back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kur kujtimet shfronësojnë realitetin… Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Kur kujtimet shfronësojnë realitetin…

nga Klodi Stralla

Mbresa dhe nostalgji…

Kët mesgusht isha me pushime në Korçë, qytet me të cilin më lidhin kujtime të pashlyshme të fëmijërisë, rinisë shkollore, punës shumëvjeçare dhe jetës familjare. I larguar nga ky qytet në moshën 50 vjeçare, i ngjaj më shumë atij trungut të shkulur, që e ka pothuaj të pamundur “të mbijë” në tokë tjetër…
E quaj veten me fat që fëmijërinë dhe rininë shkollore e kam kaluar në një shtepi, në rrugën ku dikur ishte ajo që gjithë qyteti e njihte si “Kinema Verore”. Sa vinte muaji qershor, mbasdite, aty rreth ore 19.00, ajo rrugë gumzhinte nga dhjetra dhe qindra çifte familjarësh, të rinjsh dhe të rejash, ku nuk mungonin veçanërisht fëmijët. Në orën 20.00 të mbrëmjes, për cdo ditë të javës, i paharrueshmi Çomja (Thoma Tasho) xhironte filmin e rradhës.

Rrugë karakteristike korçare
Rrugë karakteristike korçare

E vendosur në një kryqëzim rrugësh: përballë shtëpia impozante e Polenkës (doktorit); karshi shtëpia e Kiço Llandonit (Marianit), pronarit të llandonit të famshëm, me të cilin merreshin më parë në Korçë nuset e reja; në shpinë të saj, një fushë sportive, që qyteti e thëriste tek Konsulli, dikur pronë e Vasil Avramit, kjo ishte vendosja gjeografike e Kinema Verores. Salla, një hapësirë në qiell të hapur, në formë drejtkëndëshi me përmasa afërsisht 60 m X 40 m, me mure të larta, me dy dyer në secilën rrugë. Një faqe muri e lyer me të bardhë shërbente si ekran dhe përkarshi saj një dhomë, në katin e dytë, ishte studio ku ishin vendosur aparaturat e vjetra të xhirimit. Ngjitur me derën e hyrjes një sportel në formë katrori, vetëm sa mund të fusje dorën, shërbente si vendi ku Gaqua, një burrë i shkurtër me syze dhe mustaqe që i jepnin një individualitet mbreslënës, shiste biletat; përballë saj ish një bufe e sajuar ku një tjetër personazh i mirënjohur, Taqi Shqau, shiste embëlsira për spektatorët. Në një shesh, shtruar me çimento, ishin të vendosur stolat e drunjtë, ku uleshin spektatorët, të ndarë në mes nga një hapësirë e lirë, që shërbente si rrugicë. Nuk më kujtohet mirë se sa rradhë stolash ishin, por besoj rreth 20-25, me një kapacitet aty rreth 500 vendesh. Kjo ishte Kinema Verore, e rrallë në llojin e vet, që sikur donte t’i thoshte çdo të huaji që vizitonte Korçën, se ai qytet ishte ndryshe nga të tjerët…
Një të dielë mbrëma, posa kish rënë muzgu, kalova para saj; u ndala tek ajo derë nga ku dikur hynin njerezit; ishte po ajo dera e dikurshme, por tashme e dalë boje, thuajse e shkatëruar. Një çelës i ndryshkur vëthkë kish kapur për fyti dy kanatat e derës sikur donte t’u thosh se nuk do t’i lejonte të hapeshin kurrë! U afrova më nga afër dhe shtanga: ende ishin ato brimat e famshme që ne të vegjlit i kishim hapur me lloj lloj mjetesh të mbrehta, ku vendosnim sadopak syrin për të parë diçka brenda, sepse nën një moshë të caktuar nuk lejohej hyrja e fëmijeve. Si me magji, ashtu si Çomja dikur kthente mbrapsh kasetat e filmit, u ndjeva si ai djali i dikurshëm 10-12 vjeçar me pantallona të shkurtra i para 50 viteve. Veshët më buçitën nga këngët e famshme të filmave Vagabondi, Serenatë në Meksikë, Hoselito, Takim në Iskia e sa e sa filmave të tjerë me aktorët shumë të njohur të asaj kohe, Zhan Gaben, Zhan Mare, Zherar de Filip, Marlon Brando në rolet e Zhan Valzhanit, Fan Fan Tulipanit, Kurrizos e sa e sa të tjerëve. Me sytë e mendjes sikur pashë të më dalë përpara Kiçi i gjatë, që kontrastonte aq hijshëm me Kiçin tjetër, që ne fëmijët e thërrisnim Kiçi i shkurtër apo Kiçi zëri, sepse e kishte zërin e ngjirur. Nuk mund të mos kujtoj edhe një paudhësi të vogël: ne fëmijët mblidhnim “koçkat” (kështu quhej pjesa e biletës që e mbante rroja e derës në hyrje) dhe në një copë xhami e ngjitnim atë me “trupin” (kështu quhej pjesa e biletës që mbante spektatori) duke krijuar një biletë të plotë të fallsifikuar, që të mundësonte të hyje në kinema, ndonse mund te rrije në këmbë! Aso kohe të siguroje bileta në Kinema Verore nuk ishte punë e lehtë, bile ato shiteshin që para 2 apo 3 ditësh, aq e madhe ishte kërkesa. Drejtori, Vasili (Ballço), beharit e kishte të vështirë të mos krijonte qefmbetje, aq e madhe ishte diferenca midis kërkesës dhe ofertës…
“Misra, misra të pjekura, kush do misra të pjekura! “ – më kumboi në veshët zëri i Rakos, një egjyptiani (evgjiti) që së bashku me Cavan ishin të njohur në qytet për çbllokimin e kanaleve. Ishin misra të njomë prej bostaneve në periferi të qytetit, të kuq, të pjekura në prush qymyri, sa të ndryshme nga këto të sotmit që janë fare të pashijë! Shoh përreth njerëz që nxitojnë të hynë se ora për fillimin e dokumentarit po afron, shoh fëmijë të kacavjerrur mbi muret e doktorit, që ishte e vetmja mënyrë për ne fëmijët për të parë diçka prej filmit; shoh dhe dëgjoj njëkohësisht… e befas një e lehur qeni, si me shkop magjik, më solli në vete; shurdhëria e të sotmes i la vendin gjallërisë të dikurshme, një pirg gërmadhash të lëna në fatin grryes të kohës ka lënë pas një mjedis dikur të bukur, zymtësia e ka mbytur koloritin e jetës, kujtimi ka shfronësuar realitetin.

Kinema Verore Korçe
Kinema Verore Korçe

Mund të më thoni se koha ime nuk kishte mënyra të tjera dëfrimi – nuk ju a pranoj; vërtet mund të mos kishim disko, makina apo kompjutera, por kishim tre kinema dhe një teater, kishim fusha sportive funksionale, pishina për të gjitha moshat, kishim shtëpi pioneri për fëmijë, kishim lojra të gjalla dhe aktive që fëmija i sotëm i një pallati 10 katësh të betonuar as që i ka parë në ëndërr.
Mund të më thoni se çdo fëmije sublimon impresione sureale, karakteristike të moshës – po ju a pranoj pjesërisht; por më mirë një fëmijë me shpirt romantik se sa një robot i pa shpirt!
Mund të më thoni se ajo kohë nuk mund të kthehet më – këtë po, ju a pranoj plotësisht – ajo kohë vërtet nuk mund të kthehet më!!!
(Marrë nga Fb 24 gusht 2013; “Ajo kohë s’mund të kthehet më” – Kinema Verore)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.