Te gërmadhat e fshatit – poezi nga Mihal Zallari (ish-Kryetar i Parlamentit shqiptar)

0
21
Mihal Zallari (1896-1976)
Mihal Zallari (1896-1976)

Te gërmadhat e fshatit

poezi nga Mihal Zallari (ish-Kryetar i Parlamentit shqiptar)

Mihal Zallari u lind në vitin 1896 në fshatin Frashër të Përmetit
dhe në vitet e para të shekullit të kaluar ai u shkollua në një kolegj gjerman në Turqi
ku më pas punoi edhe si pedagog. Më pas ai shkoi në Grac të Austrisë
ku u diplomua për Shkencat Politike. Gjatë viteve të Monarkisë ai shërbeu si mësues
në disa nga gjimnazet e vëndit dhe njëkohësisht u shqua
si një nga publicistët më në zë të asaj kohe.
Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë ai shërbeu përsëri si mësues
dhe në tetorin e vitit 1943 u zgjodh Kryetar i Parlamentit shqiptar.
Kjo gjë u bë shkak që në marsin e vitit 1945 ai të dënohej me Gjyqin Special
me 30-vjet burg politik, të cilin e vuajti kryesisht në Burrel.
Mihali Zallari vdiq në vitin 1967 dhe përveç politikës që iu imponua nga rrethana
të ndryshme,ai kishte pasion të veçantë pikturën, skulpturën dhe poezinë.
Elsa Poga – Zallari –
E bija thotë se ato poezi i shkroi ne burg,
e kalonin përmes tij falë mediokritetit të atyre që “burgosnin”
… Kështu, e shoqja, Elpiniqi i ruajti… dhe Elsa i botoi…
Mihali pat thënë në gjyqin kundër tij
“E dua Gjermaninë sepse më ka mësuar si duhet Atdheu!”
Nuk iu pëlqeu kjo e fundit… e morën për mungesë patriotizmi…!
Pergatiti Ledia Dushi
.
Këshilli i Regjencës 1943 (Mihal Zallari i dyti majtas)
Këshilli i Regjencës 1943 (Mihal Zallari i dyti majtas)

Poezi nga Mihal Zallari

(ish-Kryetar i Parlamentit shqiptar)

.

Frashëri (Djegur më 23 prill 1914)

Këtu jam! I mbështetur te pragu i shtëpisë.
Pa kthim rrënuar janë kujtimet e rinisë!
Këtu jam, duke pritur mos dalë dikush përpara.
Rreth meje, brenda meje,-kudo vetëm gërmadha.
 
O Zot! Si isht’ e mundur një vepër kaq e zezë!
Shtëpitë shoh të digjen pa rën’ e para rezë,
Shoh pleq e gra të ikin, fëmijët zbath përdore,
Se s’deshën të mohojnë përpjekjet shekullore
 
I pikëlluar ngrihem, ngas fshatin anembanë
Shëtis oborr-e shkollës, këpus një degë thanë,
Zbres poshtë te mulliri gjat vijës nënë hije,
Në ethe duke ndjekur gjurmët e një fëmije.
 
Kjo kaçkë e çrrënjosur, që gjuanim me gurë,
Kjo shtyllë anës lumit, ku ish dikur një urë,
Këtu ky lëm i shembur, ku bënim festa mundit,
Çdonjëra plag’e hapur në trupin e katundit.
 
Por gurrat e teqesë, siç rridhnin, prapë rrjedhin,
Dhe lisat e Shën Kollit hijet, që hidhnin hedhin
Aromë lëshon toka, ësht’ kaq e bukur dita
Sikur kam dal nga burgu e ëmbël është drita.
 
Edhe një herë sillem rreth vatrës së rinisë,
Me mall të dyfishuar puth pragun e shtëpisë’
Pastaj në mes të fshatit te shesh’i kishës kthehem
Dhe pranë varrit të gjyshit nën qiparisa ndehem.
 
Përballë meje shkëmbi siç ishte-vijëmprehtë!
Rreth meje horizonti siç ishte-vijëqetë!
Dhe prapë thell’e ndjej, që t’gjitha kan ndryshuar
Që zemra ime është përjet’e varfëruar.
 
Atje te der’ e kishës, mbi murin e hajatit,
Qëndron gati e shuar ikon’ e shën Thanasit,
Por syt’e e qetë flasin, në shpirt sikur më shohnë
“Esht, biro, von’ më thonë: sa të jesh gjall: është vonë”.
 
Ndërkaq nata shtrihet prej pyllit mbi luginë.
Një cjap i zi vërret te shkëmbi mbi greminë.
Dhe un’ përgjoj në heshtje me shpirt të turbulluar
Sikur t’thërrit ndërgjegjja e veprës së mallkuar.
 
Mesnatë! Gjithë sendet po heshtin dhe përgjojnë
Me to përgjoj dhe unë gurrat, që murmurojnë
Dhe nëpër murmurime ndërgjoj pastingëllime
Nga koha, kur e lumtur, këndonte zëmra ime.
Prill 1947
.
Mihal Zallari (19896-1967) - autoportret Skice
Mihal Zallari (19896-1967) – autoportret Skice

Jemi të rinj…

Jemi të rinj, jemi të ra
Dhe jetën lart e çmojmë
Porse në botë përmbi gjithçka
Lirinë dashurojmë
 
Të lir, në mal, të lir’ në fush’
Të lir’ përgjithëmonë
Veçanërisht jemi të lir’
Këtu në kraharorin tonë.
 
Mjaft gjer më sot kryet në re
Më s’duam të ëndërrojmë
Jetën siç ësht’ përzëmërsisht
Në sy ne e shikojmë
 
Jemi të rinj, jemi të ra
Dhe jetën lart e çmojmë
Porse në botë përmbi gjithçka
Lirinë dashurojmë.
.

Pranverë

Eshtë një ajër i lehtë rreth nesh,
Shëronjës,
Edhe një diell, i ngrohtë, që qesh
çlironjës.
Lule mbulojnë fushë dhe shteg
me erë,
Zogjtë këndojnë degë më degë:
Pranverë!
.

Ju puth me mall!

Thua ish dimri, që na mësoi
Të çmojmë,
Dimri i ashpër, që na tregoi
Të rrojmë?
Shoh qiell’ e qart’, shoh syt’ e tua
Të ëmbël,
Paqe e qetë derdhet mbi mua
Në zemër.
I.XI. 47
.

Ujrat

Zbresin ujrat malit tatëpjetë
Dhe murmurojnë
Ngrehin lulet kryet përpjetë
Dhe po përgjojnë.
 
Ah! T’i ndalojnë, me ta të bredhin
Sa dëshirojnë
Rrjedhin ujrat një sy iu hedhin
Rrugën vazhdojnë.
 
Dalin nga nata, ku mëmat endin
Të jetës fije,
Nga vend’ i heshtjes, ku sendet s’hedhin
As drit’ as hije.
 
Ç’është e keqe, ç’është e mirë
Ata s’e ndjejnë,
Gjithmonë lëvizës, në forcën e lirë
Gëzimin gjejnë.
 
Herë shpërthejnë, urat tronditin
Dhe i rrëzojnë,
Herë, të qetë, fushat vaditin
I pasurojnë.
 
Forca të fshehta motit kan’ ngritur
Pllaja dhe male,
Ujrat plotësojnë, duke skalitur
Veprën e madhe.
 
Gjith’ elementet dhe forcat e fshehta
Sodit dhe motit
Një qëllim mbartin, sa të jet’ jeta
Planin e Zotit.
 
* * *
Zbresin ujrat malit tatëpjetë
Dhe murmurojnë
Dalin përpara lulet plot jetë
I ngjatjetojnë
Nëntor 1947
.

Syt’ e pafajshëm

I qetë duket nëpër frëngjitë
Një copë qielli
Mbi mur’ e ftohtë hedh pakëz dritë
Një reze dielli.
 
Te port’ e burgut syt’ e pafajshëm
Të një fëmije
Qeshin, se s’qajnë syt’ e përmallshëm
Të sime bije.
 
Te hekurat qepur fytyr’ e ndritur
E gruas trime
Shikim i ëmbël më heq papritur
Të errtat mendime.
 
Mëmë dhe bijë, piktur’ magjike
E paharruar!
O port’ e burgut, suaz’ tragjike,
Ti qofsh bekuar!
.

Sytë e tu

Urrejtjen mbytëse jetova,
Përmbysjen vrasëse ashtu,
Dhe prap të gjitha i harrova.
Që kur takova syt’ e tu.
 
Po! Syt’ ikonë bizantine,
Fytyr’e zbehtë si qiri,
Gjith’ qenia tënde, deg’ dafine,
Një vetëm shprehte: dashuri!
 
Dhe u përule para meje,
E qetë-qetë pa mbarim,
Sikur të kesh para teje
Të njerëzimit mbar’trishtim.
 
I prekur thell nga mallëngjimi
Çlironjës ra i pari lot.
Ti më shpëtove nga dyshimi
Mos vuajtja ime isht’ e kot!
 
Në rrugën time të munduar
U derdh e qet’ një drit’ e re,
Dhe zëmra im’ e torturuar
Rigjeti shtegun për n’atdhe.
 
E para ishte vajza jonë,
Që erdh’ e ndënji te un’ në hije
Dhe fshiu plagë dhe demonë
Me buzët e njoma të një fëmije.
.
përgatitur nga Ledia Dushi
 
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakLetra e një shoku – nga Vedat Kokona (1939)
Artikulli tjetërLeman Ypi – nga Edison Ypi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.