back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Letër e padërguar e Françesk Radit për Adriano Celentanon… – nga Dhurata Hamzai

Gazeta

Françesk & Tefta Radi
Françesk & Tefta Radi

Letër e padërguar e Françesk Radit për Adriano Celentanon

nga Dhurata Hamzai

E shkroi në fillim shqip me shkrim dore. Bashkëshortja Tefta Radi rrëfen se çfarë i tha Françesku kur donte ta niste drejt Italisë këtë letër…
Një letër që s’u dërgua kurrë, por e ruajtur plot dashuri, ka nisur të zverdhet nga vitet. Në rreshtat e saj ka ndjenjë, emocion, dashuri ndaj një artisti për artistin. Është e shkruar për këngëtarin e madh italian Adriano Celentano nga një “Adriano Celentano” shqiptar, që rrëmbeu zemrat e publikut në vitet ‘70 me kitarën dhe këngën e tij…
Është bashkëshortja, Tefta Radi, ajo që ruan me kujdes letrën e shkruar me dorë të Françesk Radit për këngëtarin e famshëm italian, Adriano Çelentano.
“Të takonte Çelentanon apo të fliste me të, ka qenë gjithmonë një ëndërr për Françeskun… – rrëfehet ajo, – këtë letër e ruaj si një nga emocionet e tij të çmuara. E ka shkruar me nxitim, por edhe shkrimin ai vetë e ka pasur pak të çrregullt. Pasi e mendoi se çfarë do t’i shkruante, ai është matur shumë herë t’ia niste Çelentanos, pasi ta përkthente në italisht…”, thotë Tefta Radi për “Shqiptarja.com”.
Në vitet ’70, Çelentano nuk kishte pushtuar vetëm zemrën kantautorit të shquar Françesk Radi, po të shumë shqiptarëve, që me aq sakrifica do ta ndiqnin duke penetruar ilegalisht në valët televizive të shtetit fqinj, të ndaluara nga diktatuara. Ata përdornin mjete teknologjike “shtëpiake”, si kanaçe të bëra antena apo objekte të tjera metalike dhe dëgjonin muzikë italiane me këngëtarët që bënë epokë si Adriano Celentano, Fabrizio De Andre, Giorgo Gaber, Mina, etj. I këndonin me zë të ulët në ambiente të fshehta, mes miqve më të ngushtë.
Ja përmbajtja e letrës së Radit për Celentanon:
.
Adriano Celentano (1938)
Adriano Celentano (1938)
“I dashur Adriano!
Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të flasësh për ty, sepse madhështia juaj nuk ka kufi, nuk ka moshë, por vetëm pafundësi.
Për ne shqiptarët, ti ke qenë dhe mbetesh figura më demokrate e kohës. Ishe Ti, shpirti yt, që me këngët e tua ushqente dhe vuloste në shpirtrat tanë, atë që quhet të qenët i lirë!
Ne e dinim që muzika jote ishte një mollë e ndaluar për ne në atë kohë, por ky fenomen nuk na shqetësonte. Ne ishim gati edhe të sakrifikoheshim, vetëm e vetëm që të mbanim gjallë shpirtin, mos ta linim atë të vdiste.
Nëse u përmbys regjimi totalitar, një meritë të madhe kishit edhe Ju Adriano, sepse ishte kënga dhe zëri yt që shqiptarët të shpërthenin zinxhirët e diktaturës antishpirtërore.
Ata (pushteti diktatorial) e dinin se muzika ishte shumë e rrezikshme për ta dhe donin ta prangosnin atë. Por fatkeqësisht nuk e dinin se tingujt nuk mbahen dot në pranga. Me dhjetra herë na kanë dërguar në polici, sepse këndonim këngët e tua në parqe, lulishte, plazhe e mbrëmje rinore. Ishe Ti Adriano që më dhe frymëzimin e parë për të kënduar e kompozuar. Sa herë ulesha për të krijuar, përpara më shfaqej imazhi yt dhe kjo ma bënte më të sigurt e të garantuar suksesin tim. Më vjen keq që s’kam patur mundësinë të takohem me ty Adriano, me gjithë përpjekjet e mia të çiltra. Por siç duket ka qenë më e lehtë të këndoja këngët e tua të bukura e të vështira, se të takohesha me ju…!”
 
Fundi i historisë, i treguar nga Tefta Radi. Françesku, pavarësisht motivit për të cilën e shkroi këtë letër dhe digjej nga dëshira ta takonte qoftë edhe njëherë të vetme Adriano Çelentanon, nuk guxoi kurrë që t’ia dërgonte drejt Italisë. “Çelentano ka mijra fansa, e i dërgojnë qindra letra e dedikime… Pse ta shqetësoj!”, pat thënë Françesk Radi!
.
Françesk Radi i shkruan Celentanos...
Françesk Radi i shkruan Celentanos…
Françesk Radi i shkruan Celentanos...
Françesk Radi i shkruan Celentanos…
m.v./r.k./Shqiptarja.com, 18 Shtator 2019
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.