Laura Keçi, 16 vjeçarja që u arrestua pse bëri kryqin… – nga Agustin Miraka

1
24
Laura Keçi - nuk ia vrane dot buzqeshjen
Laura Keçit – nuk ia vrane dot buzqeshjen

Laura Keçi, 16 vjeçarja që u arrestua pse bëri kryqin…

nga Agustin Miraka 

Laura Keçi ishte vetëm 16 vjeç kur e dënuan e më pas arrestuan, duke shënuar kështu edhe të vetmen femër shqiptare, që u dënua në moshë kaq të vogël në vitet e komunizmit në Shqipëri. Pas ndryshimit të kohëve, bashkë me familjen e saj, Laura u zhvendos nga Shkodra në Amerikë, prej nga ka vite pa u rikthyer. Megjithatë, historinë nuk e ka lënë pa rrëfyer, sado që jo të zbardhur në detaje. 4 vite nga jeta e një 16-vjeçareje, parë sot me syrin e një psikologu, të kaluara në burg, nuk do të shlyheshin kurrë nga kujtesa, edhe sikur të ishin nga më të qetat. Pa marrë në konsideratë vuajtjet e torturat që i janë dashur të heqë. Ajo vetë e ka rrëfyer si të tillë përvojën që do kishte dashur të harronte: “Im atë, Gjeto Keçi, ish-luftëtar i Spanjës, lidhur pas idealit të kohës së tij, u zhgënjye shumë shpejt nga sistemi. Këtë ai e shprehu me zë të lartë dhe indinjatë, çka mjaftoi për ta konsideruar armik të komunizmit, idealit që ai besoi aq shumë. Bindjet e babait diktuan dukshëm te unë, gjetën shtrat dhe u zhvilluan ngadalë, por në mënyrë të pandalshme. Që e re “hija fajtore” e babait më ndoqi kudo, isha me një fjalë një vajzë e persekutuar, sado pak ta dija kuptimin e këtij përcaktimi…”. 
Kjo ishte arsyeja e parë pse Laura ndodhej nën vëmendjen e Sigurimit. E dyta i vinte nga vetja, por ishte gjithaq e pashmangshme… “Urrejtjen e madhe që kisha për sistemin komunist, kishte raste që e shfaqja hapur”. Në këtë periudhë, flas për vitin 1973, kohë e ashtuquajtur si revolucioni kulturor, arrita të shpërndaj trakte që kisha formuluar vetë dhe vendosur në fletët e regjistrit të shkollës, të cilat i deponova më vonë në hetuesi… Dikush më ndiqte. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që fill pasi bëra kryqin para kishës, në sy të dy shoqeve të mia, njëra prej të cilave më denoncoi, ndodhi ajo që ndodhi. Fotografia ime ishte vënë në Muzeun Ateist. Edhe pas burgut, fotografinë e kam parë atje. Hetuesi që mori përsipër çështjen, Shyqyri Çoku, do të kishte përballë si “armike” një 16-vjeçare. Gjatë hetuesisë u ushtrua dhunë psikologjike, vështrimi i lemerishëm i hetuesit donte të më gjunjëzonte me çdo kusht. Kësaj nuk ia arriti kurrë. Donin të përdornin elektroshokun si torturë, por nuk arrita ta provoj, sepse si kundërpërgjigje bëra grevën e urisë, ku ndenja 75 orë pa ngrënë. Më futën në qeli me një spiune e provokatore, ku kuptova menjëherë se gjendesha në kurth.
Më sollën më pas një mjek psikiatër, të cilit iu luta të mos shënonte asgjë që nuk konstatonte. Doja të tregoja se isha krejt në rregull dhe çdo gjë e bëja me vetëdije…”. 
Këto janë vetëm boshti i kujtimeve të hidhura të Laurës, ato që as do donte t’i përmendte po të mos ia kërkonin. Fatbardha Saraçi e ka përfshirë historinë e saj në atë të “Kalvarit të grave në burgjet e komunizmit”. Mes të tjera kujtimeve të mjegulluara, rrëfimi i Laurës përfundon: “Gjyqi im ishte edhe fundi i komedisë që luajtën me mua… Unë, e akuzuara 16-vjeçare dhe dëshmitarët: mësuesit, drejtori, shoqet e mia e pak më tej populli, ai që ishte gjithnjë me mua. Nga përgjigjet që i dhashë gjykatësit për partinë e udhëheqjen, ai tha: Vetëm këto fjalë janë të mjaftueshme për të vuajtur dyfishin e dënimit. Prokurori më tha se do të më shtypnin si krimbin. Drejtori i shkollës vijoi: Shpata e drejtësisë do të bjerë mbi Laurën dhe të gjithë armiqtë. Ime më u ngrit për të thënë se ç’armike mund të ishte një vajzë e parritur… Nga dënimi fillestar me 8 vite, për shkak të moshës më lanë katër. Sapo mbërrita në qeli, m’u vërsulën si të tërbuar pesë policë për të më lidhur duar e këmbë, sepse u kisha sharë udhëheqësin. Mbaj mend që dhoma u bë krejt e kuqe dhe unë kafshova këmbën e atij që ma vuri në gjoks. Përmes thirrjeve ndjeva se gojën e kisha të mbushur me gjak. Kjo ishte historia e gjyqit tim…”. Ndërsa jo më e lehtë ka qenë edhe ajo pas burgut, kur u degdisa në Zukth-Kashta për të punuar. Siç është e njohur skema tashmë, ata që kishte mbi kokë do t’i kërkonin vazhdimisht të bënte autokritika, përballë të cilave ajo zgjodhi gjithnjë heshtjen. Arsye kjo pse sytë që i rinin mbi krye për t’i matur çdo lëvizje, nuk iu ndanë asnjëherë, deri sa koha i hapi dyert për të ikur…

Dom Mikel Beltoja (1935-1974)
Dom Mikel Beltoja (1935-1974)

Torturat ndaj dom Mikel Beltojës

Ata që e njohën nga afër, e dinin mirë se dom Mikel Beltoja nuk dallohej për ndonjë gjë të veçantë, siç edhe janë shprehur; nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonshme as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte orator i shquar si përmendeshin at Anton Harapi, dom Ndre Zadeja, dom Kolec Prenushi etj; por në vendosmëri e përkushtim nuk i lëshonte radhë askujt. Por në fund të fundit, edhe ato vite të pakta meshtarie, pasi më 1967-n u mbyllën kishat, nuk lanë ndonjë gjurmë të veçantë në radhët e besimtarëve gjatë shërbimit të tij në Dajç të bregut të Bunës, Shllak e Barbullush. Kur famëkeqi revolucion kulturor çoi në mbylljen e kishave, dom Mikeli u tërhoq në Beltojë pranë familjes. Kishte filluar ndërkaq arrestimi në masë i atyre meshtarëve që ishin ende në shërbim (shumica prej tyre e kishte provuar burgun të paktën një herë më parë në jetë). Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për asnjë moment nga shërbimet fetare që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët e tjerë, ende të “lirë”, ishin strukur të tmerruar në ndonjë barakë apo pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo ku e thërrisnin: prej Barbullushit deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë më shumë të besonin, se ky nuk mund të ishte fundi. Ai vinte kurora martese (fshehtas), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetur se cilat do të ishin pasojat. Prifti fshatar, i heshtur por edhe i ëmbël, i thjeshtë e trim, nuk e dinte deri në ç’pikë po e ndiqte Sigurimi i Shtetit. Kur ndokush e paralajmëronte se ç’po i bënte vetes, ai përgjigjej buzagaz: “Mirë, kështu thënka partia?! Po ligji? A është e ndaluar me ligj të pagëzosh fëmijë?” Por liria e tij nuk zgjati edhe shumë. Më 19 prill të 1973-shit ra në duart e Sigurimit. Motivi? “Agjitacion e propagandë kundër Partisë”. Së pari, dënimi për të ishte për shtatë vite burg, por aty, nëpër fjalët e tij të fundit, në sallën e mjerë të Këndit të Kuq, përpara bashkëfshatarëve të tij, përveç fjalëve predikuese, dom Mikel Beltoja u ngrit e shtoi: “Këtu, në bankën e të akuzuarve, duhet të ishte Enver Hoxha, jo unë!”. Mund të parafytyrohet tashmë se si kanë kërcyer “të devotshmit” aty përpara trupit gjykues, gjaku i dom Mikel Beltojës shndriti mbi rrobat e tij e megjithatë vijoi “Fali o Zot, nuk dinë çfarë bëjnë!”

Trakti i shkruar nga Laura Keçi  dhe pjesë nga dëshmia e saj në hetuesi
Trakti i shkruar nga Laura Keçi
dhe pjesë nga dëshmia e saj në hetuesi

Dom Mikel Beltoja u dënua me pushkatim. Në ata pak muaj burgim përpara aktit të fundit, pranë qelisë së tij ka qenë edhe 16-vjeçarja Laura Keçi, e cila tregon makabritetet e ngjarjes: “Ende pa u arrestuar, kisha dëgjuar se një prift i ri predikonte pa frikë për Jezu Krishtin dhe bënte shërbime fetare. Prandaj edhe do të më vriste menjëherë veshin kur hetuesit, ndërsa më shoqëronin në qeli thoshin “Ç’t’i bësh, është ende e vogël, po të ishte pak më e madhe do ta pushkatoja me dëshirë bashkë me priftin’, dhe qëlloi që më futën në një birucë aty afër tij. E shihja se si komandant Basri Temja i sillte gjellën dom Mikelit, që ishte i lidhur këmbë e duar me zinxhir në pritje të ekzekutimit të vendimit për pushkatim. Gjella, siç kuptohej, ishte shumë e nxehtë, mbasi nga djegia dëgjoheshin ulërimat e priftit që nuk mund ta kapërdinte. Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tastit të aluminit në çimento që kishte rënë, mbasi tasi i ishte hedhur fytyrës bashkë me gjellë. Kjo torturë i përsëritej çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një tjetër polic i birucave, që vinte me çizmet e tij të rënda, hapte birucën e dom Mikelit e veç kur dëgjohej krisma e kockave të kupave të gjunjëve të tij prej shkelmimit që pësonte. Goditjet ishin aq të forta, saqë betohesha se kockat po i thyheshin. Këto vuajtje e tortura i dëgjova disa herë përgjatë muajve që qëndroi në qelinë përbri meje derisa u pushkatua. Të paktën kështu ishte vendimi, sepse njëri nga rojet, krejt ndryshe nga të tjerët me emrin Ndue, më pat treguar se kur e morën u nisën për Tiranë, rrugës i patën bërë injeksion dhe ndërroi jetë menjëherë. E kanë çuar të vdekur dhe, siç u tha, u pat marrë nga mjekët e besueshëm qeveritarë për t’u përdorur për studim nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. 

.
Gazeta Telegraf  – 21 Shkurt, 2019
⁠.

Related Images:

Artikulli paraprakKryevepra “Princi” i Makiavelit, – refleksione nga Ervina Toptani
Artikulli tjetërNë nderim të Bogdanit dhe figurave të lavdishme të Hasit – Shoqata Atdhetare Kulturore “Bogdanët”
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

1 Koment

  1. Edhe personazhi edhe autori i këtij shkrimi, nuk janë ma mes nesh… po asht mes nesh kurajo dhe guximi i tyne i pashoq me të cilën ata e përballuen jetwn! Ata ikën mbrenda nji kohe krejt afërt mes tyne, mbasi luftuen me nji kurajo e dashni të pakufishme për jetën tue u përballë me smundjen e Ligë. Edhe Laura Keçi edhe Agustin Miraka vuejtën shumë e padrejtësisht në jetë e patën nji fëmini të privueme prej fëminisë, njena burgjeve e tjetri interrnimeve, po duhet nënvizue se të dy u larguen me nji qeshje ndër buzë, sepse dhanë çka kishin ma të mirë nga shpirti i tyne: dashninë për jetën edhe pse ajo ishte diftue e padrejtë me ta, e sigurisht prej qiejve ku flatrisin shpirtnat e tyne të panjollë na përshndesin e na japin besim te e Mira!
    jozef radi, 28 shtator 2021

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.