back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Vinçenc Prennushi (1885-1949) – nga Stefan Shundi, “Shkrimtarë shqiptarë”, 1941

Gazeta

At Vinçenc Prennushi (1885-1949)
At Vinçenc Prennushi (1885-1949)

Vinçenc Prennushi (1885-1949)

nga Stefan Shundi, “Shkrimtarë shqiptarë”, 1941

Me rastin e përvjetorin e lindjes

Mâ i mbrami i shkrimtarvet të Rilindjes nga mosha, me të cilin mbyllet kaptina e parë e këtij vëllimi dhe i jepet fund njij perjudhe letrare së dallueme veçanisht për ndiesí atdhetare, âsht Vinçenc Prennushi.
Ai lindi në Shkodër me 4 Shtatuer 1885. Mësimet fillore edhe ato të mesmet i bâni pjesësisht në Shkodër e pjesësisht në Seminarin fretnuer të Troshanit, kurse studimet e nalta të filozofîs dhe të theologís i kreu me lavdim të madh në Tirolin e Austrís. U bâ meshtár françeskan me 25 Mars 1908, dhe ktheu në Shqipni, ku nisi menjiherë të zhvillojë veprimtarín e vet si shkrimtar, si barí i mirë shpirtnuer edhe si atdhetár i radhës së parë. Gojambël dhe njerí i urtë tërhoqi rreth vehtes sympathín e të gjithvet pá ndryshim besimi, klase a rangu; u thirr për kështu, u kërkue për ndihmë, u lyp ndër rrethana e rava të vështira të jetës së kombit.

At Vinçenc Prenushi me Nanen Drane dhe Vllaznit Ndos e Nush, viti 1917
At Vinçenc Prenushi me Nanen Drane dhe Vllaznit Ndos e Nush, viti 1917

Të parët e tij, tue pám sjelljen e lavdueshme. vullndetin e punës, ndërgjegjen e përpikët e zotsín e tij të rráll, e emnuen profesuer në Kolegjën françeskane. Orët e shumta të mësimit dhe punët e tepërme qi merrte vullndetisht përsipër, i shkaktuen sëmundjen e hemikranís, por megjithkëta nuk ishte gjâ qi ta ndante nga nxanësit e vet e qi të linte bankat e të rijvet, të cilët thithshin nektarin e parë të dijtunís, t’atdhedashunís edhe t’urtís. Në qarkun e Shkodrës, ku kaloi shumicën e jetës, gëzonte nji popullorsí aq të madhe për butsín e sjelljevet dhe gojtarín e shqueme si prej kathedre së kishës, si prej tribunavet popullore ndër rasa çfaqjesh, sá vëllaznit e tij myslimanë e quejtën “melek”. Populli prendonte mbas tij, kaqsá shpesh herë ndër zgjedhjet parlamentare i a vûni kandidaturën për deputet, por ai lutej përherë qi ta mbajshin larg nga ngatrresat e jetës parlamentare. Gjithashtu në 1919, qe zgjedhun nga shteti shqiptár senator, por as ketë detyrë politike nuk e pranoi.
Ndjekës shembulluer i rregullës françeskane, shokët e tij të provincës shqiptare e çmuen dhe e nderuen, tue i ngarkuem detyrë me randsí e me përgjegjsí, ku u ndá përherë faqebardhë. Përveç profesorís në lycen “Illyricum” dhe në Normalen e Stigmatinevet, qe edhe drejtuer i Kolegjës Françeskane, i parë kuvendi, në Gjuhadol për gjashtë vjete me radhë, drejtuer i Shoqnís fetare “Bijat e Zojës”, ku për nji kohë shum të gjatë me shembull e me fjalë rriti rinín femnore shkodrane me themele të shëndoshta virtytesh shpirtnore dhe kombtare, e mâ në fund porsi provincjal i fretënvet i zgjedhun dy herë radhazi (1929-’35).
Selija e Shenjtë, tue marrun para sýsh veprimtarín e tij në fushën apostullore, letrare dhe kombtare rreth 28 vjetësh punimi të pandám, e shenjoi si epishkop të Sapës (1936) e mâ vonë e rriti në shkallën e kryepishkopatës së Durrsit (1940).
Stefan Shundi, “Shkrimtarë shqiptarë – Pjesa e II”, 1941

.

Dioqeza e Sapës (1920) - ku shërbeu Imzot Prennushi
Dioqeza e Sapës (1920) – ku shërbeu Imzot Prennushi
Dioqeza e Sapës në ditët e sotme (2011)
Dioqeza e Sapës në ditët e sotme (2011)

Hot e Grudë

T’huejt, qi deshtën t’kalojshin kufinin
Shkrumue viset e blera t’Shqypnís,
Tue shkel’ dhunshëm ndër zagna t’lirís,
Ku e kreshnikve vet’ lulja buloi
Kah kta krepa p’rimend të nderueshëm
Syt t’i sjellin; mbar’ bota t’i sjelle,
E t’dishmoj’ se t’natyrshme ato kshtjelle,
Kjèn muroja e lirís qi flakoi.
Kundra anmikut t’njaj toke s’bekueme,
Çveshun shpatash, qi s’njoftën mâ ndore,
Luftuen luftat e zemrës arbnore,
Mprojtën çerdhen e Shqypes me gjak.
Por a patën kto çeta fatosash
Pse me u ndesh’ ndër lamije kombtare?
S’i u kujtuen, thue, njaj lidhjes trathtare,
Qi kombsín s’do t’ia kqyrte aspak?
Dje mâ i ardhshmi n’nipní t’Kastriotit,
Sot mâ i shkelni ndër tagre e ndër t’drejta,
Dje p’r Atdhé porsi plumbet e shpejta,
Dek’ ndër t’gjall’, sot ai n’vend s’ká pse kthen.
Librue në prej njaj zgjedhe barbare,
Me gjoks t’vetin na u bâne muroje,
Zemra e tyne prap gjak do t’pikoje,
Pse mâ Shqypes nuk ká si i shërben!
Ah! se â i lum kush pushon sot ndër vorre,
Jan’ mâ t’lum sá ndër t’ndeshna dek’ rane
E ket ditë ata t’mjer’ nuk e pane,
Qi â n’mâ t’kobshmet qi njofti ky vend.
Q’prej Deçiqit der m’Kodra t’Moksetit,
Derdhun eshtënsh, fatosa qindruene,
E kombsín me gjak t’vetin nënshkruene:
Ky nënshkrim, thue nuk vijka njimend?
Tash flet koha: Ngadhnime trathtije
Kurrnji kombi der tash t’mbar’ s’i dhane;
Askurr kobet njaj dheu nuk i u dane,
Qi mâ t’vorfnin nder kthetra e pengoi.
Nuk â rrfeja mizore sá nama
E njaj zemre, qi rob e shkon motin…
Shqypnís ktheja, Zot, Grudën e Hotin;
Ti verigat e tyne coptoi!

Nxjerrë nga libri “Gjeth e Lule” Botim II, 1931 fq. 28-29.
⁠.

"Gjeth' e Lule" - Poezi - Vinçenc Prennushi
“Gjeth’ e Lule” – Poezi – Vinçenc Prennushi

Marrë nga Muri i FB i Agim Morinës 4 shtator 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.