Kur ndalohej mbajtja e ferexhesë (1937 – Ligji i miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë) – nga Kastriot Dervishi

0
12
Motrat e Mbretit Zog
Motrat e Mbretit Zog
Motrat e Mbretit Zog
Motrat e Mbretit Zog

Kur ndalohej mbajtja e ferexhesë

(1937/ Ligji i miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë)

nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1937, në Shqipëri hyri në fuqi ligji që ndalonte mbulimin e fytyrës së gruas shqiptare. Për të arritur deri këtu ishin kaluar disa hapa të tjerë që kishin të bënin me reformimin e statuseve të komuniteteve fetare, për të arritur më pas në nivele më të larta të këtyre reformave. Ndonëse ishte një ligj i rëndësishëm, zbatueshmëria e tij ishte në vitet 1937-1939. Për të hequr ferexhenë nisma erdhi nga KMSH duke pasur një mbështetje të fortë të organeve shtetërore, si në fazën e parë ashtu edhe në zbatimin e ligjit.
Më 1 mars 1937, Këshilli i Përhershëm i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, mbështetur edhe nga kryemyftinitë e Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës e Shkodrës, duke u bazuar në shkrimet e shenjta, pohoi se “asht e ndigjueshme fetarisht hapja e fytyrës dhe e duerve të gruas myslimane dhe si konsekuencë, marrja pjesë e saj në çdo shesh të aktivitetit njerzuer” dhe mori vendimin për heqjen e mbulesës e ndalimit të fytyrës tek gratë.
Kjo mbledhje u provokua nga kryemyftiu i Gjirokastrës Halit Peshkopia dhe kryemyftiu i Korçës Hafëz Xhaferri. Në motivacioni e rastit thuhej se në vitin e parë të predikimit të islamizmit në Shqipëri, mbështetur mbi urdhrin e profetit të tyre, juristët myslimanë të shekullit të parë predikuan zbulimin e duarve dhe të fytyrës. Por më vonë të tjerë juristë, të shtyrë prej nevojave të tjera u shtrënguan të vendosnin dispozita ndaluese.
Në vijim të raportit përligjës thuhej se atdheu ynë kishte nevojë që edhe gruaja të merrte pjesë në jetën shoqërore e kulturore të vendit, duke kërkuar zbatimin e zakonevetë mira të kombeve të përparuara. Për këtë, institucioni i sipërpërmendur një zëri miratoi raportin e kryesisë dhe vuri në dijeni qeverinë, duke i hapur rrugë më 6 mars 1937, miratimit të ligjit “mbi ndalimin e mbulesës së gruas!”
Gazeta “Drita” e 2 marsit 1937, e quante Ahmet Zogun “psikolog të thellë të popullit të tij dhe largpamës gjenial të nevojave kombëtare”. Për këtë qëllim gazeta citonte Ahmet Zogun, i cili kishte thënë se viti 1937 do të sillte një tog reformash që do të ishin një fuqi shtytëse për përparim, entuziazëm e përparim.
Sipas ligjit kundravajtësit gjobiteshin deri 500 fr. ar. Ligji parashikonte ndëshkime të tjera edhe mbi bashkëshortët, baballarët, etj. Deputetët që mbajtën fjalime ishin Hiqmet Delvina, Fejzi Alizoti, Hafiz Xhemal Dibra, Jashar Erebara, Xhemal Naipi, Ferit Vokopola, Eshref Frashëri, Faik Dishnica, Qani Sulejmani, Hamit Myftiu, Fiqri Rusi dhe Ahmet Hastopalli. Siç edhe shihet nga emrat, deputetët me përkatësi tjetër fetare, duke filluar nga kryeparlamentari Evangjeli, kanë preferuar të heshtin. Në një letër që i drejtonte Kryeministrisë, Mbreti Zog, vinte në dukje se vendimi i Parlamentit përbënte një “hap deciziv për naltësimin e nivelin të grues shqiptare, tue i hap asaj nji fushë të gjanë për zhvillimin e individualitetit të saj për dobitë familjes, shoqënisë e t’atdheut.”
Mbreti porosiste që me një buxhet të veçantë të hapeshin kurse falas kundër analfabetizmit e për mësime të përgjithshme praktike, zhvillimit moral e mendor. Zogu kërkonte që përfundimi i kësaj pune t’i njoftohej. Ligji për ndalimin e mbulimit të fytyrës së gruas u parapri nga diskutimet e disa deputetëve, të cilët sikurse e thamë më sipër ishin të gjithë të besimit mysliman.
.
Gra Shqiptare te Viteve '30
Gra Shqiptare te Viteve ’30
-Hiqmet Delvina ka shprehur respektin më të thellë për Mbretin Zog, duke shprehur se kjo reformë nuk do të ishte as e para dhe as e fundit. Sipas tij askush nuk duhej të dyshonte se kjo reformë do të sillte cwnimin e gruas shqiptare.
-Fejzi Alizoti e ka hapur fjalën e tij se shumë vetë mendonin se feja myslimane ishte shkak pengesë për përparimin e kombeve, gjë që sipas tij nuk ishte e vërtetë, pasi jo feja por injoranca në bashkëpunim me egoizmin krijuan në disa vende të botës haremet, një sistem të vërtetë robërie në trajtimin e femrës. Sipas tij nuk mundtë kishte asnjë reformë pa filluar gruaja.
-Hafiz Xhemal Dibra, kleriku deputet e ka vlerësuar me rëndësitë posaçme projektligjin në fjalë, duke e mbështetur edhe nga pikëpamja fetare se ishte e lejuar mosmbulimi i femrës.
-Jashar Erebara në fillim të diskutimit të tij shprehet se në shumicë të tij populli shqiptar nuk kishte qenë i mendimit se gruaja duhej mbuluar. Prandaj populli do ta pranonte me gëzim reformën. Pas kësaj ai sjell shembuj për rastin në fjalë.
-Xhemal Naipi, shprehet se në Kuranin e Shenjtë dhe në fjalët e profetit Muhamet, thuhej qartas se fytyra e femrës nuk quhej auret (mbulesë). Më tej ai thotë se perçja nuk i ka sjellë asnjë të mirë gruas shqiptare, e sidomos kohët e fundit kur kishte shkaktuar mjaft dëme. Sipas tij perçja ishte mjet i imoralitetit.
-Ferit Vokopola e ka quajtur si shumë të rëndësishëm projektligjin e paraqitur, tek i cili mbizotëronte fryma përparimtare. Ai për këtë çështje citon një filozof indian për çështjen e qytetërimeve lindore dhe perëndimore, duke e mbyllur këtë pjesë me namin e keq të haremeve. Vokopola thotë se shqiptarët ishin brenda një familje aksidentale, si kombi më i vjetër i Ballkanit. Mbulesën e gruas ai e quan një zakon të huaj.
-Eshref Frashëri, ka theksuar se projekti ishte shpëtimtar për vendin, duke sjellë shembuj se mbulesa e gruas më së shumti ishte një çështje që i ishte përzier fesë.
Sipas tij në Shqipërinë e Zogut nuk mund të tolerohej kjo gjë. Ai thoshte se duhet të shkundeshim nga zakonet e vjetra të Anadollit të cilat vetë Anadolli i kishte shkundur.
-Faik Dishnica, pohon se me këtë ligj do të krijohej barazia e domosdoshme shoqërore në vend, duke sjellë një shpëtim për kombin. Sipas tij kjo reformë nuk fillonte sot, pasi ajo gradualisht kishte filluar prej kohësh.
-Qani Sulejmani ka mbështetur kolegun e vet në fjalët që ai sapo kishte thënë duke shtuar se priste të tjera reforma në vend.
-Hamit Myftiu e ka quajtur nismë të mirëpritur projektligjin që vinte, duke shtuar se populli shqiptar do ta pranonte me gëzim atë.
-Fiqri Rusi e ka trajtuar çështjen edhe nga pikëpamja politike pasi për dobinë shoqërore dhe fetare të tij kishin folur deputetët e tjerë. Sipas tij edhe politikisht ligji i ri do të kishte rëndësi të madhe.
-Ahmet Hastopalli e ka quajtur projektin e ri vepër madhështore. Duke e pasuruar diskutimin e tij, ai ka sjellë shembuj nga historia. Kanë vijuar edhe diskutimet e Ali Begesë, Salih Vuçiternit e për t’u mbyllur me fjalën e ministrit të Punëve të Brendshme, Musa Juka i cili ka mbrojtur projektin në emër të qeverisë. Miratimi i ligjit për ndalimin e fytyrës së gruas, nuk mund të ishte një veprim që në tërësinë e tij do të kalohej pa probleme. Ministria e Punëve të Brendshme që merrej me zbatimin e tij dhe Ministria e Drejtësisë që kishte në varësi bashkësitë fetare, në bashkëpunim të ngushtë me Komunitetin Mysliman Shqiptar, ishin vazhdimisht në bashkëveprim me njëra-tjetrën për zbatimin e ligjitdhe për moskrijimin e traumave sociale që mund të lindnin nga zbatimi i këtij ligji. Për ta bërë sa më funksional atë, në radhë të parë u kërkuar përpikëri nga nëpunësit e shtetit dhe gratë e tyre. Jo vetëm për lirimin e gruas shqiptare nga skllavëria e mbulesës së fytyrës, por edhe për të ruajtur figurën e klerikut në opinion, KMSH bashkëpunoi ngushtë me MPB-së.
Gra shqiptare gjate punes
Gra shqiptare gjate punes
Miratimi i ligjit në fjalë, i dha mundësi Ministrisë së Punëve të Brendshme, të jepte porositë e ndryshme për zbatimin e tij. Nga shfletimi i dokumenteve arkivore del se prefekturat që kanë pasur probleme në zbatimin e ligjit kanë qenë Shkodra dhe Durrësi.
Më 1 mars 1937, Zyra Sekrete e MPB-së njoftonte Prefekturën e Shkodrës se Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman bazuar në interpretimin e Kuranit kishte dhënë fetfanë për zbulimin e duarve dhe fytyrës së grave. Në porosinë e rastit për prefekturën. Zyra Sekrete udhëzonte se elementët fanatikë mund të përkraheshin në këtë rast nga propaganda jugosllave, duke kërkuar moslejimi i një gjëje të tillë dhe për këtë të njoftohej mënyra e veprimit (AQSH, F.152, V.1937, D.157,fleta 1). Aktivizimi i propagandës jugosllave shënohej si më aktiv në brezin kufitar të qarqeve të Shkodrës, Dibrës e Kukësit. Më 2 dhe 4 mars 1937 urdhëroheshin prefekturat e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Elbasanit të propagandonin vendimin e komunitetit në fjalë. Elementët fanatikë duke mos pëlqyer reformën e ndërmarrë kanë kaluar në veprime kërcënuese nga autoriteteve më të larta fetare të Shkodrës.
Zëvendësisht prefekti i Shkodrës, Daut Çarçani, më 4 mars1937 njoftonte autoritetet se çështja e zbulimit të grave ishte objekt bisedimi në atë qark dhe kishte sjellë tronditje, por nuk shihej ndonjë propagandë me prirje të rrezikshme.
Më 8 mars 1937, Zyra Sekrete porosiste prefekturat e vendit, veçanërisht ato të Dibrës e Kosovës që të interesoheshin pranë organizatës “Gruaja Shqiptare” me rastin e votimit të ligjit, t’i dërgonin telegrame mbretit, parlamentit, qeverisë dhe një kopje gazetës “Drita”. Aty ku nuk ekzistonin organizata grash, këtë ta bënin gra nga paria. Zëvendësisht prefekti i Durrësit, Mahmut Golemi, njoftonte se zonja nga paria do të dërgonin nga Durrësi, Kavaja, Kruja, Shijaku.
Prefekti i Elbasanit Sadik Metra më 16 mars 1937, njoftonte se me të mbërritur urdhri për zbulimin e fytyrës, ishin ftuar të gjithë nëpunësit e atyshëm dhe u ftuan të zbatonin ligjin me gratë e tyre, gjë që ishte zbatuar prej një jave.Vihej në dukje se myftiu i Elbasanit ishte pro lëvizjes dhe e përkrahte atë.
Për vetë kuptimin e çështjes porositej që zbatimi i ligjit të bëhej me shumë takt dhe me shumë kujdes. Kjo në mënyrë që të mos krijoheshin probleme që do të mund të merreshin në opinion si cenim i figurës së grave. Veçanërisht xhandarmëria u porosit të ishte e kujdesshme në zbatimin e ligjit e tregimin e taktit.
Më 24 mars 1937, Zyra Sekretee MPB-së i dërgonte telegram prefekturave, veçanërisht atyre të Dibrës e Kosovës, se të nesërmen, datë 25, ligji hynte në fuqi e përket kërkohej lajmërimi i popullit me kryepleqtë, etj, por kurrsesi me tellall, pasi me këtë mënyrë mund të krijoheshin efekte tallëse. MPB kërkonte që të shtoheshin parullat në mënyrë që populli të bindejse do të zbatohej ligji. Udhëzimi ishte se kur shihej ndonjë grua embuluar të mos zbulohej në publik, as të mos komunikohej me të, por fshehtas të bëheshin hetime.
Më 25 mars 1937, prefekti i Shkodrës, Javer Hurshit, njoftonte se asnjë grua nuk kishte dalë e mbuluar. Një pjesë e grave kanë kaluar me karrocë me fytyrë të zbuluar.
Dy ditë më vonë, Zyra Sekrete kërkonte nga prefekturat, veçanërisht ato të Shkodrës, Tiranës, Dibrës e Kosovës, se si kishte shkuar dita e kush kishte vepruar kundërligjit, duke kërkuar zbatimin e ligjit, në mënyrë për të arritur qëllimin që asnjë grua të mos dilte e mbuluar.
Më 27 mars 1937 zëvendës ish prefekti i Vlorës, Kamber Qafmolla njoftonte se asnjë grua nuk kishte dalë e mbuluar. Të njëjtën gjë thotë edhe prefekti i Elbasanit Sadik Metra. Zëvendësisht prefekti i Durrësit, Mahmut Golemi, njoftonte po atë ditë se asnjë grua nuk ishte parë e mbuluar, por lëvizja jashtë banesave kishte qenë e kufizuar.
Sipas tij kjo rridhte nga mungesa e veshjeve pasi shumica ishin të varfra. Edhe prefekti i Beratit, Qazim Bodinaku, njoftonte për sukses të ligjit.
Më 5 prill 1937, prefekti i Beratit, Qazim Bodinaku njoftonte se ligji ishte pritur me gëzim të madh në popull dhe nuk ishte shënuar ndonjë kundërvajtje. Vetëm në Fier dilnin dy gra. Të dy burrat e tyre ishin thirrur dhe kishin kërkuar falje se nuk e dinin që atë ditë kishte hyrë ligji në fuqi.
Më 12 prill 1937, doli qarkorja ku thuhet se duke çmuar se reforma e zbulimit të fytyrës thyen një zakon të keq të rrënjosur e të zbatuar për një kohë të gjatë, MPB ja kishte gjykuar të nevojshme që në ditët e paratë mos kërkohej ashpërsisht zbatimi i ligjit, duke filluar me butësi e tolerancë, por duke qenë se prej ditës së zbatimit të ligjit nuk kishin dalë gra të mbuluara, tani kërkohej zbatim më i rreptë i ligjit.
Në qarkoren tjetër thuhej se ishte vërejtur se shumë gra kishin bërë zbulim të pjesshëm të fytyrës, duke e zënë ballin e gushën deri te goja, ndërsa disa të tjera pa qenë nevoja përdornin çadra, me të cilat maskonin fytyrën. Kërkohej që këto raste të konsideroheshin në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër kërkohej nga xhandarët të kishin sjellje korrekte duke u sjellë me urtësie xhentilesë e në rast nevoje të jepeshin edhe këshillat e rastit.
Reforma e vitit 1937 dhe disa të tjera të planit fetar që kanë ngelur të pazbatuara u zbatua rreptësisht deri në 7 prill 1939. duke përfituar nga ndryshimi i regjimit në vend, u gjet rrugë që ferexheja të ripërdorej. Këtë “tolerancë” fetare, autoritetet fashiste do ta kuptonin më vonë kur ferexheja do të përdorej si mjet maskimi edhe për meshkujt.
Gazeta “Drita” e 2 marsit 1937 e quante Ahmet Zogun “psikolog të thellë të popullit të tij dhe largpamës gjenial të nevojave kombëtare!” Për këtë qëllim gazeta citonte Ahmet Zogun, i cili kishte thënë se viti 1937 do të sillte një tog reformash që do të ishin një fuqi shtytëse për përparim, entuziazëm e përparim

Related Images:

Artikulli paraprakTakimi i Shkrimtarëve të Diasporës (22 shkurt 2020) – Opinione nga Demalia, Martiko, Marku
Artikulli tjetërMurgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri – Vepër e Nilo Borgias – Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII.
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.