back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 3 Nëntor, 2024

Maksim Kaloti, Kadareja dhe filmi “Ballë për Ballë” – mpleksje nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Shpend Sollaku janar 1979 -  janar 1982 - Pashaliman e Sazan.
Shpend Sollaku janar 1979 – janar 1982 – Pashaliman e Sazan

Maksim Kaloti, Kadareja dhe filmi “Ballë për Ballë”

– mpleksje nga Shpend Sollaku Noé

Orikumi si drithmë përçartjeje me silura

Mundohuni të merrni me mend një tufë prej disa qindra djemsh, të porsaqethur zero, të veshur të gjithë me të njëjtat bereta, me të njëjtat xhaketone, me të njëjtat pantallona e këpucë me qafa. Si emërues i përbashkët i tyre, me tepër sesa uniforma – hutimi tërësor. Duhen ditë apo edhe javë për ta mbledhur veten, për ta kuptuar se për tre vjet ti nuk i përket më vetvetes, por një rregulloreje të çmendur dhe ca burrave të tjerë me uniformë që e zbatojnë pikë për pikë, apo që e interpretojnë akoma më egërsisht, dhe që mund të bëjnë ç’të duan me trullosjen tënde.
Ndonjeri, sapo dëgjoi që ai grup kazermash quhej “Shkolla e Instruksionit Orikum”, mendoi vërtetë se gjindej në një shkollë, në të cilën mund edhe të bënte mungesa; mund të ngrihej edhe vonë nga shtrati, mund edhe të mos i lante çorapet dhe të gërhiste sa ta mundësonte fyti, në kapanonin ku ngryseshin e përpiqeshin të shplodheshin dhjetra marinarë.
Ushtria është shkolle pjekurie, kështu na kishin thënë. U përpoqëm ta ligjëronim këtë thënie, por shenjat e pjekurisë së vërtetë na u desh t’i shihnim tek mosvjellja e copave të dhjamit të derrit sa një sapun Rrogozhine që, sipas normës së marinës, na servirej si mish; t’i vërenim në gjellën me fara kungulli sa një pesëlekshe, t’i gëlltisnim në servilizmin ndaj eprorit edhe për një ditë lejeje pranë familjes; të blerë me spiunimin e shokut; të shpërblyer me një karrierë të mjerueshme prej komandanti skuadre. Për të mos pësuar fjetjen gjumë me Kallashnikov apo Simonov në dorë, pasi, sipas thënieve nën zë, armiku atë priste prapa cepit të kazermës, të na fuste thonjtë në grykë.
Tregoheshin shumë legjenda rreth depos së silurave aty përreth. Tregohej se si armiku kish tentuar ta na hidhte në erë; shpjegohej se sa forcë shkatërruese mund të kishte gjithë ai eksploziv i përfshirë tek silurat; na thuhej se pa ata silura nëndetset tona nuk vlenin asgjë.
Ah, nëndeteset, ato në portin “sekret” përballë shkollës, nën sqetullën e Karaburunit. Ku ta dinim se vendi ku na dërgonin për karantinë nuk ishte vetëm ai kinoteatër i vogël antik me skenë dhe shkallë të gdhendura në shkëmb; nuk ishte vetëm Sheshi i Goricave, nuk ishte vetëm rrushi i vjedhur për të shuar etjen dhe urinë. Kush do të kish guxuar të thonte se aty pranë ishte varreza në qiell të hapur e baterive të nëndetseve që villnin plumbin në tokë, që plagosnin pa shpresë shpëtimi ujrat dhe ajrin.
.
54523899_2393984307287697_6814836612996792320_o.
Eh, nëndetëset. Shumë prej nesh ishin ndeshur me atë koncept anijeje së pari nga një roman i Kadaresë.
Po pse, o Ismail?
Pse edhe pse. Jo sepse shkruajte një roman me nëndetëse të pathyeshme, jo sepse shkruajte një libër me personazh kryesor diktatorin, por sepse na gënjeve; jo vetëm për diktatorin, prej të cilit edhe mund të ishe i detyruar të bëje lëshime. Gënjeshtra më e madhe ishte ajo me nëndetëset. Katër gërdalla nënujëse na i paraqite sikur të kishin qenë mbrojtëse të shkëlqyera të ujrave tona. Ti kishe studjuar në Bashkimin Sovjetik. Nuk e dije që, në kohën që ti lavdëroje ato qerret tona me Diesel Gjenerator, sovjetikët kishin hedhur në det nëndetëset me silura balistikë bërthamorë? Dhe ti mendoje vërtetë se sovjetikët do t’i shpinin në atdhe ato bythëglasat që lanë në Pashaliman? Po ku ishin në gjendje ato zhele të ndërmerrnin një lundrim aq të gjatë? E mendoje vërtetë, vërtetë? Se vështirë të mos e dije. Apo nuk ishe thelluar? Ë? Po ti ndërkaq ishe mjaft i njohur. Arkivat nuk t’i mbyllte askush. Rusishten duhet ta kesh njohur mirë. Kredija për t’i rrëmuar nuk besoj të të mohohej. Sidomos nëse punoje për një vepër që kish si strumbullar përbindshin vetë. Si ia lejove vetes atë mashtrim? Apo e dije që kishim për të të besuar, pasi shumë nga ne, sidomos intelektualë, tek ty i kishin sytë. Apo mendoje se ne do të mbeteshim përjetë të painformuar, pasi as që e kishe vënë në preventiv rënien e komunizmit? E hëngri atë mashtrimin tënd edhe autori i këtyre rreshtave: shkoi me një shokun e tij, nga Lushnja në Hyzgjokaj, pasi një librar i atjeshëm, prej të cilit mbaj mend vetëm vetullat më të trasha se të Stefano Belisarit, të “Elio e le Storie Tese”, na kish premtuar të na gjente ndonjë copë libër. Gjithë ajo rrugë në këmbë për një kopje të romanit tënd “Dimri i vetmisë së madhe”.
Po pse, or burra të tjerë, edhe një film-propagandë sipas atij libri? Nuk mjaftuan dy variante të romanit të Kadaresë?!
Më kujtohet si sot, kur filloi xhirimi i tij në Pashaliman. “Ballë për ballë” do ta quanin. Që në fillim ai nisi me mashtrime të mëdha. Jo vetë për skenarin që bazohej mbi “Mashtrimin Stërmadh” të Kadaresë. Autorët e filmit u përpoqën të gënjenin edhe veten. Nëse shqiptarët do ta besojnë, ne pse jo, mendonin të bindur.
Së pari mashtrimi i vetvetes filloi me ndërtimin e një kodre të rreme në mes të fushës së futbollit të Shkollës së Instruksionit. Kodër e sajuar me gozhdë, trarë e dërrasa. Në kulmin e saj u montua një varr i lashtë prej guri, që nuk e di se nga u suall. Shumë betoheshin se me atë pretekst po bëhej batërdia në Apolloninë e lashtë; të tjerë mendonin se po shkatërroheshin site të tjera arkologjike, ndokush ishte i bindur që ndoshta edhe Butrinti ish përdorur si burim i “lëndës së parë” për një film që, mesa dukej, duhej patjetër të kënaqte jo vetëm Kadarenë që kish shkruar edhe skenarin, por edhe sidomos, Enver Hoxhën. Unë, marinar Sollaku, nuk kisha sesi ta dija se nga ia mbërrinin gjithë ato gjetje arkeologjike që u vunë sidomos mbi muret rrethues të Shkollës së Instruksionit dhe përreth varrit. Të dridhurat e emetuara nga ato thesare të gurtë, të shpërngulura me dhunë, sidoqoftë, i ndieja deri në palcë. Po pëpiqesha të luaja rolin e mjerë të një figuranti, me shpresën që të shpëtoja prej stërvitjes së rëndë qoftë edhe për ca ditë. I vendosur nga regjisori të rrija me Kallashnikov në dorë, sikur bëja roje, mbi një dyqan kuleçësh të shndërruar në pikë vrojtimi. Veprim që më dha mundësinë edhe të shihja më mirë mashtrimet, sidomos ato me nëndetëset. Problemi ishte sesi të dukeshin shumë, dhe jo vetëm ato katër bishta dhish që kishin mbetur në Pashaliman. Kurrësesi nuk duhej ditur nga publiku i gjerë që vetëm dy prej tyre ishin në gjendje të dilnin në det të hapur; që dy të tjerat “me të shtyrë” mezi i nxirrje në radë, përballë Shkollës së Inkursionit. Prandaj të shkretët regjizorë u detyruan t’i filmonin dy herë. Në anën e majtë të urës së komandimit vunë një numër, në anën e djathtë një numër tjetër. Njëra nëndetëse vlente sa për dy. Ky lloj truku nuk është i panjohur edhe në kinematografinë botërore. Por nëse filmi ishte aq shumë i politizuar si ai “Ballë për ballë”, idea artistike ishte trasformuar në propagandë të pastër partiake.
Të gjitha skenat e filmit të lënë përshtypjen se ilustrojnë 100% idetë e Enverit për prishjen me sovjetikët. Dhe as që mund të merret me mend ideja aq e vërtetë që qëdrimi i tyre rreth liderit shqiptar ka qenë pothuaj mospërfillës, qoftë kur e kishin si aleat, qoftë kur pellua shqiptar u rebelua.
Qëndrimi para atij karakollit të rremë në Shkollën e Instruksionit, sidoqoftë, mua më dha rastësisht mundësinë t’i vështroja shumë gjëra nga lart, dmth për t’i kuptuar më mirë. Ato rrena kombëtare ndonjëherë edhe më zbavitnin, sidomos kur Stavri Shkurtit të shkretë, ndërsa ngjitej drejt varrit të Pashait, i ngecte këmba në të çarat e dërrasave, të fshehura poshtë pllakave të barit. Më vinte edhe keq. Po sikur të ishte gjakosur?
Ah, më vijnë ndërmend edhe skenat me kollonat që ecnin me hap rreshtor nëpër rrugicat e Shkollës. I bëmë vërtetë ato ecje deri sa të dilnin të përsosura sipas regjizorëve. Aty njohëm edhe Ben Imamin, që shpejt e pagëzuam “Beni i Mamit”. Ai të paktën, në mos gaboj, edhe fjeti në kapanonin tonë. Po këto kujtime nuk kanë kurrsesi efektin e lavazhit të trurit, për harrimin e mashtrimeve të mëdha. As edhe forcën që të na detyrojnë të mos bëjmë edhe pyetjet: Po pse o Kujtim Çashku? Po pse o Piro Milkani? Vetëm artin e llustrimit kishit studiuar?
.
Maksim Kaloti, ushtar ne Sazan
Maksim Kaloti, ushtar ne Sazan

Maksi, shpirti parajsor mes Grykave të Xhehnemit

Maksi Kaloti ishte djali i lagjes tonë. Fytyrë e bukur, trup i gjatë, sjellje prej zotërie të lindur, shpirt fisnik. Maksin e ngritën ushtar. Shumë prej nesh nuk e dinin se ku. Edhe unë, deri ditën e fundit, nuk e dija se ku do të më përplasnin. Vetëm kur pashë kapotat e zeza të oficerëve në aneksin e stadiumit të Lushnjes, kuptova se rinisë time kishin për t’i munguar plot tre nga vitet më të bukura. Marinën ne e kishim marrë me tapi. Vëllai im i madh – Fatmiri, atje e kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Për katër vite të pambarueshme. Duhej të ngushëllohesha që do të vuaja një vit më pak? Jo edhe jo. Nuk po shkoja vullnetar t’i shërbeja atdheut tim, më detyruan ta vesh atë uniformë.
As Maksin nuk e kishin pyetur, ashtu si edhe vëllezërit e tij. Ashtu si unë, edhe ai qe i detyruar të pranonte. Nuk mund të ishe conscientious objector nën diktaturë. Nëse nuk paraqiteshe, trajtoheshe si dezertor, përfundoje në burg apo edhe më keq.
Bijtë e atyre që predikonin dashurinë për atdheun, me nota shumë më të këqija se tonat, u nisën universiteteve. Ata ishin përzgjedhur t’i shërbenin atdheut ndryshe, nëpër auditore.
Vetëm kur, pas disa muajsh në Pashaliman, mua dhe Qerim Serbishtin nga Lushnja, si të padëshiruar, na dërguan në Sazan, fillova ta kuptoj vërtetë se ç’më kish ndodhur. U ngjita në njërën nga kodrat me pisha, përkrah portit të vogël të ishullit, dhe ndizja e shuaja cigaret me njera-tjetrën.
O zot, si do t’i shtyja ato 27 muajt e mbetura atje, mbi shkëmbinjtë me emra të tmerrshëm në mes të detit?
Me Qerimin nuk u ndamë asnjëhere, as edhe në Sazan, derisa morëm vesh që një tjetër lushnjar gjendej aty: Maksim Kaloti. U interesuam dhe, si për mrekulli, vumë re se ai ishte caktuar kuzhinier në mensën e madhe të Katerave Silurues. Mensë në ushtri do të thote së pari të hash diçka. Se ushtarit, nuk i shkonte mendja për gjë tjetër në ato vite të egra: vetëm një copë buke më shumë, mundësisht të ngjyer në salsën e kazanit të fasuleve. Pastaj gjumë. Besomëni: që ekzistojnë femrat, ushtarit të Sazanit, i kujtohej kur dilte në Tokë të Madhe, siç i thoshim Vlorës! Nëpër shkëmbinj, falë zotit, kishte plot bunkerë në të cilët, të paktën, partia nuk kishte arritur ta ndalonte masturbimin ritual. Atje kish falimentuar edhe klori me tepricë i hedhur në çaj e gjellëra.
Gjetja e Maksim Kalotit tonë në rolin e kuzhinierit, për ne qe më i rëndësishëm se zbulimi i penicilinës! Edhe pse bënim pjesë në efektivin e marinës, shpesh, unë dhe Qerimi duhej të hapnim edhe tunele. Ushqimi i marinës sa vinte e keqësohej. Sigurisht mbetej më i mirë se ai i “kambaleve”, si i quanim në përgjithësi ushtarët me uniformë të gjelbër; në rastet më të shumta ose genierë, ose artilierë. Për ta shteti kishte rezervuar një copë bukë, pak çaj me klor nëpër sapllake alumini të deformuara, të palara mirë, një copë nga korja e djathit kaçkavall sa një domino, ca kokra fasulesh të rralla nën një shtresë të trashë salce që maskonte edhe mungesën e yndyrës, apo pak pilaf me miza e buburrecër, që ne i quanim me lloj-lloj emrash, si doçër, tarakane, etj. Vetëm kaq, edhe për ata që bënin 12 orë shërbim në ditë apo hapnin tunele. Kush kish mik kuzhinierin e repartit të kambaleve, mund edhe ta ngjyente bukën me salcën në pjesën e sipërme të kazanit, që mbulonte ujin e zjerë, në fund të të cilit një polumbar do ta kish të vështirë të peshkonte kokrat e rralla të groshës. Salca acide që brente stomaqet, sidoqoftë, konsiderohej një fat i madh.
Prej kësaj urie të përhershme tek ushtarët e Sazanit kishte lindur prej kohe këmbimi në natyrë, i tipit: një fletë-leje e fallsfikuar me katër vazo komposteje kumbulle plus dy bukë të porsapjekura, korja e të cilave mund të ta shuante edhe thatë urinë. Bukët t’i jepte me një shkëmbim tjetër furrxhiu apo mushkaxhiu, edhe ai ushtar, kur i vije para hundës një kuti të vjedhur mishi. Tre konserva të sardeleve të Vlorës arritën të shkëmbeheshin me një kg manaferra të mbledhura nga barinjtë. Sardelet vidheshin kryesisht nëpër magazinat e anijeve. Dikush njëherë shkëmbeu xhaketonin për një kg djathë, me shpresë që të vidhte më pas një tjetër por, për fatin e tij të keq, iu desh të kalonte një javë janari vetëm me bluzën, derisa e zëvendësoi. Me ca pako makarona mund edhe të siguroje një dalje klandestine prej Sazanit në Vlorë, me çisternën e ujit që kish ekuipazh civil.
.
Shpend Sollaku - Noé
Shpend Sollaku – Noé
Tek mensa e silurave dieta socialiste ishte ca më ndryshe. Atje qarkullonin edhe kutitë e mishit, edhe konservat e peshkut. Kuptohet, jo për të gjithë. Hidheshin në kazan dhe askush nuk kuptonte më sesa ishin përdorur. Prandaj edhe gjetja e Maksit në atë mensë qe një ndodhi e jashtëzakonshme. Ai u bë copë të na ndihmonte, për të mos provuar urinë. Nuk qe i detyruar ta bënte, por rrezikoi njëlloj duke na nxjerrë ushqim, apo duke mbyllur derën e kuzhinës nga brenda, për të mos na gjetur duke ngrënë oficerët që, sidomos mua, sidomos disa prej tyre, nuk më shihnin dot me sy. Shumë në atë kuzhinë të rrezikshme, me derën përballë komandës së marinës, do të kishin zgjedhur asnjanësinë apo servilizmin ndaj eprorëve. Maksi zgjodhi rrezikun duke ndihmuar të tjerët. Dhe ky është tipari kryesor i njeriut fisnik: nëse ka mundësi, bën mirë, edhe në ato vende të sikterisura që mund t’i quaje me plot gojën vrimën anale të Shqipërisë.
Në atë ishull pata fatin e mirë të kem miq besnikë, se ndryshe kushedi se në çfarë qelish do të kisha përfunduar. Shoqëria ime me Qerimin e Maksin u zgjerua nga pak shumë me lushnjarë, përfshirë këtu të mirin Arjan Rançi, të buzëqeshurin Llazar Loshe, Idriz Labotin e shkretë me forcë herkulore dhe ndonjë tjetër. Jam gjendur mirë edhe me Xhovani Pingulin, të riun e edukuar nga Berati, me të cilin më bashkonte origjina. Rrinte afër nesh edhe ish-mësuesi i urtë i rusishtes, Gëzim Myzeqari, që e kishin caktuar postier dhe na tregonte fshehurazi telegramet… edhe për vdekje, që ndodhte të mos na i njoftonin.
Mes oficerëve, kishte edhe nga ata që nuk më njoftuan vdekjen e babait, por kishte edhe të tjerë që na ndodheshin afër në hall apo që na kuptonin. Quheshin Et’hem Mahmutaj, Kostandin Lika, Vladimir Beja, Ylli Lika, Resul Lagji. Ata burra nuk ishin vetëm të mbushur gjer në grykë me parime, tritole, silura, bomba thellësie, nëndetëse, katera, dragamina e gjuajtës. Edhe pa e rrënuar autoritetin prej oficeri, nën uniformë ata ditën të mbeteshin njerëz ndaj nesh – të papranuarit edhe në vendin me emra të tmerrshëm: Gryka e Xhehnemit, Gryka e Skëterrës.
Këto rreshta janë vetëm një homazh i vogël për njerëzit shpirtgjerë si Maks Kaloti që, si edhe shumë të tjerë, kanë bërë mirë në kohëra të vështira, pa synuar aspak të jenë heronj, apo të përfundojnë në faqet e para të shtypit. Në fund të fundit këta janë heronjtë e vërtetë, që si të tillë i njohu shoqëria, dhe jo dekretet e vulosura në zyrat e mykura të diktaturës.
Në kohë të këqija, ai që nuk arrin të bëjë mirë, të paktën nuk duhet të bëjë keq. Aq më mirë kur në mes të ferrishtes gjen mundësi edhe t’i falësh tjetrit një mirësi, që mbetet edhe pas jetës.
Pasi vendi i keq, i bënte akoma më të ligj të këqinjtë, ndërsa të mirën tek burrat që përmenda më sipër nuk arriti ta tjetërsojë. Ashtu edhe si nuk tjetërsoi djaloshin Maksim Kaloti. Edhe pse ne nuk ishim nga më të këshilluarit për t’u patur miq, edhe pse, për shkakun tim e të shokëve të mi, kur u larguam më në fund prej Ishullit, lamë pas një psherëtime kënaqësie: Ahhhh! Mos na mbiftë më këmbë lushnjari këtu në Sazan.
I dinim të urtë! Kush, Shpend Sollaku?! Pa, pa, pa, pa!
.
Marre nga Gazeta “Dielli”, 24 mars 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.