back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Letër me litar në grykë nga Përparim Hysi – Xhaxhait tim, Hilmi Hysi, të pushkatuar në vitin 1948

Gazeta

Krimet e Komunizmit
Krimet e Komunizmit

Letër me litar në grykë*

nga Përparim Hysi

Xhaxhait tim, Hilmi Hysi, pushkatuar në vitin 1948

Titullin këtij tregimi e kam vënë sipas letrës që ka lënë, xhaxhai im, Hilmi Hysi, jurist i diplomuar në Francë dhe i pushkatuar nga diktatura në janar të vitit 1948, me grupin e dytë të deputetëve me Riza Danin e com… Kjo letër, është e vetmja pasuri e tundshme dhe e patundshme që na ka mbetur nga xhaxhai, që u pushkatua në moshën 35 vjeçare, duke lënë të shoqen të re dhe dy çupa të mitura: njerën 6-vjeçe dhe tjetrën 3 vjeçe. E pushkatuan dhe, edhe sot, ne nuk ia kemi gjetur varrin ku mund të vendosnim një lule.
Fillimisht, do t’ju njoh me letrën që veç nesh që e disponojmë, është botuar më 10.2.1993 në të përjavshmen “Liria” të ish-të Dënuarëve dhe të persekutuarëve politikë të Shqipërisë.
Hilmi Hysi, ia dha letrën një mikut të vet, Dr. Zymës, mjekut me të cilin kishin miqësi të hershme. Letra, ku nuk është e vështirë të kuptosh talentin dhe pasionin e tij letrar, është titulluar: “Letër me litar në grykë, bijës sime 6-vjeçare Lilit! Ja ç’shkruan ai në të:
.
Studentë të Jurisprudencës - Montpellier Francë 1937
Studentë të Jurisprudencës – Montpellier Francë 1936

Letër me litar në grykë*

bijës sime 6-vjeçare, Lilit!

E dashura bija ime!
Je ti vajza më e madhe, je ti që do të takojë të keshë barrën më të rëndë, e kujtimet më të shumta, dhe unë tek ti lë shpresën dhe amanetin e fundit.
Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit, që më shtyjnë të të shkruaj. E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do mundoheni edhe për kafshatën e bukës thatë, që ju do zvarriteni rrugë më rrugë, që ju nuk do njihni ç’është lumturia, se do t’u mungojnë të gjitha. Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këto, mos t’ju vijë keq dhe të vuani. Jam i bindur, se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, dhe nga të gjitha vuajtjet.
Dije, Lidia ime e vogël, se ti je shpresa, dhe nga sjellja jote do varet lumturia e nënës dhe motrës tënde. Kam bindjen dhe sigurinë, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj për ju dhe lus të ruhet emri im dhe juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë kërkon nga Lidia e tij e vogël. Mos ia moho këtë të drejtë!
Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara. Shoh lotët e tua, Lili! Derdhi lotët! Qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde, Lili! Fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër më veten të shohësh në hidhërim. Në rastet më vështira mendo se dhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili! Kujdes në çdo hapë të jetës tënde.
Këto ishin porositë e mia të fundit.
Me mall të puth.
Yt atë, Hilmi. (Tiranë ditët e para të janarit 1948)
 
Mynevere Hysi, gruaja e Hilmi Hysit kujton se: Burri i saj Hilmi Hysi, nuk e kuptoi kurrë se kujt ia pati borxh jetën e tij të re dhe të pafajshme!
Në gjyq, Hilmiu hodhi poshtë akuzat, duke mos pranuar asnjë prej tyre. Shumë tortura çnjerëzore provoi gjatë hetuesisë Hilmiu. Futur në një fuçi të mbushur plot me uji, në një birucë fare të vogël e pa dritare në burgun e Gjirokastrës, ku është sot dhoma e torturave të tij, tashmë e kthyer në muze. Më të tmerrshme ishin torturat në Burgun e Tiranës.
Myneverja, gruaja e Hilmiut, vazhdon të kujtojë: “Në rrobat që na vinin nga burgu, gjenim vazhdimisht njolla gjaku. Në çorape gjenim thonjtë e shkulur, në shaminë e duarve edhe dhëmbë të shkulur të tij. Një herë poshtë enës së ushqimeve, ai kishte ngjitur një copë letër ku shkruante: “Jam i pafajshëm. Binduni…!” Aq tortura i kishin bërë sa që ishte detyruar të priste damarët e duarve. “I preva duart për të shpëtuar shokët, që të mos pësonin edhe ata fatin tim!” – tha kur e pyetën në klinikën e Dr. Zymës, ndërsa e mjekonin”.
.
Pushkatime...
Pushkatime…
* * *
Po cili qe ky fatkeq që la këtë “Letër të shkruar me litar në grykë” Jam i ndërgjegjshëm që nuk jemi të vetmit që e kemi pësuar nga diktatura. Dhe e di që ka familje se e kanë pësuar dhe më keq. Po, kur shoh, që ende njerëz që kanë lyer duart me gjak apo vet Nexhmia apo Ramiz Alia zënë e shkruajnë memuare, nuk kam se si të hesht dhe mos shkruaj, për fatin tragjik të xhaxhait tim që, pse kërkoi kushtetutë si në perëndim, u pushkatua dhe nuk i kemi gjetur akoma varrin. Shtysën për të shkruar për të, veç tjerash, ma ka dhënë edhe shkrimtari i madh portugez, Fernando Pessoa që thotë, me të drejtë: “Nuk pashë ndonjë Budë apo Krisht që të sakrifikohet për mua…”
 
* * *
Aty mes viteve ’30-të, mbasi mbaroi shkëlqyeshëm Liceun francez të Korçës, studenti Hilmi Qazim Hysi, nga Vërzhezha e Skraparit, u thirr në audiencë (tête à tête), tek ministri i arsimit, Z. Mirash Ivanaj. Në vija të trasha biseda ishte kjo:
Ministri:
-Ke fituar vendin e parë dhe ke të drejtën për të zgjedhur degën që do me bursë të shtetit
-Dua të studjoj për histori a letërsi.
Ministri, u mendua, paksa
-Digjo, bash këtë degë e kam për nji ish-nxansin tim nga gjymnazi i Shkdrës, andaj do t’ma falësh nji favor. A je i kënaq me juridik?
-Dakord po bie, pranoi studenti, po kush është ai nxanës juaj.
-Abaz Fejzo Ermënji, – pohoi ministri. Është po nga Skrapari si dhe ju.
-Me Abazin jemi shokë të vjetër, – mbështeti studenti.
Dhe kështu Hilmi Hysi, shkoi për studime për drejtësi në Francë dhe në konvikt banonte në një dhomë me shokun e tij, Abaz Ermënjin (i ndjeri profesor Ermënji mbahet mend gjatë tranzicionit si Kryetar i Partisë së Ballit Kombtar). Në atë dhomë, shpesh dukej dhe studenti nga Gjirokastra, Enver Hoxha, i cili, pse ta mohoj, u miqësua dhe u bë shok me tim ungj. Ndërsa xhaxhai im mbaroi po shkëlqyeshëm juridikun dhe u emërua në Tiranë si gjykatës, papritur mbërrin në Tiranë (ardhur nga Korça), vetë Enver Hoxha. Dhe, siç duket, zënë dhe i “pjekin prapë urat”. Kishte disa koincidenca të habitëshme midis të dyve. Ngjanin në portret dhe i vetmi dallim mes të dyve, ishte se xhaxhai mbante syze dhe kishte mustaqe. Dhe “çuditë” vazhdojnë: që të dy, si Enveri dhe xhxhai im, fejohen me dy çupa që vazhdonin Institutin “Nana Mbretëreshë”, që dhe këto jo vetëm qenë shoqe mes tyre, por edhe ngjanin me njera-tjetrën. Njëra dihet qe Nexhmie Xhuglini nga Dibra e Madhe alias Delikatja, që siç tregoi koha, veç delikate nuk qe, dhe tjetra, nusja e xhaxhait tim, qe Mynevere Skrapari, e bija e ish-ministrit zogist, Maliq Skrapari.
Lexuesit, të më falin për këto sqarime, po kam aryse ta bëj. Thotë Çajupi diku: “Margaritari nuk gjendet buzë detit a mbi shpellë, kërkoje në det, thellë. Se si deti thellë është dhe kjo histori e dhimbshme.”
.
Studentë shqiptarë Montpellier Francë 1938, mes tyre edhe Omari, Rami etjerë
Studentë shqiptarë Montpellier Francë 1937, mes tyre edhe Omari, Rami e të tjerë
* * *
Ndërsa Enveri merrej me “veprimtari revolucionare”, xhaxhai im ishte jurist dhe duhet ta ndëshkonte, por ai nuk mund ta bënte këtë për një shok. Përkundrazi. Dhe ja se si vazhdon historia. U çlirua Shqipëria dhe im ungj, u dërgua si kryegjyqtar në Gjirokastër. Dhe, pa kaluar as 6 muaj nga ky transferim (transferimi është bërë në vitin 1947), xhaxhanë tim, e arrestojnë duke e akuzuar si armik me grupin e dytë të deputetëve me Riza Danin e com…, kur dihet se grupi i parë i deputetëve të pushkatuar qe ai me Shefqet Bejën. Sa e arrestuan Hilminë, të shoqen, Myneverin me dy çupat e mitura, e internuan në një fshat të thellë të Lushnjes. Delikatja “nuk e njihte më” shoqen e dikurshme. Të arrestuarin e grinë me tortura dhe nëpërmjet Dr. Zymës (mik i tij), që e mjekoi nga plagët, shkroi me gjakun e tij (kish prerë venat!) -Jam i pafajshëm. Besomëni! Po kush do besonte? Ish-shoku, Enveri? Koçi Xoxe që e arrestoi, apo Haznedari që e mbante varur në çengel? Dhe ky i pafajshëm, së bashku, me 6 fatkeqë të tjerë, nga 19 të arrestuar, u dënua me pushkatim. Makabriteti shkon dhe më tej. Për t’i çuar lajmin e zi të këtij dënimi mizor të shoqes që vuante dënimin në atë fshat të thellë të Lushnjes, qe kujdesur Delikatja… Dhe ja se si:
Kur shkoj në shkollë, një mëngjes janari të vitit 1948, mësuese Myneveri, hasi në një të panjohur. Jam “inspektori”, – pohoi ai. Dhe, pasi u prezantua, i tha mësueses.
-Orën e parë do bësh këngë. Mësuesja, e arsimuar dhe që njihte edhe tri gjuhë të huaja, me politesë i thotë:
-Nga ana pedagogjike nuk, është e këshillueshme që të bësh këngë. Por “inspektori” e urdhëroi:
-Jo vetëm do bësh këngë, por dhe teksit është ky. Mësuesja e mori, e shkroi atë në dërrasë. Qe ai teksit famkeq: “…kriminelat porsi miu/ i dënoi Bedri Spahiu!”. Ndërsa “inspektori” ulur në bankë të fundit, përgjonte mësuesen tek këndonte me nxënësit. Kur mbaroi ora e këngës, “inspektori” u largua. Mësuesja doli për ta përcjellë. Kur u kthye në klasë, një nxënëse i tha:
-Mësuese, ai burri harroi këtë gazetën! Mësuesja e mori gazetën (qe gazeta “Bashkimi”) dhe pa që në faqen e parë shkruhej për dënimin e kriminelëve. Kur hodhi sytë mbi listë, tek numri 5 ishte emri i Hilmi Qazim Hysit, që dënohej me pushkatim. Dhe këtë pushkatim ajo, mjerisht, e kish përcjellë me këngë. Ra përmbys mbi tavolinë dhe kur pa që nxënësit shpërthyen me të qarë, u mbush me forcë, e mblodhi veten dhe, pasi përcolli nxënësit për në shtëpi, rendi tek ajo kasolle “vrimëz”, përqafi dy vajzat e mitura dhe dënesi gjatë…
.
Lin Delija - Krimet
Lin Delija – Krimet
* * *
“Kujdesi” i Delikates nuk mbaroi me kaq. Xhaxheshën time, e pushuan si mësuese dhe përfundoi si punëtore në punishten e qumështit në Tiranë. Edhe kur çupat u rritën, “kujdesi” nuk u mungoi: E madhja, Lidja apo Lili, sado që në qershor 1959 mbaroi me të gjitha notat pesa (kjo qe nota më e lartë për atë kohë), e dërguan si ndihmës mjeke në fshatin Qukës të Librazhdit. Ishti viti 1959, kur ndihmës mjekët ishin shumë të paktë dhe në qytet dhe nuk flitej për fshat si Quksi. Por në Quks duket ishte “fuksi” që do suverjonte, se nuk ka se si shpjegohet ndryshe, emrimi tjetër, i Laurës që kish mbaruar për mathematikë në vitin 1962. Dhe kjo u emërua në Quks. Dhe, sapo u martua Laura në Tiranë, edhe atë e pushuan fare nga arsimi dhe vetëm kur erdhi demokracia mundi të rikthehej në arsim veç nja dy vjet, e më pas doli në pension se qe e moshuar.
 
* * *
E thashë dhe në fillim, që ne s’jemi të vetmit që e kemi pësuar dhe as që do ta kisha shkruar këtë tregim, po mos kisha hasur në një të vërtetë rrënqethëse. Duhet të ketë ndodhur aty afër viteve ’80-të. Enver Hoxha po shkruante kujtimet e veta. I shkruante dhe i rishkruante. U kujtua se në vitet e luftës im ungj e kish ndihmuar. Fantazma e Bankos po i shfaqesh para sysh. Dhe shkroi: “…kur fashistët më kërkonin në mal, unë me Nexhmien ishim në mes të Tiranës, pa na e bërë syri tërr. Do të thoni ju: “Po si ishte e mundur?” Ju kujtohet një foto imja në muzeun eTiranës, me syze e mustaqe që ma ka bërë Qemal Stafa? E pra, ai qe që na dha letërnjoftimin e tij dhe të gruas së tij, mua dhe Nexhmies. Do të thoni se si quhej? Po ja që nuk më kujtohet emri i tij. Ama mbiemri më kujtohet mirë. E kishte Hysi!!!! Kurse Nexhmies që nga ajo kohë, në shtëpi, i thërrisnim Vere!!!! “
Po a ka pohim më të madh se kaq?! Atij edhe emri i kujtohej mirë, por luante si artist…
e mërkurë, 26.01.2011.
marrë http://www.zemrashqiptare.net/news
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.