back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

“Mbijetesa, prej kohësh refreni më trishtues i njeriut shqiptar” – Shtatë fjalë-kryefjalë nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2018
Jozef Radi 2018

“Mbijetesa, prej kohësh refreni më trishtues i njeriut shqiptar”

Shtatë fjalë-kryefjalë nga Jozef Radi

Botuar ne Koha Ditore – 27 tetor 2019

Fëmijë i prindërve të burgosur, më pas të internuar, Jozef Radi u lind në vitin 1957, në Elbasan. Ai ishte biri i Lazër Radit, ardhur nga Prizreni në Tiranë më 1929; një prej publicistëve e poetëve të dalluar në Shqipërinë e viteve ‘30-’40.
I persekutuar në burgjet e kampet komuniste, fati i prindërve e ndoqi edhe Jozefin e ri. Libri i tij poetik “Trokitje” më 1983, s’u botua nga Sh. B. “Naim Frashëri” për arsye “biografike”! Së bashku me të atin, Lazër Radi, më 1989, përkthyen veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” të poetit malazias Bërkoviq, një vepër e fuqishme antidiktaturë. Në 1991, Jozef Radi boton për herë të parë disa poezi në një revistë arbëreshe “Katundi ynë”, në Kozenca. Mbas rënies së komunizmit drejtoi revistën tremujore “Arbëria”.
Pas emigrimit në Itali ka botuar disa antologji, vëllime poetike e përkthime si në shqip dhe italisht. Kuron veprën 20-vëllimëshe të Lazër Radit, 12 si vepra e 8 si përkthime, 9 prej të cilave janë botuar.
.
Jozef Radi (2001)
Jozef Radi (2001)
Gegnishtja është pjesa më e dhunuar po edhe me e vyer e gjuhës shqipe. Jo vetëm kaq, po në gegnisht na janë dhuruar pjesa më e rëndësishme e kryeveprave të letërsisë shqipe prej autorëve më përfaqsues të saj. Si mundemi ne t’i shkëpusim marrdhëniet e komunikimit me kët pjesë vitale të gjuhës shqipe?! Si mundemi ne t’ia lejojmë vetes që kryevepra të letërsisë së emrat e Fishtës, Mjedës, Gjeçovit, Nikajt, Koliqit, Shantojës, Migjenit, Camajt, Pashkut, Shllakut e plot të tjerëve të shkojnë duke u shuar, thjesht pse ekziston apo cënohet standarti. Standarti është përbashkues i gjitha përrojeve të gjuhës shqipe, gegnishtja është shpirti, është nektari i kësaj gjuhe. Ajo duhet të futet me detyrim në shkollat e nivelit të ulët e të mesëm kudo që flitet shqipja. Vetëm duke respektuar gegnishten ne kemi respektuar pjesën me të qenësishme e më melodioze të gjuhës shqipe…
.
Mbijetesa: prej kohësh është refreni më trishtues i njeriut shqiptar! Në të gjitha realitetet e coptuara, banuar prej shqipfolësve luftohet për mbijetesë deri në kufijtë e dhimbjes.
Dhe gishti i të mbijetuarve rri i drejtuar ndaj fajtorëve të kësaj gjendjeje, të cilët si mjeshtra të slloganeve, bëjnë sikur nuk e vërejnë, këtë mbijetesë që sot ka përmasat e një ikje biblike. Askush s’e merr përgjegjsinë e fajit. Politika, në të gjitha realitetet ku jetojnë shqiptarët po i dobson në mënyrë sistematike dhe konstante strukturat e kësaj mbijetese historike. Ikja e shqiptarëve sot është aq e ngjajshme me ikjen e tyre të mbijetesës mbas vdekjes së Skënderbeut… veç me një ndryshim: sot s’kemi as perandori rrethuese e as ushtri pushtuese…
.
Teatri përfaqëson institucionim më të lartë të artit komunikues, me ndikim të fuqishëm në edukimin dhe emancipimin e një shoqërie. E Teatri Kombëtar, duhej të ishte qershia mbi tortë e gjitha përpjekjeve individuale dhe kolektive, për ta mbajtur lart artin dhe figurën e artistit të skenës, dhe jo vetëm, por duhej të kishim edhe një simbolikë përfaqësimi sa më dinjitoze. Ndjek me vëmendje betejën dyvjeçare të Mbrojtjes e Teatrit Kombëtar, ku s’është fjalë për godinën, po për instiucionin shpirtëror dhe përfaqësues të një kombi. Ndaj besoj se mbështetja dhe mbrojtja e tij, përbën mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, të cilat historia i palos me kujdes çdo ditë!
.
Antologji Poetike - Kopertina - Perktheu Jozef Radi
Antologji Poetike – Kopertina – Perktheu Jozef Radi
Përkthimi, simbas meje është frymë dhe urë mes popujve dhe gjuhëve. Para se gjithash, ai ndihmon çdo individ që merr guxim të sjellë një tekst prej një gjuhë që s’është e tija. Të guxosh të përkthesh, do të thotë të kërkon që dashurisë ndaj gjuhës tënde t’i japësh një konfirmim prej një gjuhe e një kulture tjetër. Me kohë e me pasion, përkthimi bëhet mjeshtëri, bëhet art, nëse kësaj dashurie i jep edhe pjesë nga shpirti yt e nga kultura e akumuluar. S’ka rëndësi thjesht përkthimi, por ajo çka ti përzgjedh e që duhet të futet në rezonacë më së pari me shpirtin tënd, në mënyrë që përcjellja e saj ndër lexues të ndjehet si e tyre.
Prej një jete që merrem me përkthime, mundem të rrëfej se pjesët më të bukura i kam përkthyer kur pesha e jetës m’ishte më e vështira. Përkthimi, jo vetëm më merrte ndër flatrat e veta, por më gërmonte thellësitë e mia për t’u futur në rezonancë me shpirtrat e mëdhenj të artit…
.
Kujtesa përbën thelbin e vlerave të një kombi, të një kulture e të një shumice individësh. Koha shpesh na fut në kriza të thella idenditare, e gjithnjë e më shpesh shfaqemi nën peshën e një paragjykimi të rrezikshëm si: popull pa kujtesë o me kujtesë të shkurtë. 30 vite të shkuara, Shqipëria vinte pas një gjysëm shekulli nën diktaturën më të egër në Europë; 20 vite të shkuara, Kosova vinte prej gati një shekulli nën sundimin serb… Sot, duket sikur e gjithë kjo e keqe s’ka ekzistuar, sepse ne me një zell të paparë, bëjmë hapa këmbëngulës të kthimit mbrapa. Kjo humbje e kujtesës kolektive mbi pësimet, po na rrezikon si popull tragjedinë më të madhe!
 .
Intelektuali i përcjell shoqërisë figurën e epërme të kulturës, me shpirt të pakompromis kritik ndaj pushtetit. Kujtoj një shprehje të Lazër Radi, i cili në fillimvitet ’90 shkruante: “Kosova i lindi intelektualët që i nevojiteshin, Shqipëria i zhduku ata që i kishte krijuar me mundim…!” Ku jemi sot mbas tridhjetë vitesh?! Mendoj se kemi humbur pjesën më cilësore intelektuale, dhe s’kemi mundur të krijojmë një elitë të re intelektuale, që të shohi përtej asaj çka duket. Ai që sot vetquhet intelektual, është tejet i lidhur me interesa politike, bile më keq, me interesa partiake edhe të errta! Shpirti kritik është squllur e zhbërë, duke krijuar një frymë kënete në përballjen me të Keqen që pëson shoqëria dhe kultura shqiptare. Kjo po ndodh në gjitha trevat, ku ajo ështe shumicë, edhe atje ku rrethanat historike e kanë lënë pakicë. Mungesa zërit të mirfilltë intelektual, është sot kërcënimi më serioz ndaj shoqërisë shqiptare.
 .
Dëshpërimi jeton në të përditshmen e një shoqërie së cilës i vritet shpresa, e sot përbën shfaqjen më të dukshme e më e të prekshme të realiteteve shqiptare. Ka dëshpërim objektiv, të cilin e mbjellin politika e çoroditura përmes shthurjes institucionale; po ka edhe dëshpërim subjektiv, i cili buron nga pamundësia e vogël e çdonjërit prej nesh për të qenë pjesë e një shumice të guximshme, dhe më pas e kërkojmë si individë “shpëtimin në të ikun” nga sytë këmbët.
Duket sikur po e lejojmë dëshpërimin të na marrë përdore e të na shetisë nëpër botë, duke u bërë, për fatin tonë të keq, popull me shumicë në mërgatë, e me pakicë në troje të veta! Një fakt i tillë s’i lejon askujt prej nesh indiferentizëm, ndaj kësi politikash kriminale, që as pushtuesit më të egër s’kanë guxuar t’i imponojnë!
22 tetor 2019,
.
Mund te lexohet te… https://www.koha.net/kulture/190883/mbijetesa-prej-kohesh-eshte-refreni-me-trishtues-i-njeriut-shqiptar/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.