back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Leman Ypi – nga Edison Ypi

Gazeta

Natë me hënë...
Natë me hënë…

Leman Ypi

nga Edison Ypi

Lemani ishte një aristokrate e kultivuar, inteligjente, e hirshme, e ndjeshme, e dhënë pas leximeve, artit, gjuhëve të huaja.
Ai ishte një komunist idealist ëndërrtar, kushtuar jetën librave dhe diturisë, që pak ose aspak merakosej për proletarët, burokratët, komitetet, dhe marrëzitë e tjera të kohës.
Ajo vuante nga neveria për diktaturën. Ai nga absurdi i kauzës.
U njohën andej kah vjeshta e jetës.
Lemani e gjeti atë si oaz në shkretëtirë.
Ai e gjeti Lemanin, si detari la terra ferma.
U martuan një pasdite vjeshte në Tiranën e kohës kur gjithçka qante. Gjatë një shetitje të heshtur pranë Dervish Hatixhesë. Atje Lemani u ndal pak. Ai buzëqeshi. Kaq. U kthyen për në shtëpi, në një apartament të vogël në skajin tjetër të qytetit. Në bulevard u përplasën me njërin që fliste me vete. Diku ua prenë rrugën një tufë vajzash të reja të qeshura kinse të lumtura. Në verandën e një hoteli pinin kafe shkrimtarë dhe spiunë. Pak më tej, nga dy e nga tre, pleq të vrërët me kasketa kineze. Slogane të varura gjithandej: Rroftë ky e vdektë ay. Me nder këtyre e sikter atyre.
Gjatë rrugës nuk këmbyen asnjë fjalë.
Me tu kthyer në shtëpi u mbuluan kok-e-këmbë me jorgan dhe nuk folën asnjë fjalë.
E nesërmja u gdhi me diell. Ata prap’ nuk u ngritën nga shtrati, dhe prap’ të heshtur ndejtën.
Në mbrëmje i zuri uria. Por nga shtrati nuk lëvizën. Ashtu të përqafuar fjetën.
Natën e dytë dëgjuan pas dere ca zëra, ca pëshpërima. Njëri nga zërat thoshte: Ata s’po lëvizin vendit, as nuk po hanë ! Duhet të bëjmë kujdes mos na vdesin. Kemi dhe ne përgjegjësi për ‘ta.
Kaloi dhe dita e tretë.

Portë e vjetër...
Portë e vjetër…

Afër mesnatës kërciti dera. Dikush ngurronte të hynte. Pas pak dera u hap. Në dhomë u çfaq dikush që tha; Mos u trembni, jam miku juaj Dante. J’u kam sjellë diçka për të ngrënë, dy vezë të zjera. Erdha t’ju them, se njeriu gjithë jetën lodhet për përndritjen e shpirtit dhe mendjes përmes diturisë dhe virtyteve. Por ju që jetoni nën zgjedhën më të egër të blasfemëve antife’, antikulturë, antivirtyt, e keni më pisk se unë që kam mbaruar punë dhe tani jam zhytur në natën e shekujve. Si thua ti, tha Dante, dhe ktheu fytyrën nga dera prejnga sapo kishte hyrë Niçe. Niçe, pasi zuri vend në një karrike, tha: Ka të drejtë Dante. Ju të përqafuarit nën jorgan duhet të jeni të kujdesshëm kur luftoni përbindëshat që të mos filloni tu ngjani.
Ndërkohë që Niçe tha këtë, u hap dera hyri Shekspiri. Do t’ju sjell edhe unë diçka për të ngrënë, por së pari do j’u bëj një surprizë, dhe futi zvarrë në dhomë një piano. Pas pak hyri Shopeni. U ul para pianos me fytyrë nga muri. Shopeni, hollak, i heshtur shëndetlig, nuk foli asnjë fjalë, ia nisi me Nocturne Nr. 9. Kur Shopeni u ndal së luajturi në piano për të pushuar pak, u ngrit e tha Shekspiri; Po iki të marr pak supë. Kjo i habiti paksa të pranishmit, sepse nga gjallërimi i bisedës u duk sikur uria u harrua. Kur Shekspiri solli supën, biseda u ndez përsëri. Dëgjoni tha Shekspiri: Nëse e tepron duke u justifikuar, bëhesh i pabesueshëm. Këto vuajtje në këtë vend një ditë do marrin fund. Por do jetë vonë. Gjithçka do duket si kjo supë e ftohtë që sapo ju solla. Jo, u hodh e tha Niçe, nuk jam dakord me ty Shekspir, unë prandaj e kam thënë atë: Çfarë nuk të vdes, të forcon. Kaq gjë duhet ta kuptojnë shqiptarët. Të zbuten duke luftuar. Dhe jo si kanë bërë deri tani, që janë egërsuar duke luftuar. Të vërtetën e plotë atyre nuk ua thotë dot askush nga ne veç e veç dhe as të gjithë bashkë. Sepse asnjëri nuk e di. 1 i vetëm që të vërtetën e dinte dhe provoi ta thoshte përfundoi në kryq.
Kalonin ditët e netët me reflektime dhe tinguj, por Lemani dhe komunisti nuk dolën nga jorgani. Nga jashtë vinin ulurima proletarësh, gjëmime parakalimesh, fishekzjarre festash, objektiva plenumesh, sabotime, emulacione, krisma pushkatimesh, sihariqe fitoresh, që i bënin të pranishmit të rrënqetheshin dhe strukeshin. Gjatë ditëve dhe netëve Shekspiri, Dante, Niçe, hyjin e dilin dhe sillnin kush pak oriz për një supë, kush një copë mish, kush një kokërr mollë a ndonjë vile rrush, kush ca ullinj. Shopeni s’lëvizi nga pianoja.
Kaluan më tepër se tre muaj nën jorgan.
Kjo që po ndodh me këta të dy, Lemanin dhe këtë tjetrin, është një Komedi Hyjnore, tha një ditë Dante. Unë mund ta pranoj ty Shekspir që ata janë një Romeo dhe Xhulietë pa Montegë dhe Kapuletë, me aristokratë dhe komunistë. Ta pranoj edhe se kjo që po ndodh me këta ështe e bukur, madje shumë e bukur, po deshe edhe pafundësisht e bukur. Por a është e gjitha kjo diçka që vlen ?! Për mua, kjo që po ndodh këtu është një rrëshqitje e pandalshme, një mbytje në bukuri, aq e thellë sa prej andej ata nuk i nxjerr dot më asgjë.
Një mbrëmje u hodh Shekspiri: Dëgjomëni mua që jam më i madhi i të gjithëve; Sado aristokrate Leman Ypi, sado shpirtmirë ky komunist, sado universal ti Dante, sado i pavdekshëm ti Niçe, sado i ëmbël ti Shopen, çfarë po ndodh në këtë skëterrë vëllavrasëse me emrin Shqipëri ne nuk e ndalim dot. Prandaj kjo mbytje në poezi e këtyre të dyve, kjo arratisje e pafundme në formën e këtij vetëharrimi katastrofik, sado e ëmbël për ne dhe për ta, një ditë duhet të marrë fund.
Ashtu u bë.
Të nesërmen Lemani vdiq.
Në varrim komunisti tha; Futmëni në dhe’ edhe mua bashkë me të.
Pas një muaji vdiq edhe ai.

Marre nga muri i fb i Edison Ypit, 29 tetor 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.