back to top
32.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Kundrimi aktual i një legjende Shkëmbi i Vajës (Krujë), – nga Kastriot Marku

Gazeta

Perkujtimorja e Shkëmbit të Vajës - Krujë
Përkujtimorja e Shkëmbit të Vajës – Krujë

Kundrimi aktual i një legjende

Shkëmbi i Vajës (Krujë), Gryka e Vajës dhe Përroi i Vajës…

nga Kastriot Marku

Të lumtë Profesor Kastrioti!
Një histori sa e dhimbshme aq tragjike,
e cila tregon edhe një herë mizoritë osmane dhe heroikën shqiptare.
Kjo asht vetëm një prej tyre, po sa ka vendi jonë? Koha po i grryen.
Kam idenë se “Lumi i Drojës” si toponim e ka marrë këtë emër
nga kjo ngjarje, pasi “drojë” në të folmen vendase asht frigë,
por edhe i “djallit, dreqit” . Po me këtë emër ndodhet një përrua
që buron në Farkë dhe kalon mes Gurrës dhe Lundrës
duke u derdhur në Erzen. Në të gjitha hartat e ka i “Drojës”,
por në të folmen tiranase – kruetane kthehet shpesh në “drej”
që mund të jetë midis asaj drè – droj; drej – dreq.
“Dre, dre…”- thonë kur ndodh ndonjë punë e keqe që do të thotë dreq-dreq.
Edhe njëherë falenderimet tona për këtë sensibilizim.
Ndoc Selimi
.
Kastriot Marku - në Archivin Historik të Propagandës Fide - Vatikan
Kastriot Marku – në Archivin Historik të Propagandës Fide – Vatikan

Territori i gjithë vendit tonë dhe posaçërisht Shqipëria verilindore, është e mbushur me toponime që shënojnë dhe njëkohësisht kanë përcjellë prej 6 shekujsh ngjarje nga përballja e arbërve me pushtuesit osmanë. Në pjesën më të madhe prej tyre përcillen dyluftime, ndeshje, pleqnime, këshilla, momente pushimi e kundrimi, ku vendin kryesor e zë padyshim Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Mes morisë së këtyre toponimeve, njëri prej tyre është më i veçanti: Shkëmbi i Vajës. Toponimi i sipërthënë gjendet në veri të qytetit të Krujës, në pjesën më veriore të malit që mban të njëjtin emër. Në shpatin e majtë të këtij mali kalon rruga automobilistike Krujë-Qafë Shtamë, në pikën fundore të së cilës gjendet edhe pika turistike me të njëjtn emër. Gryka në fjalë, e cila ka formën e një amfiteatri natyror, është formuar si rezultat i gërryerjeve mijëvjeçare të shkëmbinjve gëlqerorë të Përroit të Vajës, i cili është edhe fillesa e lumit të Drojës. Gjatësia e kësaj gryke shkon rreth 1 km dhe gjerësia e saj mesatare shkon rreth 50 metra. Vende vende ajo ngushtohet në një gjerësi deri në 5-6 metra, duke marrë edhe pamjen e një kanioni. Shpatet e grykës në të dy anët e saj, kanë një lartësi që varion nga 100 deri në 200 metra pjerrësi thuajse vertikale. Në to ka guva karstike si dhe shpella të paeksploruara. Në shtratin e përroit shihen blloqe të mëdha shkëmbore, një pjesë e të cilëve kanë përfunduar aty nga shkëputjet në kohë dhe mbas rrokullisjes janë ndalur aty. Në pjesën më të madhe të vitit, por sidomos në pranverë, rrjedha e përroit është bukur mirë e shpejtë, e cila ngadalësohet vetëm nga pengesat në formë pritash shkëmbore natyrore rrëzë të cilave janë formuar ujëvara dhe pellgje me ujë të pastër. Ngjarja e pretenduar të ketë ndodhur si e tillë na çon në shekullin XV, mes maleve të kryeqedrës së Arbnisë mesjetare, në Krujë.

Shkëmbi dhe Gryka e Vajës
Shkëmbi dhe Gryka e Vajës

Dihet se më 16 qershor të vitit 1478 trupat osmane hynë në kështjellën e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata, me përjashtim të qeveritarit venecian, i vranë të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen në skllevër. Faktet dokumentare për të pohuar vërtetësinë e kësaj legjende nuk i kemi, por legjenda na e ka përcjellë këtë grykë si një vendngjarje që kujtdo ia ka vrarë kujtesën kur e ka dëgjuar. Ajo thotë se ndërsa ushtritë osmane kishin rrethuar kështjellën bri qytetit, pas pushtimit të Krujës me 16 qershor të vitit 1478, (disa thonë edhe gjatë rrethimit të dytë të Krujës), 90 gra e vajza krutane, për të mos rënë në duart e pushtuesve turq, u kapën dorë për dore dhe të gjitha së bashku u vetëhodhën nga shkëmbi drejt e në humnerë, i cili prej aty ka një lartësi rreth 200 metra. Këtë ngjarje tragjike jo vetëm për nga akti i saj, por edhe nga përmasat, shto këtu edhe guximin femëror, populli i Krujës dhe i zonave përreth e ka memorizuar dhe përcjellë në kujtesë ndër mote me këngë dhe me lot. Tradita vendase parasheh se në mesin e muajt qershor bëhej peligrinazh për të përkujtuar këtë ngjarje tragjike dhe trimërie njëherësh duke hedhur lule dhe vajtuar vashat krutane. Prej këtij vajtimi të përvitshëm periodik, vendi mori më pas emrin Shkëmbi i Vajës. 5 shekuj e gjysëm pas kësaj historie, vendi është po ai, ndërkohë që vijon të përkundet ende legjenda tragjike me historinë e vajzave. “Nga ky shkëmb “Shkëmbi i Vajës” nëntëdhjetë vajza krutane u hodhën me guxim për të mos rënë të gjalla në duart e turqve dhe mbetën përjetë të jetëve burrnesha shqiptare të lira, të pastra e të papërkulura. Lavdinë e tyre po e ngrenë lart bijat dhe bijtë e atdheut tonë, që i kujtojnë me krenari…”

Në prag të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeu), pllaka përkujtimore është në këtë gjendje të mjerueshme, sikurse shihet në fotografinë bashkangjitur, pandaj duhej e duhet që dikush të kujdesohet për këtë. Çfarë i kushton bashkisë së atij qyteti ta restaurojë atë? Pjesa fundore e mbishkrimit si shtesë ideologjike e kohës, mendoj duhet hequr.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.