Malsori në Paris… (Fragment) nga Pjetër Gjini

0
10
Pjetër Gjini - Komiku Shkodran
Pjetër Gjini - Komiku Shkodran
Pjeter Gjini i ri... (arkivi B. Coba)
Pjeter Gjini i ri… (arkivi B. Coba)

Malsori në Paris… (Fragment)

nga Pjetër Gjini

M’e kaluem kohën n’argtime
Gjinden prrallza o kallxime;
Dhe un sod prà, pa pik zori,
Do t’u flas mb’i tip malsori,
Bash malsuer i tok’s Shqiptare,
Nji q’i lanun ishte fare,
Qi nji soldë kurr-kuej s’i duhej
E Koloshë me êmën quhej.
Kët Koloshë t’a vrejm’ mir-filli:
Syn’i ndrit si kaçamilli,
Mustak’t ngreh der n’maje t’veshit,
Vetllat shllung’ porsi dêng leshit,
Me flokë bamun tuba-tuba
N’maje i mblidhej kaçiruba,
Vesht si shuell’i kpucve t’vjetra,
Faqet rryp si njâna tjetra.
Hunda i dukej bash si krraba,
Buz’t iu mvarshin porsi zhaba,
Dhamb’t e tij mâ zì se boja
Nji trishtim m’e kqyrë nga goja,
Lkur’e tij verdh si çapini,
Qafën ngrefë porsi purrini,
Shkurt, me folë, ma keq pà hjekun,
Ish ndër t’gjallë nji ftyrë e vdekun.
Trup’i gjatë e hollë si kashta,
Shpatllat t’dyja dalë përjashta,
Krah’t e tij sa ‘i fije spage,
Shpin’e tij si shpinë sarage;
Barku hupë e bâmë si trofta,
Duert i rrijshin gjith’herë të ftofta,
Gjujt përjashta top i dajshin,
Shalë e kambë me m’zi e mbajshin.
E po pse kshtû ishte bâmun?
Pse ditë të mirë kurr s’kishte pamun,
T’zezë shkoi jetën e beqarit,
As martuem s’jetoi për s’mbarit,
Kuletë s’dinte me shpërthyemun
Robt e vehten për t’ushqyemun,
Vetëm, vetëm por mêndonte
Si mâ pak ky t’mund harxhonte.
Shka kish bâmun prà daija,
Urdhna t’rrept kish dhanë ke shpija,
Drekë as darkë tjetër me ngrânun
Veç shka ai i kishte thanun…
-Njat qi xhepin ia kursente,
Qi me pare kurr s’e blente –
Don me thanun groshë zezake
Q’e punonte n’tok’t vehtjake.
E ksàj groshë m’e kapërdimun
N’bark me zort m’e bâm me hîmun,
Herë e shoqja, ka’i herë çika,
Voj i qitshin dy-tri pika;
Hajshin fmija, grueja, burri,
Barku bânu i fortë si guri,
E mandej mbas gjith ktij shêndi?…
Me kjahmet livrojshin vêndi!…
Kshtu po shkojshin stin’t e gjata
N’groshë u zbrunte veç kafshata!
S’kishin t’diel as ditë festimi,
Ky për gruen por ish qëllimi:
A thue grosha do t’kèt vluemun?
A thue uj duhet m’i shtuemun?
…Thaju njerzit porsi rrypa
Ndërsà t’hollat rrijshin n’qypa!…
Mbas nji s’mundjes q’ish njitun
Burr’i ynë ish çoroditun,
Pse u mërzit prej grosh’s e vojit
Donte gjellna tjera sojit,
Desh me pàm si ûja shuhet
Me gjellë të mirë e bâm si duhet,
I shkoi n’mênd par’e mâ s’pakut,
Do hae t’mirë m’i dhânë stomakut!…
N’dèll t’marrìs andrron ky trimi
N’ftyrë t’u çfaqun nji shêj gzimi:
Bota hapen porsi lopa
Thonë dëfrime bân Europa;
Thonë atje âsht eleganca,
Atje knaqen zorrë e planca,
…Dhe n’at çast m’i herë ujdisi
Mè marrë rrugën kah Parisi!…
Lamtumirë, – tha – moj lum grueja
Groshë tuk kè, sà t’mundesh thueja!
Mu po m’duhet sod m’u nisun,
Ndoj tregtì me muejt m’e krisun;
-Mbasi s’mujte m’i tregumun
Se për qef donte me shkumun, –
Gjâ qi kjo s’do t’a besonte
Pse koprrac e ult’e çonte.
Me të vërtetë çuditje ishte
Ky q’i grosh harxhuem kurr s’kishte
Si n’mênd pallë e kishte bâmun
Disà pare m’i shperdamun,
E mbas qefit, mbas argtimit
Për do dit m’u dhanun shqimit?…

Pjetër Gjini - Malsori në Paris
Pjetër Gjini – Malsori në Paris

…Por do ditë, n’Paris then zverkun,
Veç pse mirë s’e kish çekerkun…
Ndër mênd nisë e na i përtrihet
Me qeleshe n’Europë s’hîhet;
As nuk shkohet me opânga,
Duhet mvesha po alla franga:
Kshtu po thont’i ynë malsori,
Kur për Francë rrugën e mori;
N’sà u vesh si e lypte moda
Kapë e ngrehë porsi pavoda!…
Elè! gjatë tash mos m’e thekun,
T’shkojmë malsorin tu’e ndjekun:
Porsà hîni n’tok’n e frangut,
Pse n’gjuhë t’tijen ishte mangut,
Rrinte, kqyrte si për seri
N’sà frëngjisht flitshin asqeri,
Njaqë me forcë e kapi gazi
N’shart m’i plasun dysh gërmazi.
Porsà bâni disà hapa
Nji qi rrug’s po vinte mbrapa,
Mbasi mikun t’onë e zûni
Syt kah ftyra pak ia vûni;
E s’i njohshem po iu dukte,
Ndërsà ballin n’kapelë strukte,
Dhe nderim ai frang i shkreti
Me za t’kandshëm e përshëndeti;
Nji: “bonjour monsieur” ia bâni,
Ky por briti si patâni:
Shka kujton, mor ti zog shake,
Ti mos paç kurr pikë nafake,
-Syt me t’egër tuj ia turrun –
S’jam gomàr – tha – n’rrugë me pshurrun
Un dij vetë kur t’m’kapin zoret
M’i kërkumun nevojtoret.
E prej tij krisi potera
Tu ia njehë sà t’shame tjera,
Por, kur pà aty, francezi
Se shamata me t’kotë ndezi,
Dhe se ishte i një gjuh’s tjetër,
Tù lshu’ vrap nja pesdhet metër,
Si kollaj e kèm kuptuemun
Veç me mujt me iu larguemun.
Tash n’a duhet nè me pamun
Se malsori kishte damun
As soldë xhepit mos me qitun,
N’tokë t’Parisit për pa mbrritun;
Prà n’qëllim me mrrijt pàtjetër
Nji strajcë të mirë kish futë nen seter
Ku kish shtî trì franxhollë t’gjata,
Pak djathë t’njomë e dy qepë t’thata.
Si prej tij ishte qitë ceka
N’të tretën ditë, njatje kah dreka
Asaj strajcë i mbaroi bafti
S’kish metë tjetër veçse tafti,
Qi prej qepve na i kje ngjitun,
Njaqë sà s’lente m’u avritun;
As s’kish dreq m’i kaluem qarkut,
Se t’i xjerrte zorr’t e barkut.
Prà si tham, franxhollat shkuene,
Djathë e qepë ktij i mbaruene,
E pse dreka kishte mbrritun
Bark e shpin’ na i ishin ngjitun,
Dhe gjithnji n’sà bânte hapa
Vrejte djathtas, majtas, mbrapa,
Thû po shifet ndo’i gjelltore
Për t’a shuem at û mizore!…
Bash kur vrejtjet kishte sjellun
Gzimi n’shpirt po nisë m’iu k’nellun,
Pse’ n’sà syt i l’shoi m’nji qoshe
Shpres’e tij nuk shkojti boshe,
Për arsye se n’e djath’t t’tijen,
Disà gjell’ve i ndjejti shijen
E rahàs qi k’to tu’hapun
M’nji e bâjshin m’u përçapun!…
T’punof’t bafti tha me vedi
– Dhe pranë der’s harû zateti, –
Sod për mu’ âsht eleganca,
Sod po m’k’naqen zorrë e planca,
Sod si derri bân se u shndosha,
Sod për mu’ nuk âsht mâ grosha;
E tu ngâ me turr si mîni,
N’rest’urant përmbrênda hîni.
N’tavolinë nji vênd zûni.
Kamerjeri listen prûni,
Dhe malsori kah po rrinte
S’desht m’u çfaqë se me k’nduem s’dinte,
E prà listen tu’ vrojtuemun
M’nji rresht t’gjatë sŷnin pat l’shuemun
N’sà me gisht garsonit thonte
Se njatë gjellë me hângër donte.

Pjetër Gjini - Komiku Shkodran
Pjetër Gjini – Komiku Shkodran

*****
Mos m’u çfaqë për njer’i tundun,
-Don me thanë kah’ mendja i shkundun –
Groshën kqyrte me sy t’qeshun
-Por n’vetvedi t’u ngërdheshun –
Mbushte lugën e po hante
N’sà mustak’t përmbrend’ i lante
Shtynte t’shkretën dèr te bishti,
Fshînte buz’t m’i maje gishti!…
Rrast’te fut’te, fut’te rrast’te
N’shart me thanë njat çast do t’plaste,
Dhe sà pjatën e mbarojti
Prap kah lista sŷt i l’shojti,
E pse s’dinte kû m’ia ngjitun
Nji stil t’rì mèndoi me qitun;
Me ngrehë kryet, sŷt nalt m’i hedhun,
E n’për listë gishtin m’e sjellun.
-Ah! Koloshë, Koloshë i ngati,
Fort po t’ndiqka e t’donka fati. –
Porsà kryet e kish përkulun
Shef se n’fund gishti isht ulun;
Tavolinën me grusht rrahi
Tu’ gërsit’ sa i mujt’te krahi;
Dhe garsoni n’katikule,
Vjen tu kcyemun si zog pule.
Urdhno, i bân me gjuhë frëngjishte.
– Shef se gishtin n’fund e kishte, –
Nji gaz tinz i duel për fyti
Pse ky groshë po donte s’dyti;
Por kjo m’t’parën s’ish e gjame
Përse ishte e përbâme,
Me do presh e ufull rrushi
Qi sallatë e thrret shumkushi.
Ktij garson s’interesonte
Me vrojtuem se ç’lypt’ a ç’donte,
Por detyrë si kŷ ia vûni
Pjatën tjetër par’i prûni,
Tu’e shikjuem me nji sŷ gazi,
O mâ tepër t’thuesh marazi,
Sepse n’mend k’to fjal’i ngulen
“Sa mik kênka me fasulen”.
Si n’qestì ai tundi shpatllat.
Por n’malsorin luejtën hatllat,
Pse m’nji thonte ç’âsht ksisoji
N’t’parën herë ky m’prû groshë voji,
Tash m’kà sjellë sallatë prej groshe
Thue sè n’bark jam bam fund shoshe,
E do t’fus shka t’vijë për dore
M’i dlirë plaçkat ksajë gjelltore!…
Por s’e din ky klysh francezi:
Me m’kcye ‘i dreq flak hund’t ia ndezi,
E i dàj rrashtën copa-copa,
Gazep t’madh me pàm Europa;
…Kà kujtuemun ky zotnija
Se s’kam groshë me ngranë ke shpija,
Kam sà t’duem nëpër koteca
M’i ngîm t’gjith k’to kastraveca!
Kur mendimet k’shtû po shprefte
N’pjat’n e dytë n’a zûni sefte,
Porsà futi lugën s’pari,
Ufll’e dogj e e ndezi zhari,
Sŷt iu kuqën, lot i shkuene
Drejt e n’pjatë edh’i pikuene,
E vrik nisi m’e kapë kolli…
Por shpejt majtas kryet e solli.
Duhet dijtun pà fjalë tjetër,
Burr’i ynë kish prap nën seter
Njatë q’i dha nji shkak kursimit
Portativën e ushqimit
Bash njat strajcën profumata;
Dhe n’sà koll i çoi sallata,
Vrik e nxuer modern m’u rrfyemun
Si n’shamì demek me p’shtŷemun!
Dalngadalë dhe’i herë ia nisi
Për t’a ngranë at groshë Parisi,
Dhe n’sà djathtas solli kokën
Ethe gzimit n’trup iu rrokën;
E kjo ftyr’ qi kje e veshkun,
Pse i pau njanit nji pul’ t’rreshkun
Vrik gufoi’ e kand’shëm qeshi,
Ah! n’shka donte s’mbrami ndeshi.
Prà ia nisë e po shpejtonte
Sà mâ parë çenìn t’mbaronte,
E si krejt t’hante fasulen
Me lezet t’fillonte pulen;
…Por shka… n’tru njat herë i hynte
Se ‘dhe ktê mbasi t’a krynte,
“Kurse gjuhën s’jam tu’ ditun
Si do t’muej m’e porositun”!
N’sà ket hall e përshperiti
Tavolin’e djath’t trokiti,
E ps’ai frang mbaroi porcionin,
Me at shêj thirri garsonin.
Porsà shkojti kamerjeri
Repetè ia bân m’i heri
Fjalë qi n’shqyp me bâm m’e qitun
Don me thanë me ia përsëritun!…
N’gjym’s t’pjat’s s’vet ishte malsori
Repetè-hin kur vesht e mori,
E prandej m’nji u mundonte
At fjalë frênge mos t’harronte,
Ndër mênd t’veta m’nji i bluhej
Se m’at êmën pula quhej;
Prà mbi groshë me turr vërsulet
Për me ngranë mbas saj’ mish pulet.
Si metod’ ai kishte gjetun
Prej mêndsh fjala mos m’i tretun,
Ndër trû t’veta m’e përsritun
Me qetsì e pa u habitun,
Repetè tha quhet pula
Repetè-hi t’mbushë me tula
Repetè repetè bante
Repetè-hit gjallë s’iu dante!…
Bulshît mbushte porsi kosha
Lugë mbas luge hecte grosha,
E gjithnji ajo rradake
Qi s’kish pas’ as pik’ nafake,
Kurr-e-kurr s’pushon qi t’lehin
M’nji vazhdonte repetè-hin
Repetè tu ngranë kafshaten
Repetè der’ t’fshinte pjatën!…
Mbas sà zori e mbas sà mundi
Pjatës s’grosh’s i doli fundi,
E njaq mirë kjo fshîmun ishte
Qi nevojë m’u lamë nuk kishte.
Brram-brram burr’i ynë kërsiti
Fap-fap shpejt shërbyesi mrriti,
E prigjoi shka do t’i shprehin;
Kur ndigjojti repetè-hin!…
Shtâng u ngrî po kamerjeri
E shikoi si për seri,
Ky qi bark – tha – s’kit’te pasun
Gjith’ kët groshë kû e paska rrasun…
E tash tjetër â tu’ lypun,
Por shka m’duket kênk’i shtypun,
Kênka bâm m’i varë teneqen
Kët e marrshin shtatqind dreqën!…
Për t’vërtetë i habitë gjindej,
Porse urdhnit do t’i bindej,
Dhe n’at-herë pa dijtun psehin
N’vênd ia çoi repetè-hin
Tu ngâm vrâp e tu’ u përpushun
Solli shpejt nji çenì t’bushun,
Me njatê qi pàm përpara
Groshë sallat he i dalt-o’ fara.
Nji as dy malsori s’bâni
Shtjelmat rrafi si hajvani,
U ngref n’kambë porsi harusha
Zeher qiti si gjarpnusha,
Pesqînd t’shame vrik ia njefi
Si n’at hùj ia donte qefi,
E n’sa forc’ qi duert i patën
Për rrasht’ t’krès ia thejti pjatën!…
Hê çapkun – tha – bir çapkuni
A kè drasht se mos t’vdes ûni,
…Un ty t’lypa repetè-hin
E ti mbledh e m’bje t’gjith plehin,
Groshë me voj, sallat prej groshe
Gjâ qi kurr s’do t’i kërko’she
Përse shpirtin m’xueren fare
N’vendin t’im n’at tokë Shqyptare!…
Kamarjerit trût i shterren
Për kadal dhe kamb’t i merren,
Lëmuç për tok’ na bje s’i mekun
Me t’thanë mendja se ra’ vdekun;
Ngrehet n’kambë t’gjith rest’uranti
Si puntori eleganti,
Ku me uj, ku me limona
Fryma i kthejti tek e vona.
Bash n’sà vlonte paqarisi
Me hikë vrap malsori nisi,
Mori rrugën kah’ Shqypnija
T’shkoj – tha – t’shkoj mâ mirë ke shpija,
M’nji i thotë vetit lum Kolosha
“Se t’jesh gjall’ s’t’u daka grosha”
Kryet me mênd n’at çast e mbushi:
“Shka t’kèt baft do t’haj gjithkushi”.

Related Images:

Artikulli paraprakRexhep Ismajli – “Nuk po hapet asfare procesi për asfare gjuhe tjetër letrare…”
Artikulli tjetërKush na i prishi njerëzit? nga Ilir Hashorva
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.