back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Më lë plagë mungimi yt, por e dua këtë dhimbje… – nga Albert Vataj

Gazeta

Albert Vataj - Shkodra
Albert Vataj – Shkodra

Më lë plagë mungimi yt, por e dua këtë dhimbje…

nga Albert Vataj

Ti nuk erdhe as sonte edhe pse pritja kishte ndezur kaq shumë drita e zjarre. Qielli kishte derdhur thellësi brenda meje. Kthjellimi e horizonti tehutej skajeve, tej në kërkim të cakut dhe pragut që të mban kyçur. Prita edhe sonte, si çdo mbrëmje që ngrysi në vetmi, prita se po troket porta dhe të shfaqeshe ti.
Por jo.
Pëshpëritja e zhurmave të mbytura të ditës dhe heshtja cingëritëse e natës, nuk solli asnjë trokitje. Në portën time të pritjes, mbeti i largët ai zë e zjarr që pengimi ndalon të vish.
Shkon nuk e di se ku. Ngrys e zbardh diku tej në skajin tjetër të kohës.
Atje ku ndoshta harrimi i ka zhbërë të gjitha trajtat, e ndarja i ka shkulur me rrënjë premtimet dhe së bashku me to, fjalët ka këputur, e flakët e mallit ka shuar.
Ti mbete sërish pa ardhur, por tek unë nuk pati heshtja ta mbyste hënën që doli nga pellgu, e të thyente diellin që shkrepi nën qerpikun e pemës, pemës që lëshon hijen e vet uloke, e fërgëllon trishtueshëm në lakuriqësinë e vet.
Përtej këtij muri të lartë ndarjeje, e ajri të ftohtë të vetmimit, gjithçka reale ka një kuptim të ndryshtë, në mungimin tënd.
E tjetërllojtë është panorama e ditës që derdhet në dritimin e mekur të gjërave që shterren prej vegimit.
Ngjizet nga asgjëja, e vdiret si një vegim çdo shkreptim i beftë, pamësimi që më vështron pendueshëm.
Kujtesa jote ka mbetur e shpërbërë në gjërat që rrinë pezull në frymën e frikës që tendosin dritat e pakuara, ku idili im rreket të të krijojë, pa mundur t’i japë trajtë, veç puthjeve që le peng tek unë.
Ani, mbetëm të ndarë në botët që shtyjnë me erërat dhe struket mjegullave. Velat e anijeve tona, mbetur pa brigje, shkojmë kah i çon dallga e thërrmohen në pafundësi kah e joshin brigje shkëmbore e pritjeve të pikëllimta.

Etyd i mbremjes
Etyd i mbremjes

Syve tuaj të dritur drojshëm muzgjeve, mozaikun e dehjes së përmallimit, kërkoi horizonti.
Ani, ti bëre mirë që nuk erdhe as sonte, edhe pse unë ende pres trokitjen në portën që hesht e përgjoj erën që përplas mbi xham, gjethet e fundit të pemës që hirshëm vajton.
Nata ka rënë mbi gjithçka, edhe mbi përfytyrimin tënd që rrekem ta end në gjërat e avullta që mbesin nderur në frymën që mbeti nderur me currilin e shiut të mbramë, strehëve që nderen mendueshëm si bard.
Bëre mirë që nuk erdhe, sepse pritja të gjithë gjërat që sjell, i stolis me dhimbjen e ndarjes.
Pata zemër për dëshirë, por jo shpirt për plagë.
Le të vuaj më mirë mungimin tënd, se sa lëndimin e ndarjes që vjen me ty e mbetet në mua.
Nëse nuk di që unë jam duke të të pritur ende, më mirë do të jetë për ty.
Për mua?!… Dhimbjen do të ma shërojë më shpejt mungimi se ndarja.
Ende pres që ti të vish… dhe asnjë ardhje nuk të sjell, sepse zemra ime ka kaq shumë dhimbje… dhe ende do të vuaj ikjet tënde që vjen me ty dhe mbetet në mua, ndarje, dhembje, plagë.

Marre nga Muri i FB i Albert Vatajt, 2 janar 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.