Poetët qe mbesin… kujtesë e amshueme e jetës… nga Jozef Radi

0
9
Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Poetët qe mbesin… kujtesë e amshueme e jetës…

nga Jozef Radi

In memoriam… poetit martir Trifon Xhagjika…

Trifon Xhagjika (1932-1963)
Trifon Xhagjika (1932-1963)

Rekanati asht nji qytet i vogël dhe i bukur vendosun majëkodre. prej kah mund tësoditet  me nji solemnitet hijerandë Adriatiku… Po mbi të gjitha Rekanati njihet gjithkund dhe prej kujdo si qyteti i lindjes së poetit Xhakomo Leopardi,  ose “Qyteti i Leopardit”!
Sa herë kam shkue në qytetin e Rekanatit, ajo çka m’ka ba ma shumë përshtypje, asht si jeta e këtij qyteti, edhe sot e kësaj dite, asht aq shumë e lidhun me jetën dhe veprën e poetit Leopardi… Nëse ti shetit rrugicave të kalldramta të këtij qyteti të vogël mesjetar atje majëkodre, ndalesh në baret dhe piazzetat e tija të mrekullueshme, sodit pamjet fantastike në 360 gradë në pranverë o vjeshtë, ke me pa se gjithkund qyteti të flet me vargjet e poetit të vet, dhe të duket sikur edhe sot e gjithë ditën, ai e ka nji dhe të vetme: jetën dhe veprën e poetit të madh italian të shekullit të XVIII… Xhakomo Leopardi…
Dhe unë habitem e mahnitem… si ndër ato rrugica të ngushta janë të ruejtuna me kujdes poezitë e tij. Ato vargje të shkrueme gjithkund, i gjen nëpër tavolinat e bareve, nëpër faqet e mureve të shtëpive apo kishës, nëpër rrugica dhe porta, po edhe te muzeu i tij, që asht ndër ma të pasunit… me gjithçka që i përket Poetit… E pra, gjithkund duke ecë mund të takosh e të lexosh poezitë e tij të famshme si: “E shtuna e fshatit”, “Silvias”, “Gardhi” “Nerinës”, “Pafundësia”, e plot të tjera. Vargje mbi detin, qiellin, tokën, dashninë dhimbjen… bile diku majekodre mbi të cilën ngrihet edhe qyteti, gjendet i shkrueme me germa super të mëdha vargu i famshëm leopardian: “Sempre mi fu caro questo ermo colle”, (Gjithnji m’qe e dashtun kjo kodër vetmitare…) nji prej vargjeve ma të thella, ku shpirti i poetit dhe shpirti i qytetit jetojnë në nji përjetsi të harmonishme, dhe ato vargje me gërma të stërmëdha mund të lexohen edhe prej dhjetë kilometrash larg…

Giacomo Leopardi (1798-1937)
Giacomo Leopardi (1798-1837)

Kët paralelizëm me Xhakomo Leopardin… mendoja ndërsa shkrueja për jetën, veprën dhe martirizimin e poetit Trifon Xhagjika… (për çudi edhe emnat e të dy poetëve më krijonin nji lloj asocacioni)
Trifon Xhagjika, u lind në nji fshat shqiptar të Jugut, në Peshtan, edhe ma mbas u rrit dhe u kultivue në kryeqytet. Në nji kohë të shkurtë ai mbrriti me u dallue si djalosh i nji kurajo të epërme, në nji kohë që sa vinte dhe po bahesh ma e përbindshme. Çka asht e dhimbshme, dhe vazhdon me mbetë e tillë, asht fakti se ne, asnjiherë s’kemi pasë respekt për poetët… asnjiherë s’na ka shqetsue as guximi dhe as fati i tyne… Me dhimbje e them se: nji popull që s’i nderon dhe respekton poetët, asht popull që meriton nji konsideratë të mefshët e të ndërdyshtë…
Gjithnji mendoj, që edhe sikur vetëm fshati i lindjes së Poetit Trifon Xhagjika, ai Peshtan i fundosun atje mes blerimit të pyjeve dhe maleve, diku midis Tepelenës dhe Përmetit, të fliste në emën të poezisë dhe të jetës heroike së këtij poeti martir… do të mjaftonte… Ai fshat sigurisht do të mund të jetonte në amshim edhe përmes jehonës së vargjeve të poetit, sepse Trifon Xhagjika mbetet prej atyne poetëve, poezia e të cilëve edhe dje, edhe sot, edhe nesër, edhe në të tana kohnat, në të tana vendet, mbetet aktuale… Kur ai, mes sallës së atij gjyqi, që kishte vendosë kahera me e dënue me vdekje, pa u trishtue hiç dhe pa u ligshtue asnji grimë për jetën e vet, thirri: “Më jepni një top, ta godas regjimin tuaj…!” Me e pà sot në pikëpamjen e guximit qytetar, ky asht nji akt i pashembullt… në krejt letërsinë botnore, asht pothuej e pabesueshme që nji poet i vetëm përballë nji regjimi gjakatar dhe me vdekjen e deklarueme ndër sy… kërkoj nji top (qoftë figurativ), me goditë të keqen që po e shkatrronte nji popull… Duket e pabesueshme! Por ja që ka gjithnji njerëz dhe poetë guximtarë që kësisoj qeverish që vijnë dhe largohen prej pushtetit pa sjellë asgja pozitive në jetën e  popullit të tyne veç së keqes… sigurisht meritojnë me u goditë me top, në mos si ai i Trifon Xhagjikës…  disi ngjajshëm me të…
Vargu i tij antologjik, poezia e tij heroike e çoi drejt pushkatimit: “Njerëz, e pashë atdheun lakuriq…” asht poezi e gjitha kohnave, dhe e gjithë vendeve… sepse ku ka diktatura, kur ka regjime shtypse dhe shfrytzuese që shkatrrojnë çdo vlerë dhe personalitetin e njeriut, sigurisht duhet poetë me shpirt përgjegjsie, që kur e ndjejnë të keqen që avitet japin ulërimën, edhe në mënyrë metaforike klithin “E pashë Atdheun lakuriq…”
Ajo çka unë kambëngul dhe kërkoj me e theksue në kët paralelizëm midis Rekanatit të Leopradit dhe Peshtanit të Xhagjikës, asht respekti civilizues ndaj poetit e ban ma të ndjeshme shoqninë, por e ban edhe poetin pjesë të së përditshmes njerzore… ndaj e theksoj se nji popull që s’trishtohet për fatin e poetëve, nji popull që s’mendon për vargjet që duhet t’i ketë si kredo të jetës së vet, që s’i bashkohet jetës dhe veprës heroike të poetit, që s’ngre në qiell statuja dhe piedestale për poetët, për guximin e tyne qoftë edhe të çmendun… asht nji popull që shterret pak nga pak së bashku me kujtesën e vet historike.
Sigurisht, Trifon Xhagjika, asht sot nji poet pa nji qytet të vetin, pa nji fshat të vetin, pa një bashkësi dashamirësish, pa një nderim kolektiv, pa nji muzeum, pa nji përmendore… Po ajo çka e ban edhe ma të thellë e ma të skajme dhimbjen ndaj tij, asht fakti se Trifon Xhagjika sot e kësaj dite mbetet nji poet pa varr… dhe ndoshta vrasësit e tij janë gjallë e na ftojnë ndoshta edhe për kafe!!! Sepse diktaturat luftën ma të madhe e kanë me poetët, pse ato u friken vargjeve që mund të shërbejnë si frymëzime kolektive… si sllogane të rrebelimit masiv të njerzve të lirë kundra padrejtësive… prandaj diktatura shqiptare rekrutoi mjaft poetë në shërbim të saj, e që ende sot flet për lavdinë e tyre… (sepse mendon lavdinë e saj të përçudun…!!)
Imagjinoni 50 vjetorin e vrasjes së makabre të nji poeti… kur ai s’ka nji varr ku t’i vendoset nji tufë lulesh, apo t’i derdhet nji pikë loti, qoftë edhe prej atyne të paktëve që e njohin, që e duan dhe e adhurojnë!! Pse…??? E megjithëse pa varr, po ai mund të kishte nji përmendore, nji bust, nji emër shkolle, a instituti… Por asgja…
Për me pasë nji ide ma të plotë rreth portretit dhe figurës së këtij njeriu dhe poeti guximtar të papërsëritshëm… u shtyva me kërkue pak ma shumë dhe vuna re se… veç nji fotografie të vogël që qarkullonte në internet, s’kishte asgja tjetër…
Sigurisht në kët 50 vjetor të heshtun të vrasjes dhe martirizimit të poetit Xhagjika, po edhe mjaft sivllazënve të tij poetë… mospasja e nji varri e nji statuje, e nji manifestimi përkujtimor për të gjithë ne si qytetarë, për cilindo individ që ndjehet në naltësitë e ndërgjegjes, duhet të çohesh në kambë, që në kët 50 vjetor të Poetit Martir Trifon Xhagjika, ai duhej të kishte nji varr, nji përmendore… nji përkujtim ma shumë se të dinjitetshëm… Shteti i sotëm, i cili mban përgjegjsinë morale të vrasjes së Poetit, mund dhe duhej të sillej pak ma ndryshe… nëse ka ndërmend të quhet shtet!!!
dhjetor, 2013

Related Images:

Artikulli paraprakJoseph Addison (1672-1719) – Muzika
Artikulli tjetërPindari (522-443 p.K) – Urrejtja
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.