Më fal! – si urim i nji fund dhe fillim viti…
nga Jozef Radi
Ndërsa përpiqesha të gjeja një motiv të prekshëm e të vlefshëm, e t’i përshëndesja gjithë miqtë e mi dhe lexuesit e shumtë në mbyllje të fundvitit 2016… s’di pse u ndala te fjalia “Më fal!”
Prej më shumë se dy muajsh nga tërmeti i fundit, në bashkësi të 28 familjeve jam i dalë shtëpie dhe jetoj hotelesh, ndërsa javën fundvitit ende i jam i nënshtruar nji viroze pak si të tejgjatë, që më mban në njifarë karantine të rreptë…
Pra, “Më fal”, s’qe me ndonji lidhje, po pikërisht kjo arsye e mosarsyes, kur gjërat duken edhe pa asnji lidhje, më ndali te kjo fjalë e vetme… dhe ashtu si plotësim i një trazimi u përpoqa t’i jap njifarë kuptimi fjalës themeltare të ndjesës!
“Më fal!” – buron zakonisht prej nji faji, por nuk asht e thanë që të jetë fjali që buron deomos pas ndonjë faji, sepse “më fal!” asht mirësjellje, asht etikë, asht përvuejtësi, asht thyemje e krenarisë së tepërt, pra asht shumçka! “Më fal!” asht nyje që lidh, që afron, që shtron, që pajton, që paqton, që bashkon, që dhemb, që ndërmjetson, që sheshon, që ngre, që ftillon, që reflekton, që sublimon, që fiton! Pra “Më fal!” – asht monument mbrenda edukimit të Njeriut… dhe raporti që ai ka me ndjesën, dëshmon ma së miri se në ç’stad asht vetë njeriu dhe shoqnia!
Nëse je edukue me ndjenjën e kuptimit, vlerësimit, reflektimit e moscënimit të tjetrit dhe gjasë së tjetrit, të kërkuemit ndjesë, mbetet nji mesazh i ardhun natyrshëm dhe hijshëm prej kohnave të ikuna po edhe i përcjellë po aq hijshëm kohnave që vijnë… Në të kundërt nëse je edukue me ndjenjën e moskuptimit, mosvlerësimit, mosreflektimit dhe cënimit të tjetrit dhe gjasë së tjetrit, të moskërkuemit ndjesë shfaqet rëndom si sindromë vulgu, si nji arrogancë e pajustifikueme pushteti, si madhështi kriminale, si delir kolektiv, pra shenja tejet rrënuese të nji shoqnie që i ka humbë paksa ekuilibret…
Për shumë të këqija tonat, shpesh i shkoj mbas idesë se e keqja e madhe e nji bashkësie, asht pikërisht mungesa e kulturës dhe e kultivimit të ndjesës. Prej aty buron krejt e keqja. Them se, shumçka do të ishte ma ndryshe mes nesh sikur të funksiononte kulti i ndjesës dhe kulti i faljes… pra të kërkuarit ndjesë dhe të pranuarit falje…
Sepse falje njeriu mund të kërkojë edhe për gjanat ma të thjeshta, e mund t’i kërkohet ndjesë edhe atij ma të fundit; falje mund të kërkosh edhe pse faji mund të mos jetë krejt yti, por t’i mund të kishe pasë nji ndikim sado të vogël që e keqja të mos ndodhte; i kërkohet falje Njeriut ma së pari, mandej edhe Hyjit… Prandej besoj se pranimi i fajit dhe të kërkuemit falje asht alfa e emancipimit të nji shoqnie, dhe e mprehjes së ndjesive kolektive. Askush s’gëzon imunitet ndaj së keqes; problemi asht sa mund të jemi reflektivë ta parandalojmë të keqen e të përpiqemi që ajo të mos përsëritet!!
Si popull., nuk jemi fort ndryshe prej tjerëve, por mendoj se e keqja mbrenda nesh ka ba përpjekje gjigande me na paraqitë ndryshe tjerëve, shpesh duke na quejtë edhe “me bisht”, dhe nji prej bishtnave ma të përbindshëm qe ateizmi ynë. Aty ma së pari u vra falja, u zhduk faji, u ngjit në piedestal arroganca, iu hap shtegu krimit të individëve nën autoritetin e shtetit e ku cënimi i njeriut dhe pronës mori trajta katastrofike! Si të mos na mjaftonin Pesëdhjetë vitet e zhytjes në tragjizëm, u deshën edhe 25 të tjera suplementare, pa hequr ende dorë prej këtij shtegu!
Sharlatanizmi ynë bahet edhe ma i plotë, përballë faktit se të gjithë e pranojnë atë kohë si diktaturë të egër dhe krimesh makabre po askush ama s’ka marrë qoftë edhe ndëshkimin ma simbolik; të gjithë ulërasin kah diktatura e diktatori po ama askush të ketë bà qoftë edhe ma të voglën “mea culpa” për krejt pasojat…! Kështu kjo fasadë hipokrite me diktaturën por pa veglat qorre të saj; me “disidencë” imorale që s’e pa të keqen në kohën e duhun, e që kurrë nuk shpjegoi si duhet asgja, veç vazhdoi me iu qepë kujdesshëm e pa droje pushtetit të rradhës, po e dëshmojnë krejt frustrimin e nji shoqnie, e cila sot e kësaj dite po jeton pa asnji lexim si duhet të vetvetes ndër kohna!
Komunizmi qysh në fillimet e veta u shfaq si një formë e re dhe iluzive e krishtërimit, duke anashkaluar, përjashtuar apo dhunuar institucionin e faljes. Nën euforinë e fitores së nji lufte dhe parullave fasadë të lirisë, barazisë e drejtësisë, u kryen masakra nga ma të përbindshmet. Psika kolektive për një gjysëm shekulliu godit me format ma banale demagogjike të nji “botë të re” “të nji shoqërie pa shfrytëzues” “të fanarit të vetëm”, “të ujit që del i kulluar nga lart” për “lugët e florini” për “tokën i takon atij që e punon!” e gjepurash pafund të kësaj natyre. Ka ende dëshmitarë të gjallë e të shumtë të naltimit të dhunës që solli ky mekanizëm djallzor në jetëgjatësinë e së keqes dhe rendimentet tejet frut’hidhuna të saj.
Çdo rikthim te kjo e keqe të përjetueme randë, bahet vetëm e vetëm me shfrytëzue energjitë e shumta negative që ajo ende vazhdon me ndrye mbrenda vetes, po edhe për efekte të reja demagogjike, frutet e të cilave na rrijnë ndër duer e ndër sy si përsosmëri mashtruese e së së keqes.
Ideja e mbasnëntëdhjetës për një paqe sociale, mbas 50 vitesh të ashpra diktaturë dhe sistemi krimesh e vrasjesh të pandaluna, pati në thelb idenë e kërkimit të ndjesës dhe pranimit të fajit… si dhe dënimin e krimit shtetëror qoftë edhe në përmasat ma të dukshme të tij!Por shprehja nyje e kohës së re: “bashkvuajtës dhe bashkfajtorë” u përpoq me e ruejtë thjesht si fasadë. Fakt asht se ajo i ndihmoi fajtorët as të mos e ndjejnë fajin; që kriminelët e vërtetë të shpërbleheshin me dhjetëfishin e viktimave të tyre për gjyqet farsa, dhe askush të mos trazohej për pasojat, bile edhe më shumë… të lidheshin hallkat që pjesa ma e rëndësishme e pushtetit ekonomik dhe politik, të trashëgohej edhe te gjeneratat e reja si kërcënimi ma serioz i krejt themeleve të një shoqërie që ende nuk po e njeh më veten.
E pra ne, kemi modele monumentale në histori të faljes. Nji prej të cilëve asht edhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili fali ata që u kthyen kundra tij: si Moisi Golemin dhe Hamza Kastriotin, të nipin… Edhe modeli i Nënë Terezës asht dëshmi e madhe e shpirtit të faljes. Edhe Ajo, koshiente për të keqen që përfaqësonin “ftuesit e parë” të saj në Shqipëri, nuk u bëri as hymne e as dithirambe, thjesht fali dhe u lut që shpirti satanist të mos riprodhonte të keqen e dikurshme! Ajo kishte me vedi deri në amshim madhështinë e faljes; të tjerët, edhe ata deri në amshim, do të kenë mjerimin e fajit (mos me thanë të krimit)!
Prandej domosdoshmërisht ne duhet të mësojmë me thanë: “Më fal!” Nëse mësojmë me i thanë “më fal” fëmijës, prindit, gruas, plakut, qenit, komshiut, të afërmit, të huejit, të vorfnit, të panjohunit, të lodhunit… shpejt do ta vërejmë se fjala “më fal” do të marrë trajta urimi. Me njimijë “më fal” bashkë ka me pasë nji hajdut më pak, nji bandit me pak, nji lypës ma pak, nji emigrant ma pak, nji arrogant më pak, nji hipokrit ma pak, një zabërhan më pak, një kriminel më pak, nji pseudopolitikan ma pak. E me që jemi te politika, nëse ajo do të gjente njimijë “më fal” bashkë s’kishte me pasë sy e fytyrë me na rrejtë aq lehtë e aq haptas sa na mashtron sot! Njëmijë “më fal” bashkë, bahen si ajo kopeja e gnju-ve që tremb edhe autoritetin e luanëve!
Historia ka dëshmue se ne s’kemi qenë kurrë popull aq qesharak sa jemi katandisë në kët fazë të fundit tonën! Vërtet pushtimet na kanë ba damë të pallogaritshme po pushtimi prej vetvetes e ka ba krejt të panevojshme çdo lloj pushtimi apo çdo lloj protektorati…!
Sot ne, jemi ende larg pranimit të fajit dhe kërkimit të ndjesës… Jo vetëm jemi larg, por edhe shtyhena edhe me thellë në të keqe, sepse krejt ata që e kishin dhe e kanë për detyrë me kultivue paqen sociale dhe vlerat saj jo vetëm nuk e realizuan kët gjà, por me kokfortësi shfaqen bindshëm dhe pa asnji droje se janë pjesa më e ndritur e së keqes sociale… duke shetitë ekranash me dhurata mbi shpinë si “Santa Claus” pa drerë, te nji popull i reduktuem fëmijë, që do t’i dëshironte fundvitin të përditshëm!
ps. “Më fal-ni” të gjithë ju që mund t’ju kem vjedhur sado pak kohë në lexim të ketij shkrimi, që ma së shumti deshta ta ndaj me cilindo prej jush, si urim!
31 dhjetor – 1 janar 2017