back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Kritikë letrare, apo post-truth – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu - ne sfond "Pieta" e Mikelanxhelos
Artan Kafexhiu – ne sfond “Pieta” e Mikelanxhelos

Kritikë letrare, apo post-truth*

nga Artan Kafexhiu

Futja në përdorim e termit “post-truth” në perëndim, i përket veçse dekadës të fundit. Parashtesa “post”(pas), nuk është vendosur më shumë për të përçuar sensin kohor të ndodhisë të diçkaje, por në kuptimin që e vërteta (truth) eklipsohet, me një fjalë, është parëndësi. Kritika letrare si term në Shqipëri, deri në fund të viteve 80-të, kryesisht nënkuptonte një lloj tabelë emulacioni/fletrrufeje, ku veprat letrare, i nënshtroheshin një inkuizicioni ideologjik bazuar mbi principet e shkollës së realizmit socialist. Elementët leksikore, figurative, stili, gjuha, ose këndvështrimi filozofik, etj, duhet të zbërtheshin në prizmin e ngjyrave të ideologjisë marksiste, e mesazhit socialist të momentit, që duhet të kishte tërë vemendjen e shkrimtarit dhe të lexuesit. Pra nuk flitej mirëfilli për kritikë letrare, bazuar historikisht në principet universale të teorisë letrare.
Në tridhjet vitet e fundit postenveriste në Shqipëri, ndërkohë botimi dhe shumëllojshmëria e zhanreve të librave, u shumëfishuar me përkthime dhe “krijimtari letrare” me tepri, në mungesë totale të një mekanizmi, politike (s)kualifimi editorial/botues, kritika, në formën e një përqasje filozofike letrare, humbi pa nam e nishan. Ndërkohë, që “letrarët” e sotëm, kishin e kanë gjykues apriori veç veten, dëshirën dhe besimin se ishin/janë padyshim të vlefshëm për t’u botuar, ku shpenzimet e botimeve të librave të tyre, i mbulonin/i mbulojnë nga xhepi tyre, prej fondacioneve bamirëse, apo prej të tjerave me axhenda turllilloj. Në një farë mënyrë kjo e zhvlerëson letërsinë, sepse mungon mekanizmi selektiv i vlerave.

Goja e së Vërtetës - (foto a. kafexhiu)
Goja e së Vërtetës – (foto a. kafexhiu)

Por në këtë përqasjen time përtej një reagimi të thjeshtë, vëmendja ime përqëndrohet në një ballafaqim të pamundur, që kerkohet t’i bëhet dy llojeve të letërsisë: asaj sociorealiste të 50 vjetëve të sundimit të Hoxhës, dhe letërsisë që i ngjau një levizje meteroike, me një shkëlqim vetëm një 10-15 vjeçar midis dy luftrave botërore. Shuarja e këtij “meteoriti letrar” në rrugëtimin e tij, nuk pati arsye natyrale, por zjarri i saj u tulat dhunshëm prej rrethanave politike në Shqipërinë e pasluftes. Ndërsa “post-truth” u definua vonë në fjalorët perendimore, ajo gëlonte e gjallnonte për dekada të tëra në letërsinë sovjetike, e të simotrave të saj. Me lëvizjen e lirë, metoda e “post-truth”, u huazua me sukses prej propogandës të vendeve lindore komuniste nga lëvizja e quajtur “progresiste”, ekstremi mëngjërash perëndimor, duke përdorur shenjtërinë e “lirisë të shtypit dhe fjalës”. E vërteta (shkencërisht ka vetëm një, e jo dy) për propogandën marksiste, s’ështe aspak e rëndësishme, e rëndësishme ështe si të mund të manipulohej ajo, që të mund të apelojë e të krijojë atë efekt emocional, të njëllojtë me aluçinacionet skizofrenike të publikut dhe të lexuesit sociorealist.
Në këtë aspekt, duke patur në mëndje “post truth”, ekuivalentimi i biografive si (jo)faktor në gjykimin e një vepre letrare për mendimin tim është problematik. “Post-truth” përsëri do të kërkojë të të marrë nga krahët, e që në fund, do e nxjerr fytyrën e vet të vërtetë si një supremaci ideologjike, nëpërmjet “mjeshtrave, praktikuesve të propogandës”, që nuk heqin dorë të fusin në ullukun e këndvështrimit të tyre, e të bëjnë lexuesit e tyre të besojnë në to, pavarsisht nëse ekzistojnë prova bindëse, apo jo.
Duke sjellë në skenë biografinë, e duke rrotulluar atë si një top futbolli në syrin e lexuesit, ky top vendoset në këmbët e lojtarëve të dy skuadrave kundërshtare “të futbollit letrar”; ku secila palë duhet të tregoj mjeshtëri në lojë për të bërë sa me shumë gola me të njëjtin top “biografi-vlera” në portën kundërshtare.

La Lupa - Remo e Romolo (foto a. kafexhiu)
La Lupa – Remo e Romolo (foto a. kafexhiu)

Kur për dikë, bindja e besimi i tij vihet në provë para fakteve inkonveniente për të, reagimi i tij do të jetë, që të kundërshtojë me çdo kusht faktet. Kjo fillon në subkoshiencë, dhe pastaj ngrihet në nivelin e ndërgjegjshëm, dhe realiteti i post-truth, i detyron këta njerëz të përdorin çdo lloj strategjie, për të rivendikuar supremacinë e tyre, që është më e rëndësishme se faktet, dhe e vërteta. Një mënyrë është duke qënë selektiv në atë çka i ofron publikut. Siç pamë edhe rastin e Vehbiut, që “biografinë e mirë”, tani në demokraci të Haxhiademit, por “të keqe” në socializmin e Hoxhës, ta përdorë si karrem, apriori, për ta (zh)vlerësuar atë si shkrimtar. Ndërkohë kur Zhiti, për hir të ekuivalencës, e paasnjëanësisë, pavarsisht biografisë “komuniste” të Shefqet Musarajit, sugjeronte për vlera në satirën e tij tek “Epopeja e Ballit Kombetar”. Satira është me vlera, veçanërisht letrare e edukative, kur bazohet në elementë realë dhe jo në shtrembërime historike, përçudje të karaktereve e marrëdhënieve njerëzore, apo ngjarjeve të sajuara, e krejt të pavërteta. Aq më tepër, që Musaraj mbetet një shkrimtar krejt mediokër, e si vepër më të mirë ka një roman për një kohë që e bëri atë njeri, e që personazhe si MK, intelektuale klasi, “t’ia hidhnin qurret”, e ta mbanin si ogiç mbas vetes. Ja pra gola në portat kundërshtare, duke përdorur binomin “biografi-(jo)vlera”, e duke luajtur me raportin midis të dyjave. Por kjo është një barazi falso midis të dy krahëve në vlerësimin e kontributit letrar, sepse jo të dy krahët janë të besueshme. E vërteta s’mund të ketë dy fytyra, kështu si rezultat logjik, vetëm njëra krahë duhet të jetë e besueshmja.
Kur flet për të përjashtuarit për shkak të bios, ishte vepra e tyre që damkosi edhe fatin e shkrimtarit, pra vepra duke i bërë me “bio të keqe”. Ndaj përzënia e tyre ishte për “moralin proletar”, krejtësisht e justifikueshme. Këtu flitet kryesisht për shkrimtarë, që kontributi i tyre publicistik solli edhe linçimin politik, duke i bërë me bio të keqe. E kjo i përjashtoi jo vetëm nga vendi i tyre në Panteonin e letrave, për aq sa e meritonin dhe për ata që e meritonin, por një pjesë, nuk iu dha mundësia ta vazhdonin krijimtarinë, iu hoqën më përdhunë lexuesit shqiptar, duke krijuar boshllëkun letrar e distancën kohore me të, duke ia bërë të pamundur ecjen bashkarisht. Kështu për lexuesin e sotëm, ata mbetën të huaj, të paarrirë, të papërmbushur, anakronike; lexuesit nuk ju dha mundësia t’i shijonte, të edukohej nga ata, e ndërkohë t’i jepte edhe “the feedback”, ta ushqente shkrimtarin tashmë të përjashtuar, që së fundi të mund të kishin të dyja palët një denominator, një emërues të përbashkët filozofik dhe artistik.
Ndërkohë, a u bë letërsi për 50 vjet nën “socializmin e Hoxhës”, forcërisht sipas skemës të sociorealizmit, si një metodë që duhej ndjekur rigorozisht?

Caravaggio (foto a. kafexhiu)
Caravaggio (foto a. kafexhiu)

Kur realiteti është i skematizuar, kur karakteret nuk janë jetësorë, realë, por krijesa sipas ca standardeve, manekina të metodës sociorealiste, çfarë i mbeti asaj të quhet letërsi e mirëfilltë?
Mjafton të marrësh në dorë një poemë, një prozë përshkrimore, një dialog të cituar si “excerpt” nga cilado vepër, dramë, etj, e nuk është e vështirë të dallohet falsiteti i kësaj lloj letërsie. Pra, nuk është letërsi e mirëfilltë. E kërkush nuk doli nga rreshti, s’pipëtiu. Disidenca s’kishte lindur kurrë, ose ishte dështuar e vdekur nga barku i ndonjë fatkeqi.
Mund të sjellësh si shembull këdo shkrimtar të sociorealizmit, e mund ta realizosh pa droje këtë eksperiment. Të duhet t’i bësh një proces sanitimi, pastrimi, ta krreshë nga skematizmi e falsiteti, e s’fundit, do të shohësh se nuk mbetet gjë, veçse një ndërtesë e shkërmoqur, apo mbetje harasani, suvaja e dikurshme zbukuruese, me të cilin nuk mund të bësh asgjë. Provojeni me çdo vepër, e shihni çdo të mbesë pas.
Ndërkohë është ndërtuar një mentalitet letrar i betonuar socialist te lexuesi i rëndomtë, që do të kënaqet me vjershat bejte të Dritëro Agollit, që për këtë lloj lexuesi përfaqësojnë arritje, urtësinë popullore, ndjesitë pijanike të dashurisë, si një lloj Khajami, i dalë nga kryesia e lidhjes të shkrimtarëve. Agolli vazhdon e mbetet më i votuari për lexuesin shqiptar, sepse kjo letërsi e formoi atë si lexues. Mangësitë e trashëguara kulturore e letrare, paragjykimet me rrënjët në sistemin e Hoxhës, mungesa e ekspozimit karshi mendimit e letërsisë alternative e me vlerë, na viktimizojnë ne të gjithëve, kush me shumë e kush më pak. Publiku i gjërë është shumë lehtë i manipulueshëm dhe shfrytëzohet regresioni emocional, i projektuar gjithmonë nëpërmjet të kaluarës nostalgjike të formimit të tyre, nga ata që kanë një axhendë, sidomos kur u jepet mundësia me selektivitetin e tyre të djallëzuar të diskreditojnë burimet e një informacioni me vlerë, siç janë veprat e një plejade të tërë krijuesish të harruar qëllimisht nga koha.
Pra, së fundi, nuk duhet të jetë i njëjti kandar për të peshuar biografitë e këtyre dy lloje shkrimtarësh. Letërsia shërben si dritë, e mund të peshojë si vlerë, veçse kur krijohet në liri, jo nën vargonjtë skematike të politikës dhe diktaturës e të puthadorëve të saj. Duke ju nënshtruar një paragjykimi konjitiv, njerëzit kujtojnë se në fakt, qëndrimi i tyre është rezultat i njohjes dhe i një të menduari të thelluar. Por shpesh ata, nuk e kuptojnë se janë thjesht vetëm emocionalisht të njohur me të vërtetat, që është veçse një investim sipërfaqësor. E kur je vetëm i investuar emocionalisht, si pasojë e projektimit në qenien tënde të së kaluarës së mangët, të painformuar, të padije, aftësia për të arsyetuar e gjykuar drejt është krejtësisht skllave, e ndikuar nga kjo e vërtetë bazike.

Shtegu i Blerte (foto a. kafexhiu)
Shtegu i Blerte (foto a. kafexhiu)

*Oxford Dictionaries e përkufizon termin “post-truth” si diçka, “që ka të bëj, ose tregon për rrethanat në të cilat faktet janë shumë më pak ndikuese në formimin e opinionit publik se sa influencat/tërheqjet mbi gjendjen emocionale/emocionet, e çka besohet personalisht.”

ps. Shkrimi u shoqërua edhe me disa fotografi të Artan Kafexhiut, që është një nga pasionet e tij…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.