back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Martiri i pestë… shkrim nga Nebil Çika

Gazeta

Nebil Çika
Nebil Çika

Martiri i pestë…

shkrim nga Nebil Çika

Deri ku shkon kufiri i terrorit dhe krimit komunist në Shqipëri?! Këtë shqiptarët, sidomos ata që kanë vuajtur ferrin komunist e kanë pak a shumë të qartë. Të pamundur për ta kuptuar e ka kryesisht brezi i ri, e sidomos të huajt të cilët shpesh herë janë skeptikë për ato që ne themi e shkruajmë për “kohën e lugatit”, pasi krimet dhe masa e tyre i kalojnë shpesh herë kufijtë e logjikës njerëzore…
Por unë e kam gjetur një mënyrë për t’i bindur edhe me skeptikët. U tregoj për Tartin, qenin e të burgosurve që u var me “vendim gjykate ushtarake… për pjesëmarrje në Revoltën e Spaçit”, rastin më të pa precedent besoj në të gjithë botën, por që shpjegon shumë gjëra dhe dëshmon kufirin përtej imagjinatës njerëzore të terrorit komunist në Shqipëri…
Tarti ishte i ekzekutuari i pestë i Revoltës së Spaçit dhe ja vlen të kujtohet bashkë me miqtë e tij, njerëzit që u sakrifikuan në atë përpjekje titanike kundër diktaturës më të egër në Europën komuniste. Të burgosurit e morën që këlysh nga qentë e gjahut të njërit prej komandantëve të parë të Burgut të Spaçit. E rritën duke ndarë me të ushqimin e pakët, shpesh herë pjesën më të mirë të tij dhe mund të themi që në Spaç ishte i vetmi mik jo i burgosur i tyre. Ata u lidhën aq shumë me qenin, por po aq shumë u lidh edhe ai me ta. Ishte një miqësi që në ferrin e Spaçit merrte një rëndësi të veçantë për mijra mjeranë që ishin mbyllur atje, një pjesë e mirë e të cilëve për të mos dalë më të gjallë prej tij… Tarti ishte i vetmi gëzim ose më mirë të themi i vetmi ngushëllim i tyre, e vetmja gjë “njerëzore”, në atë vend ku njerëzit e qenë shndërruar në kafshë, Tarti ishte miku i të gjithë të burgosurve dhe armiku i njerëzve të qeverisë. Shoqëronte nga burgu në minierë dhe anasjelltas të gjitha turnet e të burgosurve një ritual që e vazhdoi deri ditën e fundit të jetës së tij. Të burgosurit që e kanë njohur edhe sot mbushin sytë me lot kur e kujtojnë dhe disa prej tyre kanë shkruar tregime e poezi për të. Është e pamundur të flasësh me ta për Revoltën e Spaçit, pa e kujtuar Tartin me të njejtën dhembshuri e respekt si për shokët humanë që u pushkatuan dhe u ndëshkuan në këtë revoltë. Tarti duket është për ta më shumë se një dëshmi e masës dhe limitit së krimeve të diktaturës. Ai është njerëzorja dhe fisnikja e manifestuar në shkallën më të lartë nga një kafshë në atë vend ku kafshëria përfaqësohej në mënyrën më harbute e më brutale nga njerëzit e qeverisë… nëse do të mund t’i cilësonim si të tillë. Tarti kishte cilësi vërtet të veçanta që e bëjnë atë të veçantë për të burgosurit, por edhe për ne që e dëgjojmë atë dhe historinë tragjike të tij. Ai i kishte miq, dhe i donte e i respektonte vetëm të burgosurit. Me të tjerët, që në Spaç ishin njerëzit e qeverisë komuniste, oficerë e ushtarë, gardianë, oficerë sigurimi, etje., ai ishte gjithnjë agresiv dhe armiqësor. E kuptonte dhe nuhaste të keqen me një instinkt të jashtëzakonshëm. I njihte njerëzit e qeverisë edhe kur ishin pa u uniformë e u sulej e u lehte sa herë ndodhej afër tyre. Askush nuk mund ta shpjegojë se si e bënte këtë dallim midis viktimave dhe xhelatëve, por me siguri kjo ishte edhe cilësia më e mirë e më të veçantë e tij…

Qen gjuetie...
Qen gjuetie…

Komanda dhe rojet e burgut ja kishin “bërë benë” disa herë Tartit, madje kishin tentuar disa herë edhe ta vrisnin, por u kishte shpëtuar falë kujdesit të të burgosurve.
Tarti si shumë prej miqve të tij humanë të burgosur, duket se e “mbushi kupën” në Revoltën e Spaçit, në 23 maj të vitit 1973, ku duhet thënë si ishte shumë aktiv në përleshjet me forcat e policisë dhe sigurimit. Ai ishte i pari që ju sul rojeve dhe gardianëve në përleshjen që solli marrjen në kontroll të burgut nga të burgosurit që çoi në çlirimin për tre ditë të tij, një nga aktet më heroike të rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Po ishte edhe me agresiv në përleshjen gjatë sulmit që ushtria dhe forcat speciale i bënë burgut, e që përfundoi me shtypjen e përgjakshme të Revoltës, ndoshta më të fortë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo duket e vulosi përfundimisht fatin e tij. Sigurimi, komanda dhe qeveria komuniste kishin siguruar tashmë edhe prova për veprimtarinë armiqësore të Tartit, i cili do të bëhej shumë shpejtë ndoshta i pari qen martir në histori. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Ky është një tjetër rekord negativ që vetëm komunistët shqiptarë dhe logjika e tyre, nën atë të kafshës, mundën ta arrinin… Sigurisht që ndëshkimi i Tartit u la për në fund, pasi xhelatët mbaruan punë me miqtë e tij njerëzorë: pushkatuan katër të burgosur dhe arrestuan, torturuan pa mëshirë e dënuan me burgime të rënda dhjetëra të tjerë. Vetë burgu i Spaçit, u shpall “burg i dënuar” dhe kushtet e terrorit dhunës dhe torturës u shumëfishuan, duke e bërë Spaçin tmerrin e Shqipërisë, gjë që mesa duket ishte edhe qëllimi i ndëshkuesve komunistë…
Por sikur te mos mjaftonte kjo, në mes të këtij terrori të pashoq, diktatura u kishte rezervuar surprizën ndoshta me çnjerëzore të historisë së sajë: Varjen në litar të Tartit, të vetmit mik jo të burgosur, ngushëllimin, ndoshta të vetmen lidhje shpirtërore me njerzoren, familjet dhe fëmijët e tyre që një pjesë e tyre nuk do t’i shihnin më kurrë. Varja e Tartit ishte një torturë me vete një krim që të burgosurit i lëndoi shumë. Edhe sot fytyrat e tyre ligështohen kur detyrohen te tregojnë për të… Të burgosurit u nxorrën në oborrin e burgut ndërkohë që “gjykata ushtarake” e përbërë nga zyrtarisht “qenie humane” mori vendimin dhe ekzekutoi me vdekje “armikun”, martirin e pestë të Revoltës së Spaçit, zyrtarisht një “kafshë”, por që dukshëm qëndronte shumë më lart se ekzekutuesit e tij… “Në emër të popullit…”, Tarti u çua në “trekëmbësh” ku vazhdoi të luftojë deri në fund. Xhelatët, oficerë e gardianë të burgut, dështuan në tentativën e parë pasi Tarti, viktima arriti ta këpuste telin ku që varur, por edhe pse ligji ndërkombëtar e fal jetën nëse i dënuar i shpëton plumbit apo litarit… e varën përsëri. Nuk qe hera e parë që komunistët e bënin një gjë të tillë. E kishin bërë në Gjyqin Special në Tiranë ku një prej të duarve i shpëtoi plumbave dhe kërkoi sipas ligjit… t’i falej jeta!!, por prokuroi, nxorri revolen dhe ia hodhi vetë trutë në erë…!! Litari u këput edhe në ekzekutimin me varje të njërit prej inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, sërish u kërkua zbatimi i së drejtës ndërkombëtare… por më kot. I vunë përsëri litarin në fyt dhe e mbyten… Pra, ia kishin mohuar këtë të drejtë universale qenieve humane, si mund t’ia lejonin një kafshe?! Pikëllimi i të burgosurve qe i jashtëzakonshëm! Varja e Tartit do t’iu dhimbte njëlloj e ndoshta më shumë se e shokve të vrarë, më shumë se plagët e marra nga torturat dhe vitet e shtuara të burgut. Cinizmi shtetit komunist nuk njihte kufi! Për mbrojtjen e pushtetit të tyre ata nuk do të ndaleshin para asgjëje. Do të vrisnin edhe kafshët e konsideruara si armike të regjimit! Pikërisht kjo ua ndryshon rolet viktimës dhe xhelatëve, dhe e bën Tartin jo vetëm një viktimë të terrorit komunist, por edhe një simbol, një rekord të natyrës kafshërore të diktaturës shqiptare, njëherazi provë e mundësisë për të kuptuar sot limitet çnjerëzore e kriminale të komunizmit shqiptar…

Burgu i Spaçit sot...
Burgu i Spaçit sot…

Kam shkruar pothuaj çdo përvjetor për Revoltat e Spaçit dhe Qafë Barit, pse përkojnë në të njëjtën kohë… kemi kujtuar ngjarjen dhe heronjtë… kemi folur për heroizmin dhe krimet… për viktimat dhe xhelatët… por sot zgjodha të shkruaj për Tartin, qenin që me vdekjen e tij sfidoi diktaturën më të egër në lindjen komuniste. Falë tij ne kemi sot një histori, një simbol, por edhe një provë të jashtëzakonshme, për t’u treguar brezave, të huajve por edhe skeptikëve shqiptarë, se çfarë ka hequr ky popull e ky komb me komunistët dhe komunizmin…
Mendoj se të gjithë i kemi një detyrim Tartit “qenit” që sfidoi “njerëzit” dhe la dëshminë dhe provën më autentike në dispozicionin tonë dhe të tjerëve për të kuptuar diktaturën tonë… Mendoj se edhe shteti ka detyrimin ta bëjë një gjë të tillë!
Sigurisht që Tarti e meriton një shtatore, një pllakë përkujtimore, një faqe në librat e historisë e të letërsisë, pse jo edhe një dekoratë të lartë, shumë më shumë se “humanët” e dekoruar deri më sot, emrat dhe bustet e të cilëve mbushin sheshet e rrugët e institucionet e vendit, shumë prej të cilëve përgjegjës për krimet e komunizmit dhe turpe të tjera, përfshi edhe rekordin kriminal të diktaturës, varjes si “armik” të regjimit, me një vendim “gjyqi ushtarak” të një qeni, të një kafshe…
Kjo do t’iu kujtonte shqiptarëve, të prirë për të harruar, gazepin që kaluan për 50 vite, vetëm 22 vjet më parë, por do t’i dëshmonte e shpjegonte edhe të huajve, botës së qytetëruar, shumë gjëra, në radhë të parë ngërçin dhe tranzicionin e vështirë politik e shoqëror të shoqërisë shqiptare!
Marrë nga www.opozita.com 19 maj 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.