back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 12 Maj, 2024

Kur qerrja teatrale mbetet në baltë! – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Protesta Studentore 2018
Protesta Studentore 2018

Kur qerrja teatrale mbetet në baltë!

nga Rezart Palluqi

U desh të ringjalleshin studentët. Prej tyre atij i ka mbetur qerrja teatrale në baltë. Me studentët e ka gjetur bela e madhe. Qyqi, Kryeministër! Fatkeqi shoku Rama!
E ka të vështirë që të përballet me ironinë, mprehtësinë dhe guximin studentor. Qe mësuar me rrogëtarët shtetërorë. I fuste në sallë e pasi ua mbyllte gojën me kërcënime e shantazhe, bënte shfaqje të tipit Portokalli. Mbllaçiste marrëzira të veshura me një arrogacë dhe sarkazmë maskarai. Lëshonte batuta denigruese si lopa baglën. Dhe të gjithë e dëgjonin me vëmendje. Dhe të gjithë e duartrokisnin me brohori dhe eufori. Dhe të gjithë e adhuronin si një udhëheqës karizmatik. Ose edhe e tallnin nëpër dhëmbë. Mirëpo kjo tallje mbytej poshtë qiellzës së gjuhës.
I shkreti! I dridhet zemra kur mikrofonin e merr një student që nuk është paracaktuar të flasë, ashtu siç ndodh shpesh. Pyetjebërësit përcaktohen nga ai e kështu shoku Rama mund të shpalosë velat gjigande të anijes së tij intelektuale, humoristike dhe patriotike. Epo ja që gogolet iu shpifën në ëndrra shokut Rama. Madje, studentët gogolë shpartalluan muret e ëndrrave të tij paranojake dhe shpërthyen para hundës dhe mjekrrës së tij të egër. Po e sfidojnë studentët që iu rëntë pika ishallah! Po e bëjnë rezil, gjithë këtë burrë të madh, me kollare shumëngjyrëshe, mjekërr drizore dhe sy prej kobre të civilizuar. Dhe ai përbrënda me siguri që thotë: Ah, shoku Enver ku je? Ngrihu nga varri dhe bëji mish të grirë këta buzëqumështa. Jam i sigurtë se ai në çastet që studentët ia presin me sharrë këmbët e kolltukut të tij diktatorial, ai do që të ketë nje pistoletë me mulli. E me të t’ia shpojë studentëve lulet e ballit si shtiza kraharorin e luftarakut mesjetar. Me siguri ai në ato çaste mendon siç mendon një mafioz. E kur i del ndonjë student që s’ka bukë të hajë thotë: U bëre ti more zgjebarak të më flasësh me këto tone mua? E di ti more kush jam unë? Rrobat që ti ke veshur nuk kushtojnë as sa një metër katror i murit të vilës sime në Surrel që ngjan me një repart ushtarak të ISIS! Turfullon shoku Rama në këto momente. Më dhimbset i mjeri. Zemra i përpëlitet si një flutur krahëprerë kur studentët reagojnë me një ironi të hollë, të mrekullueshme. Ah çfarë drame për lartmadhërinë, Rama! Ah, o Zot, sa i padrejtë që je ndaj tij! Ajo ironi, oj hyjneshë e bekuar! Deri dje ajo ishte e dashura e tij absolute. Sarkazma ishte kallashnikov i tij. Mirëpo tani Edi Rama e dha sarkazmën me koncesion tek studentët. Këndej e tutje, Edi Rama do të mbetet ndoshta përgjithnjë pronari i vilës së tij në Surrel. Do të vazhdojë edhe për ca kohë që të jetë shefi i madh i kontrabandistëve së drogës. Po, këto pushtete ndoshta do t’i ruajë edhe për ca kohë në duar. Veçse, ironinë, sarkazmën dhe guximin intelektual nuk do t’i ketë me pasuri të tij absolute.
.
Protesta studentore dhe Kryeministri Rama
Protesta studentore dhe Kryeministri Rama

.

Do t’i duhet shokut Rama këndej e tutje që të jetojë me nostalgjinë e së kaluarës. I vetmi shërim i tij është që të mbyllet në një dhomë të errët dhe aty të ndjekë live nga televizori triumfet e tij të incizuara mediatike. Të kurojë egon e tij të sëmurë, por të cënuar prej studentëve, me batutat e tij të vjetra dhe kukullat e tij partiake, popullin e frikësuar prej hanxharit që ai ia ka mbajtur mbi kokën e tyre të hutuar që varej në një shtyllë kurrizore aq të trashë sa trupi i fasules apo bimës së misrit. Audienca e shokut Rama ka qenë e lavdishme. Fasulet dhe kërcejtë e misrit kanë qeshur dhe brohoritur për të. Më shpon zjarr zemra për shokun Rama. Si mund ta shpëtojmë Perandorinë e Edi Ramës? Të detyrojmë studentët që të emigrojnë të gjithë jashtё Shqipërisë?
Apo ta hipim shokun Rama dhe të gjithë kastën politike shqiptare në anijen më të madhe tregëtare dhe surdisim ata drejt Siberisë?
E atëherë shoku Rama, mbasi të punojë me nder dhe dinjitet në emigracion nja dhjetë vjet do të na kthehet në atdhe me 9 thasë me para e me to do të ndërtojë një vilë të dytë (simotrën e asaj në Surrel) në malin e Dajtit. Të njëjtin kontribut do ta presim edhe prej emigrantëve, shokëve të vyer, Berisha, Meta dhe ngjala e tij kodrinore, shoqja Monika.
Atëherë të gjithë këta do të na shërbejnë ne, shqiptarëve të izoluar dhe provincialë, ne emigrantëve naivë që dergjemi nëpër fabrika e restorante, si modelet më të shkëlqyera të emigrantëve shqiptarë që duke punuar me nder dhe zell të hekurt kthehen në atdhe dhe ndërtojnë nën qiellin shqiptar kështjellat e tyre mesjetare…
Dhe ne emigrantёt e dështuar do t’i pyesim ata se si arritën që në emigracion të kursejnë kaq shumë para?
20 dhjetor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.