12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Lazër Radi – Kontributi i pavlerësuar i një publicisti të talentuar – portret nga Erilda Sulika

on

|

views

and

comments

Lazer Radi (1916-1998)
Lazer Radi (1916-1998)

Lazër Radi

Kontributi i pavlerësuar i një publicisti të talentuar

portret nga Erilda Sulika (Shqip)

Gazetari, publicisti, shkrimtari dhe përkthyesi,
pati një aktivitet të ethshëm publicistik,
duke kaluar nëpër një kalvar vuajtjesh
për bindjet që pati në jetë.
Por tashmë ka ardhur koha që emri i tij
të kujtohet me mirënjohje
në plejadën e gazetarisë së viteve të paraluftës

Rastësisht më ra në dorë një numër jubilar, 28 nëntor 2011, i revistës “Kuq e Zi”, që botohet në diasporë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i profesor Thanas Gjikës. Bëhej fjalë për një varg publicistësh e dijetarësh, që siç shkruante autori “u lanë nën hije”. Dhe rendiste disa emra, si Mihal Sherko, Jakov Milaj, Fiqiri Llagami, Arshi Pipa, Ndoc Vasia, Kin Dushi, Gjergj Bubani, Nexhat Hakiu, Akile Tasi, Zoi Xoxa, Stefan Shundi, Mid’hat Araniti, Terenc Toçi, Ismet Toto e Nebil Çika, që drejtonte gazetën “Arbënia”.
Me dëshirën për informim, si studente e Gazetarisë dhe e Shkencave të Komunikimit, jam interesuar të di më shumë për ata dhe gazetarë të tjerë të asaj periudhe. Një prej tyre ishte edhe gazetari, publicisti, shkrimtari dhe përkthyesi, Lazër Radi, për të cilin prej kohësh më kishin sugjeruar të bëja një shkrim.
E vërteta është se për këtë personalitet, Lazër Radin, kam lexuar, duke krijuar një përfytyrim. Fillimisht jam konsultuar me një artikull me titull “Një protagonist i harruem i Shqipnisë së viteve ‘30”, botuar në revistën “Klan”, mars 1998. Pastaj kam kërkuar më tej.

***
Lazri ishte 13 vjeç, kur familja e tij, e njohur për patriotizëm, në vjeshtën e vitit 1929 u detyrua të largohej nga Kosova për të gjetur strehë dhe jetesë në Shqipëri. Vëllezërit e Lazrit ishin arratisur nga ushtria. Represioni serb ishte bërë i padurueshëm. Prindërit arsimdashës të Lazrit, që në javët e para, u interesuan në Tiranë për vijimin e shkollimit të djalit të tyre. Mësimet fillore i kishte kryer dhe vijonte të mesmen në vendlindje. U regjistrua dhe kreu vitin e parë në gjimnazin e Tiranës. Në vjeshtën e vitit 1932 fitoi një bursë shteti për studime në gjimnazin e Shkodrës. Në qytetin, qendër e rëndësishme e letërsisë, arteve e kulturës, shpejt u bë i njohur dhe u shqua, jo vetëm si nxënës i shkëlqyer, por edhe si një qytetar aktiv e veprimtar i shquar politik e shoqëror. Në konviktin “Malet tona”, Lazri u shoqërua e miqësua me nxënës kosovarë si Emin Duraku e Hajdar Dushi, që do të bëheshin eksponentë të lëvizjeve revolucionare në gjimnaz dhe më tej. Njëkohësisht, ai shoqërohej me bashkënxënësit e njohur si Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja etj. Ai bashkëpunoi me ta për themelimin e shoqërisë kulturoro-sportive “Besa shqyptare”, derisa ajo shoqëri u bë një nga bazat e grupit komunist të Shkodrës. Lazri, ngaqë nuk pajtohej me politikat e grupit komunist, u shkëput herët prej tij.

Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936

Shkodra – djep i gazetarisë edhe për Lazër Radin

Si një nga gjimnazistët aktivë të rretheve letrare në gjimnazin e Shkodrës, shpejt filloi të debutojë e më pas të shkruante në gazetën “Shtypi”, me atributet e korrespondentit zyrtar. Emri i tij del që nga viti 1935 në gazetat e Tiranës, si “Shtypi”, “Kombi”, “Drita” dhe “Diana”. Ai, përveçse me emër, shkruante me inicialet L.R. dhe pseudonimet Lara, Laprendi, Ladi etj. Që në kohët e para të bashkëpunimit me mediat, ai provon të trajtojë probleme me karakter hulumtues shkencor. Studime të kësaj natyre apo, siç i ka quajtur autori, “studime gazetarie”. Janë dy artikuj me të njëjtin titull, “Gazetaria – fuqi publike”, botuar në dy numra radhazi të gazetës “Shtypi”, ku parashtroi dy teza.
Në artikullin e parë, në gazetën “Shtypi”, të datës 23 dhjetor 1937, pyetjes: “Ç’është gazetaria? – i përgjigjet: Gazetaria, para së gjithash, është fuqi publike…, ka funksion polemik, është propagandë, është gjykim i ngjarjeve, i veprimeve, i parimeve, i metodave të atij që qeveris,… është kritikë e kontroll…”. Në artikullin e dytë, të datës 25 dhjetor 1937, formulohet mendimi: “Historiografia e gazetarisë është një gjë e vetme me atë të ngjarjeve, ideve, të doktrinave…”. Lazri është stimuluar e frymëzuar edhe nga Migjeni për t’u marrë me studime në fushën e gazetarisë dhe të letrave shqipe. Ai u njoh së afërmi dhe u shoqërua me poetin në vitin 1936, gjatë pushimeve verore në qytetin e Pukës.

1935-1938, periudha e parë në shtypin e kohës

Në verën e 1938-s mori diplomën e gjimnazit të Shkodrës, ndërkohë, që nëpërmjet Konsullit të Italisë në Shkodër, i hapet rruga për të vazhduar studimet e larta në Romë. Në shtator 1938, kërkoi bursë për studime në Itali. Ambasadori i atëhershëm në Tiranë, Françesko Jakomoni, u interesua dhe e ndihmoi. Ai bënte pjesë në grupin e njëqind studentëve shqiptarë të zgjedhur për degën e Jurisprudencës të universitetit “La Sapienza” të Romës. Lazër Radi, pas pushtimit fashist të Shqipërisë, më 1939, bashkëpunon që nga Roma me dy gazetat fashiste të themeluara në Tiranë; “Fashizmi” dhe “Tomori”, që drejtoheshin nga Vangjel Koça, të cilin Radi e konsideronte “udhëheqësi im shpirtëror”.
Nën kujdesin dhe me parathënien nga Vangjel Koça, më 1940, Lazri do të botonte librin e tij të parë “Fashizmi dhe Fryma Shqiptare”, përgatitur për shtyp nga Zoi Xoxa e Stefan Shundi. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1942, Radi laurohet Doktor Jurist, kthehet në Shqipëri dhe nis stazhin e Avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Por nuk e ndërpret bashkëpunimin me gazetat e kohës. Pas kapitul limit të Italisë, në vitet 1943-1944, bashkëpunon me gazetën “Bashkimi i Kombit”, që drejtoi Akile Tasi, duke shkruar me emër, me inicialet L.R., por edhe me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”.
Kështu, vitet 1939-1944 përbëjnë periudhën e dytë të gazetarisë së Lazër Radit. Shkrimet e tij publicistike të pesëvjeçarit 1939-1944, përmbajtja e tyre profashiste, do të përbënte bazën e akuzës ndaj Lazër Radit në Gjyqin Special komunist të pranverës 1945 dhe dënimin e tij me 30 vjet burg.

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

1991-1998 – pasburgu, periudha e tretë

Karakterizohet nga veprimtaria publicistike, letraro-dokumentare dhe botuese e përkthimeve të tij. Në fillim të vitit 1991, Lazër Radi kthehet familjarisht në Tiranë. Pas 10 vjetësh në burg, kishte kaluar kalvarin e internimeve, shumicën e kohës në ngulimin famëkeq të Savrës së Lushnjës. Kështu, gjatë 1993-1994 nis botimin e artikujve të shumtë publicistikë. Në vazhdim, në vitet 1994-1997, botoi gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve”, e cila luftoi denjësisht për çështjen kombëtare jashtë kornizave demagogjike të kohës. Ndërkohë, shkroi e botoi 15 libra, duke filluar me studimin “Shqipëria e viteve ‘30”, e përfunduar me kujtimet “Në verë me Migjenin”. Lazri bashkëpunoi edhe me të birin, Jozefin, duke shkruar e botuar vëllimin poetik, “Muret e Muzgut”, poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”. Ata së bashku botuan edhe revistën letraro-kulturore “Arbëria”.
Vepra e tij është e pasur, një “arkiv” me dokumente historike e bashkëkohore, si “Misteret e një ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, monografia “Njeriu i rrugës së gjatë”, libri i dytë poetik, “Shpresa vdes e fundit” etj. Përkthimet ishin një zhanër tjetër i rëndësishëm në të cilin, Lazër Radi ka lënë pas gjurmë intelektuale. Edhe pse në kushte tejet të vështira, ai arriti të përkthejë disa vepra të Platonit, Frojdit, Jungut dhe një “Enciklopedi të historisë së botës”. Përveç tyre, disa vepra të rëndësishme të përkthyera nga Lazër Radi kanë mbetur akoma në dorëshkrim.
Pas renditjes së këtyre kontributeve, vjen natyrshëm dhe arsyetimi se Lazër Radi ishte dhe mbetet një nga personalitetet e shquara të publicistikës dhe të letrave shqipe. Studimi i veprës së tij, sikurse dhe ai plejadës së publicistëve të viteve ’30-‘40”, me “të mirat e të ligat”, ka të bëjë me historinë e kulturës sonë. Lazër Radi u nda nga jeta më 22 shtator 1998, duke mbyllur sytë në ditën e daljes nga shtypi të librit që aq shumë e kishte pasur për zemër: “Një verë me Migjenin”.
Por, 2016-ta do të jetë vit jubilar për kujtimin e këtij personaliteti, 100-vjetori i lindjes së tij, rast për të mos thënë pastaj: “na kaloi kjo datë”, 29 janari 1916.

(Ky shkrim u boua ditën e djelë, 4 tetor 2015, Gazeta Shqip)

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.