back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

Konferenca e Bujanit dhe politika e rikthimit të Kosovës nën Serbi e Jugosllavi (1941-1945)

Gazeta

Historiani Romeo Gurakuqi
Historiani Romeo Gurakuqi

Konferenca e Bujanit

dhe politika e rikthimit të Kosovës nën Serbi e Jugosllavi

(1941-1945)

nga Romeo Gurakuqi

Thelbi i punimit lidhet me procesin e rikthimit ne Kosoves nen Serbi, që në pikëpamje të zhvillimeve të brendshme shqiptare, dhe raporteve nderkomuniste shqiptaro-jugosllave, e ka fillesen në politiken bashkëpunuese të Hoxhës me Titon që në Bujan.
Në vitin 1941, Jugosllavia, pas pushtimit nga Gjermania naziste, u copëtua dhe Kosova u inkorporua në Shqipërinë e pushtuar nga Italia. Termi Kosovë asokohe është aplikuar në tri mënyra: a) Me Kosovë kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar; b) Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në Veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (dmth të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me perjashtim të disa1) fragmenteve në Veriperëndim, të marra nga Mali i Zi dhe2) në disa hapësira në Veriperëndim të Maqedonisë në pjesën jugore të territorit të aneksuar); c) Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë-Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë ose siç thirret ndryshe nga shqiptarët Rrafshi i Dukagjinit). Hapësira e referuar si KOS-MET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë (PRO.WO.204.9428, From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6/ 68 of 5th March.) Me riintegrimin në Shqipëri, irridentizimi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye më anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë.
Italianët krijuan “Gardën Shqiptare të Kosovës” nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës” nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit. Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputetë të parlamentit jugosllav (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6/68 of 5th March. Enclosure, Draft “Kosovë”.)
Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Pas kapitullimit të Italisë, në Kosovë u krijua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmë-autonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, me 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte mbrojtja e “Territoreve të Çlirueme”, ashtu sikurse edhe e territoreve të tjera që i përkisnin më parë ish Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë qëllim kjo organizatë do të mblidhte të gjitha dokumentet të cilat provonin se këto territore ishin të përkatësisë shqiptare dhe do të organizonin popullsinë, fizikisht dhe moralisht, për mbrojtjen e kësaj teze. Autoriteti territorial i kësaj organizate do të shtrihej mbi të gjithë territoret që më parë bënin pjesë në ish Mbretërinë e Jugosllavisë së dezintegruar nga gjermanët pas pushtimit më 1941. Të gjitha rajonet malore brenda linjës së kufirit të vitit 1913 të cilat ishin përdorur më parë për mbrojtjen e qyteteve të Gjakovës, Prizrendit dhe Dibrës së Madhe, duke qenë se eknomikisht, politikisht dhe gjeografikisht të lidhura ngushtësisht me të njejtët, mund të merrnin pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Nga pikpamja e ndërtimit institucional, kjo organizatë përbëhej nga: a) Këshilli i Lidhjes me qendër në Prizren, i përbërë nga delegatë nga secila qendër administrative (Prefekturat/ Nën-prefekturat); b) Komiteti Qendror me seli në Prizren, i përbërë nga 14 anëtarë. Ishte parashikuar që Presidenti i Lidhjes të aprovohej prej Këshillit të Regjencës mbi bazën e propozimit të Kryeministrit të Shqipërisë. Në marrëveshje me Komandën e Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, kjo organizatë angazhonte zyrtarë dhe oficierë si instruktorë, të cilët vendoseshin sipas rankut të tyrë, në dispozicion të komiteteve të ndryshme. Detyra e Lidhjes së Dytë të Prizrenit: a) Të organizonte propagandë intensive me qëllim përgatitjen morale, materiale dhe fizike të popullit për mbrojtjen e tokave të veta; b) Të bëhej gati për luftë diplomatike në Konferencën e Paqes, nepërmjet mbledhjes së të gjithë dokumentacionit që provonte se këto territore kanë qenë dhe janë shqiptare; c) Të organizonte aparatin e vet adminstrativ, sipas kushtetutes, në të gjitha ato territore ku autoriteti i tyre shtrihet; d) Të organizojë stërvitjen e atyre që janë në moshën para ushtarake në përputhje me ligjin ekzistues; e) Të organizonte stërvitjen e të gjithë burrave deri në 60 vjeç. Organizata kishte edhe organizimën e vetë ekonomike dhe mbajtjen finainciare të saj. Të gjitha marrëdhëniet në mes kësaj organizate dhe qeverisë kryheshin përmes Zyrës së Kryeministrit. Organizata kishte vulën me fjalët Lidhja e Dytë e Prizrenit (Lidhja e II e Prizrenit) dhe emrin e zyrës, (PRO.FO.371.43553, R 15054, Boxchall to Laskey, B8/1/293, Constitution of the Second League of Prizrend as aproved by the Council of Regents on March 14, 1944.)
Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, Dr. Xhafer Deva u bë Kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe Komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme.
Për arsye se vendet gjermane kishin qenë ndër kohë mbështetëse të krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste, një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet, se në Kosovë mbështetja për partizanët, me frymëzim sllavo-komunist ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar. Vetë KOSMET, organizata nacional-çlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t’i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave, të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu, kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë), (krahinen e Preshevës) dhe në (Shqipërinë verilindore). Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullore në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito, ( PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6/68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”). Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Enver Hoxhës, që të vendosej nën urdhërat e Titos, me zonën e Kosovës si sferë të saj të ndikimit (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 16).
KOSMET përbëhej në anëtarësi, gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha. KOS-MET ka qenë detyruar të përkufizohej në aktivitetin e vet brenda sferës politike, më synimin kryesor uljen e ndjenjave antiserbe në mes kosovarëve. Në janar të vitit 1944 në Bujan, fare pranë kryeqendrës Kolgecaj të Malësisë së Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish deputetë të parlamentit jugosllav. Në konferencën e muajit janar 1944. që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President – Mehmet Hoxha, Nënpresidentë Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez), anëtarë: Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosën që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe tek Marshalli Tito. KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqë, (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6/68 of 5th March).
Deri në verën e vitit 1944 KOSMET nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet me karakter ushtarak, ndërsa në gushtin e vitit 1944 KOSMET, në hapësirën në mes Pejës dhe Gjakovës, u bashkua me Brigadën e Parë Kosovare nga Maqedonia. Megjithatë, forcat partizane në Kosovë mbetën të dobëta dhe nuk arritën të ofronin ndonjë rezistencë për t’u shënuar.
Lëvizja më e rëndësishme e rezistencës ka qenë ajo e ndërtuar nga Gani Kryeziu, një pronar i madh tokash nga zona e Gjakovës. Marrëdhëniet në mes KOSMET dhe Gani Kryeziut kanë qenë korrekte dhe operacionet rastësore ushtarake janë kryer së bashku, por për shkak të refuzimit të tij për t’u bashkuar me KOSMET, ai u kërcënua nga forcat partizane të kësaj organizate dhe më vonë, në fund të vitit 1944 jeta e tij do të rrezikohej tmerrësisht nga bashkëpunimi i UNÇSH dhe UNÇJ. Më tej, përpjekjet e UNÇJ për të dërguar trupa në Kosovë nuk kanë qenë të suksesshme. Kjo sepse rezistenca që u bënë atyre rojet kufitare kosovare ka qenë shumë e fuqishme dhe në muajin maj 1944 korpusi i dytë i UNÇJ, në përpjekje për të hyrën në Kosovë përmes Malit të Zi dhe në korrik 1944 forcat serbe të drejtuara nga Gjeneral Lejtnanti Popoviq, duke përparuar prej veriut të Gjilanit, u sprapsën nga forcat qeveritare kosovare (nënkuptoj forcat e qeverisë shqiptare). Për shkak të kësaj disfate pothuajse të plotë në Kosovë dhe brutalitetit të kosovarëve kundrejt kolonistëve serbë, pjesa më e madhe e partizanëve jugosllavë krijuan një pamje krejt pesimiste për mundësinë e fitores me anë paqësimi mbi kosovarët. Në përgjithësi, opinioni i pjesës më të madhe të partizanëve jugosllavë, të cilët patën të bënin shumë me shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës, mes të cilëve shquhet Vukmanovic Tempo, shpesh patën deklaruar se ata ishin banditë të pakorrigjueshëm, të cilët duhet të çohen në hell me metoda të ashpra kur vendi do të çlirohet, (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Kjo ndoshta është pikënisja e politikave të ndjekura në vijim nga komunistët jugosllavë ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare në këtë anë të Ballkanit.

Enver Hoxha - Miladin Popovic - Marshalli Tito
Enver Hoxha – Miladin Popovic – Marshalli Tito

Rikthimi i Kosovës nën Serbi:
Marëshalli Tito më 4 dhjetor 1943 shpalli një komunikatë sipas së cilës “e ardhmja e Kosovës do të vendosej prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë së pas luftës me Jugosllavinë, në qoftë se do të ishte e nevojshme, do të rregullohej në të mirë të Shqipërisë”. Kjo ka qenë formula që ka qenë e pranuar prej FNÇSH, e cila nga ana e saj, theksoi se KOS-MET dhe KOSOVA janë sfera të ndikimit të Titos, (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, fq. 38)
Forcat gjermane u tërhoqën nga Kosova duke filluar nga 19 nëntori 1944, në rrugën e vet të tërheqjes drejt Veriut, duke e lënë krahinën në një gjendje konfunzioni dhe pasigurie të përgjithshme për të ardhmen. Më 19 nëntor 1944, partizanët e brigadës 18 të UNÇSH u vunë në zotërim të Kukësit ndërsa partizanët e brigadave 3 dhe 5 të së njëjtës ushtri çliruan Pejën dhe Prizrenin në Kosovë, (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 106).
Kur gjermanët filluan të tërhiqeshin edhe nga Shqipëria dhe pushteti i FNÇ në Shqipëri filloi të zgjerohej, kundërshtarët e lëvizjes së FNÇSH u detyruan të tërhiqeshin në malet ngjitur me kufirin me Jugosllavinë dhe shumë prej tyre kaluan në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore. UNÇSH lëvizi pas tyre në drejtim të kufirit jugosllav. Nga ana jugosllave, tërheqja e gjermanëve i dha UNÇJ mundësinë e parë për të depërtuar në Kosovë. Në këtë moment qëndrimi i zymtë i kahershëm i partizanëve jugosllavë përsa i përket mundësisë së pajtimit me kosovarët pësoi një ndryshim të papritur, për shkak se pikërisht në këtë kohë nga njësitë nacionaliste qeveritare kosovare pati një dezertim masiv. U krijuan dy brigada të reja partizane kosovare dhe nga fundi tetorit 1944.
Mbi praninë ë Divizioneve V dhe VI të UNÇSH në të gjithë harkun kohor të muajve të parë të vitit 1945 në Kosovë dhe operacionet ndjekëse, rrethuese dhe asgjesuese, pra në muajt, kur është konsumuar procesi i zhveshjes së Kosovës dhe Maqedonisë Veriperendimore nga djelmnia shqiptare, na dëshmojnë një seri dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit të R.SH. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 40, Urdhër i Shtabit Operativ të UNÇ për KOSMET. Nr 23, datë 13.03.1945). Operacionet e spastrimit nuk kanë përfshirë vetëm forcat aktive kundërshtare dhe popullsinë civile mashkullore kosovare, por edhe partizanët kosovarë, gjë që dëshmohet në një numër dokumentesh të raportuar nga Vuçiterni, nga komandanti i brigadës së VIII të UNÇSH Major Feti Smokthina dhe Komisari Politik Major Rasim Bazo, (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 97, Raport i Shtabit të Brigadës VIII drejtuar Shtabit të divizionit të VI, nr. 118/19 datë 31/03/1945 dhe nr. 118/ 29 datë 08/04/1945).
Repartet e UNÇSH janë vendosur nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe janë urdhëruar të formojnë një shtab të përbashkët për dy divizionet, atë të V dhe të VI. Urdhëri, tepër konspirativ për këtë është dërguar nga Gjeneral leitnant Velimir Treziç, Zv Naçelnik i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe mban datën 17.03.1945 (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 84, Urdhën tepër i Rezervuar 49/ 1945, datë 17/03/1945 drejtuar Shtabit të Divizionit V e VI Shqiptar.) Urdhëri i datës 01.04.1945 fimosur nga Komandanti i Shtabit Operativ për divizionet V dhe VI, Nënkolonel Gjin Marku dhe Komisari Politik, Nënkolonel Ramis Alia. Në këtë dokument shkruhet: “Brigadat e Divizioneve t’onë vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e më parëshme të Kosmetit. Brigadat janë duke bame ndjekje e rrethime bandave gjithnji me sukes. Elementat e aratisur e sidomos ata që kan ma pak faje po dorëzohen” (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 56, Radiogram 01.04.1945). Shumë i rëndësishëm për të kuptuar sa kanë pasur dijeni dhe sa kanë qenë të përfshira repartet e UNÇSH në procesin e dorëzimit të partizanëve kosovarë dhe atë të mobilizimit të sforcuar në terren, e tregon një radiogram shifër, dërguar nga Enver Hoxha, nga Tirana, më 30 maj 1945, Divizionit V UNÇSH. Në atë radiogram kërkohet: “Na lajmëroni sa bëhet numri i t’arratisurve që janë dorëzuar në Divizion tuaj dhe sa bëhet numri i Kosovarëve që keni mobilizuar në terren”, (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 5, Radiogram i datës 20 maj 1945, firmosur: Enver).
Përgjigjet në lidhje me kërkesën e mësipërme kanë ardhur për llogari të Shtabit të Divizionit V nga Komisari Politik Gafur Çuçi, i cili shpjegon qartësisht operacionet e këtij divizioni nga datat 21 maj 1945 deri më 1 qeshor 1945. Në bazë të këtyre të dhënave të raportuara nga i sipërpërmenduri, kuptohet se misioni i Divizionit V të UNÇSH ka qenë grumbullimi i kosovarëve që dezertonin masivisht nga repartet partizane të KOS-MET, ndalimi që ata të kalonin përmes Maqedonisë në Greqi, mobilizimi i kosovarëve të tjerë dhe dorëzimi i tyre në Divizionin 52 të UNÇJ. Në këtë dokumentacion të raportuar nga i sipërmenduri, numri i kosovarëve të dorëzuar nga Divizioni V i UNÇSH deri më datë 1 qeshor 1945 është 1389 (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 6-12). Në datën 5 qershor 1945 Enver Hoxha nga Tirana urdhëron Divizionin e V të UNÇSH që “të arratusurit e dorëzuar në divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52” të UNÇJ (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 13. Radiogram Shifer, A1.38/III). Pra, bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe ndërveprim të hapur të UNÇSH dhe UNÇJ në procesin e zhveshjes së Kosovës nga çdo lloj rezistence kundër riintegrimit në Serbinë e federuar në Jugosllavi dhe sidomos në të ashtuquajturin “mobilizim” të kosovarëve, që na rezulton të jetë një internim i sforcuar, i mundishëm dhe në fund edhe i përgjakshëm.
Ndër veprimet më të pafamë të UNÇSH në Kosovë është arrestimi i Gani Kryeziut dhe dorëzimi i tij autoriteteve të UNÇJ. Në National Archives, në file-s të Jugosllavisë gjendet një dosje e tërë (PRO. FO. 371. 48110) për këtë çështje, e cila krahas të tjerave na rikthen në atmosferën e rënduar të ripushtimit të dytë të Kosovës nga Serbia.
Arrestimi i Gani Kryeziut përbënte një dëshmi se regjimi i ri që po instalohej në Kosovë kishte frikë të lejonte çdo lider kosovar rreth të cilit mund të përqendrohej ndonjë opozitë ndaj diktaturës së re serbe që po vendosej.

Mugosha - Hoxha - Popoviç PKSH
Mugosha – Hoxha – Popoviç PKSH

Gani Kryeziu u mbajt nën arrest në Veri të Shqipërisë, përndryshe vëllai i tij Saidi dhe Majori Simcox u dërgua në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, ku më pas u liruan me një “falje të madhe” pas protestave të fuqishme të autoriteteve aleate në Itali. Sipas Hodgson, synimi i UNÇSH ishte qartësisht heqja e pengesës politike në rrugën e synuar nga FNÇSH për të siguruar kontrollin në Shqipërinë e Veriut. UNÇSH ia dorëzoi Gani Kryeziun UNÇJ dhe për një kohë fati i tij nuk është ditur, por më vonë u mor vesh se ai ishte burgosur në Jugosllavi, (PRO.FO.371.48110, R.10027, Major Boxshall to Mr La, Encloses memorandum signed by Brigadier Hodgson dated May 20th 1945, regarding Gani Kryeziu’s past and his activities with B.L.O’s). Gjyqi ndaj Gani Kryeziut u zhvillua në Prizren dhe në fillim të muajit nëntor 1945 ai u dënua me 5 vjet punë të detyruar dhe humbje të të drejtave civile për 5 vite, (PRO.FO.371.48110, R 18643/6777/90 Mr. Deakin, Belgrade, 2nd November 1945). Koloneli britanik Boxshall madje bën një shpjegim edhe më të detajuar të arsyeve që e kishin nxitur Titon për të privuar Gani Beg Kryeziun nga liria dhe e lidhë këtë veprim me faktet e mëposhtme: “….Tito pati deklaruar se ai do të vepronte në përputhje me të drejtën e mbajtjes së një referendumi në Krahinën e Kosovës, nëse kjo krahinë do të mbetej në Shqipëri apo do t’i kthehej Jugosllavisë. Kur gjermanët u mundën Tito e ndryshoi në të kundërt këtë vendim dhe me sa duket informoi Enver Hoxhën se Kosova duhej domosdoshmërisht të mbetej jugosllave, ashtu sikurse ajo ishte para Luftës. Hoxha, për sa dimë ne, asnjëherë nuk e pati kurajon t’ua thoshtë këtë lajm popullit shqiptar. Mund të kuptohet krejt mirë se në qoftë se Ganiu do të ngrihej në luftë me parullën “Kosova për Shqiptarët”, rreth tij do të bashkohej pjesa më e madhe e bashkëatdhetarëve pas tij, e për rrjedhojë kjo do të krijonte përçarje në mes jugosllavëve dhe shqiptarëve”. (PRO.FO.371.48110, R 19751/6777/90, Colonel Boxshall to Mr. Smyth, 16 November 1945).
Muaji shkurt i vitit 1945 mund të konsiderohet pikërisht koha e një rizgjimi të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe e Maqedonisë Veriperendimore, për të kuptuar atë që po ndodhte nën rrogoz, nën turbullirën e fundit të Luftës së Dytë Botërore: nën petkun e luftës kundër nazizmit dhe “bashkëpunëtorëve” të tyre, nën petkun e internacionalizmit partizan, po kryhej gradualisht procesi i riintegrimit, rianeksimit të territoreve të lartpërmendura në Serbi dhe Jugosllavi. Dhe në këto rrethana kanë filluar trazirat dhe ka pasuar reagimi brutal i autoriteteve partizane dhe komuniste jugosllave me bashkëpunimin e brigadave partizane të Shqipërisë.
Vendimi për aneksimin e Kosovës në Federatën Jugosllave ka ndodhur pas spastrimit kryesor etnik dhe gjenocidit të Tivarit, i konsumuar kryesisht gjatë muajve mars dhe prill 1945. Me datën 28 prill 1945, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jugosllavisë të zhvilluar nën drejtimin e Titos, u arrit vendimi i njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë (PRO.FO.371.48090 /R7879/237/90, tefegram from Mr Robertson, Moscow, 3 May 1945). Ka një koincidencë, që nuk mendoj se është e rastësishme në mes pranimit të Jugosllavisë për të njohur qeverinë e FNÇSH, dhe të ardhmes së Kosovës. Më 12 prill 1945 News Digest, njoftonte se e ardhmja e Kosovës është vendosur duke rritur ndikimin e Serbisë federale. Kjo agjenci citonte për këtë Radio Beogradin, shërbimin vendas, i cili në datën 10 prill 1945, në emisionin e orës 13.30, informonte: “Sipas njoftimit pas sesionit të parë të jashtëzakonshëm të ASNOS ka ndodhur përzierja e Vojvodinës, Sanxhakut dhe Kosovës dhe Metohisë me Serbinë. Pas këtij vendimi populli serb e ka mirëpritur me gëzim vendimin e Sanxhakut dhe deklaratat autorizuese të bëra nga delegatët e Vojvodinës dhe Kosovës e Metohisë, rreth bashkimit në konferderatë me Serbinë”. Sipas këtij njoftimi, “në Kosovë dhe Metohi populli shqiptar, i shtypur brutalisht në ish Jugosllavinë dhe i nënshtruar të ashtuquajturës “Reformë Agrare” – në fakt një instrument i Hegjemonisë së Serbisë së Madhe – është sot duke kërkuar bashkimin në Konfederatë me Serbinë”. (PRO.FO.371.48081 R 9369/46/90, Periodical Report of British Military Mission in Albania, 15 May 1945). Në muajin prill 1945 në fakt ndodhi konstituimi i institucioneve të brendshme të Serbisë së federuar në Jugosllavi. Më 9 prill 1945 në një mbledhje të Këshillit Nacional Çlirimtar për Serbinë (ASNOS), iu dha formë e përhershme qeverisë së përkohshme të Serbisë. Kështu, ASNOS u shndërrua në Parlament Kombëtar të Serbisë dhe numri i këtij institucioni u rrit në 315 anëtarë me përfshirjen e deputetëve nga Vojvodina, Sanxhaku, Kosova dhe Metohija. (PRO.WO.201.1622, faqe 11) Serbia në këtë mënyrë u bë e para njësi federale e Jugosllavisë së dytë që arriti të rregullonte qeverinë e saj mbi një bazë të përhershme. Njësia federale serbe përfshinte brenda saj Vojvodinën si nje Krahinë autonome, Sanxhakun dhe krahinën e Kosovës dhe Metohisë. Më 7 prill 1945 Marshalli Tito, ndërkohë që në krahinë ishte në vijim e sipër spastrimi mashkullor, u dërgoi një mesazh shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, duke u premtuar atyre se në Jugosllavinë e re ata do të gëzonin të gjitha të drejtat si qytetarë të lirë, ndërkohë që në të njëjtën kohë nuk nguroi t’i paralajmëronte ata “t’u rezistonin të gjithë atyre armiqve që ishin duke u përpjekur të krijonin mosmarrëveshje në mes tyre dhe në mes popujve jugosllavë dhe shqiptarë” (PRO.WO.201.1622, faqe 13).
Megjithëse lajmi që Kosova u bë definitivisht pjesë e federatës Jugosllave filloi të përhapej gjerësisht në Shqipëri, FNÇSH vazhdonte ta mbante në heshtje këtë lajm dhe këtë lëshim që u kishte bërë komunistëve jugosllavë. Hodgson shprehet me këtë rast se “fakti që FNÇ ka rënë dakord të humbasë këtë hapësirë vitale me popullsi mbizotëruese shqiptare, konfirmon sa i shitur plotësisht është FNÇSH tek Jugosllavia dhe se kjo gjë ka tjetërsuar edhe më shumë të gjithë elementët nacionalistë veçanërisht në veri të vendit”. (PRO.FO.371.48081 R 9786/46/90, Periodical Political Report, May 22, 1945).
Për të larguar vëmendjen nga kritikat e brendshme kundër kësaj tradhtie në lidhje me Kosovën, komunistët shqiptarë u orientuan drejt zhvendosjes së vëmendjes nga Kosova drejt kufirit të jugut dhe filluan të nxisin ndjenjat antigreke, duke zbuluar mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga bandat zerviste (PRO.FO.371.48081 R 9822/46/90, Impressions of Albania, Report from Hodgkinson of Naval Inteligence of British Admiralty). Njëlloj bëjnë justifikuesit e sotëm të këtij veprimi antikombëtar.
Në përfundim do të duhet të themi që viti 1945 në tërësi është koha kur u hodhën themelet e rikthimit të Kosovës në Jugosllavi, rikthim që u krye në rrethanat e turbullta politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky rikthim u mundësua para së gjithash nga fakti që forca kryesore fitimtare politike në Shqipëri, FNÇSH drejtuar nga Enver Hoxha dhe PKSH, veproi në të njejtën linjë politike dhe ushtarake me UNÇJ të drejtuar nga Tito. Kjo forcë fitimtare ushtarake e politike në territorin e Jugosllavisë së Parë kishte si objektiv kryesor politik rikompozimin e dytë të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore, e për rrjedhojë e konceptonte Kosovën, Maqedoninë Veriperëndimore dhe Malësinë e Madhe Shqiptare, pjesë të shtetit të ri jugosllav, tashmë federativ.
Rikthimi u lehtësua për faktin se në Shqipëri mungoi një forcë politike dhe një organizatë ushtarake e mbështetur fuqimisht vetëm tek Aleatët e mëdhenj perëndimorë dhe fatkeqësisht forcat nacionaliste dhe patriotike, në vorbullën e trazirës së fundit të Luftës së Dytë Botërore, para frikës së rrezikut bolshevik, menduan se rindërtimi vetëm i shtetit shqiptar, shpallja e neutralitetit të Shqipërisë së pushtuar nga nazistët gjermanë, do ishte ilaçi për të shpëtuar Shqipërinë e vogël të mbërthyer nga halle të mëdha dhe të rrethuar nga fqinjë po aq agresive sa në fillim të shekullit.
Kosova nga kjo kohë do të jetë provinca më e harruar e Jugosllavisë së Dytë, me djelmni të copëtuar, analfabetizëm masiv, nën shtypje ekonomike dhe nën mungesë totale lirie për popullin e saj të përfaqësueshëm jo proporcionalisht në institucionet jugosllave. Mbi të gjitha, mbi kokën e saj do të rendojë si faj i rëndë “bashkëpunimi” me nazistët i anëtarëve të ministrisë së brendshme të Shqipërisë së viteve 1943-1944, që në shumicë qenë nga kjo krahinë. Bashkëpunimi i disa individëve shërbeu si alibi për të dhunuar çdo qenie shqiptare në Kosovë. Ky çekan është ngritur herë pas here mbi kokën e Kosovës, sa herë që autoritetet republikane serbe dhe ato federative jugosllave, kanë dashur të mbajnë nën presion çdo përpjekje demokratizuese dhe emancipuese me karakter nacional dhe liberal.
Përndryshe Shqipëria e drejtuar nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe një kastë e tërë majtistësh ekstremistë, pas dakortësisë së lënies së Kosovës nën Serbi dhe Jugosllavi dhe pas bashkëpunimit në internimin masiv dhe pa dallim të djelmnisë së Kosovës, do të futet në një udhë pa krye në politikën e brendshme e atë rajonale ballkanike dhe europiano lindore, që do ta vendosë atë vend pas vitit 1945, në njollën e zezë të diktaturave më të errëta të historisë bashkëkohore europiane, nga e cila nuk do të dalë lehtësisht asnjëherë.
Universiteti Europian i Tiranës

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.