë e tij. Ai duhet të heqë dorë nga pretendimi për të zbuluar të vërtetën absolute, se arsyeja e botës e tejkalon inteligjencën njerëzore. Ata duhet t’i përkushtohen Arsyes dhe Shkencës për të përmirësuar jetët e tyre tokësore. Edhe emri i personazhit qendror të tregimit “Mikromegasi” nuk është i rastësishëm. Nga greqishtia “micros” i vogël dhe “ megas” i madh, nënkupton që kjo Qenie inteligjente është njëherazi edhe e vogël… edhe e madhe, sepse gjithcka tek Qenia që mendon, është relative, si të jetë në Tokë, në Saturn, në Mars apo në Sirius. Nuk ka asnjë rëndësi nëse Mikromegasi i Siriusit ka një shtat dhe gjymtyrë prej disa kilometrash, sekretari i Saturnit prej disa qindra metrash apo njeriu i Tokës vetëm 1.8 metra; nuk ka asnjë rëndësi nëse Mikromegasi i Siriusit do të jetojë disa mijra vjet tokësore, sekretari i tij i Saturnit disa qindra vjet apo njeriu i Tokës vetëm disa dhjetra vjet… Të gjitha këto janë madhësi relative, në përpjestim me mjediset ku ata jetojnë. Por ajo që ka rendësi është Mendimi dhe Ndjenja e tyre, e para si busull për t’u orientuar në këtë Univers, pa dogma dhe paragjykime, dhe e dyta, për t’i dhënë atij jetë dhe dashuri njerëzore. Kësaj mënyre të menduari i shkon më shumë se askush tjetër thënia e filozofit Paskal që thoshte: “ Nuk është i madh Universi, por i madh është Mendimi që e mat atë!”

Ps – François-Marie Arouet (1694-1778), i njohur me emrin e penës – Volter, ka qenë ndër përfaqësuesit kryesorë të Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete. Volteri ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, që ironizonin sistemin dhe mbretin ai disa herë u dënua me burgim ose mërgim… (Marre nga miri i fb i autorit 21 nentor 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.