back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

“Kush e vrau Miladin Popoviçin?” – nga Dr. Vasfi Baruti

Gazeta

Haki Taha (1913-1945)
Haki Taha (1913-1945)

“Kush e vrau Miladin Popoviçin?”

nga Dr. Vasfi Baruti

 
Miladin Popoviçi i heroizuar dy herë: nga Tito, me “Hero i Popujve të Jugosllavisë”,
me muzeun “Miladin Popoviç” në Pejë, emrin e tij mbanin mjaft shkolla e rrugë
si në Pejë, Prishtinë, Shkup etj., dhe Miladini i vrarë nga nacionalisti shqiptar, Haki Taha.
I heroizuar dhe nga E. Hoxha: Miladini u vra nga Tito,
sepse mbronte të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.
Akademiku Jevrem Berkoviç shkel në dërrasë të kalbur me botimin e rrëfimit
të Radovan Zogoviç-it për mikun e tij Miladin.
Ribotimi i rrëfimit të Zogoviçit nga “Gazeta Shqiptare”,
me ngarkesë negative ideologjike e politike. E vërteta historike:
Miladin Popoviçi u vra si hakmarrje politike për Kosovën
nga nacionalisti i shquar gjakovar, Haki Taha.
“Gazeta Shqiptare” 2008,12 shkurt.
 
Kush e vrau Miladin Popoviçin? Është pyetje jo kureshtare, është me ngarkesë politike e historike. Miladin Popoviçi me Dushan Mugoshën janë themeluesit e PKSH; është Miladini, i dërguari i Titos, kryetari de fakto i partisë për tre vjet, që bashkë me Mugoshën iu dhanë ngjarjeve kryesore të luftës fatin që deshte politika jugosllave, është po Miladini ai, Çezari i Kosovës para ardhjes në vendin tonë, dhe nga tetori ’44 e derisa u vra në fillim marsi ’45. Interesa politike të vjetra e të reja për të nxjerrë në plan Miladinin me medaljen që i “takon” në historinë shqiptare këtu e në Kosovë.
Kush e vrau Miladin Popoviçin? Është pyetja, me të cilën fillon parashtresa e Prof. Kristo Frashërit nga “Dëshmia e Radovan Zogoviçit për vrasjen e Miladin Popoviçit”, të botuara në “Gazeta Shqiptare” e 12 shkurtit 2008. Radovan Zogoviçi, më 22 maj 1981 i rrëfen mikut të tij, Jevrem Berkoviç, çka i kishte treguar Miladin Popoviçi pak kohë para vrasjes (fillimi i vitit 1945); dhe rrëfimi i Zogoviçit botohet nga Berkoviçi në librin e tij memoriaristik “Dnevnici I” (Podgoricë 2007). Zogoviç, Berkoviç dhe Popoviç, që të tre malazes e miq të vjetër. Ribotimi i rrëfimit të Radovan Zogoviçit nga “Gazeta Shqiptare” për t’i dhënë fund dilemës 60-vjeçare se kush dhe pse e vrau Miladin Popoviçin: e vrau regjimi i Titos, sepse Miladini ishte mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje, sipas rrëfimit që Popoviçi i bënte Zogoviçit pak kohë para vrasjes, dhe nuk e vrau nacionalist kosovar Haki Taha, por që prej asaj kohe në opinionin e gjerë popullor e intelektual në Kosovë e te ne e më gjerë mbeti Haki Taha, dhe kjo është e vërteta historike.
Tregimi i Radoviçit dhe parashtresa për tregimin e tij botohen nga “Gazeta Shqiptare” pesë ditë para shpalljes së Kosovës Republikë, atëherë kur shqiptarët në Kosovë, në trojet shqiptare e kudo, orë e çast përjetonin gëzim të madh në vigjilie të festës së madhe; dhe dalja në skenë e M. Popoviçit, në përkim me ngjarjen më të madhe historike, intelektualë kosovarë të këtushëm e përjetuan si kujtesë se M. Popoviçi “meritoka” nderim si luftëtar për “mbrojtjen” e të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje politike, deri në atë shkallë sa ai vritet nga njerëzit e Titos, se e “deshi” Kosovën Republikë; por që nuk ka kosovar që M. Popoviçin mos e kujtojë si simbolin e së keqes, kur ishte kryetari i PKJ për Kosmet-in (Kosovë-Metohi), për krimet serbe mbi shqiptarët, veçanërisht për mijëra shqiptarë të vrarë e masakruar në janar-shkurt 1945. Interesant është fakti se shkas për këtë debat bëhet tregimi i Radovan Zogoviçit, i botuar nga Jevrem Berkoviçi, e të dy iu kanë besuar ankesave e pakënaqësive të Miladin Popoviçit për njerëzit e Titos, por është e besueshme se nuk kishin informacion tjetër për punën e mikut të tyre në Shqipëri në vitet e luftës, për të shtuar se Jevrem Berkoviçi është ngutur dhe nuk e ka peshuar sa duhet botimin e tregimit të Radoviçit, si të thuash se ka shkelur në dërrasë të kalbur, veçse jeta e tij në tri dekadat e fundit është me plot argumente se tregimi i botuar më 2007 nuk ka prej tij ngasje politike; dhe ndoshta e vetmja arsye pse Radoviçi mendon se Miladini është vrarë nga njerëzit e Titos, është se në fatin e tij (Radoviçi) shihte dhe fatin e vetë M. Popoviçit.

Më parë pikëpamja, apo faktet çojnë në pikëpamje?

Vitet e fundi edhe ndonjë media, por veçanërisht Akademia e Shkencave i ka dhënë vlera të veçanta M. Popoviçit në themelimin e partisë së komunistëve shqiptarë me mandatin e të “dërguarit” të Kominternit, e që s’ishte veçse përfaqësuesi i PKJ dhe Titos. Dhe E. Hoxha e ka vlerësuar Miladinin si mik të madh të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe u vra, sepse “ishte shprehur për të drejtën e popullsisë së shqiptarëve të Kosovës për vetvendosje.”(1) “Gazeta Shqiptare” rimerr çështjen e Miladin Popoviçit me gjetje “argumente” të forta në tregimin e Radovan Zogoviçit dhe botimin e tij nga Jevrem Berkoviçi: “Radovan Zogoviçi: shkrimtar, poet, ish-kryeredaktor i gazetës “Borba”, organ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave” dhe “Jevrem Berkoviçi, funksionar i lartë i Partisë Komuniste Jugosllave dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Beogradit”, dhe se vetëm me kësi “argumentesh” do të bëhej më në fund e besueshme e “vërteta” se Miladin Popoviçi është vrarë nga regjimi i Titos për arsye politike, pse i kishte “kërkuar” Titos që Kosova të bëhet republikë, sepse, tek e fundit, janë dy militantë të vjetër të Titos që e pranojnë me gojën e tyre. E vërteta është se në tri dekadat e fundit të jetës, Radovan Zogoviçi besoj se flaku tej si një mbeturinë të qenit dikur kryeredaktor i gazetës “Borba” të PKJ, po ashtu edhe Jevrem Berkoviçi të qenit funksionar i PKJ, dhe të përdorësh sot këto “argumente” për t’i dhënë fund dilemës më se 60-vjeçare për vrasjen e motivin e vrasjes së Miladin Popoviçit, kjo nuk i përgjigjet së vërtetës historike.
Madje, është më shumë se kaq, sepse kinse shkarravitet ADN e ndërgjegjjes të Zogoviçit dhe Berkoviçit që Miladini të mbetet miku i mirë i shqiptarëve të Kosovës dhe kundërshtari politik i Titos për të mirën e Kosovës, dhe kjo s’mund të mos jetë me ngarkesë negative për shqiptarët e Kosovës. S’është aspak e vërtetë se Radovan Zogoviçi është vetëm “shkrimtar, poet, ish-kryeredaktor i gazetës “Borba”, organ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave”, dhe Jevrem Berkoviçi “funksionar i lartë i Partisë Komuniste Jugosllave.”(2) Dhe, për të parë se ç’ndodh, kur manipulohet me të vërtetat, kur censurohen ato, kur ndriçohet njëra anë e medaljes dhe fshihet apo lihet në errësirë ana tjetër e saj, kur kapesh fort pas një fakti dhe fshin të tjerët që i ke para, apo për t’i rënë më shkurt, kur kërkon atë fakt që josh pikëpamjen e akcilit, historianit a medias dhe asessi jo fakte të mjafta për të ndriçuar e krijuar pikëpamjen e vërtetë për ngjarjen.
Dhe për t’i hequr fashon e zezë së “vërtetës” së botuar në “Gazetën Shqiptare”, të shohim faqen tjetër të identitetit të dy “militantëve” të Titos. Radovan Zogoviçi, i portretizuar nga Jevrem Berkoviç, duke marrë çmimin ndërkombëtar “Kepi i Shpresës së Mirë“, Mitrovicë 2006: Populli malazez pati fatin të kishte poetin e madh Radovan Zogoviç, ardhacakun metohias, që hetoi rrënjët e thella shqiptare të ngulitura në tokën kosovare. Zogoviç u identifikua me plakun Ali Binaku, si protestues ezopik kundër politikës serbomadhe, shtypjes dhe shfarosjes së shqiptarëve në Kosovë. Jevrem Berkoviç: “Poeti i madh malazias, Radovan Zogoviç, vdiq në Beograd. Sipas amanetit të tij u varrsos në një varr të vogël të Deçanit. Radovan Zogoviçi ju ka takuar të gjithëve, sa ju [Kosovës] dhe Malit të Zi. Le të jetë varri i tij dhe vëllazëria ime e Ali Podrimjes, ato lidhje që kurrë nuk do të tradhtojnë, që me kohë do shndërrohen nga dashuria individuale në atë popullore.”(3) Jevrem Berkoviç: Qysh nga viti 1981, Jevremi u pozicionua në llogoren e zërave të paktë në ish-Jugosllavi që e mbrojti me përkushtim dhe që e përkrahu me guxim rininë shqiptare të Kosovës, atë rini që kërkonte trimërisht “Republikën”, ndaj dhe përjetoi kërcënimet e atakimet e rrezikshme të regjimit, përjetoi shantazhet dhe izolimin. Jevremi ishte nga të parët që nuk u pajtua me përgjakjen fashiste të shqiptarëve dhe Kosovës, ishte zëri i vetmuar që vinte si nëpër balada. Jevremi e ka bartur mbi supet e tij një kohë të gjatë “kryqin”e tradhtarit të popullit dhe të shtetit të tij për shkak të përkrahjes së shqiptarëve dhe të Kosovës. Atij shumë herë i është dashur të fshihet, të izolohet, të mbrohet e ta braktisë dhimbshëm vendin e tij. I vranë truprojen, vetë mori palgë të rënda. Shefi i Akademisë Dukleane të Shkencave (jo të Beogradit), militanti i lirisë së popujve, miku i madh i shqiptarëve mezi ka shpëtuar gjallë nga ky akt i shëmtuar. Dhe ky s’është atentati i parë kundër shkrimtarit.(4) [Foto e Jevrem Berkoviç-it.] Identiteti i tyre intelektual mbetet në hije dhe jo për mungesë informacioni.
Dihet se faktet bëjnë ngjarjen dhe ngjarjet historinë, veçse faktet presin të vlerësohen drejt për nga autoriteti i burimit të faktit, për nga autenticiteti (vërtetësia) i faktit, e vënia e fakteve në marrëdhënie mes tyre e në sitën e arsyes, për të ardhur pastaj në rezultanten historike. Ndodh shpesh që gjendet një dokument në arkiv e pa menduar a pa e ditur se ai është një rrenashë e madhe, dokumenti mbush faqe gazetash me dossierë; dhe për këtë dukuri të zakontë që të bën me dhimbje koke, nga të shumtit i drejtohem një fakti i lidhur me problemin tonë. Kështu, “Letra e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën” (e nxjerrë nga arkivat ruse), drejtuar KQ të PK (b) të BS mbi parahistorinë e lindjes së problemit të Kosovës dhe metodat e zgjidhjes së tij (2 shtator1949)(5), kur vihet përballë dokumenteve arkivore të Enver Hoxhës gjatë Luftës, apo me dokumentin e 17 marsit 1948 të shkruar nga E. Hoxha gati një vit më parë nga kjo letër, ku pa pikë dinjiteti i lutej Titos për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë(6), lehtësisht bindesh se “Letra e panjohur e E. Hoxhës” është tërësisht e trilluar nga vetë E. Hoxha dhe me të pavërteta historike. Për të parë anën tjetër të debatit, atë se cilat janë argumentet e rrëfimit të Radovan Zogoviçit, që i boton akademiku Jevremi Berkoviç dhe që ribotohen nga “Gazeta Shqiptare” me parashtresë të Prof. K. Frashërit.
 

Ankesa e pakënaqësi të Miladinit!

Akademiku Jevrem Berkoviçi kujton nga rrëfimi (më 1981) i Radovan Zogoviçit: “[Miladinin] “Filloi të ankohet për Bllazha Jovanoviçin [i dërguari i P.K.J pranë Komitetit Qendror të P.K.SH] dhe për punën e tij në Shqipëri. Më tha se Bllazha kishte bërë gabime të mëdha atje (në Shqipëri).” Miladini i ankohej Zogoviçit për të këqijat/padrejtësitë që i kishte bërë Bllazho-ja atij dhe për padrejtësitë kundër Shqipërisë. Koço Tashko në tetor 1942 i dërgonte Kominternit raportin për mbledhjen themeluese të PKSH, dhe atje kishte kritika e akuza të forta e të drejta për Miladin Popoviçin, që drejtoi mbledhjen themeluese të partisë, dhe që ai bashkë me Dushan Mugoshën ishin faktori subjektiv numër një për themelimin e partisë.(2) Në Konferencën e I të Vendit të PKSH (17-22 mars ’42), Bllazho Jovanoviçi vinte i deleguar i Kominternit e me një letër të Titos, dhe s’mund të vihet në dyshim se Bllazho-ja kritikat e akuzat e Tashkos me rekomandim të Kominternit i shkarkonte mbi Miladinin, ndaj dhe ky i ankohej Berkoviçit për Bllazho Jovanoviçin dhe, përderisa Miladini qëndroi në krye të partisë edhe një vit më pas (fundshtator ‘44), kuptohet se kritikat që i bëheshin Miladinit nga Kominterni nuk ishin të asaj shkalle sa të vihej në dyshim misioni i tij i ngarkuar nga Tito, përkundër faktit se ishte besnik i tij e në ombrellën e tij. [Foto e Miladinit bashkë me E. Hoxhën]
Në mbledhjen e Plenumit të II të Beratit (fundnëntor ’44), nga diskutimi i E. Hoxhës ka mbetur e thënë prej tij: “Baca [R. Çitaku] tha se Bllazhua i kish thënë: Kini mendjen ke M.[iladini]. Unë nuk e dija, Baca s’ma ka thënë. Kjo do të ishte një punë e mirë për ne po ta dinim. Bllazhua ka thënë në mbledhje se M.[iladini] është instruktor dhe jo si deri tani. Baca.” Miladini “është instruktor dhe jo si deri tani”, është domethënëse se Miladini nuk është kryetar i partisë, që u duk më së qarti në Konferencën e marsit, që pas diskutimeve të çdo referati konkluzionet i bënte Miladini, e që ishte afirmim i kritikave të Tashkos dëguar Kominternit. Sipas akademikut Berkoviç, Miladini i ankohej Zogoroviçit edhe për “për punën e tij [Bllazhos] në Shqipëri.” E. Hoxha në mbledhjen e dytë të Beratit i bën vlerësimin më të lartë Bllazhos në përgatitjen e Konferencës së I të Vendit dhe theksonte se “Shoku Bllazho ka qenë ai që ka ndihmuar më shumë në përgatitjen e referateve e sidomos në atë ushtarak. Kur erdhi Bllazhua, na u duk sikur erdhi P.[erëndia].” Si e tregojnë burimet arkivore, Bllazho bëri më shumë nga sa thoshte Hoxha, sepse ai shkroi nga fillimi në fund të dy raportet kryesore, atë të Ushtrisë dhe të Luftës Nacionalçlirimtare, veçse në librin “Titistët”, gati 40 vjet më pas, E. Hoxha lëshon rrufetë kundër Bllazhos e punës së tij armiqësore (të pafaktuar) në Shqipëri, para dhe pas Konferencës së I të Vendit.
 

“Parimësia” e Miladinit!

Akademiku Jevrem Berkoviç i beson rrëfimit të Zogoviçit: “Miladini është ankuar edhe tek unë, edhe te të tjerët kundër Ivan Milutinoviçit. Më ka thënë se Ivani… kishte dërguar urdhëresa se çfarë të bënin komunistët shqiptarë. …Miladini… kishte thënë se nuk mund t’i diktohet në atë mënyrë partisë shqiptare, pasi me të mund të bashkëpunohet vetëm në baza të barabarta.” Ka plot argumente se Miladini ishte i zhveshur nga çdo parimësi në marrëdhënie me anëtarët e qendrorit komunist shqiptar, dhe as mund të flitet se ka ndonjë gjurmë bashkëpunimi “vetëm në baza të barabarta” të Miladinit me të zgjedhurit e partisë, dhe ai mori vetë në dorë timonin e drejtimit politik të partisë që nga krijimi e deri shtator ’44, kurse Mugosha drejtimin ushtarak, e që të dy spostuan partiakët shqiptarë të zgjedhur nga forumet qendrore të partisë. Miladini, terrorist: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu [Miladini]. …Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut [Miladinit]. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej se ky apo ay po vepronte keq, dhe ne vendosnim ta vrisnim.”(7) Në konferencën e qarkorit të Tiranës (janar ’43), Miladini akuzohej nga A. Lulo e S. Premte si “kryetar serb në krye të partisë” dhe “Miladini është diktator”, kjo është e arsyeja kryesore e likuidimit politik e pushkatimit të Lulos e ndjekja për asgjësimin e Premtes. Që nga krijimi i partisë dhe gjatë gjithë luftës “Partia dhe K.Q. ishin identifikuar vetëm me Miladin Popoviçin”, siç pohonte E. Hoxha në mbledhjen e Beratit. Miladini dekonspironte për të eliminuar persona që i shihte si kundërshtarë politikë të tij, a që s’kishin simpati për të: “Kur raportet vinin nga shokë që Miladini nuk i kishte në sy të mirë, p.sh., raport të atyre që ishin ngarkuar me punë me nacionalistët, këto raporte mbaheshin në arkiva të ekspozuara, e si rezultat ato ranë në duart e policisë… dhe disa nacionalistë u internuan dhe të tjerë u burgosën.”(8) siç ndodhi me figura kryesore të zgjedhura në Konferencën e Pezës e të tjerë.
 

“Mbrojtës” i të drejtave së Kosovës!

Nga rrëfimi i Zogoviçit, në bisedë me Miladinin: “Ne dhe para luftës, edhe pas luftës, – vazhdon Zagoviçi, – komunistëve shqiptarë iu kemi premtuar Kosovën e Metohinë, duke menduar se e tëra do të jetë një Federatë Ballkanike. Do të jetë se Miladini i është përmbajtur kësaj dhe se palëve shqiptare iu ka premtuar Kosmetin.” Në Rezolucionin e mbledhjes së grupeve komuniste për themelimin e partisë, i shkruar nga Miladini e Mugosha (është fjala për rezolucionin origjinal prej një faqe e gjysmë, i botuar nga V. Dedijeri më 1949), në pika “e katërta” i është hequr kryq zgjidhjes së çështjes shqiptare: “…E me gjithë këto, nuk duhet të harrojmë rrezikun e influencës së nacionalizmit.” (dhe qartë është fjala për tokat shqiptare përtej kufijve politikë), që në rezolucionin e “quajtur” origjinal fjala “nacionalizmit” është ndryshuar me nazizmit gjerman, dhe më vonë (1960) me fjalën nazizmit, dhe në të gjitha botimet shkencore të derisotme pohohet se në mbledhjen themeluese të partisë çështja e Kosovës mbeti e patheksuar, kurse, siç shihet, është dhënë mjaft e përcaktuar në togfjalëshin rreziku i nacionalizmit, dhe nacionalizmi s’mund të ishte veçse ai shqiptar ndaj tokave përtej kufijve politikë. Qëndrimi për Kosovën: “Çështja e Kosovës. Për shqiptarët e Kosovës […] Partia ka heshtur sistematikisht, duke thënë (fjalët e Miladinit), se çështja e Kosovës nuk na përket neve, por i përket PKJ.”(9) Parulla politike (e fundit) e Rezolucionit të Konferencës së Pezës: “…Rroftë Shqipëria e lirë, e pandashme, indipendente dhe demokratike!” dhe “e pandashme” do të thotë: Rroftë Shqipëria etnike!; por pas dy javëve, në thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, të 30 shtatorit ’42, me ndikimin e drejtpërdrejtë të M. Popoviçit hiqet fjala “e pandashme”; edhe marrëveshjen e Mukjes e grisi Miladini vetë. Tito-ja ka qenë shumë i qartë për Kosmet-in, si pjesë e pandarë e Jugosllavisë, ndaj asnjëherë nuk ia ka premtuar atë Shqipërisë dhe komenti i Radovan Zogoviçit për Miladinin se “iu ka premtuar shqiptarëve Kosmet-in” nuk ka asnjë bazë.
Tito në letrën që daton 6.12.’43 drejtuar “Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare”, në përgjigje të letrës së Miladinit të 29 majit të po atij viti trajton vetëm çështjen e Kosovës dhe, megjithëse nuk kam në dorë letrën e Miladinit, thelbi i saj zbulohet nga përgjigjja e Titos: “…gjej të nevojshme të përgjigjem në pyetjet e parashtruara nga ana juaj mbi gjendjen e Kosovës dhe të Metohisë…” Nuk dihet se çfarë pyetjesh i bëheshin Titos nga Miladini dhe ato të delegatit shqiptar për [Ivan] Milutinoviçin, por thelbin kryesor të tyre e jep Tito në përgjigjen e tij: “Shoku Milo [Miladin] nuk ka të drejtë, kur thotë se partia jonë do të duhet të paraqiste qëndrimin e saj – gjithashtu edhe [partisë] së Shqipërisë – mbi çështjen e Kosovës dhe Metohisë….” [Letra e Miladinit dërguar Titos ka vetëm një shpjegim: në shtypin e djathtë, por dhe në masat e gjera, veçanërisht në radhët e intelektualëve, po bëheshin gjithnjë e më të qarta synimet jugosllave ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, emisarët e Titos këtu quheshin armiqtë tanë, kjo duket se është dhe arsyeja që Miladini i kërkonte Titos, që të dy partitë të bënin të njohur qëndrimin politik ndaj Kosmetit, sepse Miladini e dinte se një ditë do të kthehej në Kosovë, ku urrejtja politike për të ishte bërë mal.] Tito e përfundon letrën me detyrën që shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë duhet të vëllazërohen e dashurohen me popujt e Jugosllavisë në luftë të përbashkët kundër pushtuesve gjermanë. Dhe e përfundon me konkluzionin: “Jugosllavija e re, e cila po krijohet, do të jetë një vend i popujve të lirë, pra për këtë gjë nuk ka për të pas vend në të të shtypjes nacionale dhe as të pakicës shqiptare.” Katër ditë më pas, më 10 dhjetor, Shpati [E. Hoxha] i shkruante letër “Komitetit Krahinor të Kosmet-it të Partisë Komuniste Jugosllave” për të reflektuar në detyrën që i jepte Tito “për me zhvillue dashurinë vëllazërore për popujt heroikë të Jugosllavisë” në luftën e përbashkët kundër gjermanëve, dhe iu shkruante: “Në këtë luftë antifashiste popuj e kombe po vllazërohen, po lidhen me gjak në një luftë të përbashkët… vëllazërimi në mes popullit tonë dhe popujve të Jugosllavisë të bëhet i plotë…” Emisari i Titos në vendin tonë, Nijaz Dizdareviç, në librin e tij “Albanski Dnevnik” (Sarajevë 1988) me dokumente e argumente shkruan qartë, se udhëheqja shqiptare që gjatë luftës e kishte vendosur bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë “ dhe në këtë pikë ne ishim të kënaqur dhe nuk na u desh punë për këtë synim tonin.” Nëse akcili ka argument mbledhjen e Bujanit, ku ishte pjesëmarrës dhe M. Popoviçi, e vërteta është se vendimmarrja për Kosovën u përcaktua nga pjesëmarrës të tjerë në atë mbledhje.
 

Dilema 60-vjeçare për vrasjen e Miladinit… Miladini “u vra, sapo erdhi në Prishtinë.

…Më vonë ishte përhapur një version, vazhdon Zogoviçi, se ushtarët jugosllavë diku në periferi të Prishtinës kishin zënë një shqiptar ballist me flamurin [shqiptar] rreth trupit. Dhe gjoja ai njeri kishte pranuar se kishte vrarë Miladinin. …Ne edhe para luftës, dhe pas luftës, – vazhdon Zagoviçi, – komunistëve shqiptarë iu kemi premtuar Kosovën e Metohinë. Mirëpo, kur u kthye [Miladini] në Jugosllavi, gjërat rreth Kosovës kishin qëndruar krejt ndryshe nga premtimet tona të mëparshme. Ndoshta ky është shkaku i vërtetë i vrasjes së tij. Një gjë është e sigurt, – përfundon Zogoviçi, – se shqiptarët nuk e kanë vrarë Miladinin.”
Dhe në të njëjtin vit të bisedës së Berkoviçit me Zogoviçin, E. Hoxha do të shkruante: “Jo shumë kohë pas çlirimit të Kosovës Miladinin e vranë prapa krahëve njerëzit e UDB [OZNA], sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje. …Pas kësaj njerëzit e Titos e trumbetuan se vrasjen gjoja e paskësh bërë… një shqiptar kosovar!… E gjithë kjo farsë kriminale qe organizuar me cinizmin më të madh nga Tito e Rankoviçi në mes tyre edhe Dushan Mugosha… i vunë dekoratën e heroit të popujve të Jugosllavisë.”(10)
Nga rrëfimi i botuar i Jeremi Berkoviçit, profesor Frashëri vjen në përfundimin: “Ka gati gjashtëdhjetë vjet që të dyja këto pikëpamje të kundërta midis tyre qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, pa qenë asnjëra palë të thotë fjalën e fundit, kush e vrau me të vërtetë Miladin Popoviçin – nacionalistët kosovarë apo titistët serbë. Ndoshta përgjigjen e saktë po e jep një militant i vjetër komunist jugosllav, Jevrem Barkoviç, me origjinë malazeze, një shok i Miladin Popoviçit, njëkohësisht funksionar i lartë i Partisë Komuniste Jugosllave dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Beogradit.” Argumenti më i drejtpërdrejtë i Radovan Zogoviçit është pyetja e tij dhe përgjigjja e Millovan Gjillasit: “Pse gazeta “Borba” nuk e ka botuar nekrologun për Miladin Popoviçin?” Gjilasi kishte bërë shenjë me dorë, duke thënë: “Pse ta botonin që armiku të kënaqet sesi në vritemi.” Miladin Popoviçi është vrarë nga nacionalisti shqiptar nga Gjakova, mësuesi Haki Taha.
 

Argumente…

Miladin Popoviçi, Hero Kombëtar i Popujve të Jugosllavisë. Miladin Popoviçi vrarë nga nacionalisti shqiptar, për merita të shquara Tito e dekretoi “Hero Kombëtar i popujve të Jugosllavisë” dhe, në rastin e Miladinit nuk ndodhi si me Mustafa Gjinishin që Enveri dha urdhër për pushkatimin e tij në pabesi, e po vetë shpalli tri ditë zi kombëtare në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, e shpalli dëshmor dhe më 1946 i hoqi emrin gjimnazit të Peqinit e më pas e shpalli armik; ose Tuk Jakova, në 28 nëntor 1948 u shpall Hero Kombëtar dhe më 1953 iu hoq titulli i dhënë, si me shumë të tjerë. Me Miladinin ka një praktikë krejt tjetër, Tito i la pas Miladinit nderime të veçanta. Në Pejë u ngrit e qëndroi deri fare vonë Muzeumi Memorial i Miladin Popoviçit, hero i luftës partizane dhe lider i PKJ për Kosmet-in, memoriali është ngritur në shtëpinë origjinale të Miladin Popoviçit, e shekullit 19.(11) Mjaft shkolla, rrugë e institucione mbanin emrin e Miladinit: Një shkollë e mesme (gjimnaz) dhe një shkollë e mesme elektrike në Prishtinë me emrin Miladin Popoviç, dhe shkolla fillore në fshatin Bostone në Deçan; edhe disa rrugë në Prishtinë, në Pejë dhe Shkup me emrin e Miladinit.(12) Nderimet e shumta që Tito i bëri Miladinit janë argument i plotë se Miladini është vrarë jo nga njerëzit e Titos, por nga nacionalisti shqiptar, dhe nuk ka asnjë arsye, as logjikë që vrasja e Miladinit të bëhej nga regjimi i Titos dhe po ai të nderonte kundërshtarin e vet politik, pse e deshi Kosovën republikë! Një absurd që në dekada mban gjallë dilemën kush e ka vrarë M. Popoviçin, sa edhe sot shfaqet si hije mendimi i Hoxhës!
Nacionalisti gjakovar, mësuesi Haki Taha është vrasësi i Miladin Popoviçit. Vrasja e Miladin Popoviçit është bërë me gjakftohtësi nga një anëtar i Ballit Kombëtar në Kosovë, dhe vrasja ngjau në atmosferën e zbatimit të urdhrave, të 8 shkurtit 1945, të Komandës Supreme të Ushtrisë së lirsë së popullit.(13) E të njëjtit mendim është dhe Open Society Archives (1961): Miladin Popoviç, lideri jugosllav është vrarë nga një nacionalist shqiptar në fillim të vitit 1945. Kurse Wikipedia pohon: Haki Taha, nacionalist dhe patriot besohet se ka vrarë në zyrën e tij Miladin Popoviçin.(14) Argumente jepen edhe në librin e Prishtinës(15)nga Faik Smajli.(17) “Jam bindur edhe në bazë të ca deklaratave që kam dëgjuar ose lexuar në raste të veçanta. E para është ajo e Fadil Hoxhës, ish-shok shkolle i Haki Tahës, që e dëgjova në prani të shefit të kabinetit të tij (Masar Murtezait), si përgjigje në pyetjen time: Si është e mundur që Vladimir Dedier, i cili, për çdo gjë që ka shkruar, është mbështetur në dokumente konkrete, për këtë atentat ka thënë: “Dosjen për vrasjen e Miladin Popoviçit nuk e kam parë kurrë, por, siç më kanë thënë, këtë e ka vrarë Haki Taha…” Fadil Hoxha, me atë rast, pasi u mendua pak, tha: “Unë mendoj, po ashtu, se Hakiu e ka vrarë Miladinin. Ai ka qenë nacionalist i madh dhe me këtë ka dashur që të mbetet në histori”. Vesel Rexhepit, ish-drejtor i Shtëpisë botuese dhe shtypshkronjës “Progres” në Prishtinë, i pranishëm në kontrollin e trupit të vdekur të Haki Tahës. Vëllai i Vesel Rexhepit, Vehbi Rexhepi, fotograf në Prishtinë: “Haki Taha, atëherë, nën mantel, kishte veshur një gozhup me lesh, si i sëmurë (tuberkuloz) që ishte, nën të një xhemper dhe ishte mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar, të qëndisur me një parullë në formë të harkut me shkronja të arta: “Kosovës liri- Bashkim me Shqipni!” …Pleqtë gjithashtu thonë se ato ditë, kur është vrarë M. Popoviçi, UDB ka vrarë, maltrajtuar e burgosur me qindra shqiptarë në Prishtinë e më gjerë.” Edhe patriote Marie Shllaku, me guxim intelektual pohonte në gjyqin serb: një nga poezitë e mia ia kushtoj vrasësit të Miladin Popoviçit.
Shpesh të vërteta të mëdha gjenden edhe mes rreshtash, madje edhe në paranteza. Këtë e shoh dhe në burimi: “RFE. Research and Evaluation Department Yugosllav Special. Nr. 1095/1961” Është intervistë e Dushan Mugoshës, sekretari politik i PKJ për Kosmet, detyrë që mbante që nga viti 1945, kur u vra Miladin Popoviçi. Dokumenti shkruan: Miladin Popoviçi (një udhëheqës jugosllav është vrarë në vendin e punës më 1945 nga një nacionalist shqiptar), dhe ky nacionalist ishte Haki Taha. Nderimet e shumta që Tito i bëri Miladinit, burime nga militantë të Titos (Djedieri e Mugosha), nga bashkëkohës nga Kosova, nga studiues të huaj, të gjitha bashkë vinë e takohen në një pikë të vetme: Miladin Popoviçi është vrarë nga nacionalisti kosovar, dhe ky është intelektuali, Haki Taha.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.