back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Lirim Biçaku – Në toka të pashkelura, gjen lule të paprekura!

Gazeta

Lirim Biçaku
Lirim Biçaku

Lirim Biçaku –

“Në toka të pashkelura, gjen lule të paprekura…!”

ish i përndjekuri politik, piktori Lirim Biçaku

intervistoi Albert Zholi

Jeta e tij ka qenë shumë e vështirë. Madje, deri diku e pabesueshme.
Në vitin 1945, babai i tij arratiset së bashku me gjyshin
dhe kështu ai rritet jetim: vetëm me nënën – Kadifen.
Kishte ëndërr: “Të bëhej piktor…!”
Vjen një ditë dhe konkuroi për piktor, ku fitoi,
por për arsye biografie nuk e pranuan në shkollë.
Por, të qenit i internuar për 50 vjet, bëri që ai të lexojë mbi 2.200 romane.
Diktatura ia vrau ëndrrën e tij për pikturë
dhe e degdisi murator dhe punëtor ferme,
por ai asnjëherë s’e la mënjanë librin…
U rrit me të dhe me dëshirën që një ditë t’i kthehej penelit.
Me ardhjen e demokracisë, ëndrra e tij u realizua...
.
Lirim Biçaku vaj
Lirim Biçaku vaj

Pse ju internuan dhe kur ju internuan? Fill një vit pas çlirimit, filluan vuajtje të papara, më keq se në Aushvic. Internimi i familjes sime erdhi mbasi babai im, Isuf Biçaku, me gjyshin Hazizin u arratisën në vitin 1945, pse nuk e pëlqenin regjimin që erdhi mbas Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk e donin komunizmin. Kishin të tjera pikëpamje: Nuk ishin për zhdukjen e pronës private, dëshironin një shoqëri vërtet demokratike, ku prona private të ishte në themel të saj… Pra, të respektohej e drejta e pronësisë. Mbas arratisë, ata shkuan në Stamboll. Vite më vonë babi im, Isufi u vendos në Bruksel, Belgjikë, ku edhe u martua sërish.
Nga është prejardhja juaj? Origjina ime është nga një fshat, Letëm, në periferi të Librazhdit. Pra, një fshat i mirë, i pasur. Ishim një familje e kamur në atë kohë.
Cilat ishin vendet ku ju internuan? Nga viti 1945 deri në vitin 1950, kaluam nga Berati në Kuçovë, pastaj në Turan të Tepelenës. Nga viti 1950-‘54 në Tepelenë, kurse prej vitit 1954 e deri në vitin 1992, në Savër të Lushnjes.
Cilat ishin dallimet midis këtyre kampeve, apo internimeve? Në Kuçovë ne rrinim në një kapanon gjithë të burgosurit, meshkuj dhe femra bashkë. Hanim nga “kazani” ose “gjellë kazani”, kështu quhej atëherë. Pra, të gjithë kalonim para kazanit me një tas alumini në dorë ku na hidhnin një garuzhde me lëng që kurrsesi s’mund të quhej gjellë. Aty mund të lundronte vetëm një kokërr fasule, apo ndonjë kokërr orizi. Kjo ishte supa jonë e famshme me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Na jepnin edhe një copë bukë misri, sa për të kaluar radhën. Shumë njerëzve u binte të fikët, pasi nuk mund të mbaheshin dot me atë ushqim. Sëmundjet bënin kërdinë.
Pas Kuçovës në Tepelenë? A kishin ndryshime në këto dy kampe-burgje? Mënyra e të fjeturit ishte e nëjtë. Në Tepelenë flinim në një kapanon të madh të kohës së luftës, të ndërtuar nga italianët. Në tokë kishim vendosur nga një copë dërrasë ku shtriheshim të gjithë të radhitur si fishekët në karikatore. Kështu quhej organizimi i të fjeturit tonë, të konservuar si fishekët në karikatore. Për  5 vjet s’e pamë ngjyrën as ngrohtësinë e zjarrit, s’e pamë kurrë të larit e lirshëm, apo një dhomë të veçantë, ku dikush mund të rrinte me bashkëshorten apo me fëmijët e vet. Rifuxho të gjithë. Në shesh të gjithë. Banjat i kishim 200 metër larg, në breg të lumit. S’dinim se çfarë ishin ndërresat. Na kalonin nga një kamp-burg në një tjetër, duke na hedhur në tokë, duke mos pasur asnjë ndërresë, por dhe asnjë lloj leku.
Ç’do të thotë kjo, s’kishit asnjë lekë me vete? Jo. S’kishim, ku t’i merrnim dhe s’kishim as ku të blinim. Po të them se prej vitit 1945, deri në vitin 1954, s’më kishte rënë në dorë asnjë lloj leku. S’e kisha idenë as se si blihej, mbasi nuk na linin të dilnim as jashtë.

Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991

Pra, më 1954 shkuat në Savër. Po aty nuk ishit të burgosur? Jo, në Savër ishim të internuar. Pra, na çuan në një kapanon, ku ne na ra të ishim në hyrje të derës. Aty hynte i ftohti dhe i nxehti si të donte, por nga ana tjetër ishim të detyruar që të duronim të shkelurat e njerëzve që dilnin natën jashtë. Eh, sa shkelma kam ngrënë në atë derë. Ishte një stallë kuajsh. Më pas na çuan katër familje bashkë në një dhomë. Më vonë u ndërtuan dhe 7 barakat e famshme, ku rrinim disa familje bashkë. Shpesh herë kemi përdorur dritaren si derë dhe anasjelltas.
Internimi kishte midis të tjerash një të keqe shumë të madhe. E keqja e madhe ishte se çdo ditë duhej të paraqiteshe në apel, pra shikoheshin mungesat, pasi kishin frikë mos arratiseshim.
Kjo për gjatë gjithë kohës. Pra gjatë gjithë kohës që ke qenë aty duhej të zbatoje apelin? Jo, gjatë gjithë kohës. Varej nga masat e dënnimit. Nqs të ulej dënimi, atëherë quheshe i dëbuar dhe jo i internuar. Kishte një dallim esencial midis interrnimit dhë dëbimit…  Eh, sa të internuar dëshironin të shpalleshin të dëbuar!
Nga dallonte një i internuar nga një i dëbuar? Pra, pas disa vjetësh interrnim, nëse e shihnin se punoje mirë, ishe korrekt, kishe rendiment, nuk të dëgjonin të flisje kundër Partisë dhe shokut Enver, atëherë të ulej masa e dënimit dhe nuk quheshe më i internuar, por i dëbuar. I internuar ishe i detyruar, të ishe në të dy apelet që bënte oficeri i Sigurimit, ndërsa i dëbuar nuk paraqiteshe në apel, por kishe kufizime në lëvizje. Pra, si i dëbuar unë s’mund të shkoja më shumë se qyteti i Lushnjës, pasi për çdo shkuarje në Tiranë, apo gjetiu, duhej të merrje leje në Degë. Nëse miratohej, mirë, nëse jo s’mund të lëvizje më shumë se Lushnja. Ky ishte dallimi midis të internuarit dhe të dëbuarit. Fjala vjen, kur shkonim në lumin e Semanit për banjo, shokët e mi e kalonin lumin, kurse unë, si i dëbuar, deri në breg e kisha lejen.  Po të kaloja matanë, më quhej arratisje. Me dëbim, mund të kishe liri të lëvizje deri në tre rrethe.
A njihej më parë Savra e Lushnjes? Unë kam lexuar shumë për këtë  fshat interesant. Ai bëhet i njohur qysh para kohës së Skënderbeut, pasi aty janë gjetur shumë armë të asaj kohe, gjë që tregon vërtetësinë e një lufte shqiptaro-turke. Por, si fshat internimi u formua rreth vitit 1949.  Pra, kur shkuam ne si familje, ai kishte pesë vjet që kish nisur të funksiononte. Në Savër sillnin për punë familjet e të përndjekurve politikë, dhe ish kulakëve, siç i cilësonte Enver Hoxha. Aty kishte njerëz nga gjithë Shqipëria, madje mjaft intelektualë në zë, të cilët s’e donin regjimin. Kishte shumë njerëz nga dyer të fisme. Fillimisht ishin afërsisht 200 të internuar dhe po kaq në fshatin Plug.
Pra, aty filluat të paguheshit? Po. Aty filluam ta njihnim lekun. Punonim dhe paguheshim. Punonim në fermë. Tre muaj na mbajtën me “gjellë kazani”, pastaj paguheshim për aq sa punonim. Dmth sa të donin ata që na drejtonin, pasi ne punonim shumë, por s’e dinim cila ishte vlera e punës. Kishte raste që mblidhnin deri në 120 kg pambuk në ditë për 12 lekë, kur merrnim 14 lekë në ditë, eh, sa gëzoheshim! Puna ishte e rëndë në vjelje pambuku. Gratë ishin më të palodhura në këtë punë.
Po si murator ke bërë ndonjë ndërtesë të veçantë? Pas disa vjetësh punë, mora kategorinë e shtatë. Kisha bërë shkollën e mesme pa shkëputje nga puna. Në vitin 1967, na thanë të ndërtonim Shtëpinë e Pritjes në Lushnje. Aty do vinin udhëheqësit. Punuam nga 14 orë në ditë. Kontrolli ishte i rreptë. As kokën nuk e ngrinim. Qe një ndërtesë bashkohore. E bëmë para afatit. Për këtë punë na falënderuan. Atëherë qarkullonin fjalë se atë Shtëpi Pritjeje do ta inauguronte vetë Enver Hoxha, por unë s’e mora vesh se ç’u bë më vonë. Di që ajo diskutohej gjithmonë si shtëpi e veçantë, që të gjithë udhëheqësit, kur u binte rruga, ndalonin aty për pushim.
Kur e ke ndjerë veten më mirë në internim, apo dëbim? Në vitin 1988, më dhanë një hyrje prej tulle në një  pallat në Savër. O Zot! Nuk e besoja. Një jetë të tërë vetëm nëpër kampe, barraka, apo stalla kuajsh. Një jetë e tërë pa një banesë të rregullt, pa banjë, pa sobë, pa ngrohje, pa lëre për freskim. Ajo shtëpi m’u duk si shtëpi princash, si vilë nga më të bukurat e botës. S’e besoja. Kur kam fjetur natën e parë, m’u duk vetja si perandor. Një dhomë e vërtetë, e një shtëpie të vërtetë. M’u duk vetja perandor!

Markagjonet - Bardha, Marta, Kristina, Gjoni, Çelestina
Markagjonët – Bardha, Marta, Kristina, Gjoni, Çelestina – Savër 1960

Po banjat ku i kishit në Savër? Jashtë. Rreth 20 metër larg kapanonit. Në të ftohtë apo ku di unë, do kaloje pellgje balte për të shkuar aty.
Po kur u martove si bëre? Bëra një shtesë me kallama te baraka, ku jetoja. Mos e fol. Dhoma ime ishte 3,5×3,5 metër, unë e zgjata pak. Pra, sa mbaronte kasollja, ishte një furrik pule dhe më poshtë banja.
Po shkollimin si e bëtë? Kur u quajta “i dëbuar”, shkoja në Lushnje dhe bëra shkollën fillore, pastaj të mesmen dhe një shkollë për  murator.
Kë do të veçoje nga gratë e fermës? Vajzën e Gjon Markagjonit. Ajo ishte më e nëpërkëmbura, por se jepte kurrë veten.
Po nga meshkujt kë do të veçoje? Tasim Spahiun, një ish ushtarak i cili në kohën e luftës kishte bërë një debat me Enverin në Poçem. Përplasja kishte të bënte për ndërtimin e shoqërisë së re mbas lufte. Enveri ia vuri vath në vesh. Pas lufte, duke qenë se ishte një ushtarak i përgatitur, Enveri e la për 4 vjet si pedagog në shkollën ushtarake… Pas katër vjetësh e internoi në Savër.  Ishte njeri me kulturë, i paepur. Kishte një pamje fisnike dhe nuk e jepte veten, derisa vdiq i harruar aty në Savër!
Ku varroseshin ata që vdisnin? I çonin në varrezat e Lushnjes, më vonë u hapën edhe varrezat e Savrës.

Gjeneral Tahsin Spahiu
Gjeneral Tahsin Spahiu

Cili intelektual ju ka bërë përshtypje më shumë? Zenel Prodani, një burrë i pashëm, dy metër. Njeri i ditur që, kur fliste, mrekulloheshe. Po, aty kishte shahistë me famë, boksierë me famë, përkthyes me famë. Kur është diskutuar “Komedia Hyjnore”, të gjithë ata personazhe, në Savër i gjeje.
Kishte nga zonat e Jugut? Po, por ajo që s’më besohej, ishte se aty ishte dhe djali i xhaxhait të Enver Hoxhës, Vehib Hoxha. Ai binte në sy. Kishte tri vajza dhe gruan. Rrinte i heshtur në hallet e veta. Ne thoshim se kur s’i vjen keq për djalin e xhaxhait, si do i vijë keq për ne Enverit. Ndonjëherë edhe e paragjykonim, por ai ishte një burrë zotni, i heshtur dhe që i donte njerëzit.

Vehip Hoxha
Vehip Hoxha

Kë tjetër do të veçoje? Ah, po do të them se ishte një njeri tepër i veçantë. Ai quhej Lazër Radi. Ishte nga Shkodra. Ishte ndër nismëtarët e krijimit të grupit komunist të Shkodrës, së bashku me Qemal Stafën. Një njeri shumë i ekuilibruar dhe i dashur. Ishte një luftëtar i zoti. Pas vrasjes së Qemal Stafës, e akuzuan si një ndër pjesmarrësit në vrasje. Madje, pas çlirimit dhe e burgosën. S’e di sa vjet bëri, por pas dënimit, e sollën në Savër. Ai kurrë s’e pranoi se ishte pjesmarrës në vrasjen e Qemal Stafës, pasi e kish pasur shok të ngushtë dhe e donte shumë. Jeta e tij ishte shumë e koklavitur. Vdiq disa vjet, pas demokracisë. Aty kam parë shumë njerëz që me të vertetë duhej të vlerësoheshin… por jo… Enveri i çoi aty ku ishte dhembja më e madhe.

Zenel Prodani, Savër 1956
Zenel Prodani, Savër 1956

Kush ishte persekutimi më i madh që ju bënin? Kur bënin diskretitime publike. Pra, të nxirrnin në mes të sheshit të kinemasë dhe i detyronin njerzit të të pështynin. Kështu bënë njëherë edhe me mua, më nxorën në mes të sallës të më pështynin, si njeri me baba dhe gjysh të arratisur, në kuadrin e luftës së klasave. O Zot, po ç’u kisha bërë! Ç’ishte kjo gjëmë komuniste e pashembullt? Por vura re se shumica s’e bënë këtë gjest. Nuk më pështynë. Oficeri i Sigurimit u çudit. Madje kishte dhe komunistë që nuk pranuan të më pështynin.
Internimi mbetet internim, çfarë të mire ke pasur në ato vite? Mbase internimi më lidhi më shumë me librin. Ne ishim katër shokë dhe ishim lidhur me librarinë e qytetit të Lushnjes. Çdo libër i ri që dilte, shitësi na e ruante. Ne kursenim çdo gjë, për të blerë një libër. S’e si, s’e di! Por e mira më e madhe ishte, se në internim njihje njerëz me emër të madh që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit dhe kishin një kulturë të jashtëzakonshme. Ata ishin intelektualë të mirëfilltë, madje të gjithë dinin nga 3-4 gjuhë të huaja.
Çfarë bëje në kohën e lirë? Lexoja dhe vetëm lexoja. Qysh nga viti 1950 dhe deri në vitin 1962 unë kam lexuar 2200 libra, kryesisht romane. Pra, në 12 vjet në çdo tre ditë mbaroja një roman.
Po pas përmbysjes së diktaturës, u morët me politikë? Aspak. Çdo gjë ia kushtova fëmijëve, arsimit të tyre dhe artit, pra pikturës. Kam tre fëmijë të arsimuar që kanë zënë pozicione në jetë.

Naxhi Bakalli: Lirimi është i lirë, dhe s’i ngjan kurrkujt!

Pas përmbysjes së komunizmit ndenjët në Savër? Jo, u punësova në Lushnjë, dhe në vitin 1998 erdha në Tiranë, ku m’u duk vetja emigrant, pasi në kryeqytet s’kisha asnjë të njohur. Bëja xhiron e ditës qendër-shtëpi dhe anasjelltas pa patur një shok. Isha edhe i papunë dhe mendova: “T’i futem ëndrrës sime të vjetër: pikturës, apo të rri e të luaj domino me pleqtë?!”. Iu futa pikturës, dashurisë sime të parë… Punova 4 vjet pa pushim ditë e natë, pa njohur asnjë prej piktorëve të Tiranës. Mbas katër vjetësh, duke parë edhe punët e mia, u bëra mik me mjaft piktorë të njohur.
Ditët e fundit ju morët pjesë në një ekspozitë të artit pamor për gratë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Si e keni filluar pikturën dhe çfarë punimesh ke pasur në këtë ekspozitë? Unë kam rreth 20 vjet që merrem me pikturë… menjiherë mbasi iku djali im në Belgjikë me studime. Pra, ëndrrën time të parë, ëndrrën time të bukur munda ta prek me ardhjen e demokracisë?
Cilët ishin piktorët që të inkurajuan më shumë? Falë dy piktorëve: Bujar Zajmij dhe një piktori që punonte në Teatrin Kombëtar, munda të hap ekspozitën e parë, e cila s’mu pranua në Galerinë e Arteve (për mungesë diplome!!), por në Galerinë T&G. Mbas hapjes së kësaj ekspozite, unë njoha edhe shumë piktorë të tjerë, të cilët kanë lënë shënimet dhe impresionet e tyre në librin e përshtypjeve për punët e mia. Mbas kësaj ekspozite, kalova nga punimet në akuarel, në punimet në vaj.
Sa ekspozita personale dhe sa të përbashkëta keni hapur deri tani? Deri tani kam hapur 7 ekspozita personale dhe më shumë se kaq të përbashkëta. Thuajse çdo vit kam hapur një ekspozitë vetjake dhe një të përbashkët.
Tek ekspozita “Gruaja Shqiptare” me rastin e 100-vjetorit si morët pjesë dhe sa punime kishit? Në këtë ekspozitë u përzgjodha nga një komision i Galerisë së Arteve. Në radhë të parë, për këtë ekspozitë duhej të kishe piktura vetëm për gratë, femrat. Unë paraqita disa punime me gra dhe komisioni përzgjodhi tre punime të miat.
Si ndihesh sot? Rininë e kalova mes vuajtjesh të madhe, pleqërinë po e kaloj me art…
Sa piktura keni në fondin tuaj? Mund të jenë mbi njëmijë. Mendoj aq, po mund të jenë edhe më shumë.
Ju thatë se nga akuareli keni kaluar në vaj. Po tani i përdorni të dyja llojet e bojërave? Po, nga akuareli kam kaluar në akrelik dhe së fundi në vaj. Pra, sot në punimet e mia dominojnë punimet në vaj. Çdo lloj teknike ka hilet dhe delikatesat e saj, por të gjitha duan kujdes në përdorim.
Sot rendet pas pikturës abstraksioniste. Ju e përdorni këtë rrymë, apo jeni në për pikturat realiste dhe peizazhin? Unë pikturat i kam filluar me punime realiste, të cilat i paraqita në ekspozitën e parë. Në këtë ekspozitë pikturat kishin vetëm pesë për qind dritë dhe dominonte errësira. Pastaj ishte këshilla e djalit tim, që e kam piktor në Bruksel, i cili më tha: “Babë, duhet të shohësh dritën, s’u ngope 50 vjet me errësirën?!”
Dhe tani, po të shohësh punimet e mia, kanë 95 për qind dritë dhe pesë për qind errësirë. Në ekspozitën e fundit piktori Naxhi Bakalli më tha tri fjalë: “Lirimi është i lirë, dhe s’i ngjan kurrkujt”.

Pikturë e Lirim Biçakut 2012
Pikturë e Lirim Biçakut 2012

Kjo tregon se ke individualitetin tënd? Po. Mendoj se e kam krijuar këtë individualitet. Por dua të them se vitet e fundit kam kaluar te abstraksionizmi. Mbasi lexova një libër të një piktori abstraksionist Kandiskij, ku shkruante se “70 vitet e mia i humba për të prekur të virgjërën natyrë, të cilën nuk e arrin askush, tani iu ktheva ëndrrave të mia që më bëjnë të qartë…” Ndërsa Salvador Dali mbetet piktori më i mirë abstraksionist. Unë sot punoj 8 orë në ditë, duke pasur parasysh këta dy njerëz të mëdhenj të abstraksionizmit…
Po gjatë regjimit komunist s’u more fare me pikturë? Si të merresha? Puna më lodhte, po më kryesorja nuk kisha vegla pune, penela, kanavaca, bojëra. Ku kisha mundësi t’i merrja? Por edhe të bëja, kush më linte t’i ekspozoja?!?
Cili është vlerësimi më i madh që ju është bërë si piktor? Një amerikan, i cili mbasi pa një ekspozitë timen, tha kështu: (thënien e tij e kam në librin e përshtypjeve) “Në toka të pashkelura, gjen lule të paprekura…!”
Keni konkuruar dhe nuk iu kanë dhënë të drejtën e studimit? Po. Në vitin 1956, konkurrova në Lice për pikturë. Fitova, por s’u futa për asnjë minutë në ambientet e Liceut Artistik, pavarësisht se e fitova konkursin. Kështu që fillova dhe mbarova gjimnazin dhe mnë pas punova në ndërmarrjen NSHN të Lushnjës. Edhe pse usta me kategori të shtatë, përfundova punëtor krahu në parcelat e Myzeqesë deri në vitin 1992.
Kur u takuat me babanë? Mbas 48 vjetësh. Kur unë u bëra gjysh, pasi më lindi vajza, unë takova babanë, i cili erdhi në Shqipëri.
Marrë nga gazeta “Telegraf” 17 tetor 2013 (Titulli origjinal: “Vite të tëra, katër familje në një dhomë”)

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. E njoh Ilirin, (të paktën me këtë emër ma kanë prezantuar dhe kështu i thërrisnin në Savër… nuk e dija që emri i rregullt i tij është Lirim, por kjo pak rëndësi ka. Ajo që dua të them në këtë rast është një bisedë e shkurtër që kam bërë me këtë njeri rreth 30 e ca vjet më parë, atje në Savër. Isha në kulmin e punës për detyrën time të vështirë, për riorganizimin e sektorit mekanik të ish NB Savrës, si një ndërmarrje e re. Nuk dija nga ta kapja, çdo gjë ishte sëprapthi, detyrat e ditës kërkoheshin e një pjesë e kohës më kalonte si gjyq nga shefat e mij. Sektori mekanikës ishte një makinë e prishur që duhej të riparohej në ecje e sipër. Ishte hera e parë që e kam veten ne pikpyetje: isha unë apo nuk isha, por kjo kërkon një roman të tërë e përsëri nuk ja dal dot, por le të kthehem tek Lirimi. Isha aty në sektorin e mekanikës dhe po mendohesha kur pashë që mu afrua një njeri, me qetësi e me shprehje mirësie. Jam puntor këtu në këtë sektor më tha ai, por me vjen keq që njerzit mundohen shumë për vjeljen e pambukut. Unë kam një propzim: Të bëjmë një makinë për vjeljen e tij dhe para meje më shpalosi disa vizatime, kuptohet skematike mjaft të qarta. U hodha një shikim të shpejtë dhe gjëja e parë që kuptova ishte pamundësia që kishim në atë të ashtuquajtur oficinë për prodhimin e kësaj makine që ishte gati shpikje e Lirimit. Më befasoi puna e tij… kushedi sa ditë kish punuar ai për t’i bërë ato skica. E pashë në sy me mirënjohje dhe e falenderova, por i shpjegova se ajo ishtë jashtë kapacitetit tonë, si sektor. Ndërkaq as që bëhej fjalë që atë racionalizim t’a ndiqja unë pasi nuk me linin punët e dites. Puna e gjithë sektorit që drejtoja matej me sa u mboll dhe sa u korr gjatë ditës.Natyrish Lirimi më kuptoi, por për arsyet që dihen vetëm sa shkëmbeja një përshendetje mirënjohje nga ai njeri i talentuar… dhe kaq. Ishin kohë të vështira. Une isha në “pjesën e lirë” të Savrës, por jo të gjithë i dinin hallet tona. Jam i gëzuar që më në fund Lirimi i urtë dhe i talentuar ka gjetur veten. Floririn edhe në ferrë t’a hedhësh, flori mbetet… thotë një fjalë e urtë.

  2. Dua të komunikoj me Ilirin… A e di ndonjë se ku ndodhet??
    Kam dëgjuar se ka shkuar në Amerikë, me shumë të përndjekur të tjerë… nëse është e mundur… ish shokët e mi të Investimeve të Fermës Savër, të shikojnë adresën time në facebook: agim qose… skype: agim.qose
    0355.692131223
    Dua të lidhem me të gjithë këta shokë të dikurshëm… se i respektoj, dhe s’dua t’i harroj… se ishin të mirë, s’na bënin keq asnjë personi, vetëm se ishin halë në sy të atyre që na kishin vënë në zgjedhë si kafshët…
    Njeherë, më thirrën në shtëpitë e tyre që ishin si kasolle, me shtesa që ndokush do mirrte plevit, me ato shtëpi të mbuluar me eternite [që sot janë të ndaluar si kancerogjene] deshë me thanë qe ti vendosja një kanaçe për televizorin [kanaçe quhesh në at kohë një konvertitor frekuencash, që të lejonte të shihje kanalet uhf… të Italisë, ose jugosllavit] Unë isha mjeshtër i kanaçeve… shumë të thjeshta dhë shumë praktike… po të doje, i hiqje për pesë sekonda nga kablli i antenës, por me frikë shkova, sepse spiunët bënin punën e tyre… Më bëri përshtypje për ato shtëpi të ulta, qe kur binte shi, ishin në nivelin rrafsh, dhe uji i shiut hynte brenda në koridorr…
    Ndjej një nostalgji për atë kohë, kur njerëzit ndërmjet njëri tjetri ishin më vëllazërorë, përveç spiunave të qelbur, që janë dhe sot rrugëve… mjafton ti paguaj dikush… edhe vëllanë e vet e spiunojnë…

  3. Ndjej respekt për këtë burrë inteligjent, i duruar ndër vite.. E njoh, kam punuar me ilirin [kështu e thërrisnim në punë, punonte në investimet e fermës së Savrës, une isha në Rrapëz, dhe punonin në një sektor, por në brigada të ndryshme, shpesh na binte të punonin nëe një brigadë… Kemi pasur dhe të tjerë nga Savra, por më bënin përshtypje se ishin mjeshtra në çdo punë që i caktonin, jo nga frika e spiunëve, qe ishin si morrat, por e kishin në gjak, punën cilësore, kishte raste që unë flisja kundër regjimit të atëhershëm, merresha pak me propogandë antipushtet, dhe më kishin tërhequr disa herë vëmendjen komunistat e fermës, por për fat të mirë nuk hëngra ndonjë gozhdë ndryshkur, dhe vetë djemtë e persekutuar, kur flisja kishin disi frikë, se mos i provokoja, ishin shumë të matur, njëherë e bënë shembull, një shokun tonë Ilir Spahiun… na erdhi keq që e deskretituan në mes të Rrapzës… na erdhi disi keq, se ishte burrë i drejtë, e bënin për të frikësuar ne punëtorët… Ishte porosi, por për këta, djem dhe burra të ndershëm, u erdhi liria si gjithë shqiptarëve… Sot i përshëndes të gjithë, ish të përndjekurit, kudo që të jenë në botë… Agim Qose/ Kolonjë – Lushnje

  4. E lexova me vëmendje intervistën e z. Lirim Biçaku, të cilin e mbaj mend shumë mirë gjatë vizitave të mia mjekësore në Savër, por edhe më vonë në poliklinikën dhe spitalin e qytetit të Lushnjes… Gjithmonë më bënte përshtypje indiferenca e tij dhe urtësia së bashku me modestinë megjithëse paskerka qenë shumë i ditur. Po përmend me këtë rast dy aforizma popullore: “Kalliri bosh e mban kokën lart, si kokosh”. Lirimi e mbante kokën gjithmonë ulur, shikonte punën e tij dhe më në fund… ja se cili paskërka qenë dhe, mua më bëhet shumë qejfi për sukseset e tij. Aforizma tjetër: “Më mirë vonë se kurrë!”. Era e demokracisë e shpuri Lirimin (megjithëse me vonesë) në talentin e tij dhe pasionin, që ai ka patur qysh nga vegjëlia.
    Suksese i dashur dhe shëndet e jetë të gjatë…!

  5. Shumë i vërtetë në ato që thotë! Ka një sinqeritet të admirueshëm dhe krenari të heshtur në vuajtjet dinjitoze dhe punën këmbëngulëse për të arritur ëndrrën e vet, siç është ajo e pikturës, e hedhjes së imazhit në telajo. Kam përshtypjen se diku e kam takuar këtë person, por s’jam në gjendje ta përcaktoj me saktësi.
    Sidoqoftë pamja e tij e ngrohtë të ngjall respekt.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.