Trifon Xhagjika, poeti hamletian – nga Dr. Yzedin Hima

0
19
Poeti pa varr Trifon Xhagjika
Poeti pa varr Trifon Xhagjika

Trifon Xhagjika, poeti hamletian

nga Dr. Yzedin Hima

Trifon Xhagjika është para së gjithash një poet disident. Ai u përball me diktaturën në të dy dimensionet e tij njerëzore: edhe si qytetar, edhe si shkrimtar. Është meritë e madhe tij, që pikërisht në kulmin e euforisë që kishte mbërthyer regjimin dhe turmat për ndërtimin e një jete të re, ai dalloi qartësisht thelbin e diktaturës: dhunën, mashtrimin, privimin e lirisë dhe rrjedhojat dramatike si mjerimi, izolimi, shkretimi i vendit, vrasjet dhe burgosjet permanente të kundërshtarëve realë dhe atyre imagjinarë.
Poezia e Trifon Xhagjikës është e nyjëtuar me destruksionin e miteve, mite me të cilat qe ngjizur letërsia e socrealizmit. Miti i atdheut si fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut gjendet rëndom në letërsinë e socrealizmit të fundit të viteve pesëdhjetë dhe fillimin e viteve gjashtëdhjetë. U shkruan mjaft poema, poezi, tregime dhe romane, ku mitizohet atdheu socialist. Ndërsa në tekstet poetikë të Trifon Xhagjikës të krijuara në këtë kohë atdheu jo vetëm që nuk është fanar ndriçues, por është lakuriq. Jo vetëm që nuk mund të jetë shembull për vende të tjerë, por është foshnjarak, sa që nuk këput dot asnjë degë. Jo vetëm nuk ka asnjë lavdi të sotme, por rron me lavdinë e shekujve që shkuan. Është koha kur Shqipëria qe veçuar nga kampi socialist për shkak të stalinizmit të diktatorit dhe nisi izolimi total i vendit. Në tekstin e poezisë me titull “Ndihmomëni të qesh” thuhet:
 
…E pashë Atdheun lakuriq,/ (vetëm, pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafine/ nga lavdia e shekujve.
 
Trifon Xhagjika ka një kthjelltësi dhe qasje kah e vërteta, gjë jo fort e zakontë për kohën. Shkrimtari i njohur Albert Camus ka folur për dy shërbimet e shkrimtarit nga të cilat ai nuk mund të shmanget: “Shërbimi ndaj së vërtetës dhe shërbimi ndaj lirisë.” Trifon Xhagjika nuk iu shmang këtij detyrimi të shenjtë dhe e pagoi me çmimin e jetës së tij shërbimin ndaj lirisë dhe të vërtetës.
Në një tjetër tekst poetik Trifon Xhagjika sheh atë që të tjerët ose nuk e shihnin, ose bënin sikur nuk e shihnin, ose e mbulonin dhe e zbukuronin. Portreti i atdheut në këtë tekst është realist, madje i vizatuar fatalisht si i tillë dhe në perspektivë:
 
Një vend i ëndërrave pa fat/ një vend latydësh të tërbuar,
një vend i mendjeve sakate,/ me turp kusari mbuluar,
Një vend me fjalë kotësie,/ ku vdekja e fshehtë është modë,
ku drita e Diellit u bë hije,/ Atdhe i dashur je ti sot.
.
Trifon Xhagjika me motrat
Trifon Xhagjika me motrat
Në tekstet poetike të Trifon Xhagjikës ndihet qartë destruksioni i mitit të atdheut të lirë, liri, e cila në letërsinë e socrealizmit, “lindi nga gryka e pushkës”. Në poezinë “Apoteoza e ditëve tonë”, poeti vizaton një pamje mjaft trishtuese, në kontrast të thellë me tekstet e letërsisë së pranuar zyrtarisht. Në fokusin e poetikës së Trifon Xhagjikës janë sërish e vërteta dhe liria. Siç kemi nënvizuar edhe më lart, nuk mund të këtë liri pa të vërtetën, ndërsa mungesa e lirisë lind gënjeshtrën dhe hipokrizinë:
 
Kurthi/ dhe gënjeshtra/shëtisin të lirë nëpër rrugë.
Njerëzit i njohin,/ por kanë frikë t’i prekin/ kanë frikë t’i ndalojnë;
 
Siç shihet në këtë tekst e vërteta nuk ekziston më, ajo është zëvendësuar nga gënjeshtra. E kur kurthi dhe gënjeshtra shëtisin të lirë nëpër rrugë, natyrisht që liria mungon, apo është mërguar. Të hidhje në letër një të vërtetë të tillë, krahas kurajos qytetare, duhet të kishe edhe një vetdije të thellë të misionit të shkrimtarit për të vërtetën dhe lirinë. Të mos harrojmë se poezia është krijuar në kulmin e euforisë së fitimtarëve, në kulmin e mitizimit të lirisë në letërsinë e socrealizmit. Mungesa e së vërtetës, mungesa e lirisë, dhuna ka lindur hipokrizinë. Në tekst ndihet dhuna që vjen nga shteti:
 
Njerëzit i njohin,/ por kanë frikë t’i prekin
kanë frikë t’i ndalojnë/ I ruajnë roje të blinduara.
 
Rojet e blinduara që ruajnë kurthin dhe gënjeshtrën janë rojat e shtetit të diktaturës. Që e keqja është ulur këmbëkryq
dallohet në katër vargjet e fundit:
 
Gjithkush i nderon ato./ Kapelen ua heqin të diturit,
trimat i ftojnë të pinë me ta,/ bujarët i mirëpresin në shtëpira.
 
Po cila është fuqia apo magjia e tyre që detyron të diturit t’i nderojnë, trimat të ulen e të pinë me ta, fisnikët t’i presin në shtëpi?! Dhuna, dhuna e verbër dhe e pamëshirshme, vetëm ajo mund të sjellë një triumf të tillë të së keqes. Shekspiri ka dy vargje të famshëm për të vizatuar kohën, kur e keqja ka triumfuar:
 
“Virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit/ T’ulet, t’i lutet që t’i bëjë mirë.”
.
Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi
Trifon Xhagjika është një poet hamletian në historinë e letrave shqipe. Kur kolegët e tij poetë e shkrimtarë u shndërruan në pollonë, ai e denoncoi hipokrizinë, krimin, të ultën, të shëmtuarën. Hamleti, në botën e trillimit, i vetëm iu kundërvu botës, ndërsa Trifon Xhagjika në botën e njëmendët, i vetëm iu kundërvu gjysmës së botës. Ky guxim solli edhe fundin e tij tragjik, sikurse edhe personazhi i famshëm që donte të ndreqte botën, që kishte humbur drejtpeshimin. Në poezinë me titull “Hapi fodull” gjendet një pyetje retorike destruktive, ku qartësisht çmitizohet atdheu socialist dhe miti i lirisë:
 
…ç’ndryshim ka varri/ nga vendi yt?
 
Më tej në tekst vizatohen dhunuesit e atdheut dhe lirisë:
 
Është hapi i tyre,/ shushunja,/ lindur llumit të vijave.
që dhe në kuvend,/ s’e duan fjalëm liri.
 
Në poezinë-trakt të titulluar “Kënga e verbër” poeti nënvizon idenë se një atdhe ku e vërteta dhe liria mungon shndërrohet në njerkdhe:
 
Turp,/ Atdhe!/ S’të di kush je!/ …Te ti jam i lirë pa liri…
 
Poeti Trifon Xhagjika në poezitë e tij me temë politike është pa asnjë mëdyshje një kundërshtar i hapur i dhunës dhe gënjeshtrës, sikurse është një adhurues e kalorës i së vërtetës dhe lirisë. Ai e sfidon dhunën dhe verbërinë e saj, që paturpësisht ka marrë edhe emrin e republikës:
 
Nuk mundem të të fal./ Gjuha m’u zgjidh./ Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura/ do të dëgjosh zërin tim: “Të urrej o Republikë,
Lavire e zotërve gjakprishur.
.
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakKur qerrja teatrale mbetet në baltë! – nga Rezart Palluqi
Artikulli tjetërOdhise Paskali (1903-1985) – babai i skulpturës shqiptare – ese nga Luan Çipi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.