back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mbretëresha që s’e harroi vendin e shqiponjave… nga Pjeter Arbnori


Gazeta

Pjeter Arbnori (1935-2006)
Pjeter Arbnori (1935-2006)

Mbretëresha që s’e harroi vendin e shqiponjave…

nga Pjeter Arbnori


Fjalim me rastin e vdekjes së Mbretëreshës shqiptare

Geraldinë Appogny – tetor 2002.

Që në Mesjetë, në kohën e luftës kundër invazorit turk, në lidhëm miqësi të veçantë me Hungarinë. Qenë prijësit Gjergj Kastrioti dhe Janosh Huniadi që e kaliten këtë miqësi.
Ndryshuan kohët, ndryshuan edhe vitet, por miqësia nuk ndryshoi. Për pesë shekuj dy vendet tona nuk e njohën asnjëherë armiqësinë mes tyre. Rasti fatlum bëri që kontesha shumë katolike, Geraldine Appony me gjak mbretërish e perandorësh në dejet e saj, të bëhet mbretëresha e parë e Shqipërisë moderne, bashkëshortja e Mbretit Ahmet Zogu i Parë. Nuk qe një martesë kafenesh, por martesë e bekuar nga Papa Piu XII, e mirëpritur nga Oborret Mbretërore të Evropës, të Botës dhe kancelaritë e demokracive perëndimore, e sanksionuar me ligj nga Parlamenti Shqiptar, i cili e bëri sovrane bashkë me mbretin Zog.
Lufta më e egër që ka njohur njerëzimi, Lufta e Dytë Botërore goditi të parën Shqipërinë e Pavarur dhe detyroi të mërgonte Familjen e Re Mbretërore Shqiptare, Mbretëreshën e Njomë me trashëgimtarin e posalindur. Gjithë neve që jemi këtu, na mësuan çdo vit në librin e rremë të historisë se largimi i detyruar i familjeve mbretërore të Shqipërisë, Belgjikës, Holandës, Luksemburgut, Norvegjisë nga invazori fashist e nazist duhej barazuar me tradhëtinë më të shëmtuar!”.

Mbretëresha Geraldinë
Mbretëresha Geraldinë

Për gjashtëdhjetë e tre vite, familja mbretërore shqiptare u detyrua ta përballonte këtë padrejtësi dhe neve të përsërisnim përmendësh historinë e pavërtetë. Një nga barrat më të mëdha e mbajti Mbretëresha e Bukur, ish kontesha hungareze mbretëreshë tepër shqiptare, mbretëresha që u end në katër anët e botës duke e ruajtur dinjitetin, pastërtinë e madhështinë, pa e harruar kurrë Vendin e Shqiponjave.
Me vonesë, me shumë vonesë u mblodhën sivjet rresht pas rreshti firmat e deputetëve, një, dy, pesë, dhjetë, njëzet, shtatëdhjetë, shumë më tepër se gjysma, të cilët i bënë thirrje kuvendit sovran të Shqipërisë, që ta ndreqë këtë padrejtësi të historisë ndaj Familjes Mbretërore. Gëzimi për mua qe edhe më i madh kur u bëmë bashkëpërfaqësuesit e dy partive, tri partive, pesë partive, të gjitha partitë e dy krahëve që e ftuan Nënën Mbretëreshë të kthehej me gjithë familjen në Atdheun e vet pas një jete vuajtjesh dinjitoze në mërgim.
Ne kemi pasur vitet e fundit si shembull, si model një Nënë Terezë, nënën e madhe të Kombit Shqiptar, një shenjtore që na nderoi! Pa dashur të bëj krahasime ne mund të themi se kemi pasur edhe një Mbretëreshë shqiptare të bukur, shpirtmirë, shumë shqiptare, shumë katolike, shumë perëndimore, Geraldinë Zogu që ka lënë emër për të shkuarën dhe për të ardhmen. Eshtë Mbretëresha më e papërgojuar, siç e ka thënë shkrimtari ynë i madh Kadare.
Në këtë bote laramane e të njollosur ajo mbeti “shpirtbardhë si dëborë”. Sot shqiptarja e madhe po shkon në varr pa letërnjoftim shqiptar që nuk ia mohoi parlamenti sovran por që ia mohuan ca nëpunës të fanatizuar. Sot sovrania e madhe e sanksionuar më 1938 si Mbretëreshë dhe bashkeshortja e kryetarit të shtetit po shkon në botën e përjetme pa e gëzuar pensionin e veçantë që i siguronte ligji i miratuar nga Kuvendi dhe të cilin ia mohuan ca njerëz. Sot Geraldina gjithmonë syndritur dhe e buzëqeshur po shkon në varr pa lënë një shtëpi për të birin, për të rënë dhe për nipin, megjithëse ka pasur prona të ligjshme, të dokumentuara, të pavjedhura, në këtë Tiranë ku mbijnë si kërpudhat pallate, shumica në tokë të huaj, pa leje e të papaguar.

Mbreti Zog, Mbretëresha Geraldinë dhe Princi Leka në mërgim...
Mbreti Zog, Mbretëresha Geraldinë dhe Princi Leka në mërgim…

Nuk prish punë Mbretereshë Geraldinë Zog i Parë… shpirti yt i bardhë do të fluturojë më i lehtë edhe pa letërnjoftim, edhe pa librezë pensioni të posaçëm, edhe pa ju rënduar catia e shtëpisë që jua mohuan, në kundërshtim me vullnetin e shumicës së Parlamentit sovran.
Ty Geraldinë e dashur, edhe pa ceremoni zyrtare, po të përcjell një popull i tërë shqiptar, demokratë e legalistë, socialistë e republikanë, ballistë e liberalë, popull i paparti që nuk njeh as veri e jug, lindje e perëndim. Shpirtrat e bardhë janë të mirëpritur kudo në bjeshkët e veriut, në brigjet e Adriatikut e Jonit, në fushat e Shkodrës, Myzeqesë, Kosovës, Dibrës, Korçës, Beratit e Kavajës.
Qofsh e bekuar përjetë, qofsh e nderuar përjetë, qofsh e lavdëruar për jetë Ti bije e Hungarisë fisnike një ditë të bëhesh, të jetosh, të vdesësh bijë e Shqiponjës së Lirë.
Shkofsh në paqe.
Lamtumirë.
Marre nga www.shkodra.net

Pjetër Arbnori (1935-2006)
Pjetër Arbnori (1935-2006)

Pjeter Arbnori (1935-2006)

Pjetër Arbnori lindi në Durrës më 18 janar 1935. Ai mbeti jetim në moshën shtatë vjeçare, kur i ati u vra nga forcat partizane të Enver Hoxhës gjatë luftës civile që u zhvillua në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai mbaroi shkollën e mesme me medalje të artë, por iu mohua e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, për shkak të të kaluarës antikomuniste të familjes së tij. Ai jetonte bashkë me nënën dhe dy motrat e tij.
Pas përfundimit të shkollës së mesme Arbnori gjeti punë si mësues në vitin 1954, por u pushua nga puna pa mbushur vitin për arësye politike. Pasi kreu shërbimin e dtyrueshëm ushtarak kreu punë të ndryshme duke përshirë edhe punë në bujqësi. Gjatë kohës që punonte ai arriti, duke përdorur mbiemër tjetër, të pranohet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1958. Ai e përfundoi këtë shkollë pesë vjeçare me korrespondencë në dy vjet në vitin 1960. Mbas kësaj Arbnori punoi si mësues letërsie në një shkollë të Kavajës.
Gjatë kohës që punonte në Kavajë, Arbnori së bashku me disa intelektualë të tjerë krijoi në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate. Arbnoi ra në sy të Sigurimit të Shtetit (policia sekrete e regjimit komunist) dhe u arrestua së bashku me shtatë të tjerë. Pas një periudhe dy vjeçare në hetuesi ku ai iu nënshtrua torturave çnjerëzore Pjetër Arbnori u dënua me vdekje. Ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë.
Në kushtet më të vështira në burg ai shkroi një pjesë të madhe të veprës së tij letrare. Në kohën që periudha e dënimit të tij po përfundonte, atë e dënuan përsëri me dhjetë vjet burg. Në gusht të vitit 1989 Pjetër Arbnori u lirua nga burgu. Arbnori kaloi 28 vjet në burgun e Burrelit. Ai u arrestua në moshën 26 vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç.
Në janar të 1990 ai mori pjesë në Shkodër në demostratën kundër pushtetit komunist që rrëzoi bustin e Stalinit. Po në të njëjtin vit ai ishte bashkthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte Kryetar i Kuvendit.
Në vitin 1997, Partia Demokratike tij humbi zgjedhjet ndaj Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryesuar nga Fatos Nano, pas trazirave të shkaktuara nga rënia e skemave e piramidale, që kishte shkaktuar shkatërrimin financiar të mijëra vetëve. Për Pjetër Arbnorin shpejt u bë e qartë se, ekzistonte rreziku që censura që ishte e zakonshme nën regjimin e vjetër të mund të rivendosej. Kështu, kur stacioni televiziv shtetëror nuk pranonte të transmetonte deklaratat dhe nismat e partisë opozitare, ai hyri në grevë urie. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.
Pjetër Arbnori vdiq në Napoli, Itali ku kishte shkuar pas një hemorragjie celebrale. Ai ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Partia Demikoratike, që kishte ardhur në pushtet në këtë kohë, e nderoi atë duke zhvilluar një ceremoni zyrtare shtetërore. (Wikipedia)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.