back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Ku isha në vigjilje të pavarësisë – letër e Eqrem bej Vlorës drejtue Mustafa Krujës

Gazeta

Eqrem Bej Vlora (1885-1964)
Eqrem Bej Vlora (1885-1964)

Ku isha në vigjilje të pavarësisë

letër e Eqrem bej Vlorës drejtue Mustafa Krujës

Romë, më 2 maj 1955
Fort i nderuëshmi mik,

Letra e Juaj, me datë 26.04.1955, që mërriti dje, jo vetëm nuk më mërziti – sikundër druanit ju – por më gëzoj pa masë, për dy arsye: E para, sepse ish letra e një mikut shum të çmuarë; e dyta sepse kjo, më detyroj të largohem nga shëmtimet e kohës sotme e më shpuri në kujtimet e kohës së kaluarë, në të cilën kemi patur ende entuziazëm, besim edhe shpresë.
Ngjarjet e asaj kohës më janë dalluarë thellsisht në mëndjen e në shpirtin t’im, dhe nuk kam harruarë as një hollsi. Kanë qënë çaste e rrethana në të cilat çdo njëri nga neve, ka bërë, pak a shum, detyrën e vet kundrejt atdheut e bashkatdhetarvet, – ka vënë një gur të vogël – për të ngrehur at’ godinën e përbashkët që na u shëmb sot.
Mallëngjimi edhe dëshpërimi, më shtyn pra, të merrem shum’ herë me shënimin e datave dhe të ngjarjeve në një librezë të vogël, që ndonjë ditë, mund të interesojë ata që nuk shohin botën e sotme shqiptare edhe atë të kohrave të kaluara vetëm ndërmjet tejqyrjes tyre të mangët ose të shtrembëruarë, por në dritën e së vërtetës.
Nga kjo libreza e kujtimeve do marr ato fletët që ju interesojn, edhe do ju përgjegjem me vërtetshmëri e me ndërgjegje.

I.Udhtimi im për në Vjenë edhe rrethanat që e shkaktuan:
Jam nisur nga Vlora me vaporin austriak më 7 tetor 1912. Jemi takuarë bashkë në këtë vapor më 8 tetor 1912, ora më 10 a.l.fr. në mëngjes. Ju ishit ngarkuar nga Abdi bej Toptani të bisedonit me mua mbi udhtimin që po bëja e mbi misjonin që duhej të plotsoja në Vjenë.
Me këtë misjon nuk më kish ngarkuarë vetëm im’ at, por edhe mbledhja e parisë Vlorës (ndonse vetëm ajo pjesë që ish antare (mike) e babës t’im). Me anë të kushullës austriake z. Lejhamer ish vënë në dijeni edhe të misjonit t’im, ish lajmëruar Vjena për ardhjen t’ime.
Në Vjenë pashë më para Kryekushullën z. Rappaport, mbas atij kryetarin e Seksjonit Ballkanik Kont Hojashin, dhe më së fundi Ministrin Berchtold. Të gjithë këtyre ju çfaqa frikën që na kish kapur (neve), se në përfundim të luftës Ballkanike, Perandoria osmanllije do çdukej nga Ballkanet edhe Shqipëria do mbetesh në dorë të fituesave të luftës ballkanike. Nga bisedimet pata përshtypjen që qarqet dipllomatike të Vjenës ishin të bindur, që nga kjo lufta do dilte fituese Perandorija osmanllije.
Më dhanë premtime (edhe të sinqerta) që në përfundim të luftës Austria do ngulte këmbë që të krijohesh një vilajet autonom shqiptar; të lihesh e lirë gjuha shqipe për mësimet fillore edhe mesatore në Shqipëri; të emnoheshin në Shqipëri nëpunsa shqiptarë; të shërbente ushtria shqiptare (në kohë paqe) në Shqipëri etj. etj.
E pashë që gjindesha ende para asaj mêndësisë që kish drejtuar deri atëhere veprimtarinë politike të Ballkansplatz-it. Kërkova pra një tjatër rrugë veprimi:
Që prej kohe kisha dy miq: Nënsegretarin e Shtetit në Ministrinë e Punrave ekonomike z. von Riedel, edhe Adjutantin e Nalt T. Arshidukut Franc Ferdinandit, Gjeneralin Baron von Bollfras. Të dy i takova; shpjegova (me sa munda) nevojën e një veprimtarisë të ngutshme edhe ju kërkova në Belvedere.
Këtu gjeta dyerët krejt të çelura për çdo kërkesë. Më këshilluan të kthehem menjëherë në Vlorë, të mbledhim një Kuvênd (sa më të gjërë që të jetë e mundur) dhe të shpallim (jo pamvarsinë nga perandorija osmanllije), por Autonominë e Shqipërisë me flamur e me Qeveri të veçantë.
Më porositën që të bëjmë, ç’është e mundur, që në Janinë ushtria të vazhdojë mbrojtjen kundra Grekve dhe në Shkodër kundra Malazezve. Më lutën të mos i japim lëvizjes një pamje antiturke, të evitojm çdo përpjekje me ushtrinë perandorake, për mos t’i dhënë punës fytyrën e një kryengritjes ose një lidhjes me shtetet ballkanike.
Dy ditë më vonë (20 tetor) më thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtëme. Ndërkohë zhvillimi i ngjarjevet kish shpejtuar edhe pjekur vendimet e dipllomacisë austriake. Më thanë, që nuk ish më nevojë të çpallej “Autonomia e Shqipërisë”, por “Pamvarsia”. Dipllomacija austriake do ta përkrahte (edhe, nëse kish nevojë, me anë të ushtrisë saj) krijimin e një Shqipërie të lirë. Përsa i përkiste kufijve nuk mund të premtonin gjë: do të përpiqeshin të shpëtonin nga dora e Sllavëve Prizrenin, Gjakovën, Pejën (Metohinë), Dibrën, Ohrin, Korçën dhe Çamërinë.
Nuk kishin shpresa për shpëtimin e Prishtinës, të Gjilanit, të Shkupit, të Manastirit e të Janinës. Premtuan veçanrisht çdo përkrahje që ish e mundshme në rrethanat që gjindeshim. U këtheva me një herë në Vlorë, ku mbërrita më 23 tetor 1912. Babën nuk e gjeta në Vlorë, kish shkuarë në Shkodër. Ndërsa unë ishja në Vjenë, baba kish mbledhur parinë e Vlorës, ju kish shpjeguar situatën e dëshprueme të ushtrisë osmanllije në gjithë sektorët e Ballkanit, bindjen e tij të plotë që shtetet ballkanike do dilnin fitues nga kjo përleshje, edhe nevojën për Shqiptarët të bënin “diçka” për shpëtimin e vet. Nuk gjeti as më të paktin kuptim.
Disa, (por ish një pakicë), e pranuan të bashkpunojnë për mbledhjen e një Kuvendi. Shumica (e nxitur nga dy kundërshtar mjaft të fortë, Elmas efendi Kanina edhe Adem bej Risilia) filloj nga çpifjet. Na akuzuan se paskemi qënë shitur austrijakvet!! që paskemi patur qëllimin të krijojmë për vehte!? “një principat nën mbrojen e Austrisë”, etj. etj. budallallëke.
Me gjithë këtë, baba vendosi t’i çojë letra disa miqve e t’i dërgojë me anë të njerzve të besuarë. Grupi kundërshtar ndërkohë kish lajmëruar autoritetet në Vlorë e në Janinë mbi ç’po pregatitesh në Vlorë. Esad Pashën dhe Vehip Pashën, komandantë të ushtrisë në Janinë i kishim miq: ishin njerëz t’arsyeshëm, nuk morën masa kundrejt babës, por e paralajmruan, që ishin të shtrënguarë t’i merrnin po qe se vazhdonte në përpjekjet e tij. I dëshpëruar nga situata, baba shkoi në Shkodër me qëllim që ta bindi Esad Pashë Toptanin të çpalli në Shkodër at vetqeverimin Shqiptar që ai vet nuk mundi ta çpallte në Vlorë.
Me njëqind mundime dhe rrezike mbërriti në Shkodër. Bisedoi çështjen me Esad Pashën, por e bisedoi edhe haptazi me Hasan Riza Pashën. Çudia është që ndërsa te Esad Pasha takoi me njëfarsoj dyshimi e druajtje, gjeti tek Hasan Riza Pasha dyert krejt të çelta. Ky e pranoi pa tjetër mendimin, por zbatimin ja nënshtroi disa konditavet:
a.Kurse ushtrit perandorake të mundeshin në gjith sektorët ballkanik.
b.Ndërkohë të ndaheshin (me anë të propagandës që duhej të bënte Esad Pasha) malsorët katolikë nga Malazezët.
c.Shkodra duhesh të rrethohesh nga të gjith anët e të dukej si e izolluar. At’herë premtonte të lejonte, e të bashkëpunonte në çpalljen e vetqeverimit shqiptar e të ngrehte flamurin kombtar pranë flamurit tyrk. Një kumandant Tyrk nuk mund të bënte më tepër.
Mjerisht këta bisedime venin, rregullisht, në vesh të kumandës Malazeze që ish në Tarabosh. Baba e pa që edhe këtu nuk kish shumë shpresa për realizimin e planit të tij. I dëshpëruar dolli nga Shkodra dhe mezi mbërriti në Shin Gjini, ku hipi në një vapor lufte austriak që e shpuri në Kotor. Andej shkoi në Vjenë. Qëndrimi i tij në Shkodër ish zgjatur mjaft e tue qënë që dukesh se nuk do të kish një përfundim të mbarë, Ministria e P. Jashtme vendosi të ftoj Ismail Kemal benë (që gjindesh më at’kohë në Bukuresht) e ta ngarkonte me zbatimin e pllanit të lartpërmendur. Ismail beu mblodhi shpejt e shpejt disa bashkpuntorë nga Kolonia Shqiptare (Dhimitër Berati, Pandeli Çali etj.), telegrafoi disa të tjerve të bashkoheshin me të në Vjenë (Luigj Gurakuqi etj.) dhe shkoi në Kryeqytetin e Austrisë dhe këtej në Triesht, ku mori vaporin (Lloyd – që bënte udhtimin e rregullt për në Stamboll) që kish marrë urdhër të qëndronte jashtzakonisht në Durrës, që të shkarkonte të lartpërmëndurit. Më at’ kohë ish zëvëndës-mytesarif, edhe pak a shum arbitr’i situatës, në Durrës Hamid bej Toptani.

II.Këthehemi tash në pyetjen e dytë që më bëni: letrën që përmendni e prura unë. Ja kish shkruarë baba Abdi beut (ish turqisht); ja u dhashë juve në vapor.
Letra shpjegonte gjat e gjërë situatën, qëllimin e udhëtimit tim, edhe këshillonte që edhe në rrethin e Durrsit të pregatitej diçka në favor të lëvizjes. Ka qënë pikërisht gjindja e Hamid beut në Durrës një nga pasojat e asaj përgaditje.

III.Ismail beu mbërriti në Durrës në mbramjen e ditës 24 nëndor 1912 (ora më 4); më 25 në mëngjes u nis.

IV.Besoj se mbas kësaja, itinerarin që ndoqi e dini. Një natë fjeti në Çermë (te Dervish bej Biçakçiu); një natë në Fier (te Omer Pasha) dhe në Vlorë mbërriti mbas dreke, 27 nëndor 1912.
Unë në at’ kohë nuk kam qënë në Vlorë. Kam qënë në Kuç, sepse që prej një muaj kumanda e përgjithshme në Janinë më kish ngarkuar të mbroja kufinë e Vlorës kundër ndonjë sulmit të Grekvet që kishin debarkuarë në Himarë.

V.Tash në faqet që vijojnë do ju përshkroj curiculum vitae-n e Ismail beut: Ismail Kemal (më parë Hakki) bej Vlora ka lindur në Vlorë, në shtëpinë e familjes t’onë (pjesa e Haremit) më 18 prill 1844. Është i biri i Mahmut beut dhe i nipi i Ismail beut, i Ahmet beut. Në personin e Ahmet beut lidhet dega jonë me degën e tij. Kur ka qënë 4 vjeç, më 1848, familja e jonë u internua: burrat Mahmut beu, Muhamet beu, Selim Pasha, Mustafa Pasha në Konjë, gratë në Selanik. Këto ngjarjet kanë qënë pasojat e kryengritjes që bënë kundra Tanzimatit. (Epopeja e Gjon Lekës, Rrapo Hekalit etj.) Kur, më 1852 u liruan, Ismail beu nuk qëndroj në Vlorë, shkoi pranë ungjit të tij, Mustafa Pashë Vlorës, në Janinë dhe hyri në shkollën “Zosimea” më 1855. Mustafa Pasha ish në at kohë “Myslimme Kalemi” Mydiri, pranë të kushëririt (Ismail Pash Tepelenës) që ish bërë ndërkohë Valí.

Eqremi me kushrinin, Servetin dhe kujdestarin e tyne.
Eqremi me kushrinin, Servetin dhe kujdestarin e tyne.

Edhe i ati, Mahmut beu nuk qëndroj dot në Vlorë. Për të përballuar shpenzimet (Ylefet) e vullnetarvet që mblodhi (ngjarja e Grivës 1854) me urdhër të qeverisë, që nuk e pagoj, u detyrua të shesi pasurinë e fundit që i kish mbetur (çifliqet Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj, Picar edhe shkoi në Stamboll për të siguruar këthimin e të hollave që kish për të marrë. Nuk bëri dot gjë.
Shkoi në Athinë. Atje gjeti mbrojtjen e mbretit dhe qëndroi gati dy vjet. Vdiq në Stamboll më 1866. Ismail beu ndërkohë mbaroi mësimet në Zosimea edhe shkoi me të ungjin, Mustafa Pashën, në Rusçuk (Bullgarie), ku Mustafa Pasha ish emëruar Mytesarrif. Ky ja paraqiti në at’kohë (1867) komisarit të naltë për reformat në Bullgarie, Mid’hat Pashës. Kur u bë Mid’hat Pasha Sadrazem, e mori me vehte në Stamboll Ismail beun, si segretar privat. Por kur ra Mid’hat Pasha dhe u burgos në Taif, kjo ngjarje bëri një përshtypje shum dëmprurëse për karjerën e tij. Megjithkëtë, sepse ish shumë i çmuarë nga qarqet qeveritare, u emrua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotsie e shpirt përparimtar.
U bë Mytesarrif i kllasit I në Magnisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonienë, në Bejrut. Kudo që shkoi fitoi mirëdashjen e të krishterve dhe të pjesës përparimtare të popullit. Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) rëndonte mbi të mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrdhënieve të tija të ngushta me Mid’hat Pashën.
Mbasi u pushua nga Valillëku i Bejrutit u emnua “Shuraj – devlet Azasi” në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjellje të tij. Ish vazhdimisht nën vërejtjen e policisë së fshehët.
Më së fundi vendosën ta dërgojnë Valí në Tarabullus (Libie). Nuk është e vërtet që ky largim fshihte qëllimin që ta vrisnin në udhtim e sipër. Sikur Abdul Hamiti të kish patur këtë dëshirë mund shum më mirë ta vinte në zbatim në Stamboll. Por Ismail beu u trëmb, se disa miq ja shtinë këtë dyshimin. Me anë të Ambasadës Britanike siguroi mjetin dhe u arratis. Shkoi në Greqíe, në Misir, në Llondër e më së fundi u vendos në Bryksel.
Kudo që vajti u prit me nderime dhe u përkrah. Ismail beu ish atëhere i njohur (në qarqet tyrke dhe në ato të huaja) si një antar i parimevet liberale dhe i rivendimit të Kushtetutës në perandorinë osmanllije.
Me lëvizjen kombtare Shqiptare është marrë për herën e parë rreth vitit 1905-6, kur erdhi në Korfuz dhe u takua me disa nga paria e Vlorës dhe e Delvinës. Më 1908-9, me rastin e kryengritjes së malsorvet (7 bajrakët) shkon në Cetinjë.
Nga ajo kohë daton edhe njëfarsoj marrveshje që bëri (gojarisht) me Mbretin e Malit të zi. Bashkim i Shqipërisë me Malin e Zi në personin e Kral Nikollës; dy qeverie të veçanta, një ushtrí e përbashkët, arsim i veçantë, dy gjuhë zyrtare etj. Po një bisedë të tillë ka patur me Kryeministrin grek Trikupin më 1896.
Përgjithësisht, Ismail beu ka gëzuar (edhe si trashëgim nga i ati) një simpathie të veçant e një përkrahje në Greqí. Por “Jeunnes Tyrqit” nuk e kishin mik. Që më 1903, u prishën në Paris (gjatë kongresit që u bë) sepse, ndërsa Jeunne Tyrqit u çfaqën për parimin e “Osmanllillëkut”, Ismail beu çfaqi mendime “decentraliste” në mbështetje të parimevet kombtare. Filloi pra më 1908, kur u vendosën “Jeunnes Tyrqit” (Ittihad ve terekki Xhemijeti) lufta kundra Ismail beut që përfundoi në nëndorin e vitit 1912 me fitorinë e mendimit të Ismail beut. Ndofta pa këtë Ismail beu do kish qënë i detyruar prap të merrte rrugën e arratisë. Nuk e di nëse jeni në dijeni të veprimtarisë së tij në gjirin e parllamentit në Stamboll, në Vlorë 1912-14, në Evropë mbas plasjes së Luftës së parë botnore?
Por kujtoj se po, prandaj nuk desha të zgjatem më. Me gjith këtë nëse keni ndonjë nevojë për hollsina të tjera, më shkroni, më bëni një tjatër radhor pyetjesh, do ju përgjegjem me shumë gëzim.
Pranoni, sa për tash i dashuni mik, nderimet e mija edhe sigurimin e ndjenjat mija shum miqsore.

I juaj, Eqrem Vlora
⁠.
Marrë nga Muri i Fb Gegnishtja, 10 shkurt 2013

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.