back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kur dita ishte natë… nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Kur dita ishte natë…

nga Muçi Xhepa

Mëngjes janari. Errësirë. Ora e tryezës, një orë kineze me zile të madhe, zgjon tërë familjen. Tingëllima e saj si prej Laogai. 
I ftuar nga drejtori, vizitova një ditë të ftohtë shkurti Muzeun Laogai, i fshehur në një qoshk pranë Rrethit Dupont, në veriperëndim të Uashingtonit. Ky muze ndodhet brenda një godine të vogël prej tulle; ndryshe nga ai i Holokaustit, që është në qendër të kryeqytetit. Madhështor. I ndërtuar prej mermeri. Muzeu Laogai është modest dhe tregon vuajtjen përtej njerëzores të miliona kundërshtarëve të regjimit komunist në Kinë. Drejtori, Harry Wu, e ngriti me mund i vetëm. Shpeshherë i penguar nga kundërshtarë të dukshëm dhe të padukshëm. Jo rrallë, i kërcënuar edhe nga agjentë kinezë, që gëlojnë të patrazuar në kryeqytetin e botës.
-Jam ndeshur me ta në vende publike, edhe i kam raportuar, por janë të shumtë dhe të organizuar mirë, – tha plot dëshpërim dhe, me mirësjelljen e një njeriu të vuajtur, na ftoi të vizitonim muzeun. Isha i shoqëruar nga shkrimtari antikomunist, Visar Zhiti.
Zoti Ëu ka vuajtur nëntëmbëdhjetë vjet në Laogai, sistemin e tmerrshëm të burgjeve kineze, ku të dënuarit politikë “korrigjohen nëpërmjet punës së detyruar”. Punë që do të drithëronte edhe vetë skllevërit e piramidave egjiptiane. 
.
Bardhyl Miraku dhe Uran Kostreci
Bardhyl Miraku dhe Uran Kostreci
-Janë këto kampe pune të detyruar, që pasurojnë komunistët të shndërruar në borgjezë sot, – tha Harry dhe bëri me dorë nga një stendë. 
Në foto ishte një grua e re, përfaqësuese e klasës borgjeze, e rrethuar nga gra me uniformë ushtarake e kapele me yll të kuq. Fytyrat e xhindosura godisnin me tërbim reaksionaren, ndërsa më e bëshmja e tërhiqte zvarrë prej flokësh. Revolucioni kulturor në veprim. 
-Këto gardistet e kuqe janë sot borgjezet e reja, që priten me tapet të kuq në perëndim, – tha ai dhe vështroi me pikëllim nga ne. -Me anë të këtij muzeu përpiqemi të ndërgjegjësojmë njerëzit, të paktën këtu në Amerikë, të bojkotojnë mallrat kineze. Ato janë djersa dhe gjaku i papaguar i miliona të dënuarve të ndërgjegjes në Laogai. 
Ndaloi pranë një stende tjetër. E kuqe flakë, në qendër ishte fotoja e një oficeri me pistoletë në dorë. Grykën ia kishte mbështetur në kokë një të riu, i cili, me sytë lart nga qielli, i lutej Perëndisë ta shpëtonte. Nën të ishte një imitacion prej allçie i qelisë së burgut, ku të riun e kishin mbajtur mbyllur për një kohë të gjatë. Qelia ishte aq e vogël, sa ai nuk mund të shtrihej dot, por dhe nuk mund të qëndronte në këmbë. Mënyra e vetme për të kishte qenë të qëndruarit ulur me këmbë të mbledhura.
-Kjo s’është qeli, – tha Visari, – …është varr! 
-Po e pushkatojnë si agjent. I kanë gjetur një libër në gjuhë të huaj. Është mësues, – shpjegoi Harry. 
Ngjitur me qelinë-varr, një tryezë me kapak xhami ekspozonte orenditë e mësuesit “agjent”: librin me kapak të grisur, një fletore me vija, e hapur, në mes një gjysmë lapsi me gomë. Poshtë tyre një këmishë e bardhë me njolla gjaku të thara, si dhe një orë tryeze, e ngjashme me atë që i bëri zgjimin familjes sime në katër të mëngjesit.
Ndjej këputje të trupit. Shkak mungesa e gjumit dhe ushqimit. Lodhja e ditës së djeshme nuk më ka dalë ende. Është fund rroge dhe dollapi i bukës është pothuajse bosh. Zbres shkallët e katit të katërt. Rrëshqas tek e fundit. E thyer. E tërë hyrja është në errësirë. Llambat i marrin sapo i zëvendësojmë.
-E kanë thyer fëmijët e katit të dytë. Ai i vogli e godiste me çekiç dore, dy më të rriturit qeshnin. Janë zënë prindërit me ata të katit të parë, – i tregonte nënës fqinja përballë. Shkallët janë të shtetit, duhet të kujdeset ai për to, por në fakt kujdesemi ne.
Miku im i mirë, Kujtim Bevapi, thotë se te biblioteka e qytetit ku ai punon, lexuesit marrin ç’tu zënë duart. 
-Marrin atë që nuk e blejnë dot. Prona e të gjithëve është prona e askujt.
Qesh Kujtimi me shpoti se ka vite që punon atje.
Perikli Sheti dhe Bardhyl Miraku
Perikli Sheti dhe Bardhyl Miraku
Era e Krastës, përzier me shiun e akullt, të shpon trupin. Çadra e drunjtë rëndohet dhe më shumë të pengon sesa të mbron. Ora po shkon katër e një çerek; treni niset në pesë pa pesë. Shpejtoj hapin; këpucët e lagura fusin ujë në majë. Pranë shtëpisë së Muhamet Shahinit, shtylla e ndriçimit është përkulur dhe nuk bën dritë. Trotuari është i prishur. I mbushur me pellgje uji. Është e pamundur të shpëtosh pa u zhytur në to. 
-Jetojmë surrealen, fantazmagoriken, – thotë Meti dhe punon me laps fragmente të jetës pa jetë. Ndonëse i talentuar, e penguan të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve. Biografia. 
Te lokali “1 Maji” takoj Anastas Papariston, me të cilin japim mësim në të njëjtën shkollë. Përkim i rrallë për dy të deklasuar. Në Shmil ishim në të njëjtën dhomë. Krevat marinari kishim. Tasi jepte kimi, kurse unë hapa anglishten për herë të parë. Në Labinot-Fushë prisnim skodën e mirëmbajtjes së rruga-urës të na merrte në karroceri. Kështu bënin shumica e mësuesve të zonave të thella. U njoha me disa prej tyre, elbasanas. Ishte dita e parë e punës për mua. Skoda kishte ngarkuar qymyr dhe përdorej për të mbuluar pjesët e rrugës të ngrira nga dëbora. Pranë u ul një mësues i Gurit të Zi. Nuk e njihja, por prindërit tanë njiheshin. I deklasuar edhe ai. 
-Xhepa, përse ti këtu?
-Jam caktuar në Qafë-Shmil.
-Anglisht në Shmil?!
.
Lokali “1 Maji”
Lokali “1 Maji”
Tasi, ulur pranë meje, më goditi me këmbë. Nuk fola. Mësova më vonë se isha provokuar, që të shprehja pakënaqësi. Tasi kujdesej si prind për mua, kishte vite atje. Babanë ia kishin burgosur për së dyti. E kishin spiunuar shokët e tij. Më këshillonte të tregohesha i kujdesshëm. Në dhomë kishim një radio të vjetër dhe me fijet e altoparlantit lidhja një kufje të vogël ushtrie, kur doja të dëgjoja “Radio Londrën”. Ma kishte dhuruar një mik, shofer në Mjekës. Dëgjoja emisione kur isha vetëm. Një ditë Tasi hyri në dhomë, kur duhej të ishte në klasë. Më pa me habi. 
-Ç’është ajo gjë e zezë? 
-Kufje.
E vuri në vesh. Kërceu sikur ta kishte pickuar gjarpri.
-Je në vete?!
Shkëputi kufjen me forcë nga radio, hapi dritaren e dhomës dhe e flaku në gorgën e thellë. Shkolla bashkë me godinën ku banonim ishin ndërtuar në pjesën veriperëndimore të një pllaje të lartë mes malesh. Miqësia ime me Tasin dhe tre vëllezërit e tij ishte e fortë. Në Elbasan, katër djemtë e Ilia Paparistos ishin shembulli më i lartë i dashurisë për prindin. Nuk u thyen ndaj presioneve që iu bënë; i dërguan në zonat më të largëta të rrethit, por ata nuk e braktisën babanë kurrë. Çdo javë, njëri prej tyre dërgonte kursimet e muajit në burg. Kur u lirua, i vajta për vizitë në shtëpi. Ishte plakur nga tmerret e qelisë, por humorin dhe energjinë e ruante sikur të mos kishte qenë në ferrin komunist.
-Jeta është dhuratë e Perëndisë dhe duhet t’i jini mirënjohës. Anglezët kanë një proverb, që më pëlqen ta kujtoj kur më kap dëshpërimi. E mësova prej një nxënësi të shkollës teknike, i cili kishte vite i mbyllur në burg. 
Ilia buzëqeshi.
-Never look a gift horse in the mouth – Mos e shih kurrë nga dhëmbët kalin që të dhurojnë!
Fjalët e tij më bënë të mendohesha; proverba, në rastin e tij, merrte një kuptim tjetër, më të thellë.
-Jemi me vonesë, – thotë Tasi dhe shpejton hapin. 
Nga “1 Maji” te stacioni i trenit, me ecje të shpejtë, mban njëzet minuta. Ecim pa folur. Stacioni i trenit është i ndriçuar keq. Në gjysmerrësirë shquhet hafija “njëmijëedyqindësh”; ka ditë që na del përpara. Te hyrja, Tasi më ngacmon me dorë. Bën me shenjë drejt tij.
-Është për mua, – thotë Tasi.
Jo, është për mua, mendoj unë. 
.
Kufiri “Tri Urat”
Kufiri “Tri Urat”
Në kinemanë e Cërrikut, pak ditë më parë, kanë demaskuar Kastriot Balilin, mikun tim, mësues i frëngjishtes në shkollën e mesme të qytetit. 
-Nuk je ti armiku, – i thanë, – ti je i yni; ke rënë viktimë e shoqërisë keqe. Por, të mos mërzitet ai biondi në Peqin, nuk ka për t’i shpëtuar syrit vigjilent të partisë. 
Të njëjtat fjalë më kishte thënë Vitore Ballvora, dekania e fakultetit, kur kërkoi përjashtimin tim nga universiteti: 
-Nuk ke për t’i shpëtuar syrit vigjilent të partisë ti! 
Më kishin mbetur fare pak ditë që të përfundoja studimet. 
Kaçin e arrestuan menjëherë pas demaskimit. Unë nuk dija gjë fare për planin e arratisjes që Kaçi i kishte besuar një kosovari, koleg pune. Ai e kishte ftuar në shtëpinë e tij dhe fshehurazi e kishte incizuar. Gjyqin Kaçit ia bënë shpejt e shpejt dhe e mbyllën në kampin e vdekjes, në Qafë-Bari. 
Futemi në sallën e stacionit të trenit. Pranë derës, ulur në një stol të vogël, pjek gështenja një plak i moshuar. Prushi i mangallit është i vetmi burim ngrohjeje në sallën që i ngjan një hani me dritare të thyera. Tymi i gështenjave të pjekura të ngacmon urinë. Afrohet “njëmijëedyqindëshi”. 
-Sa herë të kam thënë të mos shesësh këtu, mor jevgjit!
E godet me pëllëmbë fort në fytyrë. Plaku rrëzohet në çimenton e lagur. Bën të ngrihet, por këmbët s’e mbajnë. Rrëzohet sërish; këtë radhë koka i përplaset në çimento. Në sallë kanë ardhur udhëtarë të tjerë. Përpiqet ta ngrejë një djalë i ri.
-Po ti, po tregohesh i mirë me të? – i kërcënohet punonjësi i policisë së fshehtë. Djali largohet i trembur. Si me magji, nga jashtë, hyn me vërtik i biri i gështenjapjekësit. Punon hamall te stacioni. Shpatullgjerë, i fortë si hekuri, hap krahun e djathtë dhe, duke u rrotulluar bashkë me trupin, e godet punonjësin e fshehtë në kokë. Si një pupël fluturon në erë agjenti dhe koka i përplaset me zhurmë te korniza e derës. Shtrirë sa gjerë e gjatë në dyshemenë me baltë përpëlitet antinjeriu si një pulë e therur. Nga goja i shpërthen shkumë e bardhë. 
Treni vjen me vonesë. Hipim në vagonin e fundit. Bileta është tre lekë të reja, por po të kthehesh me tren, dhe kjo në rastin tonë ndodh shpesh, shuma e biletës vajtje-ardhje është një e treta e rrogës. Çdo njëri nga ne, mësuesit, ka një faturino të njohur. Fillojmë të kërkojmë flokëverdhën e bukur nga Pogradeci. Siç ka fytyrën, Perëndia i ka gatuar edhe shpirtin. Nuk pranon gjë nga ne, vetëm kur vjen kontrolli na bën të paguajmë. Në vagonin e tretë është ulur një ish-nxënësja ime, e talentuar në gjuhë të huaj. Është bashkë me prindërit. Shkon për të bërë analizat, pasi dyshohet se ka kancer në gji. Fytyra e saj si hëna e trishtë të krijon dëshpërim. I ati më fton t’i ulem pranë. Do të doja shumë, por bileta e paprerë… Vazhdojmë të kërkojmë faturinon e bukur. Treni ka marrë shpejtësi. 
Në Peqin na del përpara operativi i zonës. Ka ditë që e bën këtë punë. I shkurtër, gjithnjë fytyrëngrysur, të drithëron kur e sheh. Mëngjesi ka filluar të zbardhë qytetin, shiu ka pushuar. Futemi në lokalin pranë shkollës. Tasi porosit salep, unë çaj mali. Tasi fillon të plotësojë pjesë të papërfunduara të ditarit. Në lokal hyn me nxitim një nxënës. Afrohet te tryeza. 
-Mirëmëngjesi mësues! Drejtor Samiu kërkon ta takoni në zyrë.
Nxënësi largohet.
-Ka dalë herët në zyrë. E hëngra, – flet i shqetësuar Tasi.
Po e shtrëngojnë lakun. Në fillim të përjashtojnë nga puna, pastaj vijnë të tjerat, mendoj unë. 
Në zyrë, Sami Shqarri, drejtori i shkollës, njeri zakonisht i ekuilibruar, duket nervoz. Rrallëherë mund ta shikosh në atë gjendje.
-Sot vjen ministri i ri për kontroll. Është kthyer nga specializimi i gjatë në Francë. Ka me vete një ekip të madh, që do të kontrollojë të gjitha lëndët. – Samiu na vështron i shqetësuar. – Ka pushuar shumë arsimtarë në jug. Tasi, ti përgatitu të kontrollohesh për kiminë, ndërsa ti për anglishten.
Dalim jashtë të hutuar. Prisnim tjetër gjë. Tek aneksi i kabinetit të kimisë, Tasi mban pak gjëra për të ngrënë. Thekim mbi furnelën-tullë, të bërë vetë, dy feta buke misri, i shoqërojmë me pak vaj dhe gjizë. Vijmë në vete. Tërë dita kalon nën tensionin e kontrollit. Mua më qëllon të më kontrollojë një shoqe kursi. Flet mirë për mua. 
.
Gjimnazi i Peqinit
Gjimnazi i Peqinit
Në mbrëmje marrim autobusin e fundit. Të lodhur, unë dhe Ylli Mehja, mësuesi i fizikës, ulemi në ndenjëset prej kompensate mbi gomat e fundit të fizarmonikës. Tronditja e gropave të rrugës nuk na lë të dremisim. Autobusi është pothuajse bosh. Vetëm ne, mësuesit e gjimnazit, të shpërndarë në ato pak ndenjëse kompensate. Në Elbasan ndalojmë te sheshi përpara Pallatit të Sportit. Ora po shkon tetë, por duket si mesnatë. Nuk ka këmbë njeriu. Shiu vazhdon i imët me erë Kraste. I akullt. Pranë postës qendrore, te një neon, që herë ndizet e herë shuhet, pret Bardhyl Miraku, kushëriri im nga nëna. 
Me Lulin ishim përpjekur të arratiseshim. Ai kishte dy vëllezërit e babait në Amerikë. Njëri punonte te “Zëri i Amerikës”, ndërsa tjetri jetonte në Nju-Jork. Unë sapo kisha filluar punë në Qafë-Shmil. Larg nga jeta, civilizimi, mes malesh të larta, ku dëbora fillonte herët dhe mbeteshe i izoluar me ditë të tëra. Luli do të merrte dokumente plotësuese për studentët që vinin nga Gjirokastra dhe Korça. Seksioni i arsimit i kishte dhënë të përdorte motorin “Java”, që kishte në dispozicion. Luli ishte motoçiklist i zoti. U nisëm në mëngjes herët. Dreka na zuri në Dhërmi, te shtëpia e një Duni, që sapo ishte liruar nga një burgim i gjatë. Na priti ngrohtë. Lulin e kishte mik të besës. E kishte ndihmuar me ushqime në burg. 
-Flasim pa merak, Muçi është njeriu im, – i tha Luli, kur u ulëm rreth tryezës. 
Duni kishte njerëz në Amerikë. Folën gjatë. Ai dukej se ishte i interesuar të arratisej edhe vetë. Kur mori vesh rrugëtimin tonë, e këshilloi Lulin të shihte mundësinë nga toka.
– Këtu nuk të lejojnë një copë druri të mbash me vete e jo më të kesh mjet për t’u larguar. 
Duni e pinte duhanin të dredhur dhe të fortë. Tymi, që shpërndahej në tërë dhomën e vogël, të zinte frymën.
-Tek “Tri urat” shiko ndonjë mundësi rreth e rrotull. Po kaluat përroin, zëre se jeni në Greqi.
Duni fliste ngadalë, sikur të ishte qenie e një tjetër bote. Luli të befasonte me njohuritë që kishte për vendin. Kishte qenë mësues gjeografie në ato anë. Të nesërmen, mesdita na zuri në Çarshovë. Sa nuk fluturoja nga gëzimi.
-Ai është përroi! Në anën tjetër Greqia, – tha Luli dhe ngadalësoi shpejtësinë. Rruga ishte e pashtruar, të dukej sikur po ecje në këmbë. – Ja, ajo ndërtesa atje është “Tri urat”.
Më ishin veshur sytë. Lot gëzimi. Liria ishte sa të hidhje një gur. 
-Do ngjitemi pak më lart, do heq gomën sikur na është shpuar dhe do presim të errësohet.
Luli fliste dhe mua më dukej sikur kisha arritur në Amerikë. Kur po afroheshim pranë ndërtesës, një djalë i ri, veshur me kostum gri, thërriti me të madhe:
-O Lul Miraku! O Lul Miraku! Ç’të ka sjellë në këto anë?
Luli u pre. Djaloshi energjik bëri me dorë të shkonim atje. Ishte drejtori i shkollës zonës; Luli e kishte pasur nxënës në tetëvjeçare. Na ftoi brenda. Pas një banaku të vogël me pak shishe pijesh dhe një makine ekspresi të vjetër, qëndronte një burrë i thyer në moshë. Një tryezë e lartë, ku qëndrohej në këmbë, ishte orendia e vetme e kafenesë në udhëkryqin e dy botëve. Banakieri na vështroi vëngër. Drejtori zuri vend nga ana e derës, që të na jepte të kuptonim se nuk mund të largoheshim në anën tjetër të urës. Pasi mësoi nga Luli qëllimin e udhëtimit, filloi të tregojë ngjarjen që ishte në zhvillim e sipër. 
-Kujdes kur të ngjiteni për Leskovik. Mos ndaloni gjëkundi. Posta kufitare asgjësoi dy shkelës kufiri sot dhe është në ndjekje për të kapur të tretin. E kanë plagosur dhe nuk po lënë vend pa e kërkuar. Është ngritur tërë kufiri në këmbë. 
Kafetë u bënë, lëngu i zi më kaloi poshtë si balsam i hidhur. Në Leskovik na shihnin sikur të ishim kafshë të egra për t’u gjuajtur. Të nesërmen vonë u kthyem në Elbasan, të lodhur për vdekje, por më shumë të dëshpëruar. Do të kalonin vite, kur të ftuar për drekë në Nju-Jork nga xhaxhai i Lulit, të tregonim përpjekjen tonë të dështuar. Aty ishte i ftuar edhe miku im Uran Kostreci, që kishte bërë shumë vite burg ngaqë ishte kapur teksa përpiqej të arratisej.
-Bëtë mirë që ndërruat mendje, se ndryshe do të kishit përfunduar të vrarë ose në qeli, ku dergjesha unë.
Luli ma bën me dorë. Ndahem me Ylli Mehjen dhe shkoj të takoj Lulin. Pa hipur mirë në trotuar më zgjat dorën e mbledhur grusht. 
-Kam diçka për ty. 
Më fut në dorë një copë letër të palosur dhe ikën me nxitim, sikur të largohet nga një vend krimi. Marr rrugën për te “1 Maji”; lokali është ende hapur. Brenda vetëm bufetierja. Porosis kafe. Ngaqë jam pa ngrënë tërë ditën, po më vjen si të fikët. Hap letrën e shkruar me shkrim dore. Sytë menjëherë më shkojnë te fjala Pero. Emocionohem. Pritej nga dita në ditë të lirohej nga burgu. Filloj të lexoj rreshtin e parë.
-Mësuesi i anglishtes e ka lënë djalin.
Në qytetin e Elbasanit, në xhiron e mbrëmjes, kur tre njerëzit më të fuqishëm zbrisnin shkallët e hotelit “Skampa”, turizmit, dhe merrnin bulevardin për në qendër, edhe gjethet e pemëve kthenin shpinën nga frika. Në mes ecte Perikli Sheti, shefi i kirurgjisë së rrethit, në të djathtë Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit, Jashar Menzelxhiu, ndërsa në të majtë, kryetari i degës së punëve të brendshme, Gëzim Hila. Perikliu, legjenda e kirurgjisë së rrethit, i kishte besuar një kolegut tim, një mësues anglishteje, t’i jepte mësime private djalit. Ç’është e vërteta, unë atë mësues e njihja që nga shkolla mesme. Kishim qenë në të njëjtën shkollë dhe vit bashkë. Unë nuk u lejova të ndjek rregullisht studimet në universitet si shokët e mi, kështu që ai mbaroi disa vite para meje. T’i mësoje anglisht djalit të njërit prej njerëzve më të fuqishëm të qytetit ishte diçka e rrallë dhe nuk kalonte pa u shpërblyer. Dhe ashtu ndodhi. Kolegun e transferuan nga Peqini në Elbasan, nga shkolla e mesme në Institutin e Lartë të Mësuesisë. Djali e kishte marrë për zemër gjuhën angleze. Duke qenë nxënës i zgjuar dhe punëtor, ai përparoi shpejt. Por, fati e goditi rëndë. Kirurgun e madh e futën në burg, pasi nuk pranoi të bëhej palë me krimin dhe të firmoste një dokument që largonte përgjegjësinë që kishte për vdekjen e një fëmije një kirurg i paaftë me lidhje të forta me kupolën e lartë komuniste. Betimi i Hipokratit e pengoi atë. 
-Të paktën sikur një herë në muaj, që të mos ndjehet i braktisur, – shkruan Pero. 
Më mbushen sytë me lot. Dal jashtë që të mos më shohë bufetierja. Marr frymë thellë. Ajri i ftohtë më lehtëson. E kam provuar vetë kur të braktisin. Rrugës për në shtëpi, mes territ që më rrethon dhe pasigurisë për të nesërmen, duke shmangur gropat me ujë, që aty-këtu janë bërë të pakalueshme, vendos t’i jap djalit mësim, jo një herë, por katër herë në muaj, në shtëpinë e tij të përgjuar ditë e natë nga sigurimi. 
Varlam Shalamovi thotë te “Tregimet e Kolimas”“Kam zbuluar se bota duhet të ndahet jo në njerëz të mirë dhe të këqij, por në frikacakë dhe jo frikacakë.”
Unë atë natë zgjodha të dytët. 
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.